-
Lexo Dokumentin
4.4.2011
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 88/5
RREGULLORJA (BE) NR. 305/2011 E PARLAMENTIT EVROPIAN DHE E KËSHILLIT, DATË 9 MARS 2011, "PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË HARMONIZUARA PËR TREGTIMIN E PRODUKTEVE TË NDËRTIMIT DHE QË SHFUQIZON DIREKTIVËN E KËSHILLIT 89/106/KEE"
(Tekst kuptimi i të cilit lidhet me ZEE-në)
PARLAMENTI EVROPIAN DHE KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe në veçanti nenin 114 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social1,
Duke vepruar në përputhje me procedurën e zakonshme legjislative2,
Meqë:
- Rregullat e shteteve anëtare kërkojnë që punët e ndërtimit të projektohen dhe të zbatohen në mënyrë të tillë që të mos rrezikojnë sigurinë e personave, kafshëve shtëpiake ose të pronës dhe as të mos dëmtojnë mjedisin.
- Këto rregulla kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në kërkesat për produktet e ndërtimit. Këto kërkesa pasqyrohen për pasojë në standardet kombëtare për produktet, miratimet kombëtare teknike dhe në specifikimet teknike e dispozita të tjera kombëtare në lidhje me produktet e ndërtimit. Për shkak të pabarazisë së tyre, këto kërkesa pengojnë tregtinë brenda Bashkimit Evropian.
- Kjo rregullore nuk duhet të ndikojë në të drejtën e shteteve anëtare për të specifikuar kërkesat që ata konsiderojnë të nevojshme për të garantuar mbrojtjen e shëndetit, mjedisit dhe punëtorëve gjatë përdorimit të produkteve të ndërtimit.
- Shtetet anëtare kanë prezantuar dispozita, duke përfshirë kërkesat, që lidhen jo vetëm me sigurinë e ndërtesave dhe veprave të tjera të ndërtimit, por edhe me shëndetin, qëndrueshmërinë, ekonominë e energjisë, mbrojtjen e mjedisit, aspektet ekonomike dhe aspekte të tjera të rëndësishme në interes të publikut. Ligjet, rregulloret, masat administrative ose e drejta zakonore, e vendosur ose në nivel Bashkimi Evropian ose në nivel shteti anëtar, në lidhje me veprat e ndërtimit mund të kenë një ndikim në kërkesat e produkteve të ndërtimit. Duke qenë se ndikimi i tyre në tregun e brendshëm ka gjasa që të jetë i ngjashëm, këto ligje, rregullore, masa administrative ose të drejta zakonore duhet të konsiderohen si "dispozita" për qëllimet e kësaj rregulloreje.
- Dispozitat për një përdorim ose disa përdorime të synuara të një produkti ndërtimi në një shtet anëtar, që synojnë përmbushjen e kërkesave bazë për veprat e ndërtimit, kur janë të zbatueshme, përcaktojnë karakteristikat thelbësore për të cilat duhet të deklarohet performanca. Me qëllim për të shmangur një deklaratë performance bosh, duhet të deklarohet një nga karakteristikat thelbësore të produktit të ndërtimit, të cilat kanë lidhje me përdorimin ose përdorimet e synuara.
- Direktiva e Këshillit 89/106/KEE, datë 21 dhjetor 1988, "Për përafrimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative të shteteve anëtare për produktet e ndërtimit"3, që synon të heqë barrierat teknike për tregtinë në fushën e produkteve të ndërtimit për të rritur lëvizjen e tyre të lirë në tregun e brendshëm.
- Me qëllim për të arritur këtë objektivë, Direktiva 89/106/KEE ka parashikuar vendosjen e standardeve të harmonizuara për produktet e ndërtimit dhe ka parashikuar dhënien e miratimeve teknike evropiane.
- Direktiva 89/106/KEE duhet të zëvendësohet me qëllim që të thjeshtësohet dhe sqarohet kuadri ekzistues dhe të përmirësohet transparenca dhe efektiviteti i masave ekzistuese.
- Kjo rregullore duhet të marrë konsideratë kuadrin ligjor horizontal për tregtimin e prove në tregun e brendshëm, i ngritur sipas Rregullores (KE) nr. 765/2008 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 9 korrik 2008, "Për përcaktimin e kërkesave për akreditimin dhe mbikëqyrjen e tregut në lidhje me tregtimin e produkteve"4 si edhe sipas Vendimit nr. 768/2008/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 9 korrik 2008, "Për një kuadër të përbashkët për tregtimin e produkteve"5.
- Heqja e barrierave teknike në fushën e ndërtimit mund të arrihet vetëm nëpërmjet përcaktimit të specifikimeve teknike të harmonizuara me qëllim vlerësimin e performancës së produkteve të ndërtimit.
- Këto specifikime teknike të harmonizuara duhet të përfshijnë testimin, llogaritjen dhe mënyra të tjera, të përcaktuara në standardet e harmonizuara dhe në dokumentet e vlerësimit evropian për vlerësimin e performancës në lidhje me karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit.
- Metodat që shtetet anëtare përdorin në kërkesat e tyre për veprat e ndërtimit si edhe rregullat e tjera kombëtare në lidhje me kërkesat thelbësore të produkteve të ndërtimit duhet të jenë në përputhje me specifikimet teknike të harmonizuara.
