-
Lexo Dokumentin
1.6.2010
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 134/66
DIREKTIVË E KËSHILLIT 2010/32/BE, DATA 10 MAJ 2010, "PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES KUADËR "PËR PARANDALIMIN E LËNDIMEVE NGA MJETET E MPREHTA NË SEKTORIN SPITALOR DHE SHËNDETËSOR" TË LIDHUR MIDIS HOSPEEM DHE EPSU"
(Tekst kuptimi i të cilit lidhet me ZEE-në)
KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe në veçanti nenin 155, paragrafi 2 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit Evropian,
Meqë:
- Partnerët socialë, në përputhje me nenin 155, paragrafi 2 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE), mund të kërkojnë bashkërisht që marrëveshjet e lidhura midis tyre në nivelin e Bashkimit Evropian, lidhur me çështje që mbulohen nga neni 153 i TFBE-së, të vihen në zbatim përmes një vendimi të Këshillit, mbi bazën e një propozimi të Komisionit.
- Me anë të shkresës datë 17 nëntor 2008, organizatat evropiane të partnerëve socialë HOSPEEM (Shoqata Evropiane e Punëdhënësve Spitalorë dhe të Kujdesit Shëndetësor, një organizatë sektoriale që përfaqëson punëdhënësit) dhe EPSU (Federata Evropiane e Sindikatave të Shërbimeve Publike, një organizatë sindikale evropiane) kanë informuar Komisionin mbi dëshirën e tyre për të hyrë në negociata në përputhje me nenin 138, paragrafi 4 dhe nenin 139 të Traktatit të themelimit të Komunitetit Evropian (Traktati i KE-së)1 me synimin për të arritur një Marrëveshje Kuadër për parandalimin e lëndimeve nga mjetet e mprehta në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor.
- Më 17 korrik 2009, partnerët socialë evropianë firmosën tekstin e një Marrëveshjeje Kuadër për parandalimin e lëndimeve nga mjetet e mprehta në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor.
- Duke qenë se objektivat e direktivës, përkatësisht arritja e një mjedisi pune më të sigurt duke parandaluar lëndimin e punonjësve nga mjetet e mprehta mjekësore (duke përfshirë shpimet me gjilpëra) dhe mbrojtja e punonjësve në rrezik në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor, nuk mund të arrihet plotësisht kur shtetet anëtare veprojnë individualisht dhe mund të arrihet më mirë në nivel Bashkimi Evropian, ky i fundit mund të miratojë masa në përputhje me parimin e subsidiaritetit, siç përcaktohet në nenin 5 të Traktatit për Bashkimin Evropian. Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, sipas përcaktimit në atë nen, kjo direktivë nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e këtyre objektivave.
- Gjatë hartimit të propozimit të direktivës, Komisioni ka marrë parasysh karakterin përfaqësues të palëve nënshkruese, referuar fushës së marrëveshjes, për sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor, mandatin e tyre dhe ligjshmërinë e neneve të Marrëveshjes Kuadër, si dhe pajtueshmërinë e saj me dispozitat përkatëse në lidhje me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
- Komisioni ka informuar Parlamentin Evropian dhe Komitetin Evropian Ekonomik dhe Social mbi propozimin e tij.
- Parlamenti Evropian ka miratuar më 11 shkurt 2010 një rezolutë mbi propozimin.
- Qëllimi i Marrëveshjes Kuadër, siç parashikohet në nenin 1 të saj, është të çojë më tej arritjen e një prej objektivave të politikës sociale, përkatësisht përmirësimin e kushteve të punës.
- Neni 11 u lejon shteteve anëtare dhe Komunitetit (zëvendësuar me Bashkimin Evropian që prej 1 dhjetorit 2009) të fusin në zbatim dispozita që janë më favorizuese për mbrojtjen e punonjësve nga lëndimet e shkaktuara nga mjetet e mprehta mjekësore.
- Shtetet anëtare duhet të garantojnë sanksione efektive, proporcionale dhe shtrënguese në rast të shkeljes së detyrimeve të kësaj direktive.
- Shtetet anëtare mund t'u besojnë partnerëve socialë, me kërkesën e tyre të përbashkët, zbatimin e kësaj direktive, për sa kohë që ato ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për të siguruar se mund të garantojnë në çdo kohë rezultatet e sanksionuara nga kjo direktivë.
