-
Lexo Dokumentin
32000D0057
2000/57/KE: VENDIM I KOMISIONIT, DATA 22 DHJETOR 1999, "PËR SISTEMIN E PARALAJMËRIMIT TË HERSHËM DHE PËRGJIGJES PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E SËMUNDJEVE TË TRANSMETUESHME SIPAS VENDIMIT NR. 2119/98/KE TË PARLAMENTIT EVROPIAN DHE TË KËSHILLIT (NJOFTUAR ME NUMRIN E DOKUMENTIT C (1999) 4016)"
Gazeta Zyrtare L 021, 26/01/2000 f. 0032 – 0035
(2000/57/KE)
KOMISIONI I KOMUNITETEVE EVROPIANE,
Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Komunitetit Evropian,
Duke pasur parasysh Vendimin nr. 2119/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 24 shtator 1998, "Për ngritjen e një rrjeti për mbikëqyrjen epidemiologjike dhe kontrollin e sëmundjeve të transmetueshme në Komunitet"1, dhe në veçanti nenin 1 dhe 7 të tij,
Meqë:
- Sipas Vendimit nr. 2119/98/KE duhet të ngrihet një rrjet në nivel Komuniteti për të nxitur bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet shteteve anëtare, me ndihmën e Komisionit, me qëllimin për të përmirësuar parandalimin dhe kontrollin në Komunitet të kategorive të sëmundjeve të transmetueshme të specifikuara në shtojcën e këtij vendimi. Ky rrjet duhet të përdoret për mbikëqyrjen epidemiologjike të këtyre sëmundjeve dhe për krijimin e një sistemi paralajmërimi të hershëm dhe përgjigjeje;
- Sëmundjet dhe çështjet shëndetësore të përzgjedhura për t'u mbuluar nga sistemi i paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes në nivel Komuniteti duhet të reflektojnë nevojat aktuale në Komunitet, në veçanti vlerën e shtuar të reagimit në nivel Komuniteti;
- Sistemi i paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes duhet të trajtojë çështjet e ngritura nga autoritetet kompetente të shëndetit publik të çdo shteti anëtar ose të evidentuara nga të dhënat e grumbulluara sipas nenit 4 të Vendimit nr. 2119/98/KE;
- Ky vendim duhet të lehtësojë integrimin e rrjetit të Komunitetit, të ngritur me Vendimin nr. 2119/98/KE, me rrjetet e tjera të sinjalizimit të shpejtë, të ngritura në nivel kombëtar apo në nivel Komuniteti, për sëmundjet dhe çështjet e veçanta shëndetësore që do të mbulohen nga sistemi i paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes. Për rrjedhojë, me qëllim zbatimin e tij, rrjeti i Komunitetit duhet të funksionojë duke përdorur Sistemin e Mbikëqyrjes Shëndetësore për Sëmundjet e Transmetueshme brenda Rrjetit Evropian të Informacionit për Shëndetin Publik (EUPHIN-SMSHSN), që përbëhet nga tre komponentë:
- a) sistemi i paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes, për raportet e kërcënimeve të specifikuara për publikun, të cilat përcillen nga autoritetet kompetente të shëndetit publik të çdo shteti anëtar përgjegjës për përcaktimin e masave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik;
- b) shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave të akredituara dhe autoriteteve përgjegjëse për shëndetin publik në çdo shtet anëtar;
- c) rrjetet specifike për sëmundjet e përzgjedhura për mbikëqyrje epidemiologjike ndërmjet strukturave dhe autoriteteve të akredituara të shteteve anëtare;
- Zhvillimi i teknologjive të reja të dobishme duhet të monitorohet rregullisht dhe të merret në konsideratë për importimin e (EUPHIN-SMSHSN) si sistem operativ.
- Masat e parashikuara në këtë vendim janë në përputhje me opinionin e Komitetit të ngritur sipas nenit 7 të Vendimit nr. 2119/98/KE,
MIRATON KËTË VENDIM:
Neni 1
- Sistemi i paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes i rrjetit të Komunitetit mbulon ngjarjet e përcaktuara në shtojcën I, në vijim referuar si "ngjarje" ose treguesit për ngjarje të tilla, të cilat, në vetvete ose në lidhje me ngjarje të tjera të ngjashme, përbëjnë kërcënim ose mund të kthehen në kërcënim për shëndetin publik.
- Strukturat dhe/ose autoritetet e secilit shtet anëtar mbledhin dhe shkëmbejnë të gjithë informacionin e nevojshëm për këto ngjarje, p.sh. duke përdorur sistemin kombëtar të mbikëqyrjes, komponentin e mbikëqyrjes epidemiologjike të rrjetit të Komunitetit apo ndonjë sistem tjetër komunitar të mbledhjes së informacionit.
