-
Lexo Dokumentin
31.12.2004
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 390/38
DIREKTIVA 2004/109/KE E PARLAMENTIT EVROPIAN DHE E KËSHILLIT, DATË 15 DHJETOR 2004, "PËR HARMONIZIMIN E KËRKESAVE PËR TRANSPARENCË, NË LIDHJE ME INFORMACIONIN RRETH EMETUESVE, TITUJT E TË CILËVE JANË PRANUAR PËR TREGTIM NË NJË TREG TË RREGULLUAR DHE QË NDRYSHON DIREKTIVËN 2001/34/KE"
PARLAMENTI EVROPIAN DHE KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Komunitetit Evropian dhe në veçanti nenet 44 dhe 95 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social<href="#ntr1-L_2004390EN.01003801-E0001">1,
Duke pasur parasysh opinionin e Bankës Qendrore Evropiane<href="#ntr2-L_2004390EN.01003801-E0002">2,
Duke vepruar në përputhje me procedurën e parashikuar në nenin 251 të Traktatit<href="#ntr3-L_2004390EN.01003801-E0003">3,
Meqë:
1. Tregjet efikase, transparente dhe të integruara të titujve kontribuojnë në një treg të vetëm të unifikuar në BE dhe nxisin zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës me anë të një shpërndarjeje më të mirë të kapitalit dhe reduktimit të kostove. Dhënia e informacioneve të sakta, gjithëpërfshirëse dhe në kohë rreth emetuesve të titujve krijon besim të vazhdueshëm tek investitorët dhe mundëson një vlerësim të informuar të performancës së veprimtarisë dhe të aseteve të tyre. Kjo përmirëson mbrojtjen e investitorit si dhe efikasitetin e tregut.
2. Për këtë qëllim, emetuesit e titujve duhet t'u garantojnë investitorëve transparencën e duhur nëpërmjet rrjedhjes së rregullt të informacionit. Për të njëjtin qëllim, aksionarët, personat fizikë ose juridikë që kanë të drejtën e votës ose instrumente financiare të cilat rezultojnë në të drejtën për të blerë aksione ekzistuese me të drejtat e votës, duhet gjithashtu t'i informojnë emetuesit për blerjen ose ndryshimet e tjera në pjesëmarrjet ndikuese të shoqërisë, në mënyrë që këta të fundit të mund ta mbajnë publikun të informuar.
3. Komunikata e Komisionit, datë 11 maj 1999, e titulluar "Implementimi i kuadrit të tregjeve financiare: plani i veprimit", identifikon një sërë veprimesh të nevojshme për plotësimin shërbimeve financiare të tregut të vetëm. Këshilli Evropian i Lisbonës i marsit 2000 kërkoi zbatimin e atij plani veprimi deri në vitin 2005. Plani i veprimit thekson nevojën për të hartuar një direktivë për përditësimin e kërkesave të transparencës. Kjo domosdoshmëri u konfirmua nga Këshilli Evropian në Barcelonë në mars 2002.
4. Kjo direktivë duhet të përputhet me detyrat që i delegohen Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe bankave qendrore të shteteve anëtare nga traktati dhe statuti i Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane. Në këtë drejtim, duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë bankave qendrore të shteteve anëtare, aksionet e të cilave janë pranuar aktualisht për tregtim në një treg të rregulluar, me qëllim garantimin e ndjekjes së objektivave kryesore ligjore të BE-së.
5. Përmirësimi i harmonizimit të dispozitave të legjislacionit kombëtar për kërkesat për informacion periodik dhe të vazhdueshëm për emetuesit e titujve duhet të çojë në një nivel të lartë të mbrojtjes së investitorëve në gjithë BE-në. Megjithatë, kjo direktivë nuk ndikon në legjislacionin ekzistues të BE-së për kuotat e emetuara nga sipërmarrjet e investimeve kolektive të ndryshme nga ato të tipit të mbyllur ose për kuotat e blera ose të shitura në këto sipërmarrje.
6. Mbikëqyrja e emetuesit të aksioneve ose të titujve të borxhit, prerja për njësi e të cilave është më pak se 1000 euro, për qëllimet e kësaj direktive, do të kryhej në mënyrë më efikase nga shteti anëtar ku ndodhet selia e regjistruar e emetuesit. Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme të garantohet konsistenca me Direktivën 2003/71/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 4 nëntor 2003, "Për prospektin që do publikohet kur titujt të ofrohen për publikun ose të pranohen për tregtim"4. Duhet, në të njëjtën perspektivë, të tregohet një farë fleksibiliteti duke ia lënë zgjedhjen e shtetit anëtar të origjinës emetuesve të vendeve të treta dhe shoqërive në BE që emetojnë vetëm tituj të ndryshëm nga ato të sipërpërmendurat.
7. Një nivel i lartë i mbrojtjes së investitorëve në të gjithë BE-në, do të mundësonte heqjen e pengesave për pranimin e titujve në tregjet e rregulluara që ndodhen ose e ushtrojnë aktivitetin brenda një shteti anëtar. Shteteve anëtare të ndryshme nga shteti anëtar i origjinës nuk duhet t'u lejohet më kufizimi i pranimit të titujve në tregjet e tyre të rregulluara duke përcaktuar kërkesa më të rrepta për informacione periodike dhe të vazhdueshme në lidhje me emetuesit, titujt e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar.
8. Heqja e pengesave në bazë të parimit të shtetit anëtar të origjinës, sipas kësaj direktive, nuk duhet të ndikojë zonat që nuk mbulohen nga kjo e fundit, si të drejtat e aksionarëve për të ndërhyrë në drejtimin e emetuesit. Ajo nuk duhet të ndikojë as në të drejtën e shtetit anëtar të origjinës për t'i kërkuar gjithashtu emetuesit të botojë në gazeta të gjitha informacionet e rregulluara ose pjesë të tyre.
9. Rregullorja (KE) nr. 1606/2002 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 19 korrik 2002, "Për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit"5 i ka hapur rrugën konvergjencës së standardeve të raportimit financiar në gjithë BE-në për emetuesit titujt e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar dhe të cilëve u kërkohet përgatitja e llogarive të konsoliduara. Rrjedhimisht, për emetuesit e titujve është vendosur tashmë një regjim i veçantë përtej sistemit të përgjithshëm për të gjitha shoqëritë, siç përcaktohet në direktivat e ligjit për shoqëritë. Kjo direktivë bazohet në këtë përqasje për sa i përket raportimit financiar vjetor dhe të përkohshëm, duke përfshirë parimin e dhënies së një pamjeje të vërtetë dhe të saktë të aktiveve, pasiveve, gjendjes financiare dhe fitimeve apo humbjeve të një emetuesi. Përmbledhja e pasqyrave financiare, si pjesë e një raporti financiar gjashtëmujor, përbën gjithashtu një bazë të mjaftueshme për dhënien e një pamjeje të vërtetë dhe të saktë të gjashtë muajve të parë të vitit financiar të një emetuesi.
10. Raportet financiare vjetore duhet të sigurojnë të dhëna për të gjitha vitet pasi titujt e emetuesit janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar. Lehtësimi i krahasimit të raporteve financiare vjetore do t'u vinte në ndihmë vetëm investitorëve në tregjet e titujve nëse ata mund të sigurohen se ky informacion do të publikohet brenda një kohe të caktuar pas përfundimit të vitit financiar. Për sa i përket titujve të borxhit të pranuar për tregtim në një treg të rregulluar para 1 janarit 2005 dhe të lëshuar nga emetues të themeluar në një vend të tretë, shteti anëtar i origjinës mund t'i lejojë këta të fundit, sipas kushteve të caktuara, të përgatisin raporte financiare vjetore në përputhje me standardet e kërkuara nga kjo direktivë.
11. Kjo direktivë paraqet raporte financiare gjashtëmujore më gjithëpërfshirëse për emetuesit aksionet e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar. Kjo duhet t'u mundësojë investitorëve të kryejnë një vlerësim më të informuar të gjendjes së emetuesit.
12. Shteti anëtar i origjinës mund të parashikojë përjashtime nga raportimi gjashtëmujor për emetuesit e titujve të borxhit në rastet e:
— institucioneve të kreditit që veprojnë si emetues të vegjël të titujve të borxhit, ose
— emetuesve që ekzistojnë në datën e hyrjes në fuqi të kësaj direktive dhe që emetojnë ekskluzivisht tituj borxhesh të garantuar në mënyrë të pakushtëzuar dhe të pakthyeshme nga shteti anëtar i origjinës apo nga autoritetet rajonale apo vendore të tij, ose
— periudhave transitore prej dhjetë vjetësh, vetëm në lidhje me ato tituj borxhesh që janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar para 1 janarit 2005 dhe që mund të blihen vetëm nga investitorë profesionalë. Nëse shteti anëtar i origjinës e lejon këtë përjashtim, ky nuk është i vlefshëm për titujt e borxhit që pranohen në një treg të rregulluar në vijim.
13. Parlamenti Evropian dhe Këshilli mirëpresin angazhimin e Komisionit për të marrë në konsideratë sa më shpejtë rritjen e transparencës së politikave të shpërblimit, të totalit të shpërblimit të paguar, duke përfshirë çdo kompensim të kushtëzuar ose të shtyrë dhe të përfitimeve në natyrë që i jepen çdo anëtari të organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse në përputhje me planin e tij të veprimit për "Modernizimin e ligjit për shoqëritë tregtare dhe përmirësimin e qeverisjes së korporatës brenda Bashkimit Evropian" të 21 majit 2003 dhe synimin e Komisionit për të bërë një rekomandim në lidhje me këtë temë në të ardhmen e afërt.
14. Shteti anëtar i origjinës duhet t'i inkurajojë emetuesit, aksionet e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar dhe veprimtaritë kryesore të të cilëve lidhen me industrinë nxjerrëse, që t'i bëjnë publike pagesat për qeveritë në raportet e tyre financiare vjetore. Shteti anëtar i origjinës duhet të nxisë gjithashtu rritjen e transparencës së këtyre pagesave brenda strukturës së përcaktuar në forumet e ndryshme financiare ndërkombëtare.
15. Gjithashtu, kjo direktivë do ta bëjë të detyrueshëm raportimin gjashtëmujor për emetuesit vetëm të titujve të borxhit në tregje të rregulluara. Përjashtimet duhet të lejohen vetëm për tregjet me shumicë në bazë të prerjeve për njësi që fillojnë nga 50 000 euro, sipas Direktivës 2003/71/KE. Në rast se titujt e borxhit janë emetuar në një valutë tjetër, përjashtimet duhet të mundësohen vetëm atëherë kur prerja për njësi në këtë valutë, në datën e emetimit, është të paktën 50 000 euro.
16. Sigurimi i informacioneve më të sakta dhe në kohë në lidhje me efikasitetin e emetuesve të aksioneve gjatë vitit financiar kërkon gjithashtu një shpeshtësi më të lartë të informacionit të përkohshëm. Për rrjedhojë, duhet të paraqitet një kërkesë për publikimin e një pasqyre të përkohshme të administrimit gjatë gjashtëmujorit të parë dhe e një pasqyre të dytë të përkohshme të drejtimit gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit financiar. Emetuesit e aksioneve që publikojnë raporte financiare tremujore nuk duhet të publikojnë pasqyra të përkohshme të administrimit.
17. Për emetuesit, organet e tij administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse apo për personat përgjegjës në radhët e emetuesve, duhet të zbatohen rregullat e duhura në fushën e përgjegjësisë, të përcaktuara nga çdo shtet anëtar në përputhje me legjislacionin ose rregulloret e tij të brendshme. Shtetet anëtare duhet të jenë të lira të përcaktojnë shtrirjen e përgjegjësisë.
18. Publiku duhet të informohet për ndryshimet në pjesëmarrjet ndikuese në shoqëritë aksionet e të cilave tregtohen në një treg të rregulluar që gjendet ose e ushtron veprimtarinë brenda BE-së. Ky informacion duhet t'u mundësojë investitorëve të blejnë ose shesin aksione duke qenë plotësisht në dijeni të ndryshimeve në strukturën e votimit. Gjithashtu, ai duhet të forcojë kontrollin efikas të emetuesve të aksioneve dhe transparencën e përgjithshme të tregut për lëvizjet e rëndësishme të kapitalit. Në rrethana të caktuara, duhet të sigurohet informacion për aksionet ose instrumentet financiare të vendosura si kolateral, ashtu siç përcaktohen në nenin 13.
19. Neni 9 dhe germa "c" e nenit 10 nuk zbatohen për aksionet e dhëna ose të marra nga anëtarët e SEBQ gjatë kryerjes së detyrave të tyre si autoritete monetare me kusht që të drejtat e votës lidhur me këto aksione të mos ushtrohen; referenca për "një periudhë të shkurtër" në nenin 11 duhet të kuptohet lidhur me operacionet kredituese të kryera në përputhje me traktatin dhe aktet ligjore të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), në veçanti me udhëzimet e kësaj të fundit për instrumentet dhe procedurat e politikave monetare dhe sistemin TARGET si dhe me operacionet kredituese për qëllimin e kryerjes së funksioneve ekuivalente në përputhje me dispozitat kombëtare.
20. Për të shmangur barrat e panevojshme për pjesëmarrës të caktuar të tregut dhe për të qartësuar se kush ndikon aktualisht tek një emetues, nuk është e nevojshme të kërkohet njoftimi për pjesëmarrjet ndikuese në aksione ose instrumente të tjera financiare siç përcaktohen nga neni 13, të cilat rezultojnë në të drejtën për të blerë aksione në lidhje me krijuesit e tregut ose kujdestarët apo për zotërimet e aksioneve ose instrumenteve financiare të blera vetëm për qëllime klerimi dhe shlyerjeje, brenda kufizimeve dhe garancive që do të zbatohen në të gjithë BE-në. Shteti anëtar i origjinës duhet të autorizohet për të bërë përjashtime të kufizuara për sa i përket zotërimeve të aksioneve në portofolin tregtar të institucioneve të kreditit dhe firmave të investimit.