- Në përputhje me pikën 34 të marrëveshjes ndërinstitucionale për hartim më të mirë të ligjeve2, shtetet anëtare nxiten që të krijojnë, për vete dhe në interes të BE-së, tabelat e tyre, të cilat, për aq sa është e mundur, ilustrojnë lidhjen midis kësaj direktive dhe masave transpozuese, dhe t'i publikojnë ato,
MIRATON KËTË DIREKTIVË:
Neni 1
Kjo direktivë zbaton Marrëveshjen Kuadër për parandalimin e lëndimeve nga mjete të mprehta në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor, nënshkruar nga partnerët socialë evropianë HOSPEEM dhe EPSU më 17 korrik 2009, siç përcaktohet në Shtojcë.
Neni 2
Shtetet anëtare përcaktojnë sanksionet e zbatueshme kur cenohen dispozitat kombëtare të miratuara në zbatim të kësaj direktive. Sanksionet duhet të jenë efikase, proporcionale dhe shtrënguese.
Neni 3
- Shtetet anëtare miratojnë ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për respektimin e kësaj direktive ose sigurohen që partnerët socialë të kenë vënë në zbatim masat e nevojshme, me marrëveshje, brenda datës 11 maj 2013. Ato njoftojnë menjëherë Komisionin për këtë.
Shtetet anëtare, në miratimin e këtyre dispozitave, i referohen direktivës ose i shoqërojnë ato me një referencë në rastin e botimit zyrtar të tyre. Mënyra sesi do të bëhet kjo referencë përcaktohet nga shtetet anëtare.
- Shtet anëtare i komunikojnë Komisionit tekstin e dispozitave kryesore të legjislacionit të brendshëm që ato miratojnë në fushën e mbuluar nga kjo direktivë.
Neni 4
Kjo direktivë hyn në fuqi 20 ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 5
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 10 maj 2010.
Për Këshillin
Presidenti
Á. GONZÁLEZ-SINDE REIG
SHTOJCA
MARRËVESHJA KUADËR PËR PARANDALIMIN E LËNDIMEVE NGA MJETE TË MPREHTA NË SEKTORIN SPITALOR DHE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
Hyrje
- Shëndeti dhe siguria në punë duhet të jenë çështje me rëndësi për këdo në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor. Marrja e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga lëndimet, nëse kryhet siç duhet, do të ketë një efekt pozitiv mbi burimet;
- Shëndeti dhe siguria e punonjësve janë thelbësore dhe lidhen ngushtë me shëndetin e pacientëve. Kjo përforcon cilësinë e kujdesit;
- Procesi i hartimit dhe zbatimit të politikave lidhur me mjetet e mprehta mjekësore duhet të jetë rezultat i dialogut social;
- HOSPEEM (Shoqata Evropiane e Punëdhënësve Spitalorë dhe të Kujdesit Shëndetësor) dhe EPSU (Federata Evropiane e Shërbimeve Publike), partnerët e mirënjohur socialë evropianë në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor, kanë rënë dakord për sa më poshtë:
Vlerësime të përgjithshme
- Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nenet 138 dhe 139, paragrafi 2 të tij3;
- Duke pasur parasysh Direktivën e Këshillit 89/391/KEE, datë 12 qershor 1989 "Për prezantimin e masave nxitëse për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve në punë"4;
- Duke pasur parasysh Direktivën e Këshillit 89/655/KEE, datë 30 nëntor 1989, "Për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për përdorimin e mjeteve të punës nga punonjësit në punë"5;
- Duke pasur parasysh Direktivën 2000/54/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 18 shtator 2000 "Për mbrojtjen e punonjësve nga rreziqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë"6;
