-
Lexo Dokumentin
12.6.2014
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 173/179
32014L0057
DIREKTIVA 2014/57/BE E PARLAMENTIT EVROPIAN DHE E KËSHILLIT, DATË 16 PRILL 2014, "PËR SANKSIONET PENALE PËR ABUZIMIN E TREGUT (DIREKTIVA E ABUZIMIT TË TREGUT)"
PARLAMENTI EVROPIAN DHE KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe në veçanti nenin 83, paragrafi 2 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit Evropian,
Pas komunikimit të projekt aktit legjislativ në parlamentet kombëtare,
Duke pasur parasysh opinionin e Bankës Qendrore Evropiane<href="#ntr1-L_2014173EN.01017901-E0001">1,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social<href="#ntr2-L_2014173EN.01017901-E0002">2,
Duke vepruar në përputhje me procedurën e zakonshme legjislative<href="#ntr3-L_2014173EN.01017901-E0003">3,
Meqë:
1. Një treg financiar i integruar dhe efikas dhe besimi më i fortë i investitorëve, kërkon integritet të tregut. Funksionimi normal i tregjeve të titujve dhe besimi i publikut në to përbëjnë kushtet paraprake për rritjen ekonomike dhe mirëqenien. Abuzimi i tregut dëmton integritetin e tregjeve financiare dhe besimin e publikut në tituj, derivate dhe standarde.
2. Direktiva 2003/6/KE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit4 plotësoi dhe përditësoi kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian për të ruajtur integritetin e tregut. Gjithashtu kërkohet që shtetet anëtare të sigurojnë që autoritetet kompetente të kenë fuqinë për të zbuluar dhe hetuar abuzimin e tregut. Pa cenuar të drejtën e shteteve anëtare për vendosjen e sanksioneve penale, Direktiva 2003/6/KE u kërkoi gjithashtu shteteve anëtare të sigurojnë marrjen e masave të duhura administrative ose vendosjen e sanksioneve administrative ndaj personave përgjegjës për shkelje të rregullave kombëtare që zbatojnë atë direktivë.
3. Raporti i 25 shkurtit 2009 i Grupit të Nivelit të Lartë për Mbikëqyrjen Financiare në BE, të kryesuar nga Jacques de Larosière (Grupi de Larosière), rekomandoi që një kuadër i kujdesshëm dhe zhvillimi i kuadrit të biznesit për sektorin financiar duhet të mbështetet mbi regjime të forta mbikëqyrëse dhe sanksionuese. Për këtë qëllim, Grupi de Larosière konsideroi se autoritetet mbikëqyrëse duhet të pajisen me kompetenca të mjaftueshme për të vepruar dhe gjithashtu duhet të ketë regjime sanksionuese të barabarta, të forta dhe të ashpra kundër të gjitha krimeve financiare, sanksione të cilat duhet të zbatohen në mënyrë efektive, me qëllim ruajtjen e integritetit të tregut. Grupi de Larosière arriti në përfundimin se regjimet sanksionuese të shteteve anëtare janë përgjithësisht të dobëta dhe heterogjene.
4. Një kornizë legjislative funksionale në lidhje me abuzimin e tregut kërkon zbatim efektiv. Një vlerësim i regjimeve kombëtare për sanksionet administrative sipas Direktivës 2003/6/KE tregoi se jo të gjitha autoritetet kombëtare kompetente kishin kompetenca të plota në dispozicion të tyre për të siguruar që mund të reagonin ndaj abuzimit të tregut me sanksionin e duhur. Në veçanti, jo të gjitha shtetet anëtare parashikojnë sanksione financiare monetare për abuzimin me informacionet e privilegjuara dhe manipulimin e tregut, dhe niveli i sanksioneve ndryshon shumë midis shteteve anëtare. Për këtë arsye, është i nevojshëm një akt i ri legjislativ për të siguruar rregulla minimale të përbashkëta në të gjithë Bashkimin Evropian.
5. Miratimi i sanksioneve administrative nga shtetet anëtare deri më sot, është provuar të jetë i pamjaftueshëm për të siguruar pajtueshmërinë me rregullat për parandalimin dhe luftimin e abuzimit të tregut.
6. Është thelbësore që pajtueshmëria me rregullat e abuzimit të tregut të forcohet nga disponueshmëria e sanksioneve penale të cilat tregojnë një formë më të fortë të mosmiratimit social në krahasim me gjobat administrative. Vendosja e veprave penale për të paktën format serioze të abuzimit të tregut, përcakton kufijtë e qartë për llojet e sjelljes që konsiderohen si veçanërisht të papranueshme dhe i jep një mesazh publikut dhe autorëve potencialë që autoritetet kompetente e marrin një sjellje të tillë shumë seriozisht.