Neni 2
- Procedurat për shkëmbimin e informacionit tregues për një ngjarje përshkruhen në shtojcën II, seksioni 1 (Niveli 1: Shkëmbimi i informacionit).
- Procedurat që ndiqen kur një ngjarje ka potencial për t'u kthyer në kërcënim për shëndetin publik ose kur një ngjarje përbën në mënyrë të qartë kërcënim për shëndetin publik, përshkruhen në shtojcën II, seksioni 2 (Niveli 2: Kërcënim i mundshëm) dhe seksioni 3 (Niveli 3: Kërcënim i qartë).
- Procedurat që duhen ndjekur për informacionin që do t'i jepet publikut të gjerë dhe profesioneve përkatëse, përshkruhen në shtojcën II, seksioni 4.
Neni 3
- Çdo vit, autoritetet kompetente të shteteve anëtare i paraqesin Komisionit, jo më vonë se data 31 mars, një raport analitik të ngjarjeve dhe për procedurat e përdorura në sistemin e paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes. Përveç kësaj, autoritetet kompetente të shteteve anëtare mund të raportojnë herë pas here për ngjarje specifike me rëndësi të veçantë.
- Komisioni, në bazë të raporteve, analizon në një raport vjetor funksionimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes dhe, nëse është e nevojshme, propozon ndryshime të tij.
Neni 4
Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2000.
Neni 5
Ky vendim u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 22 dhjetor 1999.
Për Komisionin
David BYRNE
Anëtar i Komisionit
SHTOJCA I
NGJARJET QË DO TË RAPORTOHEN NË SISTEMIN E PARALAJMËRIMIT TË HERSHËM DHE PËRGJIGJES
- Vatrat e sëmundjeve të transmetueshme që shtrihen në më shumë se një shtet anëtar të Komunitetit.
- Grupimet hapësinore apo kohore të rasteve të sëmundjeve të një lloji të ngjashëm, nëse agjentët patogjenë janë shkaktarë të mundshëm dhe ka rrezik përhapjeje ndërmjet shteteve anëtare në Komunitet.
- Grupimet hapësinore apo kohore të rasteve të sëmundjeve të një lloji të ngjashëm jashtë Komunitetit, nëse agjentët patogjenë janë shkaktarë të mundshëm dhe ka rrezik përhapjeje në Komunitet.
- Shfaqja ose rishfaqja e një sëmundjeje të transmetueshme ose një agjenti infektiv, i cili mund të kërkojë marrjen e masave në kohën e duhur dhe të koordinuara për të penguar përhapjen e tij.
SHTOJCA II
PROCEDURAT PËR INFORMIMIN, KONSULTIMIN DHE BASHKËPUNIMIN SIPAS SISTEMIT TË PARALAJMËRIMIT TË HERSHËM DHE PËRGJIGJES
- Aktivizimi i nivelit 1: shkëmbimi i informacionit
- Nëse informacioni i mbledhur në një ose më shumë shtete anëtare apo nga burime të tjera të njohura sugjeron një ngjarje të mundshme, autoriteti kompetent përgjegjës për përcaktimin e masave për të mbrojtur shëndetin publik në çdo shtet anëtar përkatës informon pa vonesë, nëpërmjet rrjetit, homologët e tyre në shtetet e tjera anëtare dhe Komisionin në lidhje me rrethanat dhe historikun e ngjarjes. Pas marrjes së këtij informacioni, autoritetet kompetente të shteteve anëtare përkatëse shprehin opinionin e tyre nëse masat e shteteve të tjera anëtare apo masat e koordinuara të Komunitetit të asistuara nga Komisioni janë ose jo të nevojshme.
- Komisioni dhe shtetet anëtare përkatëse bëjnë të mundur shkëmbimin e vazhdueshëm, të përbashkët dhe të shpejtë të informacionit që marrin dhe mbajnë të përditësuara shtetet e tjera anëtare.
- Autoritetet kompetente të shëndetit publik në shtetet anëtare përkatëse vlerësojnë pa vonesë, në bashkëpunim me strukturat dhe/ose autoritetet, informacionin e mbledhur për të konstatuar nëse ka një ngjarje që përbën kërcënim për shëndetin publik.
- Komisioni mund të kërkojë një mbledhje të jashtëzakonshme të rrjetit të komitetit ose të ekspertëve të propozuar prej tij, për të siguruar transparencën dhe efikasitetin e masave të mundshme.