- Duke pasur parasysh strategjinë komunitare 2007-2012 "Për shëndetin dhe sigurinë në punë"7;
- Duke pasur parasysh Direktivën 2002/14/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 11 mars 2002, "Për krijimin e një kuadri të përgjithshëm për informimin dhe konsultimin e punonjësve në Komunitetin Evropian"8;
- Duke pasur parasysh rezolutën e Parlamentit Evropian, datë 6 korrik 2006 "Për mbrojtjen e punonjësve evropianë të kujdesit shëndetësor nga infeksionet e gjakut të shkaktuara nga plagët e shpimit me gjilpëra" (2006/2015(INI));
- Duke pasur parasysh konsultimet e fazës së parë dhe të dytë të Komisionit Evropian "Për mbrojtjen e punonjësve evropianë të kujdesit shëndetësor nga infeksionet e gjakut të shkaktuara nga plagët e shpimit me gjilpëra";
- Duke pasur parasysh rezultatet e seminarit teknik EPSU-HOSPEEM mbi plagët e shpimit me gjilpëra, datë 7 shkurt 2008;
- Duke pasur parasysh hierarkinë e parimeve të përgjithshme të parandalimit të parashtruara në nenin 6 të Direktivës 89/391/KEE si dhe masat parandaluese të përcaktuara në nenet 3, 5 dhe 6 të Direktivës 2000/54/KE;
- Duke pasur parasysh udhëzimet e përbashkëta të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbi shërbimet shëndetësore dhe HIV/AIDS dhe udhëzimet e përbashkëta të ILO dhe OBSH mbi profilaksinë pas ekspozimit për parandalimin e infektimit nga HIV;
- Në përputhje të plotë me legjislacionin e brendshëm ekzistues dhe marrëveshjet kolektive;
- Meqë, duhet të ndërmerren veprime për të vlerësuar shkallën e incidencës së lëndimeve nga mjete të mprehta në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor, provat shkencore tregojnë se masat parandaluese dhe mbrojtëse mund të reduktojnë ndjeshëm aksidentet dhe infeksionet;
- Meqë, një proces i plotë i vlerësimit të rrezikut është një parakusht për marrjen e masave të përshtatshme për parandalimin e lëndimeve dhe infeksioneve;
- Meqë, punëdhënësit dhe përfaqësuesit e shëndetit dhe sigurisë së punonjësve duhet të bashkëpunojnë për të parandaluar dhe mbrojtur punonjësit nga lëndimet dhe infeksionet e shkaktuara nga mjetet e mprehta mjekësore;
- Meqë, punonjësit e kujdesit shëndetësor janë kryesisht, por jo ekskluzivisht të prekur nga lëndimet nga mjete të mprehta;
- Meqë, studentët që kryejnë trajnime në klinika, si pjesë e arsimimit të tyre, nuk konsiderohen si punonjës në kuptimin e kësaj marrëveshjeje, ata duhet të mbulohen nga masat parandaluese dhe mbrojtëse të përshkruara në këtë marrëveshje, me detyrime që rregullohen sipas legjislacionit dhe praktikës kombëtare;
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje kuadër është:
— të garantojë një mjedis pune sa më të sigurt,
— të parandalojë lëndimet e punonjësve të shkaktuara nga mjete të mprehta mjekësore (duke përfshirë plagët e shpimit me gjilpëra),
— të mbrojë punonjësit në rrezik,
— të krijojë një qasje të integruar që përcakton politikat e vlerësimit të rrezikut, parandalimit të rrezikut, trajnimit, informimit, ndërgjegjësimit dhe monitorimit,
— të fusë në zbatim procedurat e reagimit ndaj rastit dhe ndjekjes së rastit.
Neni 2
Objekti
Kjo marrëveshje zbatohet për të gjithë punonjësit në sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor, dhe për të gjithë ata që janë nën administrimin dhe mbikëqyrjen e punëdhënësve. Punëdhënësit duhet të sigurohen që edhe nënkontraktorët të respektojnë dispozitat e përcaktuara në këtë marrëveshje.