7. Jo të gjitha shtetet anëtare kanë parashikuar sanksione penale për disa forma të shkeljeve serioze të ligjit kombëtar që zbatojnë Direktivën 2003/6/KE. Qasjet e ndryshme të shteteve anëtare dëmtojnë uniformitetin e kushteve të veprimit në tregun e brendshëm dhe mund të shihen si nxitje për personat që të kryejnë abuzimin e tregut në shtetet anëtare të cilat nuk parashikojnë sanksione penale për ato vepra penale. Përveç kësaj, deri më tani nuk ka pasur një kuptim të përgjithshëm në të gjithë Bashkimin Evropian të sjelljes që konsiderohet si shkelje serioze e rregullave mbi abuzimin e tregut. Prandaj, duhet të vendosen rregulla minimale në lidhje me përkufizimin e veprave penale të kryera nga personat fizikë, përgjegjësitë e personave juridikë dhe sanksionet përkatëse. Rregullat e përbashkëta minimale gjithashtu do të bënin të mundur përdorimin e metodave më efektive të hetimit dhe mundësimin e bashkëpunimit më efektiv brenda dhe midis shteteve anëtare. Në kushtet e krizës financiare, është e qartë se manipulimi i tregut ka potencial për përhapjen e dëmtimeve në jetën e miliona njerëzve. Skandali Libor, i cili kishte të bënte me një rast serioz të manipulimit të referencës, tregoi se problemet e rëndësishme dhe boshllëqet, ndikojnë seriozisht në besimin e tregut dhe mund të arrijnë në humbje të mëdha për investitorët dhe në shtrembërimin e ekonomisë reale. Mungesa e regjimeve të përbashkëta për sanksionet kriminale në të gjithë Bashkimin Evropian krijon mundësi për autorët e abuzimit të tregut për të përfituar nga regjimet më të lehta në disa shtete anëtare. Vendosja e sanksioneve penale për abuzimin e tregut do të ketë një efekt parandalues mbi autorët potencialë.
8. Futja e sanksioneve penale nga të gjitha shtetet anëtare për shkelje të rënda të abuzimit të tregut është thelbësore për të siguruar zbatimin efektiv të politikës së Bashkimit Evropian për luftimin e abuzimit të tregut.
9. Në mënyrë që fushëveprimi i kësaj Direktive të jetë në linjë me atë të Rregullores (BE) nr. 596/2014 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit5, tregtimi i aksioneve të veta në programet e blerjes dhe tregtimin e letrave me vlerë ose instrumenteve shoqëruese për stabilizimin e letrave me vlerë; transaksionet, urdhrat ose sjelljet në ndjekje të politikës monetare, të kursit të këmbimit ose politikës së administrimit të borxhit publik; aktivitetet në lidhje me lejimet e emetimit të ndërmarra në ndjekje të politikës klimaterike të Bashkimit Evropian; dhe aktivitetet e ndërmarra në ndjekje të Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe të Politikës së Përbashkët të Peshkimit të Bashkimit Evropian, duhet të përjashtohen nga kjo direktivë.
10. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që, të paktën për rastet serioze të abuzimit me informacione të privilegjuara, manipulimin e tregut dhe publikimin e paligjshëm të informacionit të brendshëm, të përbëjnë vepra penale kur kryhen me dashje.
11. Për qëllimet e kësaj direktive, abuzimi me informacionin e privilegjuar dhe publikimi i paligjshëm i informacionit të brendshëm duhet të konsiderohen serioze në raste të tilla si ato kur ndikimi në integritetin e tregut, fitimi aktual ose potencial apo humbja e shmangur, niveli i dëmit që i është shkaktuar tregut, ose vlera e përgjithshme e instrumenteve financiare, është e lartë. Rrethana të tjera që mund të merren parasysh janë, për shembull, kur një vepër është kryer brenda kuadrit të një organizate kriminale ose kur personi e ka kryer në vepër të tillë dhe më parë.
12. Për qëllimet e kësaj direktive, manipulimi i tregut duhet të konsiderohet serioz në raste të tilla si ato ku ndikimi në integritetin e tregut, fitimi aktual ose potencial apo humbja e shmangur, niveli i dëmit që i është shkaktuar tregut, niveli i ndryshimit të vlerës së instrumentit financiar ose të kontratës për mallrat vendorë ose shuma e mjeteve të përdorura fillimisht është e lartë ose kur manipulimi kryhet nga një person i punësuar ose që punon në sektorin financiar ose në një autoritet mbikëqyrës ose rregullator.
13. Për shkak të efekteve të pafavorshme të përpjekjeve për abuzimin me informacionin e privilegjuar dhe përpjekjeve për manipulimin e tregut në integritetin e tregjeve financiare dhe në besimin e investitorëve në ato tregje, ato forma të sjelljes duhet gjithashtu të ndëshkohen si vepër penale.
14. Kjo direktivë duhet t'i detyrojë shtetet anëtare të parashikojnë në ligjin e tyre kombëtar dënimet penale në lidhje me abuzimin me informacionin e privilegjuar, manipulimin e tregut dhe publikimin e paligjshëm të informacionit të brendshëm, për të cilat zbatohet kjo direktivë. Kjo direktivë nuk krijon asnjë detyrim për aplikimin e këtyre dënimeve dhe asnjë sistem tjetër të disponueshëm për zbatimin e ligjit për rastet individuale.
15. Kjo direktivë duhet gjithashtu t'u kërkojë shteteve anëtare të sigurojnë që nxitja, ndihma dhe mbështetja e veprave penale janë gjithashtu të dënueshme.
16. Në mënyrë që sanksionet për veprat penale të përmendura në këtë direktivë të jenë efektive dhe bindëse, duhet të përcaktohet një nivel minimal për afatin maksimal të dënimit me burgim.