21. Për të qartësuar se kush është aktualisht një aksionar ndikues i aksioneve ose instrumenteve të tjera financiare për të njëjtin emetues në BE, sipërmarrjeve mëmë nuk duhet t'u kërkohet të bashkojnë aksionet e tyre me ato të menaxhuara nga sipërmarrjet e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm (SIKTT) ose nga firmat e investimit, me kusht që këto sipërmarrje ose firma të ushtrojë të drejtat e votës në mënyrë të pavarur nga shoqëritë mëmë dhe të përmbushin disa kushte shtesë.
22. Informimi i vazhdueshëm i titullarëve të titujve të pranuar për tregtim në një treg të rregulluar duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Trajtimi i barabartë lidhet vetëm me aksionarët që kanë të njëjtin pozicion dhe rrjedhimisht nuk cenon çështjen e të drejtave të votës për një aksion të caktuar. Për të njëjtën arsye, titullarët e titujve të borxhit të të njëjtit nivel duhet të vazhdojnë të përfitojnë nga trajtimi i barabartë, edhe në rastin e borxhit sovran. Duhet të thjeshtësohet informimi i zotëruesve të aksioneve dhe/ose titullarëve të titujve të borxhit në asambletë e përgjithshme. Në veçanti, kërkohet pjesëmarrje më aktive e zotëruesve të aksioneve dhe/ose titullarëve të titujve të borxhit që ndodhen jashtë shtetit duke u lejuar të delegojnë përfaqësues për të vepruar në emër të tyre. Për të njëjtat arsye, në një asamble të përgjithshme të zotëruesve të aksioneve dhe/ose titullarëve të titujve të borxhit duhet të vendoset nëse duhet të vihen në përdorim teknologjitë moderne të informacionit dhe komunikimit. Në këtë rast, emetuesit duhet të marrin masa për informimin e duhur të zotëruesve të aksioneve dhe/ose titullarëve titujt e tyre të borxhit, për sa kohë që ata mund ti identifikojnë këta të fundit.
23. Eliminimi i pengesave dhe zbatimi efikas i kërkesave të reja të BE-së për informacion kërkon gjithashtu kontrollin e duhur nga autoritetet kompetente të shtetit anëtar të origjinës. Kjo direktivë duhet të parashikojë të paktën një garanci minimale për disponimin në kohë të këtij informacioni. Për këtë arsye, në çdo shtet anëtar duhet të ekzistojë të paktën një sistem regjistrimi dhe një sistem ruajtjeje.
24. Çdo detyrim i emetuesit për të përkthyer të gjitha informacionet e vazhdueshme dhe periodike në gjuhët përkatëse të shteteve anëtare ku titujt e tij janë pranuar për tregtim, nuk e nxit integrimin e tregjeve të titujve por ka efekte penguese në pranimin ndërkufitar të titujve për tregtim në tregje të rregulluara. Për rrjedhojë, në disa raste emetuesi duhet të ketë kompetencën për ta ofruar informacionin të hartuar në një gjuhë të zakonshme në sferën e financave ndërkombëtare. Meqenëse nevojiten përpjekje për tërheqjen e investitorëve nga vendet e treta dhe shtetet e tjera anëtare, këto të fundit nuk duhet t'i pengojnë më aksionarët, personat që ushtrojnë të drejtat e votës ose zotëruesit e instrumenteve financiare për t'i bërë njoftimet e kërkuara për emetuesin në një gjuhë të zakonshme në sferën e financave ndërkombëtare.
25. Aksesi i investitorëve tek informacionet rreth emetuesit duhet të jetë më i organizuar në nivel BE-je në mënyrë që të nxisë në mënyrë aktive integrimin e tregjeve evropiane të kapitalit. Investitorët që nuk ndodhen në shtetin anëtar të origjinës së emetuesit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me investitorët që ndodhen aty, nëse kërkojnë akses në këto informacione. Kjo mund të arrihet nëse shteti anëtar i origjinës garanton përputhshmërinë me standardet minimale të cilësisë për shpërndarjen e informacionit në gjithë BE-në, në mënyrë të shpejtë, jodiskriminuese dhe që varet nga lloji i informacionit të rregulluar në fjalë. Gjithashtu, informacioni i shpërndarë duhet të jetë i disponueshëm në shtetin anëtar të origjinës në mënyrë të centralizuar duke mundësuar ndërtimin e një rrjeti evropian, të aksesueshëm me çmime të arsyeshme për investitorët me pakicë, ndërkohë që nuk shkakton duplikimin e panevojshëm të kërkesave të regjistrimit për emetuesit. Emetuesit duhet të përfitojnë nga konkurrenca e lirë gjatë zgjedhjes së mjeteve të komunikimit ose të operatorëve për shpërndarjen e informacionit, në përputhje me këtë direktivë.
26. Për të lehtësuar më tej aksesin e investitorëve në informacionin e korporatave në të gjitha shtetet anëtare, përgjegjësia e hartimit të udhëzimeve për krijimin e rrjeteve elektronike duhet t'i lihet autoriteteve mbikëqyrëse kombëtare në konsultim të ngushtë me palët e tjera të interesuara, në veçanti me emetuesit e titujve, investitorët, pjesëmarrësit e tregut, operatorët e tregjeve të rregulluara dhe ofruesit e informacionit financiar.
27. Për të garantuar mbrojtjen efikase të investitorëve dhe funksionimin e duhur të tregjeve të rregulluara, rregullat në lidhje me informacionin që do të publikohet nga emetuesit titujt e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar duhet të zbatohen gjithashtu për emetuesit që nuk kanë një seli të regjistruar në një shtet anëtar dhe që nuk bëjnë pjesë në fushën e zbatimit të nenit 48 të traktatit. Duhet të garantohet gjithashtu, që çdo informacion tjetër i rëndësishëm në lidhje me emetuesit në BE ose në vendet e treta, publikimi i të cilit kërkohet në një vend të tretë por jo në një shtet anëtar, të vihet në dispozicion të publikut në BE.
28. Në çdo shtet anëtar duhet të caktohet një autoritet i vetëm kompetent për të marrë përgjegjësinë përfundimtare për mbikëqyrjen e pajtueshmërisë me dispozitat e miratuara në zbatim të kësaj direktive si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar. Ky autoritet duhet të ketë natyrë administrative dhe në mënyrë që të shmangen konfliktet e interesit, është e nevojshme të garantohet pavarësia e tij nga aktorët ekonomikë. Megjithatë, shtetet anëtare mund të caktojnë një tjetër autoritet kompetent për të analizuar nëse informacioni i përmendur në këtë direktivë është hartuar në përputhje me strukturën përkatëse të raportimit dhe për të marrë masat e duhura në rastin e zbulimit të shkeljeve. Nuk është e nevojshme që ky autoritet të ketë natyrë administrative.
29. Shtimi i veprimtarive ndërkufitare kërkon përmirësim të bashkëpunimit mes autoriteteve kompetente kombëtare, duke përfshirë një sërë dispozitash gjithëpërfshirëse për shkëmbimin e informacionit dhe masat parandaluese. Organizimi i detyrave rregullatore dhe mbikëqyrëse në secilin shtet anëtar nuk duhet të pengojë bashkëpunimin efikas midis autoriteteve kompetente kombëtare.
30. Në takimin e tij të 17 korrikut 2000, Këshilli ngriti Komitetin e të Urtëve për rregullimin e tregjeve evropiane të titujve. Në raportin e tij përfundimtar, ky komitet propozoi prezantimin e disa teknikave të reja legjislative bazuar në një qasje me katër nivele, konkretisht parimet kuadër, masat teknike zbatuese, bashkëpunimin midis rregullatorëve kombëtarë në fushën e titujve dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së. Kjo direktivë duhet të kufizohet në përcaktimin e parimeve të përgjithshme "kuadër", ndërsa masat zbatuese që do të miratohen nga Komisioni me ndihmën e Komitetit Evropian të Titujve, të krijuar nga vendimi i Komisionit 2001/528/KE6 duhet të përcaktojnë detajet teknike.
31. Rezoluta e miratuar nga Këshilli Evropian i Stokholmit i marsit 2001 miratoi raportin përfundimtar të Komitetit të të Urtëve dhe qasjen e propozuar me katër nivele, për ta bërë më efikas dhe transparent procesin rregullues për legjislacionin e BE-së për titujt.
32. Sipas kësaj rezolute, masat zbatuese duhet të përdoren më shpesh për të garantuar që dispozitat teknike të mund të përditësohen në përputhje me zhvillimet e tregut dhe ato mbikëqyrëse si dhe duhet të vendosen afate për të gjitha fazat e rregullave zbatuese.
33. Rezoluta e Parlamentit Evropian, datë 5 shkurt 2002, "Për zbatimin e legjislacionit të shërbimeve financiare" miratoi edhe raportin e Komitetit të të Urtëve, në bazë të deklaratës solemne të mbajtur para Parlamentit Evropian në po atë datë nga Presidenti i Komisionit si dhe të shkresës së 2 tetorit 2001 që Komisioneri i Tregut të Brendshëm i drejtonte Kryetarit të Komitetit Parlamentar për Çështjet Ekonomike dhe Monetare në lidhje me garancitë për rolin e Parlamentit Evropian në këtë proces.
34. Parlamentit Evropian duhet t'i jepet një periudhë prej tre muajsh kohë nga prezantimi i parë i projektligjit për masat zbatuese, që të mund t'i shqyrtojë ato dhe të japë mendimin e tij. Megjithatë, në raste urgjente dhe të justifikuara, kjo periudhë mund të shkurtohet. Nëse brenda kësaj periudhe miratohet ndonjë rezolutë nga Parlamenti Evropian, Komisioni duhet të rishqyrtojë projekt masat.
35. Për të marrë në konsideratë zhvillimet e reja në tregjet e titujve, mund të jetë e nevojshme marrja e masave zbatuese teknike për rregullat e përcaktuara në këtë direktivë. Komisioni duhet të ketë kompetencën për të miratuar, sipas rastit, masa zbatuese, me kusht që ato të mos modifikojnë elementet thelbësore të kësaj direktive dhe që Komisioni të veprojë në përputhje me parimet e parashikuara në të, pasi të jetë këshilluar me Komitetin Evropian të Titujve.
36. Për ushtrimin e kompetencave zbatuese në përputhje me këtë direktivë, Komisioni duhet të respektojë parimet e mëposhtme:
— nevojën për të siguruar besimin në tregjet financiare mes investitorëve, duke promovuar standarde të larta transparence në tregjet financiare;
— nevojën për t'u ofruar investitorëve një gamë të gjerë investimesh konkurruese dhe një nivel zbulimi dhe mbrojtjeje të informacionit në përshtatje me rrethanat e tyre;
— nevojën për t'u siguruar që autoritetet e pavarura rregullatorë të zbatojnë rregullisht rregullat, veçanërisht në lidhje me luftën kundër krimit ekonomik;
— nevojën për një nivel të lartë transparence dhe këshillimi me të gjithë pjesëmarrësit në treg dhe me Parlamentin Evropian e Këshillin;
— nevojën për të nxitur risitë në tregjet financiare, nëse ato do të jenë dinamike dhe efikase;
— nevojën për të siguruar integritetin e tregut me anë të monitorimit të ngushtë dhe reagues ndaj risive financiare;
— rëndësinë e uljes së kostos dhe rritjes së aksesit në kapital;
— bilancin e kostove dhe përfitimeve për pjesëmarrësit në treg në terma afat-gjatë (duke përfshirë edhe bizneset e vogla dhe të mesme dhe investitorët e vegjël) për çdo masë zbatuese;
— nevojën për të nxitur konkurrencën ndërkombëtare të tregjeve financiare të BE-së, pa cenuar rritjen aq të nevojshme të bashkëpunimit ndërkombëtar;
— nevojën për të arritur kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në treg, duke vendosur rregullore për të gjithë territorin e BE-së, aty ku është e përshtatshme;
— nevojën për të respektuar dallimet mes tregjeve financiare kombëtare, kur ato nuk cenojnë padrejtësisht koherencën e tregut të vetëm;
— nevojën për të siguruar koherencë me ligjet e tjera të BE-së në këtë fushë, meqenëse pabarazitë në informim dhe mungesa e transparencës mund të rrezikojnë funksionimin e tregjeve dhe mbi të gjitha të dëmtojnë konsumatorët dhe investitorët e vegjël.
37. Për të garantuar përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në këtë direktivë ose të masave për zbatimin e saj, çdo shkelje e këtyre të fundit duhet të zbulohet menjëherë dhe, nëse është e nevojshme, t'i nënshtrohet sanksioneve. Për këtë qëllim, masat dhe sanksionet duhet të jenë mjaftueshëm shtrënguese, proporcionale dhe të zbatohen rregullisht. Shtetet anëtare duhet të garantojnë që vendimet e marra nga autoritetet kompetente kombëtare të jenë objekt i të drejtës për apelim në gjykatë.
38. Kjo direktivë ka për qëllim të përditësojë kërkesat aktuale të transparencës për emetuesit e titujve dhe investitorët që blejnë ose shesin pjesëmarrje ndikuese në shoqëri emetuese aksionet e të cilave janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar. Kjo direktivë zëvendëson disa nga kërkesat e përcaktuara në Direktivën 2001/34/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 28 maj 2001, "Për pranimin e titujve në listën zyrtare të bursës dhe për informacionin publikuar në lidhje me këto tituj"7. Me qëllim mbledhjen e kërkesave të transparencës në një akt të vetëm është e nevojshme që ai të ndryshohet përkatësisht. Megjithatë, ky ndryshim nuk duhet të ndikojë në kompetencën e shteteve anëtare për të vendosur kërkesa shtesë në përputhje me nenet 42 deri në 63 të Direktivës 2001/34/KE, të cilat mbeten të vlefshme.