Neni 3
Përkufizime
Sipas përdorimit në këtë marrëveshje:
- Punonjës: të gjithë personat e punësuar nga një punëdhënës, përfshirë të trajnuarit dhe praktikantët në shërbimet dhe aktivitetet e lidhura drejtpërdrejt me sektorin spitalor dhe të kujdesit shëndetësor. Punonjësit të cilët janë të punësuar nga një biznes i punësimit të përkohshëm, sipas kuptimit të direktivës së Këshillit 91/383/KEE "Për masa shtesë për nxitjen e përmirësimeve në sigurinë dhe shëndetin në punë të punonjësve në marrëdhënie pune me kohëzgjatje të caktuar ose në marrëdhënie pune të përkohshme"9 përfshihen në objektin e kësaj marrëveshjeje;
- Vendet e punës të mbuluara: organizatat/shërbimet e kujdesit shëndetësor në sektorët publikë dhe privatë, si dhe çdo vend tjetër ku shërbimet/aktivitetet shëndetësore ndërmerren dhe ofrohen nën administrimin dhe mbikëqyrjen e punëdhënësit;
- Punëdhënësit: persona fizikë ose juridikë, ose organizata të cilat kanë marrëdhënie punësimi me punonjësit. Janë përgjegjës për administrimin, organizimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, si dhe të aktiviteteve/shërbimeve të lidhura drejtpërdrejt me të, që ofrohen nga punonjësit;
- Mjete të mprehta: objekte ose instrumente të nevojshme për kryerjen e aktiviteteve specifike të kujdesit shëndetësor, të cilat janë të afta të presin, shpojnë, të shkaktojnë lëndim dhe/ose infeksion. Mjetet e mprehta konsiderohen si mjete pune në kuptimin e Direktivës 89/655/KEE "Për mjetet e punës";
- Hierarkia e masave: përcaktohet sipas efektivitetit në shmangien, eliminimin dhe reduktimin e rreziqeve të përkufizuara në nenin 6 të Direktivës 89/391/KEE dhe në nenet 3, 5 dhe 6 të Direktivës 2000/54/KE;
- Masa të posaçme parandaluese: masat e marra për të parandaluar lëndimin dhe/ose transmetimin e infeksionit në ofrimin e shërbimeve dhe aktiviteteve spitalore dhe të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë përdorimin e pajisjeve të nevojshme sa më të sigurta, bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe metodat e sigurta të trajtimit të mbetjeve të mjeteve të mprehta;
- Përfaqësuesit e punonjësve: çdo person i emëruar, i zgjedhur ose i caktuar në përputhje me ligjin dhe/ose praktikën kombëtare për të përfaqësuar punonjësit;
- Përfaqësuesit e shëndetit dhe sigurisë së punonjësve janë përkufizuar në përputhje më nenin 3, germa "c" të Direktivës 89/391/KEE si çdo person i emëruar, i zgjedhur ose i caktuar në përputhje me ligjin dhe/ose praktikat kombëtare për të përfaqësuar punonjësit kur lindin probleme lidhur me mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve në punë;
- Nënkontraktor: çdo person i cili ndërmerr veprime në shërbimet dhe aktivitetet spitalore dhe të kujdesit shëndetësor, në kuadër të marrëdhënieve kontraktore të punës të krijuara me punëdhënësin.
Neni 4
Parimet
- Me qëllim parandalimin e rrezikut nga lëndimet dhe infeksionet nga mjetet e mprehta mjekësore, është shumë e rëndësishme që stafit të shërbimit mjekësor t'i garantohet mbrojtja dhe siguria, t'i jepet trajnimi i duhur dhe të pajiset e burimet e përshtatshme. Parandalimi i ekspozimit është strategjia kryesore për eliminimin dhe minimizimin e rrezikut të lëndimeve ose infeksioneve të marra gjatë ushtrimit të profesionit;
- Roli i përfaqësuesve të shëndetit dhe sigurisë është thelbësor për parandalimin dhe mbrojtjen nga rreziku;
- Punëdhënësi ka detyrimin të garantojë sigurinë dhe shëndetin e punonjësve në çdo aspekt që lidhet me punën, duke përfshirë faktorët psiko-socialë dhe organizimin e punës;