- Sipas rastit, kategoritë e performancës për karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit duhet të nxiten që të përdoren në standardet e harmonizuara në mënyrë të tillë që të marrin një konsideratë nivelet e ndryshme të kërkesave bazë për veprat e ndërtimit për vepra ndërtimi të caktuara si edhe ndryshimet në klimë, gjeologji dhe gjeografi si edhe kushtet të tjera të ndryshme që mbizotërojnë në shtetet anëtare. Bazuar në një mandat të rishikuar, organet evropiane të standardizimit duhet të kenë të drejtë të përcaktojnë këto kategori në rastet kur ato nuk janë vendosur tashmë nga Komisioni.
- Kur një përdorim i synuar kërkon që produktet e ndërtimit në shtetet anëtare të plotësojnë disa nivele minimale në lidhje me ndonjë prej karakteristikave thelbësore, këto nivele duhet të përcaktohen në specifikimet teknike të harmonizuara.
- Gjatë vlerësimit të performancës së një produkti ndërtimi duhet të merren në konsideratë edhe aspektet e shëndetit dhe sigurisë që lidhen me përdorimin e tij gjatë gjithë jetëgjatësisë së tij.
- Nivelet minimale të përcaktuara nga Komisioni sipas kësaj rregulloreje duhet të jenë vlera të pranuara përgjithësisht për karakteristikat thelbësore të produktit të ndërtimit në fjalë për sa i përket dispozitave në shtetet anëtare dhe duhet të garantojnë një nivel të lartë mbrojtjeje, sipas kuptimit të nenit 114 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE).
- Nivelet minimale mund të kenë natyrë teknike ose rregullatore dhe mund të zbatohen për një karakteristikë të vetme ose një grup karakteristikash.
- Komiteti Evropian për Standardizimin (CEN) dhe Komiteti Evropian për Standardizimin Elektroteknik (Cenelec) njihen si organizatat kompetente për miratimin e standardeve të harmonizuara në përputhje me udhëzimet e përgjithshme për bashkëpunimin ndërmjet Komisionit dhe këtyre dy organizatave, nënshkruar më 28 mars 2003. Prodhuesit duhet t’i përdorin këto standarde të harmonizuara kur referencat për këto standarde janë botuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe në përputhje me kriteret e përcaktuara sipas Direktivës 98/34/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 22 qershor 1998, "Për përcaktimin e procedurave për ofrimin e informacionit në fushën e standardeve dhe rregulloreve teknike dhe të rregullave për shërbimet e Shoqërisë së Informacionit"6. Pasi të merret një nivel i mjaftueshëm ekspertize teknike dhe shkencore për të gjitha aspektet përkatëse, përdorimi i standardeve të harmonizuara në lidhje me produktet e ndërtimit duhet të rritet, sipas rastit, dhe pas konsultimeve me Komitetin e Përhershëm për Ndërtim, duke kërkuar, me anë të mandateve, që këto standarde të zhvillohet mbi bazën e dokumenteve ekzistuese të vlerësimit evropian.
- Procedurat në zbatim të Direktivës 89/106/KEE për vlerësimin e performancës në lidhje me karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit që nuk mbulohen nga një standard i harmonizuar duhet të thjeshtësohen me qëllim për t’i bërë më transparente dhe për të ulur kostot për prodhuesit e produkteve të ndërtimit.
- Me qëllim që prodhuesi i një produkti ndërtimit të ketë mundësi të përgatisë një deklaratë performance për një produkt ndërtimi që nuk mbulohet ose nuk mbulohet plotësisht nga një standard i harmonizuar, duhet të parashikohet një vlerësim teknik evropian.
- Prodhuesit e produkteve të ndërtimit duhet të kenë mundësi që të kërkojnë lëshimin e një vlerësimi teknik evropian për produktet e tyre mbi bazën e udhëzimeve për miratimin teknik evropian që përcaktohet sipas Direktivës 89/106/KEE. Ndaj duhet të garantohet e drejta për t’i përdorur këto udhëzime si dokumente vlerësimi evropian.
- Krijimi i draftit të dokumenteve të vlerësimit evropian dhe lëshimi i vlerësimeve teknike evropiane duhet t’i besohen organeve të vlerësimit teknik (në vijim "OVT") të emëruar nga shtetet anëtare. Për të garantuar që OVT-të kanë kompetencën e nevojshme për të kryer këto detyra, kërkesat për emërimin e tyre duhet të përcaktohen në nivel Bashkimi Evropian.
- OVT-të duhet të krijojnë një organizatë (në vijim "organizata e OVT-ve") e mbështetur, sipas rastit, me financim nga BE-ja, për të koordinuar procedurat për krijimin e drafteve të dokumenteve të vlerësimit evropian dhe për lëshimin e vlerësimeve teknike evropiane, duke garantuar transparencën dhe konfidencialitetin e nevojshëm të këtyre procedurave.
- Përveç rasteve të përcaktuara në këtë rregullore, hedhja në treg e një produkti ndërtimi që mbulohet nga një standard i harmonizuar, ose për të cilin është lëshuar një vlerësim teknik evropian duhet të shoqërohet një deklaratë performance në lidhje me karakteristikat thelbësore të produktit të ndërtimit në përputhje me specifikat teknike të harmonizuara përkatëse.