39. Kjo direktivë është në linjë me Direktivën 95/46/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 24 tetor 1995, "Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale dhe qarkullimin e këtyre të dhënave"8.
40. Kjo direktivë respekton të drejtat themelore të njeriut dhe zbaton parimet e njohura veçanërisht nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.
41. Meqenëse objektivat e kësaj direktive, përkatësisht garantimi i besimit të investitorëve nëpërmjet një transparence ekuivalente në të gjithë BE-në dhe rrjedhimisht plotësimi i tregut të brendshëm, nuk mund të arrihen mjaftueshëm nga shtetet anëtare në bazë të legjislacionit ekzistues të BE-së dhe për rrjedhojë, mund të arrihen më mirë në nivel BE-je, kjo e fundit mund të miratojë masa, në përputhje me parimin e subsidiaritetit siç përcaktohet në nenin 5 të traktatit. Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, të përcaktuar në po atë nen, kjo direktivë nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e këtyre objektivave.
42. Masat e nevojshme për zbatimin e kësaj direktive duhet të miratohen në përputhje me vendimin 1999/468/KE të Këshillit, datë 28 qershor 1999, "Për përcaktimin e procedurave për ushtrimin e kompetencave zbatuese që i delegohen Komisionit"9,
MIRATOJNË KËTË DIREKTIVË:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti dhe fusha e zbatimit
1. Kjo direktivë përcakton kërkesat në lidhje me dhënien e informacioneve periodike dhe të vazhdueshme rreth emetuesve titujt e të cilëve janë pranuar tashmë për tregtim në një treg të rregulluar që ndodhet ose e ushtron veprimtarinë brenda një shteti anëtar.
2. Kjo direktivë nuk zbatohet për kuotat e emetuara nga sipërmarrjet e investimeve kolektive të ndryshme nga ato të tipit të mbyllur ose për kuotat që janë blerë ose janë shitur, në këto sipërmarrje.
3. Shtetet anëtare mund të vendosin të mos i zbatojnë dispozitat e përmendura në nenin 16, paragrafi 3 dhe në paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 18 për titujt që janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar dhe që janë emetuar prej tyre ose prej autoriteteve të tyre rajonale ose vendore.
4. Shtetet anëtare mund të vendosin të mos e zbatojnë nenin 17 për bankat qendrore kombëtare në cilësinë e tyre si emetuese të aksioneve të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar, nëse janë pranuar para datës 20 janar 2005.
Neni 2
Përkufizime
1. Për qëllimet e kësaj direktive përdoren përkufizimet e mëposhtme:
a) "tituj" janë titujt e transferueshëm sipas përcaktimit në nenin 4, paragrafi 1, pika 18 të Direktivës 2004/39/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 21 prill 2004, "Për tregjet e instrumenteve financiare"10 me përjashtim të instrumenteve të tregut të parasë, siç përcaktohen në nenin 4, paragrafi 1, pika 19 të kësaj direktive, me afat maturimi prej më pak se 12 muaj, për të cilat mund të zbatohet legjislacioni kombëtar;
b) "titujt e borxhit" janë obligacione ose forma të tjera borxhesh të titullzuara dhe të transferueshme, me përjashtim të titujve që janë ekuivalentë me aksionet e shoqërisë ose që, nëse konvertohen apo nëse ushtrohen të drejtat e akorduara prej tyre, lind e drejta për të blerë aksione ose tituj ekuivalentë me aksionet;
c) "treg i rregulluar" është tregu sipas përcaktimit në nenin 4, paragrafi 1, pika 14 të Direktivës 2004/39/KE;
d) "emetues" është një person juridik që rregullohet nga e drejta private ose publike, duke përfshirë një shtet, titujt e të cilit janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, ku emetuesi, në rastin e faturave të depozitarit që përfaqësojnë titujt, është emetuesi i këtyre titujve të përfaqësuar;
e) "aksionar" është çdo person fizik ose juridik që rregullohet nga e drejta private ose publike dhe që zotëron, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo:
I. aksione të emetuesit në emër dhe në llogari të vet;
II. aksione të emetuesit në emër të vet por për llogari të një personi tjetër fizik ose juridik;
III. fatura të depozitarit, rast në të cilin zotëruesi i tyre konsiderohet si aksionar i aksioneve themeluese të përfaqësuara nga faturat e depozitarit;
f) "shoqëri e kontrolluar" është çdo shoqëri
I. ku një person fizik ose juridik ka shumicën e të drejtave të votës; ose
II. ku një person fizik ose juridik ka të drejtën për të emëruar ose shkarkuar një pjesë të madhe të anëtarëve të organit administrativ, drejtues ose mbikëqyrës dhe që është në të njëjtën kohë një aksionar ose anëtar i shoqërisë në fjalë; ose
III. ku një person fizik ose juridik është aksionar ose anëtar dhe i vetëm kontrollon të drejtat e votës së një pjese të madhe të aksionarëve ose anëtarëve, përkatësisht në përputhje me një marrëveshje të nënshkruar me aksionarë apo anëtarë të shoqërisë në fjalë; ose
IV. mbi të cilën një person fizik ose juridik ka kompetencat për të ushtruar ose ushtron aktualisht një ndikim dominues ose kontroll;
g) "sipërmarrje e investimeve kolektive, përveç atyre të tipit të mbyllur" janë njësitë trust dhe shoqëritë e investimit:
I. objekti i të cilave është investimi kolektiv i kapitalit të dhënë nga publiku dhe që operojnë me parimin e shpërndarjes së riskut; dhe
II. kuotat e të cilave, me kërkesë të mbajtësit të tyre, riblihen ose shlyhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga aktivet e këtyre sipërmarrjeve;
h) "kuota të një sipërmarrjeje investimesh kolektive" janë tituj të emetuar nga një sipërmarrje e investimeve kolektive, të cilët përfaqësojnë të drejtat e pjesëmarrësve të kësaj sipërmarrjeje mbi aktivet e saj;
i) "shtet anëtar i origjinës" është
I. për emetuesit e titujve të borxhit, prerja për njësi e të cilave është më pak se 1000 euro ose për emetuesit e aksioneve:
— kur emetuesi është themeluar në BE, shteti anëtar në të cilin ka selinë e regjistruar;
— kur emetuesi është themeluar në një vend të tretë, shteti anëtar në të cilin duhet të regjistrojë informacionin vjetor pranë autoritetit kompetent, në përputhje me nenin 10 të Direktivës 2003/71/KE.
Përkufizimi shteti anëtar "i origjinës" zbatohet për titujt e borxhit në valutë të ndryshme nga euroja, me kusht që vlera e prerjeve për njësi, në datën e emetimit, të jetë më pak se 1000 euro, përveçse kur është afërsisht ekuivalente me 1000 euro;
II. për çdo emetues që nuk mbulohet nga germa "i", shteti anëtar që ai ka zgjedhur midis shtetit anëtar ku ka selinë e regjistruar dhe atyre shteteve anëtare që i kanë pranuar titujt e tij për tregtim në një treg të rregulluar në territorin e tyre. Emetuesi mund të zgjedhë vetëm një shtet anëtar si shtet anëtar të origjinës. Kjo zgjedhje mbetet e vlefshme për të paktën tre vjet, përveç kur titujt e tij nuk pranohen më për tregtim në një treg të rregulluar në BE;
j) "shteti anëtar pritës" është shteti anëtar ku titujt pranohen për tregtim në një treg të rregulluar, nëse është i ndryshëm nga shteti anëtar i origjinës;
k) "informacion i rregulluar" janë të gjitha informacionet që duhet të sigurojë emetuesi ose çdo person tjetër i cili ka aplikuar për pranimin e titujve për tregtim në një treg të rregulluar pa miratimin e emetuesit, sipas kësaj direktive, sipas nenit 6 të Direktivës 2003/6/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 28 janar 2003, "Për abuzimin me informacionet e privilegjuara dhe manipulimin e tregut (abuzimi me tregun)"11 ose sipas ligjeve, rregulloreve ose dispozitave administrative të një shteti anëtar, të miratuara në përputhje me nenin 3, paragrafi 1 të kësaj direktive;
l) "mjete elektronike" janë pajisjet elektronike për përpunimin (duke përfshirë përpunimin dixhital), ruajtjen dhe transmetimin e të dhënave përmes kabllove, radios, teknologjive optike ose çdo mjeti tjetër elektromagnetik;
m) "shoqëri administruese" është një shoqëri sipas përkufizimit në nenin 1a, paragrafi 2 të Direktivës së Këshillit 85/611/KEE, datë 20 dhjetor 1985, "Për koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative në lidhje me sipërmarrjet e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm (SIKTT)"12;
n) "krijues tregu" është personi i pranishëm vazhdimisht në tregjet financiare, sipas dëshirës për të tregtuar për llogari të tij në blerjen dhe shitjen e instrumenteve financiare kundër kapitalit të regjistruar të tij, me çmime të përcaktuara nga ai;
o) "institucion krediti" është një sipërmarrje sipas përkufizimit në nenin 1, paragrafi 1, germa "a" të Direktivës 2000/12/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 20 mars 2000, "Për krijimin dhe funksionimin e veprimtarisë tregtare të institucioneve kredituese"13;
p) "tituj të emetuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur" janë tituj borxhi të menjëhershëm nga i njëjti emetues ose të paktën dy emetime të ndara titujsh që janë të ngjashme në lloj dhe/ose klasë.
2. Për qëllimet e përkufizimit "shoqëri e kontrolluar" në germat "f" dhe "ii" të paragrafit 1, të drejtat e zotëruesit në lidhje me votën, emërimin dhe shkarkimin përfshijnë të drejtat e çdo shoqërie tjetër të kontrolluar nga aksionari dhe ato të çdo personi fizik ose juridik që vepron, pavarësisht se në emër të tij, për llogari të aksionarit ose çdo shoqërie tjetër të kontrolluar nga ky i fundit.
3. Me qëllim që të merren parasysh zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe që të sigurohet zbatimi uniform i paragrafit 1, Komisioni miraton masat zbatuese të përcaktuara në paragrafin 1, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2.
Në veçanti, Komisioni:
a) përcakton, për qëllimet e paragrafit 1, germa "i" dhe "ii", marrëveshjet procedurale në përputhje me të cilat emetuesi mund të zgjedhë shtetin anëtar të origjinës;
b) rregullon, sipas rastit, për qëllimet e zgjedhjes së shtetit anëtar të origjinës të përmendur në paragrafin 1, germa "i" dhe "ii", periudhën tre-vjeçare në lidhje me bazën e të dhënave të emetuesit, duke marrë parasysh të gjitha kërkesat e reja të legjislacionit të BE-së për sa i përket pranimit për tregtim në një treg të rregulluar;
c) përcakton, për qëllimet e paragrafit 1, germa "l", një listë treguese të mjeteve që nuk konsiderohen elektronike, duke marrë rrjedhimisht parasysh shtojcën V të Direktivës 98/34/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 22 qershor 1998, "Për përcaktimin e një procedure për sigurimin e informacionit në fushën e standardeve dhe rregulloreve teknike"14.
Neni 3
Integrimi i tregjeve të titujve
1. Shteti anëtar i origjinës mund ta bëjë emetuesin objekt të kërkesave më shtrënguese se ato që përcaktohen në këtë direktivë.
Shteti anëtar i origjinës mund t'i bëjë zotëruesit e aksioneve, personat fizikë ose juridikë të përmendur në nenet 10 ose 13, objekt të kërkesave më shtrënguese se ato që përcaktohen në këtë direktivë.
2. Një shtet anëtar nuk mund:
a) të vendosë kërkesa për dhënien e informacionit, për sa i përket pranimit të titujve në një treg të rregulluar në territorin e tij, më shtrënguese se sa ato që përcaktohen në këtë direktivë ose në nenin 6 të Direktivës 2003/6/KE;
b) t'i bëjë zotëruesit e aksioneve, personat fizikë ose juridikë të përmendur në nenet 10 ose 13, objekt të kërkesave më shtrënguese se ato që përcaktohen në këtë direktivë, për sa i përket njoftimit të informacionit.
KREU II
INFORMACION PERIODIK
Neni 4
Raportet financiare vjetore
1. Emetuesi publikon raportin e tij financiar vjetor të paktën katër muaj pas përfundimit të çdo viti financiar dhe garanton që të mbetet në dispozicion të publikut për të paktën pesë vjet.
2. Raporti financiar vjetor përfshin:
a) pasqyrat e audituara financiare;
b) raportin e administrimit; dhe
c) pasqyrat e përgatitura nga personat përgjegjës pranë emetuesit, emrat dhe funksionet e të cilëve tregohen qartë, që vërtetojnë se për aq sa kanë dijeni, pasqyrat financiare të përgatitura në përputhje me grupin e standardeve të zbatueshme të kontabilitetit japin një pamje të vërtetë dhe të saktë të aktiveve, pasiveve, gjendjes financiare dhe fitimeve apo humbjeve të emetuesit dhe të ndërmarrjeve të përfshira në konsolidim të marra së bashku dhe se raporti i administrimit përfshin një vlerësim të drejtë të ecurisë dhe performancës së veprimtarisë si dhe të pozicionit të emetuesit dhe të ndërmarrjeve të përfshira në konsolidim të marra së bashku, si dhe një përshkrim të rreziqeve parësore dhe pasigurive me të cilat ata përballen.
3. Kur emetuesi duhet të përgatisë llogari të konsoliduara në përputhje me Direktivën e shtatë të Këshillit 83/349/KEE, datë 13 qershor 1983, "Për llogaritë e konsoliduara"15, pasqyrat e audituara financiare përfshijnë llogaritë e konsoliduara të hartuara në përputhje me rregulloren (KE) nr. 1606/2002 dhe llogaritë vjetore të shoqërisë mëmë të hartuara në përputhje me legjislacionin kombëtar të shtetit anëtar ku është themeluar shoqëria mëmë.