17. Kjo direktivë duhet të zbatohet duke marrë parasysh kuadrin ligjor të vendosur nga Rregullorja (BE) nr. 596/2014 dhe masat e saj zbatuese.
18. Me qëllim sigurimin e zbatimit efektiv të politikës evropiane për sigurimin e integritetit të tregjeve financiare të përcaktuara në Rregulloren (BE) nr. 596/2014, shtetet anëtare duhet të zgjerojnë përgjegjësinë për veprat penale të parashikuara në këtë direktivë për personat juridikë nëpërmjet vendosjes së sanksioneve penale ose jo-penale ose masa të tjera të cilat janë efektive, proporcionale dhe bindëse, për shembull ato të parashikuara në Rregulloren (BE) nr. 596/2014. Sanksione të tilla ose masa të tjera mund të përfshijnë publikimin e një vendimi përfundimtar mbi një sanksion, përfshirë identitetin e personit juridik përgjegjës, duke marrë parasysh të drejtat themelore, parimin e proporcionalitetit dhe rreziqet për stabilitetin e tregjeve financiare dhe hetimet në vazhdim. Shtetet anëtarë, duhet sipas rastit dhe kur legjislacioni i brendshëm parashikon për përgjegjësinë penale të personave juridikë, ta zgjerojë një përgjegjësi të tillë, në përputhje me legjislacionin e brendshëm, deri te veprat e parashikuara në këtë direktivë. Kjo direktivë nuk duhet të pengojë shtetet anëtare të publikojnë vendimet përfundimtare për përgjegjësinë ose sanksionet.
19. Shtetet anëtare duhet të marrin masat e nevojshme për të siguruar që autoritetet e zbatimit të ligjit, autoritetet gjyqësore dhe autoritetet e tjera kompetente përgjegjëse për hetimin ose ndjekjen e veprave penale të parashikuara në këtë direktivë, kanë aftësinë për të përdorur mjete efektive hetimore. Duke marrë parasysh ndër të tjera, parimin e proporcionalitetit, përdorimi i këtyre mjeteve në përputhje me legjislacionin e brendshëm duhet të bëhet konform natyrës dhe seriozitetit të veprës penale nën hetim.
20. Duke qenë se kjo direktivë parashikon rregullat minimale, shtetet anëtare mund të miratojnë ose të përdorin rregulla më të rrepta penale për abuzimin e tregut.
21. Shtetet anëtare, për shembull, parashikojnë që manipulimet e tregut të kryera në mënyrë të pakujdesshme ose me neglizhencë të rëndë përbëjnë një vepër penale.
22. Detyrimet në këtë direktivë për të parashikuar ndëshkimet për personat fizikë dhe sanksionet ndaj personave juridikë në të legjislacionin e tyre të brendshëm nuk i përjashtojnë shtetet anëtare nga detyrimi për të parashikuar në legjislacionin e brendshëm sanksione administrative dhe masa të tjera për shkeljet e parashikuara në Rregulloren (BE) nr. 596/2014, përveç nëse shtetet anëtare kanë vendosur, në përputhje me Rregulloren (BE) nr. 596/2014, të parashikojnë vetëm sanksione penale për shkelje të tilla në legjislacionin e tyre të brendshëm.
23. Fushëveprimi i kësaj direktive përcaktohet në mënyrë të tillë që të plotësojë dhe të sigurojë zbatimin efektiv të Rregullores (BE) nr. 596/2014. Ndërsa veprat penale duhet të ndëshkohen sipas kësaj direktive kur kryhen me dashje dhe të paktën në raste serioze, sanksionet për shkeljen e Rregullores (BE) nr. 596/2014 nuk kërkojnë që të provohet qëllimi ose që ato të kualifikohen si serioze. Në zbatimin e ligjit kombëtar për përafrimin e kësaj direktive, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që vendosja e sanksioneve penale për veprat penale në përputhje me këtë direktivë dhe sanksionet administrative në përputhje me Rregulloren (BE) nr. 596/2014 nuk çon në shkelje të parimi ne bis in idem.
24. Pa cenuar rregullat e përgjithshme të legjislacionit të brendshëm penal për zbatimin dhe ekzekutimin e dënimeve në përputhje me rrethanat konkrete në secilin rast individual, vendosja e sanksioneve duhet të jetë proporcionale, duke marrë parasysh fitimet e marra ose humbjet e shmangura nga personat përgjegjës si dhe dëmin ndaj personave të tjerë dhe, kur është e zbatueshme, funksionimit të tregjeve ose ekonomisë më të gjerë.
25. Meqenëse objektivi i kësaj direktive, përkatësisht për të garantuar mundësinë e sanksioneve penale për të paktën abuzimin serioz të tregut në të gjithë Bashkimin Evropian, nuk mund të arrihet plotësisht nga shtetet anëtare, por për shkak të shkallës dhe efekteve të kësaj Direktive, mund të arrihet më mirë në nivel Bashkimi Evropian, ky i fundit mund të miratojë masa, në përputhje me parimin e subsidiaritetit siç përcaktohet në nenin 5 të Traktatit për Bashkimin Evropian (TBE). Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, sipas përcaktimit në atë nen, kjo direktivë nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e këtij objektivi.