- Sipas rastit, deklarata e performancës duhet të shoqërohet nga informacioni për përmbajtjen e substancave të rrezikshme në produktin e ndërtimit, me qëllim që të rriten mundësitë për ndërtim të qëndrueshëm dhe të lehtësohet zhvillimi i produkteve miqësore për mjedisin. Ky informacion duhet të jepet pa cenuar detyrimet, në veçanti në lidhje me etiketimin, që përcaktohen në instrumente të tjera të legjislacionit të BE-së që zbatohen për substancat e rrezikshme dhe duhet të publikohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën formë si deklarata e performancës me qëllim që të përfshijë të gjithë përdoruesit potencialë të produkteve të ndërtimit. Informacioni për përmbajtjen e substancave të rrezikshme në fillim duhet të jetë i kufizuar me substancat e përmendura në nenet 31 dhe 33 të Rregullores (KE) nr. 1907/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 18 dhjetor 2006, "Për regjistrimin, vlerësimin, autorizimin dhe kufizimin e kimikateve (REACH), për themelimin e Agjencisë Evropiane për Kimikatet"7. Megjithatë, nevoja specifike për informacion për përmbajtjen e substancave të rrezikshme në produktet e ndërtimit duhet të hetohet më tej për të plotësuar gamën e substancave që mbulohen me qëllim që të garantohet një nivel i lartë mbrojtjeje për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve që përdorin produktet e ndërtimit dhe të përdoruesve të veprave të ndërtimit, duke përfshirë në lidhje me kërkesat e riciklimit dhe/ose ripërdorimit të pjesëve ose materialeve. Kjo rregullore nuk cenon të drejtat dhe detyrimet e shteteve anëtare në zbatim të instrumenteve të tjera të legjislacionit të BE-së që mund të zbatohen për substancat e rrezikshme, në veçanti, Direktivën 98/8/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 16 shkurt 1998, "Për hedhjen në treg të produkteve të biocidit"8, Direktivën 2000/60/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 23 tetor 2000, "Për themelimin e një kuadri për masa komunitare në fushën e politikës së ujit"9, Rregulloren (KE) nr. 1907/2006, Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 19 nëntor 2008, "Për mbetjet"10 dhe Rregulloren (KE) nr. 1272/2008 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 16 dhjetor 2008, "Për klasifikimin, etiketimin dhe ambalazhimin e substancave dhe përzierjeve"11.
- Duhet të jetë e mundur që deklaratës së performancës t’i vendoset një numër në përputhje me numrin e referencës së produktit tip.
- Duhet të parashikohen procedura të thjeshtësuar për hartimin e deklaratave të performancës me qëllim që të ulet barra financiare për sipërmarrjet, në veçanti për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME).
- Me qëllim për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e deklaratës së performancës, performanca e produktit të ndërtimit duhet të vlerësohet dhe prodhimi në fabrikë duhet të kontrollohet në përputhje me një sistem të përshtatshëm për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës së produktit të ndërtimit. Për një produkt ndërtimi specifik mund të zgjidhen të zbatohen disa sisteme, për të marrë në konsideratë lidhjen specifike të disa prej karakteristikave të tij thelbësore me kërkesat bazë për veprat e ndërtimit.
- Duke parë specifikat e produkteve të ndërtimit dhe fokusin e veçantë të sistemit për vlerësimin e tyre, procedurat për vlerësimin e konformitetit, që janë parashikuar në Vendimin nr. 768/2008/KE dhe modulet e përcaktuara në të nuk janë të përshtatshme. Për pasojë, duhet të krijohen metoda specifike për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës në lidhje me karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit.
- Për shkak të ndryshimit në kuptimin e shenjës CE për produktet e ndërtimit, kur krahasohen me parimet e përgjithshme që përcaktohen në Rregulloren (KE) nr. 765/2008, duhet të parashikohen dispozita specifike për të garantuar qartësinë e detyrimit për të vendosur shenjën CE për produktet e ndërtimit dhe pasojat e saj.
- Duke vendosur shenjën CE ose duke kërkuar vendosjen e kësaj shenje tek një produkt ndërtimi, prodhuesit duhet të tregojnë se ata mbajnë përgjegjësi për konformitetin e këtij produkti me performancën e deklaruar të tij.
- Shenja CE duhet të vendoset tek të gjitha produktet e ndërtimit për të cilat prodhuesi ka hartuar një deklaratë performance në përputhje me këtë rregullore. Në rastet kur nuk është hartuar një deklaratë performance, shenja CE nuk duhet të vendoset.
- Shenja CE duhet të jetë shenja e vetme e konformitetit të produktit të ndërtimit me performancën e deklaruar dhe pajtueshmërisë me kërkesat e zbatueshme në lidhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian për harmonizimin. Megjithatë, mund të përdoren shenja të tjera, nëse ato ndihmojnë për të përmirësuar mbrojtjen e përdoruesve të produkteve të ndërtimit dhe nuk mbulohen nga legjislacioni ekzistues i Bashkimit Evropian për harmonizimin.
- Për të shmangur testimet e panevojshme të produkteve të ndërtimit për të cilat tashmë është vërtetuar sa duhet performanca nëpërmjet rezultateve të qëndrueshme të testimit ose të dhëna të tjera, prodhuesit duhet t’i lejohet, sipas kushteve të përcaktuara në specifikimet teknike të harmonizuara ose sipas një vendimi të Komisionit, që të deklarojë një nivel ose një kategori të caktuar performance, pa kryer testime ose pa kryer testime të mëtejshme.
- Për të shmangur duplikimin e testimeve të kryera, prodhuesit të produkteve të ndërtimit duhet t’i lejohet që të përdorë rezultatet e testimit të kryer nga një palë e tretë.
- Me qëllim që të ulet sa është e mundur kostoja e hedhjes në treg të këtyre produkteve, pa ulur nivelin e sigurisë së tyre, duhet të përcaktohen kushte për përdorimin e procedurave të thjeshtësuara për të vlerësuar performancën e produkteve të ndërtimit. Prodhuesit që përdorin këto procedura të thjeshtësuara, duhet të vërtetojnë sa duhet përmbushjen e këtyre kushteve.