Kur emetuesit nuk i kërkohet të përgatisë llogari të konsoliduara, pasqyrat e audituara financiare përfshijnë llogaritë e përgatitura në përputhje me legjislacionin kombëtar të shtetit anëtar ku është themeluar shoqëria.
4. Pasqyrat financiare auditohen në përputhje me nenet 51 dhe 51a të Direktivës së Katërt të Këshillit 78/660/KEE, datë 25 korrik 1978, "Për llogaritë vjetore të disa llojeve të caktuara shoqërish"16 dhe, nëse emetuesi duhet të përgatisë raporte të konsoliduara, në përputhje me nenin 37 të Direktivës 83/349/KEE.
Raporti i auditit, i nënshkruar nga personi apo personat përgjegjës për auditimin e pasqyrave financiare, publikohet i plotë për publikun së bashku me raportin financiar vjetor.
5. Raporti i administrimit hartohet në përputhje me nenin 46 të Direktivës 78/660/KEE dhe, nëse emetuesi duhet të përgatisë llogari të konsoliduara, në përputhje me nenin 36 të Direktivës 83/349/KEE.
6. Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese për të marrë në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe për të garantuar zbatimin uniform të paragrafit 1. Në veçanti, Komisioni specifikon kushtet teknike sipas të cilave do të mbetet në dispozicion të publikut një raport financiar vjetor si dhe një raport i auditit. Sipas rastit, Komisioni mund të miratojë periudhën pesë vjeçare të përmendur në paragrafin 1.
Neni 5
Raportet financiare gjashtëmujore
1. Emetuesi i aksioneve ose titujve të borxhit publikon një raport financiar gjashtëmujor për gjashtë muajt e parë të vitit financiar, sa më shpejt të jetë e mundur pas përfundimit të periudhës përkatëse, por maksimumi dy muaj pas saj. Emetuesi garanton që raporti financiar gjashtëmujor të mbetet në dispozicion të publikut për të paktën pesë vjet.
2. Raporti financiar gjashtëmujor përfshin:
a) përmbledhjen e pasqyrave financiare;
b) një raport të përkohshëm administrimi; dhe
c) pasqyrat e përgatitura nga personat përgjegjës pranë emetuesit, emrat dhe funksionet e të cilëve tregohen qartë, që vërtetojnë se për aq sa kanë dijeni, përmbledhja e pasqyrave financiare e përgatitur në përputhje me grupin e standardeve të zbatueshme të kontabilitetit jep një pamje të vërtetë dhe të saktë të aktiveve, pasiveve, gjendjes financiare dhe fitimeve apo humbjeve të emetuesit ose të ndërmarrjeve të përfshira në konsolidim të marra së bashku, sipas kërkesës së paragrafit 3, dhe se raporti i përkohshëm i administrimit përfshin një vlerësim të drejtë të informacionit të kërkuar sipas paragrafit 4.
3. Kur emetuesi duhet të përgatisë llogari të konsoliduara, përmbledhja e pasqyrave financiare përgatitet në përputhje me standardin ndërkombëtar të kontabilitetit të zbatueshëm për raportimin e përkohshëm financiar, të miratuar sipas procedurës së parashikuar sipas nenit 6 të rregullores (KE) nr. 1606/2002.
Kur emetuesi nuk duhet të përgatisë llogari të konsoliduara, përmbledhja e pasqyrave financiare përmban të paktën një përmbledhje të bilancit, të llogarisë së fitimeve dhe humbjeve si dhe shënime shpjeguese në lidhje me këto llogari. Gjatë përgatitjes së përmbledhjes së bilancit dhe të llogarisë së fitimeve dhe humbjeve, emetuesi ndjek të njëjtat parime të njohjes dhe matjes si ato të përdorura për përgatitjen e raporteve financiare vjetore.
4. Raporti i përkohshëm i administrimit përfshin të paktën një tregues të ngjarjeve të rëndësishme që kanë ndodhur gjatë gjashtë muajve të parë të vitit financiar dhe të ndikimit të tyre në përmbledhjen e pasqyrave financiare, së bashku me një përshkrim të rreziqeve dhe paqartësive kryesore për gjashtë muajt e mbetur të vitit financiar. Për emetuesit e aksioneve, raporti i përkohshëm i administrimit përfshin gjithashtu transaksionet e palëve kryesore të lidhura.
5. Nëse raporti financiar gjashtëmujor është audituar, raporti i auditimit paraqitet i plotë. E njëjta gjë vlen në rastin e shqyrtimit nga audituesit. Nëse raporti financiar gjashtëmujor nuk është audituar ose rishikuar nga audituesit, emetuesi e deklaron këtë në raportin e tij.
6. Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese për të marrë në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe për të garantuar zbatimin uniform të paragrafëve 1 deri në 5 të këtij neni.
Në veçanti, Komisioni:
a) specifikon kushtet teknike sipas të cilave do të mbetet në dispozicion të publikut një raport financiar gjashtëmujor si dhe shqyrtimi nga audituesit.
b) sqaron natyrën e shqyrtimit nga audituesit;
c) specifikon përmbajtjen minimale të përmbledhjes së bilancit dhe të llogarive të fitimeve dhe humbjeve si dhe të shënimeve shpjeguese në lidhje me këto llogari, nëse ato nuk janë përgatitur në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, të miratuara sipas procedurës së parashikuar në nenin 6 të rregullores (KE) nr. 1606/2002.
Sipas rastit, Komisioni mund të miratojë periudhën pesë vjeçare të përmendur në paragrafin 1.
Neni 6
Pasqyrat e përkohshme të administrimit
1. Pa cenuar nenin 6 të Direktivës 2003/6/KE, emetuesit aksionet e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar publikojnë një pasqyrë të administrimit gjatë periudhës së gjashtëmujorit të parë të vitit financiar si dhe një pasqyrë tjetër të administrimit gjatë periudhës së gjashtëmujorit të dytë të këtij viti. Kjo pasqyrë përgatitet në një periudhë midis dhjetë javësh pas fillimit dhe gjashtë javësh para përfundimit të periudhës përkatëse gjashtëmujore. Ajo duhet të përmbajë informacione që mbulojnë kohën midis fillimit të periudhës përkatëse gjashtëmujore dhe datës së publikimit të pasqyrës. Kjo pasqyrë jep:
— një shpjegim të ngjarjeve dhe transaksioneve materiale të kryera gjatë periudhës përkatëse dhe ndikimit të tyre në gjendjen financiare të emetuesit dhe shoqërive të kontrolluara nga ai, dhe
— një përshkrim të përgjithshëm të gjendjes financiare dhe efikasitetit të emetuesit dhe shoqërive të kontrolluara nga ai gjatë periudhës përkatëse.
2. Emetuesit të cilët, sipas legjislacionit kombëtar, sipas rregullave të tregut të rregulluar ose me iniciativën e tyre, publikojnë raporte financiare tremujore në përputhje me këtë legjislacion apo me këto rregulla, nuk duhet të publikojnë pasqyrat e administrimit që parashikohen në paragrafin 1.
3. Deri më 20 janar 2010, Komisioni i dorëzon Parlamentit Evropian dhe Këshillit, një raport në lidhje me transparencën e raportimeve financiare tremujore dhe të pasqyrave të administrimit të emetuesve, për të shqyrtuar nëse informacioni i ofruar e përmbush objektivin për t'i mundësuar investitorëve kryerjen e një vlerësimi të informuar të gjendjes financiare të emetuesit. Ky raport përfshin një vlerësim të ndikimit në fushat ku Komisioni ka marrë në konsideratë të propozojë ndryshime për këtë nen.
Neni 7
Përgjegjësia dhe detyrimi
Shtetet anëtare garantojnë që përgjegjësia për informacionin e hartuar dhe të publikuar në përputhje me nenet 4, 5, 6 dhe 16 të bjerë mbi emetuesin ose organet e tij administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse dhe garantojnë që ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative për përgjegjësinë të zbatohen për emetuesit, organet e përmendura në këtë nen ose personat përgjegjës në radhët e emetuesve.
Neni 8
Përjashtimet
1. Nenet 4, 5 dhe 6 nuk zbatohen për emetuesit e mëposhtëm:
a) shtetin, autoritetet rajonale ose vendore të një shteti, organet publike ndërkombëtare në të cilin është anëtar të paktën një shtet anëtar, BQE-në dhe bankat qendrore kombëtare të shteteve anëtare pavarësisht nëse emetojnë apo jo aksione ose tituj të tjerë; dhe
b) emetuesit e titujve të borxhit që janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar dhe prerja për njësi e të cilëve është të paktën 50 000 euro ose, në rastin e titujve të borxhit në një monedhë të ndryshme nga euroja, vlera për njësi e të cilëve, në datën e emetimit, është ekuivalente me të paktën 50 000 euro.
2. Shteti anëtar i origjinës mund të zgjedhë të mos e zbatojë nenin 5 për institucionet e kreditit aksionet e të cilave nuk janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar dhe që, në mënyrë të vazhdueshme ose të përsëritur, kanë emetuar vetëm tituj borxhi, me kusht që totali i shumës nominale të të gjithë titujve të borxhit të mbetet nën 100 000 000 euro dhe që të mos jenë publikuar prospekte sipas Direktivës 2003/71/KE.
3. Shteti anëtar i origjinës mund të zgjedhë të mos e zbatojë nenin 5 për emetuesit që ekzistojnë në datën e hyrjes në fuqi të Direktivës 2003/71/KE dhe që emetojnë ekskluzivisht tituj borxhesh të garantuar në mënyrë të pakushtëzuar dhe të pakthyeshme nga shteti anëtar i origjinës apo nga autoritetet rajonale ose vendore të tij, në një treg të rregulluar.
KREU III
INFORMACION I VAZHDUESHËM
SEKSIONI I
INFORMACION PËR PJESËMARRJET NDIKUESE
Neni 9
Njoftim për blerjen ose shitjen e pjesëmarrjeve ndikuese
1. Shteti anëtar i origjinës garanton se, në rast se një aksionar blen apo shet aksionet e një emetuesi, aksionet e të cilit janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar dhe janë me të drejtë vote, ai e njofton këtë të fundit për përqindjen e të drejtave të votës së emetuesit që ai ka si rezultat i blerjes apo shitjes kur kjo përqindje arrin, tejkalon apo bie nën kufijtë e 5 %, 10 %, 15 %, 20 %, 25 %, 30 %, 50 % dhe 75 %.
Të drejtat e votës llogariten në bazë të të gjitha aksioneve me të drejtë vote, edhe nëse është pezulluar ushtrimi i tyre. Gjithashtu, ky informacion jepet edhe për të gjitha aksionet e së njëjtës klasë dhe me të drejtë vote.
2. Shtetet anëtare të origjinës garantojnë që aksionarët të njoftojnë emetuesin për përqindjen e të drejtave të votës, kur kjo përqindje arrin, tejkalon ose bie nën kufijtë e parashikuar në paragrafin 1, si rezultat i ngjarjeve që ndryshojnë ndarjen e të drejtave të votës dhe në bazë të informacionit të publikuar sipas nenit 15. Kur emetuesi është themeluar në një vend të tretë, njoftimi bëhet për ngjarje të barasvlershme.
3. Shteti anëtar i origjinës nuk duhet të zbatojë:
a) kufirin prej 30 %, në rastet kur zbaton kufirin e një të tret;
b) kufirin prej 75 %, në rastet kur zbaton kufirin e dy të tretës;
4. Ky nen nuk zbatohet për aksionet e blera për qëllimin e vetëm të klerimit dhe shlyerjes brenda ciklit të shkurtër dhe të zakonshëm të shlyerjes ose për zotëruesit e aksioneve në cilësinë e kujdestarit me kusht që të mund të ushtrojnë vetëm të drejtat e votës së këtyre aksioneve sipas udhëzimeve të dhëna me shkrim ose në formë elektronike.
5. Ky nen nuk zbatohet për blerjen ose shitjen e pjesëmarrjeve ndikuese që arrijnë ose tejkalojnë kufirin prej 5 % nga një krijues tregu që vepron në cilësinë e tij si i tillë, me kusht që:
a) të jetë i autorizuar nga shteti i tij anëtar i origjinës sipas Direktivës 2004/39/KE; dhe
b) të mos ndërhyjë në drejtimin e emetuesit në fjalë dhe të mos ushtrojë asnjë ndikim tek ky i fundit për të blerë aksionet ose për të financuar çmimin e aksionit.
6. Shtetet anëtare të origjinës, sipas nenit 2, paragrafi 1, germa "i", mund të parashikojnë që të drejtat e votës në dispozicion në portofolin tregtar, siç përkufizohet në nenin 2, paragrafi 6 të Direktivës 93/6/KEE, datë 15 mars 1993, "Për mjaftueshmërinë e kapitalit të firmave të investimit dhe institucioneve të kreditit"17, të një institucioni krediti ose firme investimi nuk llogariten për qëllimet e këtij neni, me kusht që:
a) të drejtat e votës në dispozicion në portofolin tregtar të mos i tejkalojnë 5 %, dhe
b) institucioni i kreditit ose firma e investimit të garantojë që të drejtat e votës që shoqërojnë aksionet e portofolit tregtar të mos ushtrohen dhe të mos përdoren për të ndërhyrë në drejtimin e emetuesit.
7. Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese për të marrë në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe për të garantuar zbatimin uniform të paragrafëve 2, 4 dhe 5 të këtij neni.
Në veçanti, Komisioni specifikon gjatësinë maksimale të "ciklit të shkurtër të shlyerjes" të përmendur në paragrafin 4, si dhe mekanizmat përkatës të kontrollit nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës. Gjithashtu, Komisioni harton një listë të ngjarjeve të përmendura në paragrafin 2.