26. Rritja e aktiviteteve ndërkufitare kërkon bashkëpunim efikas dhe efektiv midis autoriteteve kombëtare kompetente për hetimin dhe ndjekjen penale të shkeljeve të abuzimeve të tregut. Organizimi dhe kompetencat e atyre autoriteteve kombëtare në shtetet e ndryshme anëtare nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin e tyre.
27. Kjo direktivë respekton të drejtat themelore dhe parimet e njohura në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (Karta) siç sanksionohen në Traktate. Në mënyrë të veçantë, ajo duhet të zbatohet me respektimin e duhur për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale (neni 8), lirinë e shprehjes dhe informacionit (neni 11), lirinë e drejtimit të biznesit (neni 16), të drejtën për kompensim efektiv dhe gjykim të drejtë (neni 47), prezumimin e pafajësisë dhe e drejta e mbrojtjes (neni 48), parimet e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të veprave penale dhe dënimeve (neni 49) dhe të drejtën për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë në një procedim penal për të njëjtën vepër penale (neni 50).
28. Gjatë zbatimit të kësaj direktive shtetet anëtare duhet të garantojnë të drejtat procedurale të personave të dyshuar apo të akuzuar në procedurat penale. Detyrimet e tyre sipas kësaj direktive nuk cenojnë detyrimet e tyre sipas ligjit të Bashkimit Evropian për të drejtat procedurale në procedurat penale. Asgjë në këtë direktivë nuk synon të kufizojë lirinë e shtypit apo lirinë e shprehjes në media për sa kohë ato janë të garantuara në Bashkimin Evropian dhe shtete anëtare, veçanërisht sipas nenit 11 të Kartës dhe dispozitave përkatëse. Kjo duhet të theksohet veçanërisht për sa i përket zbulimit të informacionit të brendshëm në përputhje me dispozitat e kësaj direktive për një zbulim të tillë.
29. Pa cenuar nenin 4 të Protokollit nr. 21 për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Irlandës lidhur me fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, të bashkangjitur në TBE dhe në Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE), Mbretëria e Bashkuar nuk do të marrë pjesë në miratimin e kësaj direktive dhe prandaj nuk është e detyruar ose nuk do të jetë subjekt i zbatimit të saj.
30. Në përputhje me nenet 1, 2, 3 dhe 4 të Protokollit nr. 21 për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Irlandës lidhur me fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, bashkëlidhur TBE-së dhe TFBE-së, Irlanda njoftuar dëshirën e saj për të marrë pjesë në miratimin dhe zbatimin e kësaj direktive.
31. Në përputhje me nenet 1 dhe 2 të Protokollit nr. 22 për qëndrimin e Danimarkës, bashkëlidhur TBE-së dhe TFBE-së, Danimarka nuk merr pjesë në miratimin e kësaj direktive dhe nuk është e detyruar ta zbatojë atë apo të jetë objekt i zbatimit të saj.
32. Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale shprehu mendimin e tij më datë 10 shkurt 20126,
MIRATOJNË KËTË DIREKTIVË;
Neni 1
Objekti dhe fusha e zbatimit
1. Kjo direktivë përcakton rregullat minimale për sanksionet penale për abuzimin me informacionin e privilegjuar, për publikimin e paligjshëm të informacionit të brendshëm dhe për manipulimin e tregut për të siguruar integritetin e tregjeve financiare në Bashkimin Evropian dhe për të përmirësuar mbrojtjen e investitorit dhe besimin në ato tregje.
2. Kjo direktivë zbatohet për sa vijon:
a) instrumentet financiare të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar ose për të cilat është bërë një kërkesë për pranim në tregtim në një treg të rregulluar;
b) instrumentet financiare të tregtuara në një platformë shumëpalëshe tregtimi (PST), të pranuara në tregtim në një PST ose për të cilat është bërë një kërkesë për pranim në tregtim në një PST;
c) instrumente financiare të tregtuara në një platformë të përbashkët tregtimi (PPT);
d) instrumente financiare që nuk mbulohen në pikat a, b ose c, çmimi dhe vlera e të cilëve varet nga, ose ka ndikim në, çmimin apo vlerën e instrumentit financiar të referuar në ato pika, duke përfshirë, por jo vetëm, swaps-et e mosshlyerjes së kredisë dhe kontratat për ndryshim.
Kjo direktivë zbatohet gjithashtu për sjelljen ose transaksionet, duke përfshirë ofertat, që lidhen me ankandin në platformën e ankandit të autorizuar si një treg i rregulluar i lejeve së emetimit ose produkteve të tjera të ankanduara në bazë të tyre, përfshirë kur produktet e ankanduara nuk janë instrumente financiare, sipas Rregullores së Komisionit (BE) nr. 1031/20107. Pa cenuar ndonjë dispozitë specifike që i referohet ofertave të dorëzuara në kontekstin e një ankandi, çdo dispozitë e kësaj direktive që i referohet urdhrave për tregti do të zbatohet për oferta të tilla.