- Për të rritur ndikimin e masave për mbikëqyrjen e tregut, të gjitha procedurat e thjeshtësuara që janë parashikuar në këtë rregullore për vlerësimin e performancës së produkteve të ndërtimit duhet të zbatohen vetëm për personat fizikë ose juridikë që prodhojnë produktet që hedhin në treg.
- Për të ulur më tej koston e ndërmarrjeve mikro për hedhjen në treg të produkteve të ndërtimit që ata kanë prodhuar, duhet të parashikohen procedura të thjeshtësuara për vlerësimin e performancës kur produktet në fjalë nuk paraqesin probleme të konsiderueshme për sigurinë ndërkohë që përmbushin kërkesat e zbatueshme, cila do qoftë origjina e këtyre kërkesave. Sipërmarrjet që zbatojnë këto procedura të thjeshtësuara duhet gjithashtu që të vërtetojnë se kualifikohen si ndërmarrje mikro. Gjithashtu, ato duhet të ndjekin procedurat e zbatueshme për verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës që parashikohet në specifikimet teknike të harmonizuara për produktet e tyre.
- Në rastin e një produkti ndërtimi të projektuar dhe të prodhuar në mënyrë individuale, kur mund të vërtetohet se produkti i hedhur në treg është në pajtim me kërkesat e zbatueshme, prodhuesit duhet t’i lejohet që të përdorë procedurat e thjeshtësuara për vlerësimin e performancës.
- Komisioni, duke u konsultuar me Komitetin e Përhershëm për Ndërtim, duhet të ngrejë kuadrin interpretues për përkufizimin e "procesit jo në seri", që duhet të zbatohet për produkte të ndryshme ndërtimi që mbulohen nga kjo rregullore.
- Të gjithë operatorët ekonomik që bëhen pjesë e zinxhirit të furnizimit dhe të shpërndarjes duhet të marrin masat e përshtatshme për të garantuar se ata hedhin në treg ose shpërndajnë vetëm produkte ndërtimi që janë në pajtim me kërkesat e kësaj rregulloreje, të cilat synojnë të garantojnë performancën e produkteve të ndërtimit dhe të përmbushin kërkesat bazë për veprat e ndërtimit. Në veçanti, importuesit dhe shpërndarësit e produkteve të ndërtimit duhet të kenë njohuri për karakteristikat thelbësore për të cilat ka dispozita në tregun e Bashkimit Evropian dhe për kërkesat specifike në shtetet anëtare në lidhje me kërkesat bazë për veprat e ndërtimit, dhe këto njohuri duhet t’i përdorin në transaksionet e tyre tregtare.
- Është e rëndësishme që të garantohet aksesibiliteti i rregullave teknike kombëtare në mënyrë që ndërmarrjet, dhe në veçantë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të mbledhin informacione të besueshme dhe të sakta për ligjin në fuqi në shtetet anëtare ku ato synojnë të hedhin ose të shpërndajnë në treg produktet e tyre. Ndaj, shtetet anëtare duhet të përcaktojnë pika kontakti për produktet e ndërtimit për këtë qëllim. Përveç detyrave të përcaktuara në nenin 10, paragrafi 1 të Rregullores (KE) nr. 764/2008 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 9 korrik 2008, "Për përcaktimin e procedurave që lidhen me zbatimin e disa rregullave teknike kombëtare për produktet që tregtohen ligjërisht në një shtet tjetër anëtar"12, Pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit gjithashtu duhet të ofrojnë informacione për rregullat që zbatohen për ndërtimin, montimin ose instalimin e një produkti ndërtimi të një lloji specifik.
- Me qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit duhet të ofrojnë, pa pagesë, informacione për dispozitat që synojnë të përmbushin kërkesat bazë për veprat e ndërtimit, të cilat zbatohen për përdorimin e synuar të secilit produkt ndërtimi në territorin e secilit shtet anëtar. Pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit gjithashtu mund t’u ofrojnë operatorëve ekonomik informacione shtesë ose komente. Për informacionet shtesë, pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit duhet të lejohen që të vendosin tarifa proporcionale me kostot e ofrimit të këtyre informacioneve ose komenteve. Gjithashtu, shtetet anëtare duhet të garantojnë që pikave të kontaktit për produktet e ndërtimit t’u shpërndahen burime të mjaftueshme.
- Duke qenë se krijimi i pikave të kontaktit për produktet e ndërtimit nuk duhet të pengojë ndarjen e funksioneve të autoriteteve kompetente brenda sistemeve rregullatore të shteteve anëtare, shtetet anëtare duhet të jenë në gjendje të vendosin pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit në përputhje me kompetencat rajonale ose lokale. Për të shmangur përhapjen e panevojshme të pikave të kontaktit dhe për të thjeshtësuar procedurat administrative, shtetet anëtare duhet të kenë mundësi që rolin e pikave të kontaktit për produktet e ndërtimit t’ia besojnë pikave ekzistuese të kontaktit të krijuara në përputhje me instrumente të tjera të Bashkimit Evropian. Për të mos rritur kostot administrative për ndërmarrjet dhe autoritetet kompetente, shtetet anëtare duhet të kenë mundësi që rolin e pikave të kontaktit për produktet e ndërtimit t’ia besojnë jo vetëm shërbimeve ekzistuese brenda administratës publike por edhe qendrave kombëtare SOLVIT, dhomave të tregtisë, organizatave profesionale dhe organeve private.