Neni 10
Blerja ose shitja e përqindjeve kryesore të të drejtave të votës
Kërkesat për njoftim të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të nenit 9, zbatohen gjithashtu për personat fizikë ose juridikë deri në masën që lejohet të blejnë, shesin ose të ushtrojnë të drejtat e votës në secilin nga rastet e mëposhtme ose kombinimet e tyre:
a) të drejtat e votës zotërohen nga një palë e tretë me të cilën ky person apo subjekt ka lidhur një marrëveshje që i detyron të miratojnë, me anë të ushtrimit të bashkërenduar të të drejtave të votës që zotërojnë, një politikë të përbashkët afatgjatë ndaj drejtimit të emetuesit në fjalë;
b) të drejtat e votës zotërohen nga një palë e tretë në përputhje me një marrëveshjeje të lidhur me atë person apo subjekt, e cila parashikon transferimin e përkohshëm për marrjen në konsideratë të të drejtave të votës në fjalë;
c) të drejtat e votës shoqërojnë aksionet e vendosura si kolateral te ky person apo subjekt, me kusht që personi ose subjekti të kontrollojë të drejtat e votës dhe të deklarojë qëllimin e tij për ushtrimin e tyre;
d) të drejtat e votës shoqërojnë aksionet për të cilat ky person apo subjekt ka uzufruktin;
e) të drejtat e votës zotërohen ose mund të ushtrohen brenda kuptimit të germave "a" deri në "d", nga një shoqëri e kontrolluar nga ky person apo subjekt;
f) të drejtat e votës që shoqërojnë aksionet e depozituara te ky person apo subjekt, që mund të ushtrohen sipas gjykimit të këtyre të fundit në mungesë të udhëzimeve specifike nga aksionarët;
g) të drejtat e votës të zotëruara nga një palë e tretë në emër të saj dhe për llogari të një personi apo subjekti;
h) të drejtat e votës mund të ushtrohen nga ky person apo subjekt përfaqësues, në rastin kur ato mund të ushtrohen sipas gjykimit të këtyre të fundit në mungesë të udhëzimeve specifike nga aksionarët.
Neni 11
1. Neni 9 dhe neni 10, germa "c", nuk zbatohen për aksionet e dhëna ose të marra nga anëtarët e SEBQ gjatë kryerjes së detyrave të tyre si autoritete monetare, duke përfshirë aksionet e dhëna ose të marra nga anëtarët e SEBQ, në formën e një garancie, riblerjeje apo një marrëveshjeje të ngjashme për likuiditetin e garantuar për qëllime të politikës monetare ose brenda një sistemi pagese.
2. Përjashtimi zbatohet për transaksionet e mësipërme që zgjasin për një periudhë të shkurtër, me kusht që të drejtat e votës që shoqërojnë këto aksione të mos ushtrohen.
Neni 12
Procedurat për njoftimin dhe publikimin e pjesëmarrjeve ndikuese
1. Njoftimi i kërkuar në bazë të neneve 9 dhe 10, përfshin informacionin e mëposhtëm:
a) situatën që rezulton nga të drejtat e votës;
b) zinxhirin e shoqërive të kontrolluara nëpërmjet të cilave të drejtat e votës mbahen në mënyrë efikase, sipas rastit;
c) datën kur është arritur ose kaluar kufiri; dhe
d) identitetin e aksionarit, edhe nëse ai nuk është i autorizuar të ushtrojë të drejtat e votës sipas kushteve të përcaktuara në nenin 10 si dhe të personit fizik ose juridik të autorizuar për të ushtruar të drejtat e votës për llogari të atij aksionari.
2. Njoftimi i emetuesit kryhet sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se katër ditë tregtimi, nga të cilat e para është dita pas datës kur aksionari, personi fizik ose juridik i përmendur në nenin 10,
a) vihet në dijeni për blerjen, shitjen ose mundësinë e ushtrimit të të drejtave të votës, ose kur, duke pasur parasysh rrethanat, duhet të ishte vënë në dijeni për sa më sipër, pavarësisht datës kur hyn në fuqi blerja, shitja apo mundësia e ushtrimit të të drejtave të votës; ose
b) informohet për ngjarjen e përmendur në nenin 9, paragrafi 2.
3. Ndërmarrjet përjashtohen nga njoftimi i kërkuar në përputhje me paragrafin 1, nëse njoftimi bëhet nga sipërmarrja mëmë ose kur kjo e fundit është një shoqëri e kontrolluar nga sipërmarrja mëmë e saj.
4. Nuk është e nevojshme që sipërmarrja mëmë e një shoqërie administruese, në bazë të neneve 9 dhe 10, të bashkojë aksionet e saj me aksionet e administruara nga shoqëria administruese sipas kushteve të përcaktuara në Direktivën 85/611/KEE, me kusht që kjo e fundit të ushtrojë të drejtat e saj të votës në mënyrë të pavarur nga ndërmarrja mëmë.
Megjithatë, nenet 9 dhe 10 zbatohen në rastet kur sipërmarrja mëmë ose një shoqëri tjetër e kontrolluar e sipërmarrjes mëmë, ka investuar në aksione të administruara nga kjo shoqëri administruese dhe kur kjo e fundit nuk ka diskrecion për të ushtruar të drejtat e votës që shoqërojnë këto aksione dhe mund t'i ushtrojë këto të drejta vetëm sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta nga sipërmarrja mëmë ose një shoqëri tjetër e kontrolluar e sipërmarrjes mëmë.
5. Nuk është e nevojshme që sipërmarrja mëmë e një firme investimi të autorizuar sipas Direktivës 2004/39/KE, të bashkojë aksionet e saj, sipas neneve 9 dhe 10, me aksionet e administruara individualisht nga këto firma investimi, brenda kuptimit të nenit 4, paragrafi 1, pika 9 të Direktivës 2004/39/KE, me kusht që:
— firma e investimit të jetë e autorizuar për ofrimin e administrimit të portofolit, sipas pikës 4 të seksionit A të shtojcës I të Direktivës 2004/39/KE;
— ajo të mund të ushtrojë vetëm të drejtat e votës që shoqërojnë këto aksione sipas udhëzimeve të dhëna me shkrim apo në mënyrë elektronike ose të garantojë që shërbimet e administrimit të portofolit të ofrohen në mënyrë të pavarur nga çdo shërbim tjetër sipas kushteve të barasvlershme me ato të parashikuara sipas Direktivës 85/611/KEE, duke caktuar mekanizmat e duhur; dhe
— firma e investimit të ushtrojë të drejtat e saj të votës në mënyrë të pavarur nga sipërmarrja mëmë.
Megjithatë, nenet 9 dhe 10 zbatohen kur sipërmarrja mëmë ose një shoqëri tjetër e kontrolluar e sipërmarrjes mëmë, ka investuar në aksione të administruara nga kjo firmë investimi dhe kjo e fundit nuk ka diskrecion për të ushtruar të drejtat e votës që shoqërojnë këto aksione dhe mund t'i ushtrojë këto të drejta vetëm sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta nga sipërmarrja mëmë ose një shoqëri tjetër e kontrolluar e sipërmarrjes mëmë.
6. Pas marrjes së njoftimit sipas paragrafit 1, por jo më vonë se pas tre ditësh tregtimi, emetuesi publikon të gjitha informacionet e përmbajtura në këtë njoftim.
7. Shteti anëtar i origjinës i përjashton emetuesit nga kërkesa e paragrafit 6, nëse informacioni i përmbajtur në njoftim publikohet nga autoritetit i tij kompetent, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 21, pas marrjes së njoftimit, por jo më vonë se pas tre ditësh tregtimi.
8. Me qëllim që të merren parasysh zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe që të sigurohet zbatimi uniform i paragrafëve 1, 2, 4, 5 dhe 6 të këtij neni, Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese:
a) për përcaktimin e një formulari standard që do të përdoret në të gjithë BE-në për njoftimin e emetuesit për informacionin e kërkuar sipas paragrafit 1 ose për regjistrimin e informacionit sipas nenit 19, paragrafi 3;
b) për përcaktimin e një kalendari të "ditëve të tregtimit" për të gjitha shtetet anëtare;
c) për përcaktimin e rasteve kur aksionari, personi fizik ose juridik i përmendur në nenin 10 ose të dy, kryejnë njoftimin e nevojshëm të emetuesit;
d) për sqarimin e rrethanave sipas të cilave aksionari, personi fizik ose juridik i përmendur në nenin 10, janë vënë në dijeni të blerjes ose shitjes;
e) për sqarimin e kushteve të pavarësisë që duhet të përmbushen nga shoqëritë administruese dhe sipërmarrjet e tyre mëmë ose nga firmat e investimit dhe sipërmarrjet e tyre mëmë për të përfituar nga përjashtimet e paragrafit 4 dhe 5.
Neni 13
1. Kërkesat për njoftim të përcaktuara në nenin 9 zbatohen gjithashtu për personat fizikë ose juridikë që zotërojnë, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, instrumente financiare që rezultojnë në të drejtën për të blerë, vetëm me iniciativën e vetë zotëruesit, sipas një marrëveshjeje formale, aksione të shoqëruara nga të drejtat e votës, të emetuara më parë, të një emetuesi aksionet e të cilit janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar.
2. Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese për të marrë në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe për të garantuar zbatimin uniform të paragrafit 1. Ai përcakton në veçanti:
a) llojet e instrumenteve financiare të përmendura në paragrafin 1 dhe agregimin e tyre;
b) natyrën e marrëveshjes formale të përmendur në paragrafin 1;
c) përmbajtjen e njoftimit që do të bëhet, duke përcaktuar një formular standard që do të përdoret në të gjithë BE-në për këtë qëllim;
d) periudhën e njoftimit;
e) kush do të njoftohet.
Neni 14
1. Nëse një emetues aksionesh të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar blen ose shet aksionet e tij, vetë ose nëpërmjet një personi që vepron në emër të vet por për llogari të emetuesit, shteti anëtar i origjinës garanton që emetuesi të publikojë përqindjen e aksioneve të tij, sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se pas katër ditësh tregtimi nga blerja ose shitja kur përqindja arrin, tejkalon ose bie nën kufirin prej 5 % ose 10 % të të drejtave të votës. Përqindja llogaritet në bazë të numrit total të aksioneve të shoqëruara nga të drejtat e votës.
2. Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese për të marrë në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe për të garantuar zbatimin uniform të paragrafit 1.
Neni 15
Për qëllimin e llogaritjes së kufirit të parashikuar në nenin 9, shteti anëtar i origjinës kërkon të paktën që emetuesi të publikojë numrin total të të drejtave të votës dhe të kapitalit në fund të çdo muaji kalendarik gjatë të cilit ka pasur një rritje ose ulje të numrit total.
Neni 16
Informacion shtesë
1. Emetuesi i aksioneve të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar, publikon pa vonesa, çdo ndryshim të të drejtave që shoqërojnë kategoritë e ndryshme të aksioneve, duke përfshirë ndryshimet në të drejtat që shoqërojnë titujt derivativë të emetuar nga vetë emetuesi dhe që sigurojnë aksesin në aksionet e këtij emetuesi.
2. Emetuesi i titujve të ndryshëm nga aksionet e pranuara për tregtim në një treg të rregulluar, publikon pa vonesa, çdo ndryshim në të drejtat e titullarëve të titujve të ndryshëm nga aksionet, duke përfshirë ndryshimet në kushtet e këtyre titujve që mund të ndikojnë në mënyrë të tërthortë te këto të drejta, që vijnë në veçanti si rezultat i ndryshimeve në kushtet e huave ose në normat e interesit.
3. Emetuesi i titujve të pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, publikon pa vonesa çdo emetim huaje dhe në veçanti çdo garanci ose titull në lidhje me të. Pa cenuar Direktivën 2003/6/KE, ky paragraf nuk zbatohet për organet publike ndërkombëtare në të cilat është anëtar të paktën një shtet anëtar.
SEKSIONI II
INFORMACIONE PËR TITULLARËT E TITUJVE TË PRANUARA PËR TREGTIM NË NJË TREG TË RREGULLUAR
Neni 17
Kërkesat për informacion për emetuesit aksionet e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar
1. Emetuesi i aksioneve të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar, garanton trajtim të barabartë për të gjithë zotëruesit e aksioneve që gjenden në të njëjtën situatë.
2. Emetuesi garanton që në shtetin anëtar të origjinës të disponohen të gjitha mjetet dhe informacionet e nevojshme për t'u mundësuar zotëruesve të aksioneve ushtrimin e të drejtave të tyre dhe që të ruhet integriteti i të dhënave. Aksionarëve nuk u ndalohet t'i ushtojnë të drejtat e tyre nëpërmjet përfaqësimit, në përputhje me legjislacionin e shtetit ku është themeluar emetuesi. Në veçanti, emetuesi:
a) siguron informacion për vendin, kohën dhe rendin e ditës së mbledhjeve, për numrin total të aksioneve dhe të të drejtave të votës dhe për të drejtat e zotëruesve për të marrë pjesë në mbledhje;
b) vë në dispozicion një prokurë përfaqësimi, në formë shkresore ose, sipas rastit, në formë elektronike, për çdo person që gëzon të drejtën për të votuar në mbledhjet e aksionarëve, së bashku me njoftimin në lidhje me mbledhjen ose, me kërkesë, pas njoftimit të mbledhjes;
c) përcakton si agjent të saj, një institucion financiar nëpërmjet të cilit aksionarët mund të ushtrojnë të drejtat e tyre financiare; dhe
d) publikon njoftime ose shpërndan qarkore në lidhje me ndarjen dhe pagesën e dividentëve si dhe me emetimin e aksioneve të reja, duke përfshirë informacionet në lidhje me metodat e ndarjes, regjistrimit, anulimit ose konvertimit.