- Është në përgjegjësinë e çdo punonjësi që të kujdeset - aq sa është e mundur - për sigurinë dhe shëndetin e tij dhe për atë të personave të tjerë të prekur nga veprimet e tij në punë, në përputhje me trajnimin e tyre dhe me udhëzimet e dhëna nga punëdhënësi i tyre;
- Punëdhënësi garanton një mjedis ku në hartimin e politikave dhe praktikave të shëndetit dhe të sigurisë marrin pjesë edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e tyre;
- Parimi i masave të posaçme parandaluese, të përcaktuara në nenet 5 deri në 10 të kësaj marrëveshjeje, nënkupton se nuk duhet të prezumohet mungesa e rrezikut. Hierarkia e parimeve të përgjithshme të parandalimit sipas nenit 6 të Direktivës 89/391/KEE dhe neneve 3, 5 dhe 6 të Direktivës 2000/54/KE është e zbatueshme;
- Përfaqësuesit e punëdhënësve dhe të punonjësve duhet të bashkëpunojnë në nivelin e duhur për të eliminuar dhe parandaluar rreziqet, për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, dhe për të krijuar një mjedis pune të sigurt, duke përfshirë konsultimin mbi zgjedhjen dhe përdorimin e sigurt të pajisjeve, dhe identifikimin e mënyrave më të mira të kryerjes së proceseve të trajnimit, informimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit;
- Veprimet duhet të ndërmerren përmes një procesi informimi dhe konsultimi, në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe/ose me marrëveshjet kolektive;
- Efektiviteti i masave për rritjen e ndërgjegjësimit përfshin detyrime të përbashkëta të punëdhënësve, punonjësve dhe përfaqësuesve të tyre;
- Për garantimin e një vendi pune sa më të sigurt është thelbësore ndërthurja e planifikimit, ndërgjegjësimit, informimit, parandalimit dhe monitorimit;
- Promovimi i një kulture mos-fajësimi. Procedura e raportimit të incidenteve duhet të përqendrohet në faktorë sistematikë dhe jo në gabime individuale. Raportimi sistematik duhet të konsiderohet si procedurë e pranuar.
Neni 5
Vlerësimi i rreziqeve
- Procedurat e vlerësimit të rrezikut kryhen në përputhje me nenet 3 dhe 6 të Direktivës 2000/54/KE dhe me nenet 6 dhe 9 të Direktivës 89/391/KEE;
- Vlerësimi i rrezikut përfshin një përcaktim të ekspozimit, duke kuptuar rëndësinë e një ambienti pune të mirë-pajisur me burime dhe të mirë-organizuar, dhe mbulon të gjitha situatat ku ka lëndim, gjak ose materiale të tjera potencialisht infektive;
- Vlerësimet e rrezikut marrin në konsideratë teknologjinë, organizimin e punës, kushtet e punës, nivelin e kualifikimit, faktorët psiko-socialë të lidhur me punën dhe ndikimin e faktorëve të lidhur me mjedisin e punës. Kjo do të:
— identifikojë mënyrat e eliminimit të ekspozimit,
— marrë në konsideratë sisteme të mundshme alternative.
Neni 6
Eliminimi, parandalimi dhe mbrojtja
- Aty ku rezultatet e vlerësimit të rrezikut konstatojnë rrezik për lëndim nga pajisje të mprehta dhe/ose infeksion, ekspozimi i punonjësve duhet të eliminohet duke ndërmarrë hapat e mëposhtme, pa cenuar rendin e tyre:
— specifikimi dhe zbatimi i procedurave të sigurta për përdorimin dhe asgjësimin e instrumenteve mjekësore të mprehta dhe mbetjeve të infektuara. Këto procedura rivlerësohen rregullisht dhe janë pjesë përbërëse e masave për informimin dhe trajnimin e punonjësve të përmendur në nenin 8,
— eliminimi i përdorimit të panevojshëm të mjeteve të mprehta përmes zbatimit të ndryshimeve në praktikë dhe mbi bazën e rezultateve të vlerësimit të rrezikut, duke siguruar aparate mjekësore që përmbajnë mekanizma mbrojtës të ndërtuar mbi bazën e sigurisë,
— praktika e vendosjes së kapakut ageve njëpërdorimshe, pas përdorimit të tyre, ndalohet me efekt të menjëhershëm;