- Pikat e kontaktit të produkteve të ndërtimit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë funksionet e tyre në një mënyrë të tillë që shmang konfliktet e interesit, në veçanti në lidhje me procedurat për marrjen e shenjës CE.
- Me qëllim për të garantuar zbatimin ekuivalent dhe konsistent të legjislacionit të Bashkimit Evropian për harmonizimit, mbikëqyrja efektive e tregut duhet të kryhet nga shtetet anëtare. Rregullorja (KE) nr. 765/2008 parashikon kushtet bazë për funksionimin e kësaj mbikëqyrjeje të tregut, kryesisht për programet, financimin dhe penalitetet.
- Përgjegjësia e shteteve anëtare për sigurinë, shëndetin dhe çështje të tjera që mbulohen nga kërkesat bazë për veprat e ndërtimit në territorin e tyre duhet të njihet në një klauzolë mbrojtëse që parashikon masat mbrojtëse të përshtatshme.
- Duke qenë se është e nevojshme që në të gjithë Bashkimin Evropian të garantohet një nivel i njëtrajtshëm i performancës së organeve që kryejnë vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës së produkteve të ndërtimit dhe meqë të gjitha këto organe duhet të kryejnë funksionet e tyre me të njëjtin nivel dhe sipas kushteve të konkurrencës së ndershme, duhet të përcaktohen disa kërkesa për ata organe që kërkojnë të njoftohen për qëllimet e kësaj rregulloreje. Gjithashtu, duhet të parashikohet disponueshmëria e informacionit të përshtatshëm për këto organe dhe monitorimi i tyre.
- Për të garantuar një nivel logjik cilësie në vlerësimin e verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës së produkteve të ndërtimit, gjithashtu duhet të përcaktohen kërkesa të zbatueshme për autoritetet që janë përgjegjëse për të njoftuar Komisionin dhe shtetet e tjera anëtare për organet që kryejnë këto detyra.
- Në përputhje me nenin 291 të TFBE-së, rregullat dhe parimet e përgjithshme për kontrollin nga ana e shteteve anëtare të ushtrimit të kompetencave zbatuese nga ana e Komisionit duhet të përcaktohen paraprakisht në një rregullore të miratuar në përputhje me procedurën e zakonshme legjislative. Në pritje të miratimit të kësaj rregulloreje, Vendimi i Këshillit 1999/468/KE, datë 28 qershor 1999, "Për përcaktimin e procedurave për ushtrimin e kompetencave zbatuese që i janë dhënë Komisionit"13 vazhdon të zbatohet, me përjashtim të procedurës rregullatore me shqyrtim të imtësisht, e cila nuk zbatohet më.
- Me qëllim për të arritur objektivat e kësaj rregulloreje, Komisionit duhet t’i jepet kompetenca për të miratuar disa akte të deleguara në përputhje me nenin 290 të TFBE-së. Është shumë e rëndësishme që gjatë punës së tij përgatitore Komisioni të kryejë konsultimet e duhura, duke përfshirë ato në nivel ekspertësh.
- Në veçanti, Komisionit duhet t’i jepet kompetenca për të miratuar aktet e deleguara që parashtrojnë kushtet për përdorimin e faqeve zyrtare të internetit për të vënë në dispozicion deklaratën e performancës.
- Duke qenë se nevojitet një periudhë kohore për të garantuar ngritjen e kuadrit për mirëfunksionimin e kësaj rregulloreje, zbatimi i saj duhet të shtyhet, me përjashtim të dispozitave që lidhen me emërtimin e Organeve për Vlerësimin Teknik (OVT), autoritetet njoftuese dhe organet e njoftuara, ngritjen e organizatës së OVT-ve dhe ngritjen e Komitetit të Përhershëm për Ndërtimin.
- Komisioni dhe shtetet anëtare, në bashkëpunim me grupet e interesit, duhet të nisin fushata informimi për të informuar sektorin e ndërtimit, në veçanti operatorët ekonomikë dhe përdoruesit e produkteve të ndërtimit, për krijimin e një gjuhe teknike të përbashkët, shpërndarjen e përgjegjësive ndërmjet operatorëve ekonomikë individualë dhe përdoruesve, vendosjen e shenjës CE te produktet e ndërtimit, rishikimin e kërkesave bazë për veprat e ndërtimit dhe sistemet për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës.
- Kërkesa bazë për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore nga veprat e ndërtimit kryesisht duhet të marrë në konsideratë mundësinë e riciklimit të veprave të ndërtimit, materialeve të tyre dhe pjesëve pas shembjes, qëndrueshmërinë e veprave të ndërtimit dhe përdorimin në veprat e ndërtimit të lëndëve të para dhe dytësore të pajtueshme me mjedisin.
- Për të vlerësuar përdorimin e qëndrueshëm të burimeve dhe ndikimin e veprave të ndërtimit mbi mjedis, duhet të përdoren, kur janë të disponueshme, deklaratat mjedisore të produktit.
- Sa herë që është e mundur, duhet të përcaktohen metoda evropiane të njëtrajtshme për të përcaktuar pajtueshmërinë me kërkesat bazë që përcaktohen në shtojcën I.