3. Për qëllimet e përcjelljes së informacionit tek aksionarët, shteti anëtar i origjinës u lejon emetuesve përdorimin e mjeteve elektronike, me kusht që ky vendim të merret në një asamble të përgjithshme dhe të përmbushë të paktën kushtet e mëposhtme:
a) përdorimi i mjeteve elektronike të mos varet në asnjë mënyrë nga vendndodhja e selisë apo vendqëndrimi i aksionarit ose, në rastet e përmendura në nenin 10, germa "a" deri në "h", i personave fizikë apo subjekteve juridike;
b) të vendosen metoda identifikimi në mënyrë që aksionarët, personat fizikë ose ose juridikë që kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtat e votës ose të japin udhëzime në lidhje me ushtrimin e tyre, të informohen në mënyrë efikase;
c) të kontaktohen me shkrim, aksionarët, ose në rastet e përmendura në nenin 10, germa "a" deri në "e", personat fizikë ose subjektet juridike që kanë të drejtë të blejnë, shesin ose të ushtrojnë të drejtat e votës, për të kërkuar miratimin e tyre në lidhje me përdorimin e mjeteve elektronike për përcjelljen e informacionit dhe, nëse ata nuk refuzojnë brenda një periudhe të arsyeshme kohe, miratimi konsiderohet i dhënë. Ata mund të kërkojnë, në çdo moment në të ardhmen, që informacioni të përcillet me shkrim, dhe
d) çdo shpërndarje e kostove në lidhje me përcjelljen e këtij informacioni me anë të mjeteve elektronike përcaktohet nga emetuesi në përputhje me parimin e trajtimit të barabartë të përcaktuar në paragrafin 1.
4. Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese për të marrë në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe zhvillimet në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit si dhe për të garantuar zbatimin uniform të paragrafëve 1, 2 dhe 3. Në veçanti, ai specifikon llojet e institucioneve financiare nëpërmjet të cilave aksionarët mund të ushtrojnë të drejtat financiare të parashikuara në paragrafin 2, germa "c".
Neni 18
Kërkesat për informacion për emetuesit titujt e borxhit të të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar
1. Emetuesi i titujve të borxhit të pranuar për tregtim në një treg të rregulluar garanton që të gjithë titullarët e titujve të borxhit të të njëjtit nivel, të trajtohen në mënyrë të barabartë në lidhje me të gjitha të drejtat që shoqërojnë këto tituj borxhi.
2. Emetuesi garanton që në shtetin anëtar të origjinës të disponohen të gjitha mjetet dhe informacionet e nevojshme për t'u mundësuar titullarëve të titujve të borxhit ushtrimin e të drejtave të tyre dhe që të ruhet integriteti i të dhënave. Titullarëve të titujve të borxhit nuk u ndalohet t'i ushtrojnë të drejtat e tyre nëpërmjet përfaqësimit, në përputhje me legjislacionin e shtetit ku është themeluar emetuesi. Në veçanti, emetuesi:
a) publikon njoftime ose shpërndan qarkore në lidhje me vendin, kohën dhe rendin e ditës së mbledhjeve të titullarëve të titujve të borxhit, pagesën e interesit, ushtrimin e të drejtave të konvertimit, këmbimit, regjistrimit ose anulimit dhe të shlyerjes, si dhe të drejtën e këtyre titullarëve për të marrë pjesë në to;
b) vë në dispozicion një prokurë përfaqësimi, në formë shkresore ose, sipas rastit, në formë elektronike, për çdo person që gëzon të drejtën për të votuar në mbledhjet e titullarëve të titujve të borxhit, së bashku me njoftimin në lidhje me mbledhjen ose, me kërkesë, pas njoftimit të mbledhjes;
c) përcakton si agjent të saj, një institucion financiar nëpërmjet të cilit titullarët e titujve të borxhit mund të ushtrojnë të drejtat e tyre financiare.
3. Nëse në mbledhje ftohen vetëm titullarët e titujve të borxhit, prerja për njësi e të cilave arrin të paktën 50 000 euro ose në rastin e titujve të borxhit në monedhë të ndryshme nga euroja, prerja për njësi e të cilave, në datën e emetimit, është ekuivalente me të paktën 50 000 euro, emetuesi mund të zgjedhë si vendndodhje cilindo shtet anëtar, me kusht që në atë shtet anëtar të vihen në dispozicion të gjitha mjetet dhe informacionet e nevojshme për t'u mundësuar këtyre titullarëve ushtrimin e të drejtave të tyre.
4. Për qëllimet e përcjelljes së informacionit tek titullarët e titujve të borxhit, shteti anëtar i origjinës ose shteti anëtar i zgjedhur nga emetuesi sipas paragrafit 3, u lejon këtyre të fundit përdorimin e mjeteve elektronike, me kusht që ky vendim të merret në një asamble të përgjithshme dhe të përmbushë të paktën kushtet e mëposhtme:
a) përdorimi i mjeteve elektronike të mos varet në asnjë mënyrë nga vendndodhja e selisë apo vendqëndrimi i titullarit të titullit të borxhit ose i përfaqësuesit të këtij titullari;
b) të vendosen metoda identifikimi në mënyrë që titullarët e titujve të borxhit të informohen në mënyrë efikase;
c) të kontaktohen me shkrim titullarët e titujve të borxhit për të kërkuar miratimin e tyre në lidhje me përdorimin e mjeteve elektronike për përcjelljen e informacionit dhe, nëse ata nuk refuzojnë brenda një periudhe të arsyeshme kohe, miratimi konsiderohet i dhënë. Ata mund të kërkojnë, në çdo moment në të ardhmen, që informacioni të përcillet me shkrim; dhe
d) çdo shpërndarje e kostove në lidhje me përcjelljen e informacionit me anë të mjeteve elektronike përcaktohet nga emetuesi në përputhje me parimin e trajtimit të barabartë të përcaktuar në paragrafin 1.
5. Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese për të marrë në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe zhvillimet në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit si dhe për të garantuar zbatimin uniform të paragrafëve 1 deri në 4. Në veçanti, ai specifikon llojet e institucioneve financiare nëpërmjet të cilave titullarët e titujve të borxhit mund të ushtrojnë të drejtat financiare të parashikuara në paragrafin 2, germa "c".
KREU IV
DETYRIME TË PËRGJITHSHME
Neni 19
Kontrolli i shtetit anëtar të origjinës
1. Sa herë që emetuesi ose çdo person që ka kërkuar, pa miratimin e emetuesit, pranimin e titujve të tij për tregtim në një treg të rregulluar, publikon informacion të rregulluar, ai duhet ta depozitojë këtë informacion, në të njëjtën kohë, pranë autoritetit kompetent të shtetit të tij anëtar të origjinës. Autoriteti kompetent mund të vendosë ta publikojë këtë informacion të depozituar, në faqen e tij të internetit.
Nëse një emetues propozon ndryshimin e instrumenteve të tij të themelimit ose të statuteve, ai ia komunikon draft ndryshimet autoritetit kompetent të shtetit anëtar të origjinës dhe tregut të rregulluar ku janë pranuar për tregtim titujt e tij. Ky komunikim bëhet pa vonesa, por maksimumi në datën e thirrjes së asamblesë së përgjithshme e cila do të votojë ndryshimin ose do të informohet në lidhje me të.
2. Shteti anëtar i origjinës mund t'i përjashtojë emetuesit nga kërkesa e paragrafit 1, për sa i përket informacionit të publikuar në përputhje me nenin 6 të Direktivës 2003/6/KE ose me nenin 12, paragrafi 6 të kësaj direktive.
3. Informacioni që do t'i përcillet emetuesit në përputhje me nenet 9, 10, 12 dhe 13 duhet të depozitohet në të njëjtën kohë pranë autoritetit kompetent të shtetit anëtar të origjinës.
4. Me qëllim që të merren parasysh zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe që të sigurohet zbatimi uniform i paragrafëve 1, 2 dhe 3, Komisioni miraton masa zbatuese, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2.
Në veçanti, Komisioni specifikon procedurën në përputhje me të cilën një emetues, një zotërues aksionesh apo instrumentesh financiare ose një person apo subjekt i përmendur në nenin 10, duhet të depozitojë informacion pranë autoritetit kompetent të shtetit anëtar të origjinës, në përputhje me paragrafët 1 ose 3, përkatësisht, me qëllim që:
a) të mundësojë depozitimin në formë elektronike në shtetin anëtar të origjinës;
b) të koordinojë depozitimin e raportit financiar vjetor të përmendur në nenin 4 të kësaj direktive me depozitimin e informacionit vjetor të përmendur në nenin 10 të Direktivës 2003/71/KE.
Neni 20
Gjuhët
1. Nëse titujt pranohen për tregtim në një treg të rregulluar vetëm në shtetin anëtar të origjinës, informacioni i rregulluar publikohet në një gjuhë të pranuar nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës.
2. Nëse titujt pranohen për tregtim në një treg të rregulluar si në shtetin anëtar të origjinës ashtu edhe në një ose më shumë shtete anëtare pritëse, informacioni i rregulluar publikohet:
a) në një gjuhë të pranuar nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës; dhe
b) në varësi të zgjedhjes së emetuesit, në një gjuhë të pranuar nga autoritetet kompetente të këtyre shteteve anëtare pritëse ose në një gjuhë të zakonshme në sferën e financave ndërkombëtare.
3. Nëse titujt pranohen për tregtim në një treg të rregulluar në një ose më shumë shtete anëtare pritëse, por jo në shtetin anëtar të origjinës, informacioni i rregulluar, në varësi të zgjedhjes së emetuesit, publikohet në një gjuhë të pranuar nga autoritetet kompetente të këtyre shteteve anëtare pritëse ose në një gjuhë të zakonshme në sferën e financave ndërkombëtare.
Gjithashtu, shteti anëtar i origjinës mund të përcaktojë në legjislacionin, rregulloret ose dispozitat e tij administrative se informacioni i rregulluar, në varësi të zgjedhjes së emetuesit, publikohet në një gjuhë të pranuar nga autoriteti i tij kompetent ose në një gjuhë të zakonshme në sferën e financave ndërkombëtare.
4. Nëse titujt pranohen për tregtim në një treg të rregulluar pa miratimin e emetuesit, detyrimet në përputhje me paragrafët 1, 2 dhe 3 nuk bien mbi emetuesin, por mbi personin i cili ka kërkuar pranimin pa miratimin e emetuesit.
5. Shtetet anëtare i lejojnë aksionarët dhe personat fizikë ose juridikë të përmendur në nenet 9, 10 dhe 13 t'ua përcjellin emetuesve informacionet sipas kësaj direktive, vetëm në një gjuhë të zakonshme në sferën e financave ndërkombëtare. Nëse emetuesi e merr këtë njoftim, shtetet anëtare nuk mund ta imponojnë atë të sigurojë një përkthim në një gjuhë të pranuar nga autoritetet kompetente.
6. Duke deroguar nga paragrafët 1 deri në 4, nëse titujt prerja për njësi e të cilëve është të paktën 50 000 euro ose në rastin e titujve të borxhit në një monedhë të ndryshme nga euroja, është ekuivalente me të paktën 50 000 euro në datën e emetimit, pranohen për tregtim në një treg të rregulluar në një ose më shumë shtete anëtare, informacioni i rregulluar publikohet në një gjuhë të pranuar nga autoritetet kompetente të shteteve anëtare pritëse dhe të origjinës ose në një gjuhë të zakonshme në sferën e financave ndërkombëtare, sipas zgjedhjes së emetuesit ose personit i cili ka kërkuar pranimin pa miratimin e emetuesit.
7. Nëse, pranë një gjykate ose trupi gjykues, paraqitet një vepër në lidhje me përmbajtjen e informacionit të rregulluar, përgjegjësia për pagesën e kostove të përkthimit të këtij informacioni për qëllimet e procedimeve, vendoset në përputhje me legjislacionin e atij shteti anëtar.
Neni 21
Aksesi në informacionin e rregulluar
1. Shteti anëtar i origjinës garanton që emetuesi ose personi që ka aplikuar për pranim për tregtim në një treg të rregulluar pa miratimin e emetuesit, të publikojë informacion të rregulluar në një mënyrë që siguron akses të shpejtë në këtë informacion në mënyrë jodiskriminuese dhe ta vërë atë në dispozicion të mekanizmit të përcaktuar zyrtarisht, të përmendur në paragrafin 2. Emetuesi ose personi që ka aplikuar për pranimin për tregtim në një treg të rregulluar pa miratimin e emetuesit nuk mund t'u imponojë investitorëve ndonjë kosto specifike për sigurimin e informacionit. Shteti anëtar i origjinës i kërkon emetuesit të përdorë mjete komunikimi që mund të garantojnë përhapjen efikase në publik të informacionit kudo në BE. Shteti anëtar i origjinës nuk mund të imponojë detyrimin e përdorimit vetëm të atyre mjeteve të komunikimit operatorët e të cilave gjenden në territorin e tij.
2. Shteti anëtar i origjinës garanton që ekziston të paktën një mekanizëm i përcaktuar zyrtarisht për arkivimin qendror të informacionit të rregulluar. Këto mekanizma përputhen me standardet minimale të cilësisë për sa i përket mbrojtjes, sigurisë së burimit të informacionit, regjistrimit të kohës dhe lehtësisë së aksesit nga përdoruesit fundorë dhe janë në harmoni me procedurën e depozitimit sipas nenit 19, paragrafi 1.
3. Nëse titujt pranohen për tregtim në një treg të rregulluar vetëm në një shtet anëtar pritës dhe jo në shtetin anëtar të origjinës, shteti anëtar pritës garanton publikimin e informacionit të rregulluar në përputhje me kërkesat e përmendura në paragrafin 1.