- Aktivizimi i nivelit 2: kërcënim i mundshëm
Kur informacioni për një ngjarje ose treguesit për këtë ngjarje çojnë drejt një kërcënimi të mundshëm për shëndetin publik, autoritetet kompetente të shteteve anëtare përkatëse informojnë pa vonesë homologët e tyre të shteteve të tjera anëtare dhe Komisionin rreth llojit dhe shtrirjes së kërcënimit të mundshëm dhe masave që mendojnë të marrin vetë ose në bashkëpunim me shtete të tjera anëtare përkatëse, Komisionin apo palë të tjera.
2.1. Verifikimi dhe vlerësimi
Autoritetet kompetente të shëndetit publik në shtetet anëtare përkatëse vlerësojnë pa vonesë, në bashkëpunim me strukturat dhe/ose autoritetet, informacionin e mbledhur për të konstatuar siguruar nëse ka një ngjarje që përbën kërcënim për shëndetin publik.
Ekspertiza në fushën e epidemiologjisë, mbështetja e laboratorit, ekspertiza klinike dhe ekspertiza të tjera thelbësore do të vendosen në dispozicion si asistencë teknike për hetime të mëtejshme brenda shteteve anëtare. Komuniteti ose çdo shtet anëtar mund t'ia japë ato shtetit anëtar të interesuar, nëse kërkohen nga ky i fundit.
Komisioni merr pjesë në koordinimin e masave parandaluese për kërcënime të mundshme për shëndetin publik.
Komisioni mund të kërkojë një mbledhje të jashtëzakonshme të rrjetit të komitetit ose të ekspertëve të propozuar prej tij për të koordinuar masat e nevojshme.
2.2. Çaktivizimi
Nëse vlerësimi përfundimtar i rrezikut del në përfundimin se nuk paraqitet asnjë kërcënim për shëndetin publik dhe nuk nevojitet asnjë masë ose vetëm masa vendore, autoritetet kompetente të shëndetit publik në secilin shtet anëtar përkatës informojnë pa vonesë homologët e tyre të shteteve të tjera anëtare dhe Komisionin rreth llojit dhe shtrirjes të masave që kanë marrë ose që mendojnë të marrin.
Nëse brenda tri ditëve nuk ka kundërshtime nga shtete të tjera anëtare ose nga Komisioni, atëherë nuk nevojiten masa të mëtejshme për sistemin e paralajmërimit të hershëm dhe përgjigjes.
- Aktivizimi i nivelit 3: kërcënim i qartë
Nëse një ngjarje rezulton të jetë një kërcënim i mundshëm për shëndetin publik, autoritetet kompetente të shteteve anëtare përkatëse informojnë pa vonesë homologët e tyre të shteteve të tjera anëtare dhe Komisionin rreth llojit dhe shtrirjes së kërcënimit të mundshëm dhe masave që mendojnë të marrin vetë ose në bashkëpunim me shtete të tjera anëtare përkatëse, Komisionin apo palë të tjera.
3.1. Koordinimi i masave
Autoritetet kompetente të shëndetit publik të shteteve anëtare përkatëse informojnë pa vonesë shtetet e tjera anëtare dhe Komisionin rreth ecurisë dhe rezultateve të masave të marra.
Shtetet anëtare dhe Komisioni koordinojnë masat e mëtejshme që do të merren në nivel Komiteti në përputhje me nenet 3 dhe 6 të Vendimit nr. 2119/98/KE.
Komisioni përkrah shtetet anëtare në koordinimin e përpjekjeve të tyre për t'u përballur me kërcënimin e shëndetit publik dhe për të siguruar mbrojtjen e popullsisë.
Komisioni mund të kërkojë një mbledhje të jashtëzakonshme të rrjetit të komitetit ose të delegatëve të emëruar prej tij, për të koordinuar masat.
3.2. Çaktivizimi
Sistemi çaktivizohet pas marrëveshjes së shteteve anëtare përkatëse, të cilët informojnë shtetet e tjera anëtare dhe Komisionin.
- Informacioni drejtuar publikut të gjerë dhe profesioneve përkatëse
Kur shkaktohet një ngjarje, shtetet anëtare u japin pa vonesë material me informacion të përshtatshëm profesionistëve përkatës dhe publikut të gjerë, si dhe i informojnë rreth masave të miratuara.
Komisioni dhe shtetet anëtare informojnë profesionistët përkatës dhe publikun e gjerë rreth udhëzimeve të miratuara në nivel Komuniteti dhe i informojnë pa vonesë kur nuk ka më kërcënim për shëndetin publik.
- Gazeta Zyrtare L 268, 3.10.1998, f. 1.