- Duke qenë se objektivi i kësaj rregulloreje, përkatësisht mirëfunksionimi i tregut të brendshëm për produktet e ndërtimit nëpërmjet specifikimeve teknike të harmonizuara për të shprehur performancën e produkteve të ndërtimit, nuk mund të arrihet siç duhet nga shtetet anëtare, por për shkak të shkallës dhe efekteve të tij, mund të arrihet më mirë në nivel Bashkimi Evropian, Bashkimi Evropian mund të miratojë disa masa, në përputhje me parimin e subsidiaritetit siç përcaktohet në nenin 5 të Traktatit për Bashkimin Evropian. Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, sipas përcaktimit në atë nen, kjo rregullore nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e këtij objektivi,
MIRATOJNË KËTË RREGULLORE:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Kjo rregullore përcakton kushtet për hedhjen ose shpërndarjen në treg të produkteve të ndërtimit duke përcaktuar rregullat e harmonizuara për mënyrën se si duhet të shprehet performanca e produkteve të ndërtimit në lidhje me karakteristikat e tyre thelbësore dhe për përdorimin e shenjës CE në këto produkte.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllimet e kësaj rregulloreje përdoren përkufizimet e mëposhtme:
- "Produkt ndërtimi" është çdo produkt ose vegël që prodhohet dhe hidhet në treg për t’u përfshirë në mënyrë të përhershme në veprat e ndërtimit ose në pjesë të tyre dhe performanca e të cilit ndikon një performancën e veprave të ndërtimit në lidhje me kërkesat bazë për veprat e ndërtimit;
- "Vegël" është një produkt ndërtimi i hedhur në treg nga një prodhues i vetëm si paketë me të paktën dy komponentë të veçantë që duhet të bashkohen me qëllim që të përfshihen në veprat e ndërtimit;
- "Vepra ndërtimi" janë ndërtesat dhe veprat civile;
- "Karakteristika thelbësore" janë ato karakteristika të produktit të ndërtimit që lidhen me kërkesat bazë për veprat e ndërtimit;
- "Performanca e një produkti ndërtimi" është performanca që lidhet me kërkesat thelbësore përkatëse, e shprehur sipas nivelit ose kategorisë, ose në një përshkrim;
- "Nivel" është rezultati i vlerësimit të performancës së një produkti ndërtimi në lidhje me karakteristikat e tij thelbësore, i shprehur si vlerë numerike;
- "Kategori" është një gamë nivelesh, e pakufizuar me një vlerë minimale dhe maksimale, për performancën e një produkti ndërtimi;
- "Cak" është një nivel minimal ose maksimal i performancës së një karakteristike thelbësore të një produkti ndërtimi;
- "Produkti tip" është grupi i niveleve ose kategorive përfaqësuese të performancës së një produkti ndërtimi, në lidhje me karakteristikat e tij thelbësore, i prodhuar duke përdorur një kombinim të caktuar të lëndëve të para ose elementeve të tjera në një proces specifik prodhimi;
- "Specifikime teknike të harmonizuara" janë standardet e specifikuara dhe dokumentet evropiane të vlerësimit;
- "Standard i harmonizuar"është një standard i miratuar nga një prej organeve evropiane të standardizimit të paraqitura në shtojcën I të Direktivës 98/34/KE, mbi bazën e një kërkese të lëshuar nga Komisioni, në përputhje me nenin 6 të kësaj direktive;
- "Dokumenti evropian i vlerësimit" është një dokument i miratuar nga organizata e OVT-ve me qëllim lëshimin e vlerësimeve teknike evropiane";
- "Vlerësim teknik evropian" është vlerësimi i dokumentuar për performancën e një produkti ndërtimi në lidhje me karakteristikat e tij thelbësore, në përputhje me dokumenti përkatës evropian të vlerësimit;
- "Përdorim i synuar" është përdorimi i synuar i produktit të ndërtimit, siç përcaktohet në specifikimin teknik të harmonizuar që zbatohet;
- "Dokumentacioni teknik specifik" është dokumentacioni që vërteton se metodat brenda sistemit të zbatueshëm për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës janë zëvendësuar nga metoda të tjera, nëse rezultatet e përftuara nga këto metoda të tjera janë të njëtrajtshme me rezultatet e përftuara nga metodat e testimit të standardit të harmonizuar përkatës;
- "shpërndarja në treg" është çdo furnizim i një produkti ndërtimi për shpërndarje ose përdorim në tregun e Bashkimit Evropian gjatë një veprimtarie tregtare, qoftë kundrejt një pagese ose pa pagesë;
- "hedhje në treg" është shpërndarja ep arë e një produkti ndërtimi në tregun e Bashkimit Evropian;
- "Operator teknik" është prodhuesi, importuesi, shpërndarësi ose përfaqësuesi i autorizuar;
- "Prodhues" është çdo person fizik ose juridik që prodhon një produkt ndërtimi ose porosit projektimin ose prodhimin e këtij produkti dhe tregton këtë produkt me emrin ose markën e tij tregtare;
- "Shpërndarës" është çdo person fizik ose juridik në zinxhirin e furnizimit, përveç prodhuesit ose importues, i cili shpërndan një produkt ndërtimi në treg;
- "Importues" është çdo person fizik ose juridik i themeluar brenda Bashkimit Evropian, i cili hedh një produkt ndërtimi nga një vend i tretë në tregun e Bashkimit Evropian;
- "përfaqësues i autorizuar" është çdo person fizik apo juridik i vendosur brenda Bashkimit Evropian, i cili ka marrë një autorizim me shkrim nga një prodhues për të vepruar në emër të tij në lidhje me detyrat e përcaktuara;
- "Tërheqje" është çdo masë që synon të parandalojë që një produkt prodhimi në zinxhirin e furnizimit të shpërndahet në treg;
- "Kthim" është çdo masë që synon të arrijë kthimin e një produkti ndërtimi që tashmë është shpërndarë tek përdoruesi fundor;
- "Akreditim" ka kuptimin që i është dhënë në Rregulloren (KE) nr. 765/2008;
- "Kontrolli i prodhimit në fabrikë" është kontrolli i dokumentuar, i përhershëm dhe i brendshëm i prodhimit në një fabrikë, në përputhje me specifikimet teknike të harmonizuara përkatëse;
- "Ndërmarrje mikro" është një ndërmarrje mikro, siç përkufizohet në Rekomandimin e Komisionit të 6 majit 2003, në lidhje me përkufizimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme14;
- "Cikël jetësor"janë fazat e njëpasnjëshme dhe të ndërlidhura të jetës së një produkti ndërtimi, nga blerja e lëndës së parë ose gjenerimi nga burimet natyrore deri në asgjësimin përfundimtar.