4. Me qëllim që të merren në konsideratë zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe zhvillimet në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit si dhe që të garantohet zbatimi uniform i paragrafëve 1, 2 dhe 3, Komisioni miraton masa zbatuese në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2.
Në veçanti, Komisioni specifikon:
a) standardet minimale për përhapjen e informacionit të rregulluar, siç përmendet në paragrafin 1;
b) standardet minimale për mekanizmin e arkivimit qendror, siç përmendet në paragrafin 2.
Gjithashtu, Komisioni mund të specifikojë dhe të përditësojë një listë të mjeteve të komunikimit për përhapjen në publik të informacionit.
Neni 22
Udhëzime
1. Autoritetet kompetente të shteteve anëtare hartojnë udhëzimet përkatëse me synim lehtësimin e mëtejshëm të aksesit publik në informacionin që do publikohet sipas Direktivës 2003/6/KE, Direktivës 2003/71/KE dhe kësaj direktive.
Qëllimi i këtyre udhëzimeve është krijimi i:
a) një rrjeti elektronik që do të ngrihet në nivel kombëtar midis rregullatorëve kombëtarë në fushën e titujve, operatorëve të tregjeve të rregulluara dhe regjistrave kombëtarë të shoqërive të mbuluara nga Direktiva e parë e Këshillit 68/151/KEE, datë 9 mars 1968, "Për koordinimin e masave mbrojtëse që, për qëllime të mbrojtjes së interesave të anëtarëve dhe të palëve të treta, duhet të zbatohen nga shtetet anëtare të shoqërive në kuptimin e paragrafit të dytë të nenit 4818 të traktatit, me qëllimin për t'i bërë ato masa të barasvlershme në gjithë BE-në"19; dhe
b) një rrjet të vetëm elektronik ose një platformë rrjetesh elektronike në të gjitha shtetet anëtare.
2. Komisioni rishikon, deri më 31 dhjetor 2006, rezultatet e arritura në përputhje me paragrafin 1 dhe sipas procedurës së përmendur në nenin 27, paragrafi 2, mund të miratojë masa zbatuese për lehtësimin e përputhshmërisë me nenet 19 dhe 21.
Neni 23
Vendet e treta
1. Kur selia e regjistruar e emetuesit ndodhet në një vend të tretë, autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës mund ta përjashtojë këtë emetues nga kërkesat e nenit 4 deri në 7, nenit12, paragrafi 6, nenit 14, 15 dhe nenit 16 deri në 18, me kusht që legjislacioni i vendit të tretë në fjalë të përcaktojë kërkesa ekuivalente ose që ky emetues të përmbushë kërkesat e legjislacionit të një vendi të tretë që autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës konsideron si ekuivalent.
Megjithatë, informacioni i mbuluar nga kërkesat e përcaktuara në vendin e tretë depozitohen në përputhje me nenin 19 dhe publikohen në përputhje me nenet 20 dhe 21.
2. Duke deroguar nga paragrafi 1, një emetues selia e regjistruar e të cilit ndodhet në një vend të tretë përjashtohet nga përgatitja e pasqyrave të tij financiare në përputhje me nenin 4 ose nenin 5 para vitit financiar që fillon në 1 janar 2007 ose më pas, me kusht që ky emetues t'i përgatisë pasqyrat e tij financiare në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht, të përmendura në nenin 9 të rregullores (KE) nr. 1606/2002.
3. Autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës garanton që informacioni i publikuar në një vend të tretë, që mund të jetë i rëndësishëm për publikun në BE, publikohet në përputhje me nenet 20 dhe 21, edhe nëse ky informacion nuk rregullohet brenda kuptimit të nenit 2, paragrafi 1, germa "k".
4. Për të garantuar zbatimin uniform të paragrafit 1, Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, miraton masa zbatuese
I. që ngrenë mekanizma që garantojnë ekuivalencën e informacionit të kërkuar sipas kësaj direktive, duke përfshirë pasqyrat dhe informacionin financiar dhe pasqyrat financiare që kërkohen në përputhje me legjislacionin, rregulloret ose dispozitat administrative të një vendi të tretë;
II. që theksojnë se, për shkak të legjislacionit, rregulloreve, dispozitave administrative ose praktikave apo procedurave të brendshme të bazuara në standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga organizatat ndërkombëtare, vendi i tretë ku emetuesi është i regjistruar garanton ekuivalencën e kërkesave për informacion të parashikuara në këtë direktivë.
Komisioni, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, merr vendimet e nevojshme në lidhje me ekuivalencën e standardeve të kontabilitetit që përdoren nga emetuesit e vendeve të treta sipas kushteve të përcaktuara në nenin 30, paragrafi 3, në pesë vitet e fundit pas datës së përmendur në nenin 31. Nëse Komisioni vendos që standardet e kontabilitetit të një vendi të tretë nuk janë ekuivalente, ai mund të lejojë që emetuesit në fjalë të vazhdojnë të përdorin këto standarde kontabiliteti gjatë një periudhe transitore.
5. Me qëllim garantimin e zbatimit uniform të paragrafit 2, Komisioni mund të miratojë, në përputhje me nenin 27, paragrafi 2, masa zbatuese që përcaktojnë llojin e informacionit të publikuar në një vend të tretë, me rëndësi për publikun në BE.
6. Sipërmarrjet selia e regjistruar e të cilave ndodhet në një vend të tretë dhe të cilave do t'i ishte kërkuar një autorizim në përputhje me nenin 5, paragrafi 1, të Direktivës 85/611/KEE ose për sa i përket administrimit të portofolit, në përputhje me pikën 4 të seksionit A, të shtojcës I, të Direktivës 2004/39/KE nëse do ta kishin selinë e regjistruar ose, vetëm në rastin e një shoqërie investimi, zyra qendrore e tyre do të ishte në BE, përjashtohen gjithashtu nga bashkimi i aksioneve me ato të sipërmarrjes mëmë sipas kërkesave të përcaktuara në nenin 12, paragrafi 4 dhe 5, me kusht që të përmbushin të njëjtat kushte të pavarësisë si shoqëritë administruese ose shoqëritë e investimit.
7. Me qëllim që të merren parasysh zhvillimet teknike në tregjet financiare dhe që të garantohet zbatimi uniform i paragrafit 6, Komisioni miraton, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 27, paragrafi 2, masa zbatuese që theksojnë se, për shkak të legjislacionit, rregulloreve ose dispozitave administrative të brendshme, një vend i tretë garanton ekuivalencën e kërkesave të pavarësisë të parashikuara nga kjo direktivë dhe masat e saj zbatuese.
KREU V
AUTORITETET KOMPETENTE
Neni 24
Autoritetet kompetente dhe kompetencat e tyre
1. Çdo shtet anëtar cakton autoritetin qendror të përmendur në nenin 21, paragrafi 1, të Direktivës 2003/71/KE si autoritet administrativ qendror kompetent, përgjegjës për përmbushjen e detyrimeve sipas kësaj direktive dhe për garantimin e zbatimit të dispozitave të miratuara sipas kësaj direktive. Shtetet anëtare informojnë Komisionin përkatësisht.
Megjithatë, për qëllimet e paragrafit 4, germa "h", shtetet anëtare mund të caktojnë një autoritet kompetent të ndryshëm nga autoriteti kompetent qendror i përmendur në nënparagrafin e parë.
2. Shtetet anëtare mund t'i lejojnë autoritetit të tyre kompetent qendror të delegojë detyrat. Përveç detyrave të përmendura në paragrafin 4, germa "h", çdo delegim i detyrave në lidhje me detyrimet e parashikuara nga kjo direktivë dhe masat e saj zbatuese, rishikohet pesë vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj direktive dhe përfundon tetë vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj direktive. Çdo delegim detyrash bëhet në mënyrë specifike duke deklaruar detyrat që do të ndërmerren dhe kushtet sipas të cilave duhet të realizohen ato.
Këto kushte përfshijnë një klauzolë që detyron subjektin në fjalë të organizohet në mënyrë të tillë që të shmangë konfliktet e interesit dhe që informacioni i marrë gjatë ushtrimit të detyrave të deleguara të mos përdoret padrejtësisht apo për të penguar konkurrencën. Në çdo rast, përgjegjësia përfundimtare për të mbikëqyrur përputhshmërinë me dispozitat e kësaj direktive dhe me masat zbatuese të miratuara sipas saj i takon autoritetit kompetent të caktuar sipas paragrafit 1.
3. Shtetet anëtare informojnë Komisionin dhe autoritetet kompetente të shteteve të tjera anëtare për çdo marrëveshje të bërë në lidhje me delegimin e detyrave, duke përfshirë edhe kushtet precize që rregullojnë këto delegime.
4. Çdo shtet anëtar gëzon të gjitha kompetencat e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tij. Ai ka të paktën kompetencën:
a) për t'i kërkuar audituesve, emetuesve, zotëruesve të aksioneve ose instrumenteve të tjera financiare apo personave ose subjekteve të përmendura në nenet 10 deri në 13 dhe personave që i kontrollojnë ose kontrollohen prej tyre, sigurimin e informacioneve dhe dokumenteve;
b) për t'i kërkuar emetuesit të publikojë informacionin e kërkuar sipas germës "a" me anë të mjeteve dhe brenda afateve kohore që autoriteti konsideron të nevojshme. Ai mund ta publikojë këtë informacion me iniciativën e tij në rastet kur emetuesi ose personat që e kontrollojnë ose kontrollohen nga ai, nuk arrijnë ta bëjnë këtë dhe pasi ka dëgjuar emetuesin;
c) për t'i kërkuar drejtuesve të emetuesve dhe të zotëruesve të aksioneve ose instrumenteve të tjera financiare apo të personave ose subjekteve të përmendura në nenet 10 deri në 13, të përcjellin informacionin e kërkuar sipas kësaj direktive ose sipas legjislacionit vendas të miratuar në përputhje me këtë direktivë dhe, nëse është e nevojshme, të sigurojnë informacione dhe dokumente shtesë;
d) për të pezulluar ose për t'i kërkuar tregut të rregulluar përkatës të pezullojë tregtinë e titujve për një maksimum prej dhjetë ditësh të njëpasnjëshme, nëse ka arsye që të dyshojë se dispozitat e kësaj direktive ose të legjislacionit kombëtar të miratuara në përputhje me këtë direktivë, janë shkelur nga emetuesi;
e) për të ndaluar tregtimin në një treg të rregulluar nëse zbulon se janë shkelur dispozitat e kësaj direktive ose të legjislacionit kombëtar të miratuara në përputhje me këtë direktivë ose nëse ka arsye që të dyshojë se janë shkelur dispozitat e kësaj direktive;
f) për të monitoruar që emetuesi i publikon në kohë informacionet me qëllim garantimin e aksesit efikas dhe të barabartë të publikut në të gjitha shtetet anëtare ku tregtohen titujt dhe për të marrë masat e duhura në rast të kundërt;
g) për të bërë publik faktin që një emetues, zotërues aksionesh apo instrumentesh të tjera financiare ose një person apo subjekt i përmendur në nenet 10 deri në 13, nuk po përmbush detyrimet e tij;
h) për të analizuar që informacioni i përmendur në këtë direktivë është hartuar në përputhje me kuadrin raportues përkatës dhe për të marrë masat përkatëse në rastet kur zbulohen shkelje; dhe
i) për të kryer inspektime në terren në territorin e tij, në përputhje me legjislacionin e brendshëm, me qëllim vërtetimin e përputhshmërisë me dispozitat e kësaj direktive dhe masat e saj zbatuese. Kur është e nevojshme sipas legjislacionit të brendshëm, autoriteti/autoritetet kompetente mund ta përdorin këtë kompetencë duke iu drejtuar autoritetit gjyqësor përkatës dhe/ose në bashkëpunim me autoritete të tjera.
5. Paragrafët 1 deri në 4 nuk cenojnë mundësinë që një shtet anëtar të marrë masa të veçanta ligjore dhe administrative për territoret jashtë shteteve evropiane, për të cilat ai shtet anëtar ka përgjegjësinë e marrëdhënieve të jashtme.
6. Përcjellja nga audituesit tek autoritetet kompetente të ndonjë fakti ose vendimi në lidhje me kërkesat e bëra nga autoriteti kompetent sipas paragrafit 4, germa "a", nuk përbëjnë shkelje të kufizimeve për dhënien e informacionit të vendosura nga kontrata ose nga ndonjë ligj, rregullore apo dispozitë administrative dhe nuk sjell përgjegjësi të asnjë lloji për këta auditues.
Neni 25
Sekreti profesional dhe bashkëpunimi midis shteteve anëtare
1. Detyrimi i sekretit profesional zbatohet për të gjithë personat që punojnë ose kanë punuar për autoritetin kompetent dhe për subjekte, të cilave autoritetet kompetente mund t'u kenë deleguar detyra të caktuara. Informacioni i mbuluar nga sekreti profesional nuk mund t'i jepet asnjë personi apo autoriteti tjetër përveçse në përputhje me legjislacionin, rregulloret apo dispozitat administrative të një shteti anëtar.
2. Autoritetet kompetente të shteteve anëtare bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, sa herë që lind nevoja, për kryerjen e detyrave të tyre, duke ushtruar kompetencat e tyre të përcaktuara në këtë direktivë apo në legjislacionin e brendshëm të miratuar sipas kësaj direktive. Autoritetet kompetente u ofrojnë ndihmën e tyre autoriteteve kompetente të shteteve të tjera anëtare.
3. Paragrafi 1 nuk i ndalon autoritetet kompetente të shkëmbejnë informacion konfidencial. Në këtë rast, informacioni i shkëmbyer mbulohet nga detyrimi për ruajtjen e sekretit profesional, të cilit i nënshtrohen punëmarrësit ose ish-punëmarrësit e autoriteteve kompetente që marrin informacionin.