3. Kjo direktivë nuk zbatohet për:
a) tregtimin e aksioneve të veta në programet e riblerjes, kur një tregti e tillë kryhet në përputhje me nenet 5 paragrafët 1, 2 dhe 3 të Rregullores (BE) nr. 596/2014;
b) tregtimi i titujve ose i instrumenteve të lidhura me ta siç referohet në pikat a dhe b të nenit 3, paragrafi 2 të Rregullores (BE) nr. 596/2014 për stabilizimin e titujve, kur tregtia e tillë kryhet në përputhje me nenin 5, paragrafët 4 dhe 5 të kësaj rregulloreje;
c) transaksionet, urdhrat ose sjelljet e kryera në ndjekje të politikës monetare, të kursit të këmbimit ose të administrimit të borxhit publik në përputhje me nenin 6, paragrafi 1 të Rregullores (BE) nr. 596/2014, rendit të transaksioneve ose sjelljeve të kryera në përputhje me nenin 6, paragrafi 2 të tij, veprimtaritë në ndjekje të politikës klimaterike të Bashkimit Evropian në përputhje me nenin 6, paragrafi 3 të tij, ose aktivitetet në ndjekje të Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian ose të Politikës së Përbashkët të Peshkimit të Bashkimit Evropian në përputhje me nenin 6, paragrafi 4 të tij;
4. Neni 5 zbatohet gjithashtu për:
a) kontratat spot të mallrave që nuk janë produkte energjetike të tregtuara me shumicë, ku transaksioni, rendi apo sjellja ndikon në çmimin ose vlerën e një instrumenti financiar të referuar në paragrafin 2 të këtij neni;
b) llojet e instrumenteve financiare, duke përfshirë kontratat derivative ose instrumentet derivative për transferimin e rrezikut të kredisë, ku transaksioni, rendi, oferta ose sjellja ndikon në çmimin ose vlerën e një kontrate spot të mallrave ku çmimi ose vlera varet nga çmimi ose vlera e atyre instrumenteve financiare;
c) sjellja në lidhje me referencat.
5. Kjo direktivë zbatohet për çdo transaksion, urdhër ose sjellje në lidhje me ndonjë instrument financiar siç referohet në paragrafët 2 dhe 4, pavarësisht nëse transaksioni, rendi apo sjellja ndodh në një vend tregtimi ose jo.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllimet e kësaj direktive përdoren përkufizimet e mëposhtme:
1. "instrument financiar" është instrumenti financiar siç përcaktohet në pikën 15 të nenit 4, paragrafi 1 të Direktivës 2014/65/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit8;
2. "kontratë spot e mallrave" është kontrata spot e mallrave siç përcaktohet pikën 15 të nenit 3(1) të Rregullores (BE) nr. 596/2014;
3. "program i riblerjes" është tregtimi me aksionet e veta në përputhje me nenet 21 deri 27 të Direktivës 2012/30/BE Parlamentit Evropian dhe të Këshillit9;
4. "informacion i brendshëm" është informacioni në kuptimin e nenit 7(1) deri (4) i Rregullores (BE) nr. 596/2014;
5. "kuota e lejuar e shkarkimit" është kuota e shkarkimit siç përshkruhet në pikën 11 të seksionit C të shtojcës së direktive 2014/65/BE;
6. "pika e referencës" është referenca siç përkufizohet në pikën 29 të nenit 3, paragrafi 1 i Rregullores (BE) nr. 596/2014;
7. "praktika e pranuar e tregut" është praktika specifike e tregut që pranohet nga autoriteti kompetent i një shteti anëtar në përputhje me nenin 13 të Rregullores (BE) nr. 596/2014;
8. "stabilizim" është stabilizimi i përkufizuar si në nenin 3, paragrafi 2, germa d të Rregullores (BE) nr. 596/2014;
9. "treg i rregulluar" është tregu i rregulluar i përcaktuar si në pikën 21 të nenit 4, paragrafi 1 të Direktivës 2014/65/BE;
10. "platformë shumëpalëshe e tregtimit" ose "PST" është platforma tregtare e tregtimit, e përcaktuar si në pikën 22 të nenit 4, paragrafi 1 të Direktivës 2014/65/BE;
11. "platformë e organizuar tregtimi" ose "POT" është platforma e organizuar e tregtimit, e përcaktuar si në pikën 23 të nenit 4, paragrafi 1 të Direktivës 2014/65/BE;
12. "vendi i tregtimit" është vendi i tregtimit i përcaktuar si në pikën 24 të nenit 4, paragrafi 1 të Direktivës 2014/65/BE;
13. "produkt energjetik i tregtuar me shumicë" është produkti energjetik i tregtuar me shumicë, i përcaktuar si në pikën 4 të nenit 2 të Rregullores (BE) nr.1227/2011 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit10;
14. "emetues" është emetuesi siç përcaktohet në pikën 21 të nenit 1 të Rregullores (BE) nr. 596/2014.
Neni 3
Abuzimi me informacionin e privilegjuar, rekomandimi apo nxitja e një personi tjetër për t'u angazhuar në abuzimin me informacionin e privilegjuar
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të siguruar që abuzimi me informacionet e privilegjuara, rekomandimi dhe nxitja e një personi tjetër për t'u angazhuar në abuzimin me informacionet e privilegjuara siç referohet në paragrafët 2 dhe 8, përbën vepër penale të paktën në rastet e rënda dhe kur kryhet ndërkombëtarisht.
2. Për qëllimet e kësaj direktive, abuzimi me informacionet e privilegjuara lind kur një person zotëron informacion të brendshëm dhe e përdor atë duke blerë apo shitur, për llogari të tij apo të nj pale tjetër, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, instrumente financiare me të cilat lidhet ai informacion.