Neni 3
Kërkesat bazë për veprat e ndërtimit dhe karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit
- Kërkesat bazë për veprat e ndërtimit që përcaktohen në shtojcën I përbëjnë bazën për përgatitjen e mandateve të standardizimit dhe specifikimet teknike të harmonizuara.
- Karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit përcaktohen në specifikimet teknike të harmonizuara në lidhje me kërkesat bazë për veprat e ndërtimit.
- Për familjet specifike të produkteve të ndërtimit që mbulohen nga një standard i harmonizuar, Komisioni, sipas rastit dhe në lidhje me përdorimin e tyre të synuar, siç përcaktohet në standardet e harmonizuara, përcakton, nëpërmjet akteve të deleguara në përputhje me nenin 60, ato karakteristika thelbësore për të cilat prodhuesi duhet të deklarojë performancën e produktit kur ai hidhet në treg.
Sipas rastit, Komisioni, me anë të akteve të deleguara në përputhje me nenin 60, përcakton nivelet minimale për performancën në lidhje me karakteristikat thelbësore që duhet të deklarohen.
KREU II
DEKLARATA E PERFORMANCËS DHE SHENJA CE
Neni 4
Deklarata e performancës
- Kur një produkt ndërtimi mbulohet nga një standard i harmonizuar ose është konform vlerësimit teknik evropian që është lëshuar për të, prodhuesi harton një deklaratë performance kur ky produkt hidhet në treg.
- Kur një produkt ndërtimi mbulohet nga një standard i harmonizuar ose është konform vlerësimit teknik evropian që është lëshuar për të, mund të jepet informacion i çdo forme për performancën e tij në lidhje me karakteristikat thelbësore, siç përcaktohen në specifikimin teknik të harmonizuar të zbatueshëm vetëm nëse ky informacion është përfshirë dhe specifikuar në deklaratën e performancës, përveç rasteve kur, në përputhje me nenin 5, nuk është hartuar një deklaratë performance.
- Duke hartuar një deklaratë performance, prodhuesi merr përsipër përgjegjësinë për konformitetin e produktit të ndërtimit me performancën e deklaruar. Në mungesë të informacioneve objektive që tregojnë të kundërtën, shtetet anëtare supozojnë se deklarata e performancës e hartuar nga prodhuesi është e saktë dhe e besueshme.
Neni 5
Derogimet nga hartimi i deklaratës së performancës
Duke deroguar nga nenin 4, paragrafi 1 dhe në mungesë të dispozitave të BE-së ose atyre kombëtare që kërkojnë deklarimin e karakteristikave thelbësore kur produktet e ndërtimit synohen të përdoren, një prodhues mund të mos hartojë një deklaratë performance kur hedh në treg një produkt ndërtimi që mbulohet nga një standard i harmonizuar në rastet kur:
- a) produkti i ndërtimit prodhohet në mënyrë individuale ose sipas porosisë në një proces jo në seri sipas një porosie specifike, dhe instalohet në një vepër ndërtimi të vetme të identifikuar, nga një prodhues i cili mban përgjegjësi për përfshirjen në mënyrë të sigurt të produktit në veprat e ndërtimit, në pajtim me rregullat kombëtare të zbatueshme dhe me përgjegjësinë e atyre që janë përgjegjës për zbatimin e sigurt të veprave të ndërtimit të emëruar sipas rregullave kombëtare të zbatueshme;
- b) produkti i ndërtimit prodhohet në kantierin e ndërtimit që të përfshihet në veprat përkatëse të ndërtimit në pajtim me rregullat kombëtare të zbatueshme dhe nën përgjegjësinë e atyre që janë përgjegjës për zbatimin e sigurt të veprave të ndërtimit, të emëruar sipas rregullave kombëtare të zbatueshme; ose
- c) produkti i ndërtimit prodhohet në një mënyrë tradicionale ose në një mënyrë që i përshtatet ruajtjes së trashëgimisë dhe në një proces joindustrial për të rinovuar siç duhet veprat e ndërtimit që mbrohen zyrtarisht si pjesë e një mjedisi të caktuar ose për shkak të vlerave të tyre të veçanta arkitekturore ose historike, në pajtim me rregullat kombëtare të zbatueshme.
Neni 6
Përmbajtja e deklaratës së performancës
- Deklarata e performancës shpreh performancën e produkteve të ndërtimit në lidhje me karakteristikat thelbësore të këtyre produkteve në përputhje me specifikimet teknike të harmonizuara.