4. Shtetet anëtare mund të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi që parashikojnë shkëmbimin e informacioneve me autoritetet ose organet kompetente të vendeve të treta të autorizuara nga legjislacioni i tyre përkatës për të kryer të gjitha detyrat që i janë caktuar autoriteteve kompetente nga kjo direktivë në përputhje me nenin 24. Ky shkëmbim informacioni është objekt i garancisë së sekretit profesional të paktën ekuivalente me ato të përmendura në këtë nen. Shkëmbimi i informacionit kryhet me qëllim që autoritetet apo organet e përmendura të kryejnë detyrën e mbikëqyrjes. Kur informacioni vjen nga një tjetër shtet anëtar, ai nuk nxirret pa miratimin e shprehur të autoriteteve kompetente që e kanë publikuar atë dhe në rast se nxirret, kjo bëhet vetëm për qëllimet e miratuara prej këtyre të fundit.
Neni 26
Masa paraprake
1. Në rastet kur autoriteti kompetent i shtetit anëtar pritës konstaton se ka parregullsi ose janë shkelur detyrimet nga ana e emetuesit, zotëruesit të aksioneve ose instrumenteve të tjera financiare apo personit ose subjektit të përmendur në nenin 10, ai ia raporton këto konstatim autoritetit kompetent të shtetit anëtar të origjinës.
2. Nëse, pavarësisht masave të marra nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës apo për shkak se këto masa kanë rezultuar të pamjaftueshme, emetuesi ose zotëruesi i aksioneve vazhdon të shkelë dispozitat ligjore ose rregullatore përkatëse, autoriteti kompetent i shtet anëtar pritës, pasi të ketë informuar autoritetin kompetent të shtetit anëtar të origjinës, merr të gjitha masat e duhura për të mbrojtur investitorët, në përputhje me nenin 3, paragrafi 2. Këto masa i komunikohen Komisionit sa më shpejt të jetë e mundur.
KREU VI
MASAT ZBATUESE
Neni 27
Procedura e Komitetit
1. Komisioni asistohet nga Komiteti Evropian i Titujve, i ngritur sipas nenit 1 të vendimit 2001/528/KE.
2. Kur përmendet ky paragraf, zbatohen nenet 5 dhe 7 të Vendimit 1999/468/KE, duke pasur parasysh dispozitat e nenit 8 të saj, me kusht që masat zbatuese të miratuara në përputhje me këtë procedurë të mos modifikojnë dispozitat kryesore të kësaj direktive.
Periudha e përcaktuar në nenin 5, paragrafi 6 të vendimit 1999/468/KE është tre muaj.
3. Komiteti miraton rregulloren e tij të brendshme.
4. Pa cenuar masat zbatuese që janë miratuar para 20 janarit 2009, zbatimi i dispozitave të kësaj direktive në lidhje me miratimin e rregullave teknike dhe vendimeve në përputhje me procedurën që përmendet në paragrafin 2, pezullohet. Me propozim nga Komisioni, Parlamenti Evropian dhe Këshilli mund të rinovojnë dispozitat përkatëse në përputhje me procedurën që përcaktohet në nenin 251 të traktatit, dhe, për këtë qëllim, i rishikon ato përpara përfundimit të periudhës katër vjeçare.
Neni 28
Sanksionet
1. Pa cenuar të drejtën e shteteve anëtare për vendosjen e sanksioneve penale, shtetet anëtare sigurojnë, sipas legjislacionit të tyre të brendshëm, se do të merren të paktën masat apo sanksionet e duhura civile dhe/ose administrative ndaj personave përgjegjës, kur nuk zbatohen dispozitat e miratuara në përputhje me këtë direktivë. Shtetet anëtare sigurohen që këto masa të jenë efikase, proporcionale dhe shtrënguese.
2. Shtetet anëtare sigurojnë që autoriteti kompetent të bëjë publike çdo masë të marrë ose sanksion të vendosur për shkeljen e dispozitave të miratuara në përputhje me këtë direktivë, me përjashtim të rasteve kur bërja publike e tyre mund të rrezikojë seriozisht tregjet financiare ose të dëmtojë në mënyrë jo proporcionale palët e përfshira.
Neni 29
E drejta për ankimim
Shtetet anëtare garantojnë që vendimet e marra sipas ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative të miratuara në përputhje me këtë direktivë, janë objekt i të drejtës së ankimit në gjykata.
KREU VII
DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 30
Dispozita kalimtare
1. Duke deroguar nga neni 5, paragrafi 3 i kësaj direktive, shteti anëtar i origjinës mund të përjashtojë nga publikimi i pasqyrave financiare, në përputhje me rregulloren (KE) nr. 1606/2002, emetuesit e përmendur në nenin 9 të kësaj rregulloreje për vitin ushtrimor që fillon më 1 janar 2006 ose pas kësaj date.
2. Pavarësisht nenit 12, paragrafi 2, një aksionar e njofton emetuesin të paktën dy muaj para datës së përmendur në nenin 31, paragrafi 1 për përqindjen e të drejtave të votës dhe të kapitalit që zotëron, në atë datë në këtë shoqëri emetuese, në përputhje me nenet 9, 10 dhe 13, përveç rasteve kur ka përcjellë para asaj date informacione ekuivalente.
Pavarësisht nenit 12, paragrafi 6, një emetues publikon më pas informacionin e marrë nga këto njoftime, jo më vonë se tre muaj pas datës së përmendur në nenin 31, paragrafi 1.
3. Kur shoqëria emetuese është themeluar në një vend të tretë, shteti anëtar i origjinës mund ta përjashtojë atë, vetëm në lidhje me titujt e borxhit që janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar në BE para 1 janarit 2005, nga hartimi i pasqyrave financiare në përputhje me nenin 4, paragrafi 3 dhe i raportit të administrimit në përputhje me nenin 4, paragrafi 5, për sa kohë që
a) autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës pranon që pasqyrat financiare vjetore të përgatitura nga emetuesit nga ky vend i tretë japin një pamje të vërtetë dhe të saktë të aktiveve dhe pasiveve, gjendjes financiare dhe rezultateve të emetuesit;
b) vendi i tretë ku është themeluar emetuesi nuk imponon zbatimin e detyrueshëm të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit të përmendura në nenin 2 të rregullores (KE) nr. 1606/2002; dhe
c) Komisioni nuk ka marrë asnjë vendim në përputhje me nenin 23, paragrafi 4, pika II në lidhje me ekzistencën e ekuivalencës midis standardeve të sipërpërmendura të kontabilitetit dhe
— standardeve të kontabilitetit të përcaktuara në legjislacionin, rregulloret ose dispozitat administrative të vendit të tretë ku është themeluar emetuesi, ose
— standardeve të kontabilitetit të një vendi të tretë të cilat ka vendosur të përmbushë ky emetues.
4. Shteti anëtar i origjinës mund t'i përjashtojë emetuesit, vetëm për sa i përket titujve të borxhit që janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar në BE para 1 janarit 2005, nga publikimi i raportit financiar gjashtëmujor në përputhje me nenin 5 për 10 vjet pas 1 janarit 2005, me kusht që shteti anëtar i origjinës të ketë vendosur t'u lejojë këtyre emetuesve të përfitojnë nga dispozitat e nenit 27 të Direktivës 2001/34/KE në momentin e pranimit të këtyre titujve.
Neni 31
Transpozimi
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me këtë direktivë deri më 20 janar 2007. Ato njoftojnë menjëherë Komisionin për këtë.
Shtetet anëtare, në miratimin e këtyre masave, i referohen direktivës ose i shoqërojnë ato me një referencë në rastin e botimit zyrtar të tyre. Mënyrat për bërjen e një reference të tillë përcaktohen nga vetë shtetet anëtare.
2. Nëse shtetet anëtare miratojnë masa në përputhje me nenin 3, paragrafi 1, nenin 8, paragrafi 2, nenin 8, paragrafi 3, nenin 9, paragrafi 6 ose nenin 30 ato duhet t'ia komunikojnë menjëherë këto masa Komisionit dhe shteteve të tjera anëtare.
Neni 32
Ndryshimet
Direktiva 2001/34/KE ndryshohet si më poshtë, me efekt që nga data e përcaktuar në nenin 31, paragrafi 1:
1. Në nenin 1 hiqen germa "g" dhe "h";
2. Neni 4 hiqet;
3. Në nenin 6 hiqet paragrafi 2;
4. Në nenin 8, paragrafi 2 zëvendësohet si më poshtë:
"2. Shtetet anëtare mund t'i bëjnë emetuesit e titujve të pranuar në listimin zyrtar, objekt të detyrimeve shtesë, me kusht që këto detyrime të zbatohen për të gjithë emetuesit ose për kategori individuale emetuesish;
5. Nenet 65 deri në 97 hiqen;
6. Nenet 102 dhe 103 hiqen;
7. Në nenin 107, paragrafi 3 fshihet nënparagrafi i dytë;
8. Në nenin 108, paragrafi 2 ndryshohet si më poshtë:
a) në germën "a" fshihen fjalët "informacion periodik për publikim nga shoqëritë aksionet e të cilave janë pranuar";
b) germa "b" hiqet;
c) germa "c", pika "III" hiqet;
d) germa "d" hiqet;
Referencat e bëra për dispozitat e shfuqizuara interpretohen si referenca për dispozitat e kësaj direktive.
Neni 33
Rishikimi
Para 30 qershorit 2009, Komisioni i raporton Parlamentit Evropian dhe Këshillit në lidhje me funksionimin e kësaj direktive duke përfshirë përshtatshmërinë e përfundimit të përjashtimit për titujt ekzistues të borxhit pas një periudhe 10-vjeçare siç parashikohet nga neni 30, paragrafi 4 dhe ndikimit të mundshëm në tregjet financiare evropiane.
Neni 34
Hyrja në fuqi
Kjo direktivë hyn në fuqi njëzetë ditë pas botimit të saj nëGazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 35
Marrësit
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Strasburg, më 15 dhjetor 2004.
Për Parlamentin Evropian
Presidenti
J. BORRELL FONTELLES
Për Këshillin
Presidenti
A. NICOLAÏ
<href="#ntc1-L_2004390EN.01003801-E0001">1. Gazeta Zyrtare C 80, 30.3.2004, f. 128.
<href="#ntc2-L_2004390EN.01003801-E0002">2. Gazeta Zyrtare C 242, 9.10.2003, f. 6.
<href="#ntc3-L_2004390EN.01003801-E0003">3. Opinioni i Parlamentit Evropian i 30 marsit 2004 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare) dhe Vendimi i Këshillit i 2 dhjetorit 2004.
<href="#ntc4-L_2004390EN.01003801-E0004">4. Gazeta Zyrtare L 345, 31.12.2003, f. 64.
<href="#ntc5-L_2004390EN.01003801-E0005">5. Gazeta Zyrtare L 243, 11.9.2002, f. 1.
<href="#ntc6-L_2004390EN.01003801-E0006">6. Gazeta Zyrtare L 191, 13.7.2001, f. 45. Vendimi i ndryshuar me Vendimin 2004/8/KE (Gazeta Zyrtare L 3, 7.1.2004, f. 33).
<href="#ntc7-L_2004390EN.01003801-E0007">7. Gazeta Zyrtare L 184, 6.7.2001, f. 1. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Direktivën 2003/71/KE.
<href="#ntc8-L_2004390EN.01003801-E0008">8. Gazeta Zyrtare L 281, 23.11.1995, f. 31. Direktivë e ndryshuar me rregulloren (KE) nr. 1882/2003 (Gazeta Zyrtare L 284, 31.10.2003, f. 1).
<href="#ntc9-L_2004390EN.01003801-E0009">9. Gazeta Zyrtare L 184, 17.7.1999, f. 23.
<href="#ntc10-L_2004390EN.01003801-E0010">10. Gazeta Zyrtare L 145, 30.4.2004, f. 1.
<href="#ntc11-L_2004390EN.01003801-E0011">11. Gazeta Zyrtare L 96, 12.4.2003, f. 16.
<href="#ntc12-L_2004390EN.01003801-E0012">12. Gazeta Zyrtare L 375, 31.12.1985, f. 3. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Direktivën 2004/39/KE.
<href="#ntc13-L_2004390EN.01003801-E0013">13. Gazeta Zyrtare L 126, 26.5.2000, f. 1. Direktiva e ndryshuar së fundmi nga Direktiva e Komisionit 2004/69/KE (Gazeta Zyrtare L 125, 28.4.2004, f. 44).
<href="#ntc14-L_2004390EN.01003801-E0014">14. Gazeta Zyrtare L 204, 21.7.1998, f. 37. Direktiva e ndryshuar së fundmi me Aktin e Aderimit, 2003.
<href="#ntc15-L_2004390EN.01003801-E0015">15. Gazeta Zyrtare L 193, 18.7.1983, f. 1. Direktiva e ndryshuar me Direktivën 2003/51/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit (Gazeta Zyrtare L 178, 17.7.2003, f. 16).
<href="#ntc16-L_2004390EN.01003801-E0016">16. Gazeta Zyrtare L 222, 14.8.1978, f. 11. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Direktivën 2003/51/KE.
<href="#ntc17-L_2004390EN.01003801-E0017">17. Gazeta Zyrtare L 141, 11.6.1993, f. 1. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Direktivën 2004/39/KE.
<href="#ntc18-L_2004390EN.01003801-E0018">18. Shënim editorial: Titulli është përshtatur për të marrë në konsideratë rinumërimin e neneve të Traktatit themelues të Bashkimit Evropian, në përputhje me nenin 12 të Traktatit të Amsterdamit; reference fillestare ishte neni 58 i traktatit.
<href="#ntc19-L_2004390EN.01003801-E0019">19. Gazeta Zyrtare L 65, 14.3.1968, f. 8. Direktiva e ndryshuar me Direktivën 2003/58/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit (Gazeta Zyrtare L 221, 4.9.2003, f. 13).