- Duke pasur parasysh aktivitetin dhe vlerësimin e rrezikut, rreziku i ekspozimit duhet të reduktohet në nivelin më të ulët të nevojshëm për të mbrojtur në mënyrë të përshtatshme sigurinë dhe shëndetin e punonjësve në fjalë. Nisur nga rezultatet e vlerësimit të rrezikut duhet të zbatohen masat e mëposhtme:
— futja në zbatim e procedurave efektive të asgjësimit dhe e kontejnerëve të shënuar qartë dhe teknikisht të sigurt për trajtimin e mjeteve të mprehta njëpërdorimshe dhe mjeteve të injektimit sa më afër që të jetë e mundur në zonat e vlerësuara ku përdoren ose gjenden mjetet e mprehta,
— parandalimi i rrezikut të infeksioneve duke zbatuar sisteme të sigurta të punës, përmes:
- a) zhvillimit të një politike parandalimi të përgjithshme dhe koherente, e cila mbulon teknologjinë, organizimin e punës, faktorët psiko-socialë të lidhur me punën dhe ndikimin e faktorëve të lidhur me mjedisin e punës;
- b) trajnimit;
- c) kryerjes së procedurave të mbikëqyrjes shëndetësore, në përputhje me nenin 14 të Direktivës 2000/54/KE;
— përdorimit të pajisjeve të mbrojtjes personale;
- Nëse nga vlerësimi i përmendur në nenin 5 konstatohet se rrezikohet siguria dhe shëndeti i punonjësve për shkak të ekspozimit të tyre ndaj agjentëve biologjikë për të cilët ekzistojnë vaksina efektive, punonjësve duhet t'u ofrohet vaksinimi;
- Vaksinimi dhe, nëse është e nevojshme, rivaksinimi do të kryhet në përputhje me ligjin dhe/ose praktikën kombëtare, duke përfshirë përcaktimin e llojit të vaksinave:
— punonjësit duhet të informohen mbi përfitimet dhe të metat e vaksinimit dhe mos-vaksinimit,
— vaksinimi duhet të ofrohet falas për të gjithë punonjësit dhe studentët që ofrojnë kujdes shëndetësor dhe aktivitete të lidhura me të në vendin e punës.
Neni 7
Informimi dhe ndërgjegjësimi
Meqë, mjetet e mprehta konsiderohen mjete pune në kuptim të Direktivës 89/655/KEE10, përveç informimit dhe udhëzimeve me shkrim që duhet t'u ofrohen punonjësve të specifikuar në nenin 6 të Direktivës 89/655/KEE, punëdhënësi duhet të marrë masat e duhura të mëposhtme:
— të theksojë rreziqet e ndryshme,
— të japë udhëzime mbi legjislacionin ekzistues,
— të promovojë praktikat e mira lidhur me parandalimin dhe regjistrimin e incidenteve/aksidenteve,
— të rrisë ndërgjegjësimin përmes zhvillimit të aktiviteteve dhe materialeve promocionale në partneritet me sindikatat përfaqësuese dhe/ose përfaqësuesit e punonjësve,
— të japë informacion mbi programet mbështetëse në dispozicion.
Neni 8
Trajnimi
Përveç masave të parashikuara nga neni 9 i Direktivës 2000/54/KE, duhet të vihet në dispozicion trajnimi i duhur mbi politikat dhe procedurat e lidhura me lëndimet nga mjetet e mprehta, duke përfshirë:
— përdorimin e saktë të aparateve mjekësore që përmbajnë mekanizma mbrojtës ndaj mjeteve të mprehta,
— prezantimin për të gjithë stafin e ri dhe të përkohshëm,
— rrezikun që shoqëron ekspozimin ndaj gjakut dhe lëngjeve trupore,
— masa parandaluese që përfshijnë masat paraprake standarde, sistemet e sigurta të punës, procedurat e sakta të përdorimit dhe asgjësimit, rëndësinë e imunizimit, sipas procedurave në vendin e punës,
— procedurat e raportimit, reagimit dhe monitorimit dhe rëndësia e tyre,
— masat që duhen marrë në rast lëndimi.
Punëdhënësit duhet të organizojnë dhe të ofrojnë trajnim të detyrueshëm për punonjësit. Punëdhënësit duhet të lënë të lirë punonjësit të cilëve u kërkohet të marrin pjesë në trajnim. Ky trajnim ofrohet rregullisht, duke marrë parasysh rezultatet e monitorimit, modernizimit dhe përmirësimeve.