3. Ky nen zbatohet për çdo person i cili zotëron informacion të brendshëm si rezultat i:
a) të qenurit anëtar i organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse të emetuesit apo të pjesëmarrësit në tregun e kuotave të lejuara të shkarkimeve;
b) zotërimit të kapitalit të emetuesit ose të pjesëmarrësit në tregun e kuotave të lejuara të emetimit;
c) aksesit në informacion nëpërmjet ushtrimit të detyrave të tij funksionale ose profesionale; ose
d) përfshirjes në aktivitete kriminale.
Ky nen zbatohet gjithashtu për çdo person që ka marrë informacionin e brendshëm në rrethana të ndryshme nga ato të përmendura në nënparagrafin e parë, kur ai person e di se është informacion i brendshëm.
4. Përdorimi i informacionit të brendshëm duke anuluar ose ndryshuar një urdhër në lidhje me një instrument financiar me të cilin ka lidhje informacioni, kur urdhri është vendosur para se personi në fjalë të ketë informacionin e brendshëm, gjithashtu do të konsiderohet si abuzim me informacionin e privilegjuar.
5. Në lidhje me ankandet e kuotave të emetimeve të lejuara ose produktet e tjera të ankanduara bazuar në to, që kryhen sipas Rregullores (BE) nr. 1031/2010, përdorimi i informacionit të brendshëm që referohet në paragrafin 4 i këtij neni gjithashtu përfshin dorëzimin, ndryshimin apo tërheqjen e një oferte nga një person për llogari të tij ose për llogari të një pale të tretë.
6. Për qëllimet e kësaj direktive, rekomandimi i një personi tjetër për t'u angazhuar në abuzimin me informacionin e privilegjuar ose nxitja e një personi tjetër për t'u angazhuar në këtë abuzim, lind kur personi zotëron informacionin e brendshëm dhe:
a) rekomandon, në bazë të atij informacioni, që një person tjetër të blejë ose të shesë instrumente financiare me të cilat ka lidhje informacioni ose e nxit atë person për të bërë një blerje apo shitje të tillë; ose
b) rekomandon, në bazë të këtij informacioni, që një person tjetër të anulojë ose ndryshojë një urdhër të lidhur me instrumente financiare me të cilat ka lidhje informacioni, ose e nxit atë person për të bërë një anulim ose ndryshim të tillë.
7. Përdorimi i rekomandimeve ose nxitjeve të përmendura në paragrafin 6 përbën abuzim me informacionin e privilegjuar kur personi që përdor rekomandimin ose nxitjen e di se është i bazuar në informacionin e brendshëm.
8. Për qëllimet e këtij neni, vetëm fakti që një person është ose ka qenë në zotërim të informacioni të brendshëm, nuk konsiderohet që ai person e ka përdorur domosdoshmërish atë informacion dhe në këtë mënyrë ka marrë pjesë në abuzimin me informacionin e privilegjuar mbi bazat e një blerjeje apo shitjeje, kur sjellja e tij kualifikohet si sjellje e ligjshme sipas nenit 9 të Rregullores (BE) nr. 596/2014.
Neni 4
Publikimi i paligjshëm i informacionit të brendshëm
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të siguruar që publikimi i paligjshëm i informacionit të brendshëm, siç referohet në paragrafët 2 deri 5, të përbëjë një vepër penale, të paktën në raste serioze dhe kur kryhet me dashje.
2. Për qëllimet e kësaj direktive, publikimi i paligjshëm i informacionit të brendshëm lind kur personi zotëron informacion të brendshëm dhe e zbulon atë informacion tek çdo person tjetër, përveç kur zbulimi bëhet në ushtrimin normal të një punësimi, profesioni ose detyre, duke përfshirë aty ku zbulimi kualifikohet si një kërkim tregu që kryhet në përputhje me nenin 11, paragrafët 1 deri 8 të Rregullores (BE) nr. 596/2014.
3. Ky nen zbatohet për çdo person në situatat e referuara në nenin 3, paragrafi 3.
4. Për qëllimet e kësaj direktive, zbulimi i mëtejshëm i rekomandimeve ose nxitjeve të përmendura në nenin 3, paragrafi 6, përbën publikim të paligjshëm të informacionit sipas këtij neni, kur personi që publikon rekomandimin ose nxitjen e di se është bazuar në informacion të brendshëm.
5. Neni zbatohet bazuar në nevojën për të mbrojtur lirinë e shtypit dhe të shprehjes.
Neni 5
Manipulimi i tregut
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të siguruar që manipulimi i tregut siç referohet në paragrafin 2 të përbëjë një vepër penale të paktën në raste serioze dhe kur kryhet me dashje.
2. Për qëllimet e kësaj direktive, manipulimi i tregut përfshin aktivitetet e mëposhtme:
a) hyrjen në një transaksion, duke dhënë një urdhër për tregti ose ndonjë sjellje tjetër që:
I. jep sinjale të rreme ose çorientuese në lidhje me furnizimin, kërkesën ose çmimin e një instrumenti financiar ose të një kontrate spot të mallrave; ose
II. siguron çmimin e një ose disa instrumenteve financiare ose të një kontrate spot të mallrave të lidhur me to në një nivel jo normal ose artificial;
përveç nëse arsyet e personit që ka nisur transaksionet apo ka dhënë urdhrat për tregti janë të ligjshme, dhe ato transaksione e urdhra janë në përputhje me praktikat e pranuara tregtare në vendet e tregtimit përkatëse;
b) nisjen e një transaksioni, kryerjen e një urdhri tregtie ose ndonjë aktivitet apo sjellje tjetër që ndikon në çmimin e një ose disa instrumenteve financiare ose një kontrate spot të mallrave, e cila përdor një pajisje fiktive ose ndonjë formë tjetër mashtrimi apo sajimi;
c) shpërndarjen e informacionit nëpërmjet mediave, duke përfshirë internetin ose me çdo mjet tjetër, i cili jep sinjale të rreme ose çorientuese në lidhje me furnizimin, kërkesën ose çmimin e një instrumenti financiar, ose një kontratë spot të mallrave, ose siguron çmimin e një ose disa instrumente financiare ose një kontratë spot të mallrave në një nivel anormal ose artificial, ku personat që kanë bërë shpërndarjen kanë për vete ose për një person tjetër, një avantazh ose fitim nga përhapja e informacionit në fjalë; ose
d) transmetimi i informacionit të rremë ose çorientues ose dhënien e inputeve të rreme ose çorientuese ose ndonjë sjellje tjetër që manipulon llogaritjen e një pikë referimi.
Neni 6
Nxitja, dhënia e ndihmës dhe mbështetjes dhe tentativa për të kryer këto vepra
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar ndëshkimin si vepër penale të nxitjes, mbështetjes dhe dhënies së ndihmës në një vepër të përmendur në nenet 3, paragrafi 2 deri 5 dhe nenet 4 dhe 5.
2. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar ndëshkimin si vepër penale të një prej veprave të përmendura në nenin 3, paragrafi 2, deri 5 dhe 7 dhe nenin 5.
3. Neni 3, paragrafi 8 zbatohet rast pas rasti.
Neni 7
Dënimet penale për personat fizikë
1. Çdo shtet anëtar merr masat e nevojshme për të garantuar që veprat e përmendura në nenet 3 deri në 6 të ndëshkohen me dënime penale efikase, proporcionale dhe shtrënguese.
2. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar që veprat e përmendura në nenet 3 dhe 5 të dënohen me burgim të paktën për katër vjet.
3. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar që vepra e përmendur në nenet 4 të dënohet me burgim të paktën për dy vjet.
Neni 8
Përgjegjësia e personave juridikë
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar që personat juridikë të mbajnë përgjegjësi për veprat e përmendura në nenin 3 deri në 6 të kryera në përfitim të tyre nga një person, duke vepruar individualisht ose si pjesë e një organi të personit juridik, i cili ka pozicion drejtues brenda personit juridik, bazuar mbi:
a) kompetencën për të përfaqësuar personin juridik;
b) autoritetin për të marrë vendime në emër të personit juridik; ose
c) autoritetin për të ushtruar kontroll brenda personit juridik.
2. Shtetet anëtare marrin masa gjithashtu që një person juridik të mbajë përgjegjësi në rastet kur mungesa e mbikëqyrjes apo e kontrollit nga personi i përmendur në paragrafin 1, i ka mundësuar një personi nën autoritetin e personit juridik, kryerjen për llogari të personit juridik të veprave të përmendura në nenin 3 dhe 6.
3. Përgjegjësia e personave juridikë sipas paragrafëve 1 dhe 2 nuk përjashton procedimin penal të personave fizikë që kryejnë, nxisin ose ndihmojnë në kryerjen e veprave të përmendura në nenet 3 dhe 6.
Neni 9
Sanksionet për personat juridikë
Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar që një person juridik që konsiderohet përgjegjës sipas nenit 8 t'i nënshtrohet sanksioneve efikase, proporcionale dhe shtrënguese, të cilat përfshijnë dënime penale ose jopenale, dhe mund të përfshijnë edhe sanksione të tjera, si:
a) përjashtimi nga e drejta e marrjes së ndihmës ose përfitimeve publike;
b) përjashtimi i përkohshëm ose i përhershëm nga ushtrimi i veprimtarive tregtare;
c) vendosja nën mbikëqyrje gjyqësore;
d) një urdhër gjyqësor likuidimi;
e) mbyllja e përkohshme ose e përhershme e objekteve që janë përdorur për kryerjen e veprës.
Neni 10
Juridiksioni
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për t'i vendosur veprat e përmendura në nenet 3 deri në 6 nën juridiksionin e tyre kur është kryer vepra:
a) plotësisht ose pjesërisht brenda territorit të tyre; ose
b) nga një shtetas i tyre, të paktën në rastet kur ky akt konsiderohet se është vepër penale në shtetin ku u krye.
2. Shteti anëtar informon Komisionin në rastet kur vendos të ketë juridiksion të mëtejshëm mbi veprat e përmendura në nenet 3 deri në 6 të kryera jashtë territorit të tij, në rastet kur:
a) autori i veprës banon zakonisht në territorin e tij; ose
b) vepra është kryer për llogari të një personi juridik të vendosur në territorin e tij.