Neni 9
Raportimi
- Kjo përfshin rishikimin e procedurave aktuale të raportimit me përfaqësuesit e shëndetit dhe sigurisë dhe/ose përfaqësuesit e duhur të punëdhënësve/punonjësve. Mekanizmat e raportimit duhet të përfshijnë sisteme rajonale, kombëtare dhe mbarë-evropiane;
- Çdo aksident ose incident që përfshin mjete të mprehta punonjësit duhet ta raportojnë menjëherë te punëdhënësit dhe/ose te personi në ngarkim, dhe/ose te personi përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Neni 10
Reagimi ndaj rastit dhe ndjekja e rastit
Duhet të ekzistojnë politika dhe procedura për rastet e lëndimit nga mjete të mprehta. Të gjithë punonjësit duhet të njihen me këto politika dhe procedura. Ato duhet të jenë në përputhje me legjislacionin evropian, atë kombëtar/rajonal dhe marrëveshjet kolektive, sipas rastit.
Konkretisht veprohet si më poshtë:
— punëdhënësi merr masat e menjëhershme për kujdesin ndaj punonjësit të lënduar, duke përfshirë ofrimin e profilaksisë pas ekspozimit dhe analizat e nevojshme mjekësore kur diktohen për arsye mjekësore, si dhe mbikëqyrjen e duhur shëndetësore në përputhje me nenin 6, paragrafi 2, germa "c",
— punëdhënësi heton shkaqet dhe rrethanat dhe regjistron aksidentin/incidentin, duke ndërmarrë - sipas rastit - veprimet e nevojshme. Punonjësi duhet të japë informacionin përkatës në kohën e duhur për të plotësuar të dhënat rreth aksidentit ose incidentit,
— punëdhënësi, në rast lëndimi, merr në konsideratë hapat e mëposhtme, duke përfshirë këshillimin e punonjësve sipas rastit dhe garantimin e trajtimit mjekësor. Rehabilitimi, vazhdimi i marrëdhënies së punës dhe marrja e kompensimit bëhen në përputhje me marrëveshjet sektoriale dhe/ose legjislacionin e brendshëm.
Ruajtja e konfidencialitetit për lëndimin, diagnozën dhe trajtimin është thelbësore dhe duhet të respektohet.
Neni 11
Zbatimi
Kjo marrëveshje nuk cenon dispozitat komunitare dhe kombëtare, aktuale dhe të ardhshme,11 që janë më favorizuese për mbrojtjen e punëtorëve nga lëndimet nga mjete të mprehta.
Palët nënshkruese i kërkojnë Komisionit të paraqesë këtë marrëveshje kuadër në Këshill për vendimmarrje, për t'i dhënë kësaj marrëveshjeje fuqi detyruese në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Nëse zbatohet përmes një vendimi të Këshillit, në nivel Evropian dhe pa cenuar rolin përkatës të Komisionit, gjykatave kombëtare dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Komisioni mund t'u drejtohet palëve nënshkruese për interpretimin e kësaj marrëveshjeje, dhe ato japin opinionin e tyre.
Palët nënshkruese rishikojnë aplikimin e kësaj marrëveshjeje pas pesë vitesh nga data e vendimit të Këshillit, nëse kjo kërkohet nga njëra prej palëve të marrëveshjes.
Bruksel, datë 17 korrik 2009.
Për EPSU
Karen JENNINGS
Për HOSPEEM
Godfrey PERERA
- 1. Rinumëruar: Nenet 154, paragrafi 4 dhe 155 të TFBE-së.
- 2. Gazeta Zyrtare C 321, 31.12.2003, f. 1.
- 3. Rinumëruar: Nenet 154 dhe 155, paragrafi 2 të TFBE-së.
- 4. Gazeta Zyrtare L 183, 29.6.1989, f. 1.
- 5. Gazeta Zyrtare L 393, 30.12.1990, f. 13. Rrjedhimisht direktiva është kodifikuar në Direktivën 2009/104/KE (Gazeta Zyrtare L 260, 3.10.2009, f. 5).
- 6. Gazeta Zyrtare L 262, 17.10.2000, f. 21.
- 7. COM(2007) 62 i fundit, 21.2.2007.
- 8. Gazeta Zyrtare L 80, 23.3.2002, f. 29.
- 9. Gazeta Zyrtare L 206, 29.7.1991, f. 19.
- 10. Rrjedhimisht direktiva është kodifikuar në Direktivën 2009/104/KE.
- 11. Termi "Komuniteti" është zëvendësuar që prej 1 dhjetorit 2009 me termin "Bashkimi".