Neni 11
Trajnimi
Pa cenuar pavarësinë gjyqësore dhe ndryshimet në organizimin e gjyqësorit në Bashkimin Evropian, shtetet anëtare u kërkojnë personave përgjegjës për trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve stafit gjyqësor dhe të autoriteteve kompetente të përfshirë në procedime penale dhe hetime që të ofrojnë trajnimin e duhur lidhur me objektivat e kësaj direktive.
Neni 12
Raportimi
Deri më 4 korrik 2018, Komisioni i raporton Parlamentit Evropian dhe Këshillit për funksionimin e kësaj direktive dhe, nëse është e nevojshme, për nevojën e ndryshimit të saj, duke përfshirë edhe interpretimin e rasteve të rënda siç referohet në nenin 3, paragrafi 1, nenit 4, paragrafi 1 dhe nenit 5, paragrafi 1, nivelin e sanksioneve të parashikuara nga shtetet anëtare dhe të masës në të cilën janë miratuar elementet opsionale të referuara në këtë direktivë.
Nëse është e përshtatshme, raporti i Komisionit shoqërohet me një propozim ligjor.
Neni 13
Transpozimi
1. Shtetet anëtare miratojnë dhe botojnë deri më 3 korrik 2016, ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me këtë direktivë. Ato i komunikojnë menjëherë Komisionit tekstin e këtyre masave.
Ato i zbatojnë këto masa që nga data 3 korrik 2016 duke iu nënshtruar hyrjes në fuqi të Rregullores (BE) nr. 596/2014.
Shtetet anëtare, në miratimin e këtyre masave, i referohen direktivës ose i shoqërojnë ato me një referencë në rastin e botimit zyrtar të tyre. Mënyra sesi do të bëhet kjo referencë përcaktohet nga shtetet anëtare.
2. Shtetet anëtare i komunikojnë Komisionit tekstin e dispozitave kryesore të legjislacionit të brendshëm që ato miratojnë në fushën që mbulohet nga kjo direktivë.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi njëzet ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 15
Marrësit
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare në përputhje me traktatet.
Nënshkruar në Strasburg, më 16 prill 2014.
Për Parlamentin Evropian
Presidenti
M. SCHULZ
Për Këshillin
Presidenti
D. KOURKOULAS
<href="#ntc1-L_2014173EN.01017901-E0001">1. Gazeta Zyrtare C 161, 7.6.2012, f. 3.
<href="#ntc2-L_2014173EN.01017901-E0002">2. Gazeta Zyrtare C 181, 21.6.2012, f. 64.
<href="#ntc3-L_2014173EN.01017901-E0003">3. Qëndrimi i Parlamentit Evropian i 4 shkurtit 2014 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare) dhe Vendimi i Këshillit i 14 prillit 2014.
<href="#ntc4-L_2014173EN.01017901-E0004">4. Direktiva 2003/6/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 28 janar 2003 "Për abuzimin me informacionet e privilegjuara dhe manipulimin e tregut (abuzimi me tregun)" (Gazeta Zyrtare L 96, 12.4.2003, p. 16).
<href="#ntc5-L_2014173EN.01017901-E0005">5. Rregullorja (BE) nr. 596/2014 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 16 prill 2014, "Për abuzimin me tregun (rregullorja për abuzimin me tregun) dhe që shfuqizon direktivën 2003/6/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit dhe Direktivat e Komisionit 2003/124/KE, 2003/125/KE dhe 2004/72/KE" (shih faqen 1 të kësaj gazete zyrtare).
<href="#ntc6-L_2014173EN.01017901-E0006">6. Gazeta Zyrtare C 177, 20.6.2012, f. 1.
<href="#ntc7-L_2014173EN.01017901-E0007">7. Rregullorja e Komisionit (BE) nr. 1031/2010, datë 12 nëntor 2010, "Për orarin, administrimin dhe aspekte të tjera të ankandit të kuotave të shkarkimeve të gazeve me efekt serrë, sipas direktivës 2003/87/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, që përcakton skemën për tregtimin e kuotave të shkarkimeve të gazeve me efekt serrë brenda Komunitetit"(Gazeta Zyrtare L 302, 18.11.2010, f. 1).
<href="#ntc8-L_2014173EN.01017901-E0008">8. Direktiva 2014/65/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 15 maj 2014, "Për tregjet e instrumenteve financiare dhe që ndryshon Direktivën 2002/92/KE dhe Direktivën 2011/61/BE (shih faqen 349 të kësaj Gazete Zyrtare).
<href="#ntc9-L_2014173EN.01017901-E0009">9. Direktiva 2012/30/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 25 tetor 2012, "Për koordinimin e masave mbrojtëse, të cilat kërkohen nga shtetet anëtare ose shoqëritë, me qëllim mbrojtjen e interesave të anëtarëve dhe të tjerë, në kuptimin e nenit 54, paragrafi 2 të Traktit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, në lidhje me krijimin e shoqërive publike me përgjegjësi të kufizuar dhe mirëmbajtjen dhe ndryshimin e kapitalit të tyre, me synimin për t'i bërë këto masa mbrojtëse të barasvlershme" (Gazeta Zyrtare L 315, 14.11.2012, f. 74).
<href="#ntc10-L_2014173EN.01017901-E0010">10. Rregullorja (BE) nr. 1227/2011 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 25 tetor 2011, "Për integritetin dhe transparencën e tregut me shumicë të energjisë"(Gazeta Zyrtare L 326, 8.12.2011, f. 1).