- Deklarata e performancës përmban, në veçanti, informacionin e mëposhtëm:
- a) referencën për produktin tip për të cilin është hartuar deklarata e performancës;
- b) sistemin ose sistemet për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës së produktit të ndërtimit, siç përcaktohet në shtojcën V;
- c) numrin e referencës dhe datën e lëshimit të standardit të harmonizuar ose vlerësimin teknik evropian që është përdorur për të vlerësuar secilën prej karakteristikave thelbësore;
- d) sipas rastit, numrin e referencës së dokumentacionit teknik specifik që është përdorur dhe kërkesat me të cilat prodhuesi pretendon se pajtohet produkti.
- Gjithashtu, deklarata e performancës përmban:
- a) përdorimin ose përdorimet e synuara të produktit të ndërtimit, në përputhje me specifikimet teknike të harmonizuara që zbatohen për të;
- b) listën e karakteristikave thelbësore, siç përcaktohen në specifikimin teknik të harmonizuar për përdorimin ose përdorimet e synuara që janë deklaruar;
- c) performancën e të paktën njërës prej karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit, sipas përdorimit ose përdorimeve të synuara që janë deklaruar;
- d) sipas rastit, performancën e produktit të ndërtimit, sipas niveleve ose kategorive, ose në një përshkrim, nëse është e nevojshme, bazuar në një llogaritje që lidhet me karakteristikat e tij thelbësore të përcaktuara në përputhje me nenin 3, paragrafi 3;
- e) performancën e atyre karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit që lidhen me përdorimin ose përdorimet e synuara, duke marrë në konsideratë dispozitat që lidhen me përdorimin ose përdorimet e synuara kur prodhuesi synon që produkti të shpërndahet në treg;
- f) për karakteristikat thelbësore të paraqitura për të cilat nuk është deklaruar asnjë performancë, germat "APD" (asnjë performancë e deklaruar)
- g) kur një vlerësim teknik evropian është lëshuar për këtë produkt, performancën, sipas niveleve ose kategorive, ose në një përshkrim, e produktit të ndërtimit në lidhje me të gjitha karakteristikat thelbësore që përmban vlerësimi teknik evropian përkatës.
- Deklarata e performancës përgatitet sipas modelit të përcaktuar në shtojcën III.
- Së bashku me deklaratën e performancës ofrohet edhe informacioni i përmendur në nenin 31, ose sipas rastit, në nenin 33 të Rregullores (KE) nr. 1907/2006.
Neni 7
Dorëzimi i deklaratës së performancës
- Një kopje e deklaratës së performancës për çdo produkt që shpërndahet në treg dorëzohet ose në letër ose në rrugë elektronike.
Megjithatë, kur një grup i të njëjtit produkt i dërgohet një përdoruesi të vetëm, ai mund të shoqërohet nga një kopje e vetme e deklaratës së performancës ose në letër ose në rrugë elektronike.
- Kur marrësi e kërkon diçka të tillë, dorëzohet një kopje në letër e deklaratës së performancës.
- Duke deroguar nga paragrafët 1 dhe 2, kopja e deklaratës së performancës mund të publikohet në një faqe interneti në përputhje me kushtet e përcaktuara nga Komisioni nëpërmjet një akteve të deleguara në përputhje me nenin 60. Këto kushte garantojnë, ndër të tjera, se deklarata e performancës të qëndrojë në faqen e internetit të paktën gjatë periudhës së përmendur në nenin 11, paragrafi 2.
- Deklarata e performancës jepet në gjuhën ose gjuhët e kërkuara nga shteti anëtar ku shpërndahet produkti.
Neni 8
Parime të përgjithshme dhe përdorimi i shenjës CE
- Për shenjën CE zbatohen parimet e përgjithshme të përcaktuara në nenin 30 të Rregullores (CE) nr. 765/2008.
- Shenja CE mund të vendoset tek ato produkte ndërtimi për të cilat prodhuesi ka hartuar një deklaratë performance në përputhje me nenet 4 dhe 6.
Në rastet kur prodhuesi nuk ka hartuar një deklaratë performance, në përputhje me nenet 4 dhe 6, shenja CE nuk duhet të vendoset.
Duke vendosur ose duke kërkuar vendosjen e shenjës CE, prodhuesit tregojnë se ata mbajnë përgjegjësi për konformitetin e produktit të ndërtimit me performancën e deklaruar si edhe për pajtueshmërinë e tij me të gjitha kërkesat e zbatueshme që përcaktohen në këtë rregullore dhe në të gjithë legjislacionin evropian për harmonizimin që parashikon vendosjen e kësaj shenje.
Rregullat për vendosjen e shenjës CE që parashikohen në pjesën tjetër të legjislacionit të BE-së për harmonizimin zbatohen pa cenuar këtë paragraf.
- Për çdo produkt ndërtimi që mbulohet nga një standard i harmonizuar ose për të cilin është lëshuar një vlerësim teknik evropian, shenja CE është shenja e vetme që dëshmon konformitetin e produktit të ndërtimit me performancën e deklaruar në lidhje me karakteristikat thelbësore që mbulohen nga standardi i harmonizuar ose nga vlerësimi teknik evropian.
Në këtë drejtim, shtetet anëtare nuk futin asnjë referencë dhe nuk tërheqin asnjë referencë në masat kombëtare për një shenjë që dëshmon konformitetin me performancën e deklaruar në lidhje me karakteristikat thelbësore që mbulohen nga një standard i harmonizuar i ndryshëm nga shenja CE.
- Një shtet anëtar nuk ndalon ose pengon, brenda territorit të tij ose në përgjegjësinë e tij, shpërndarjen në treg ose përdorimin e produkteve të ndërtimit që mbajnë shenjën CE, kur performancat e deklaruara përkojnë me kërkesat për këtë përdorim në atë shtet anëtar.
- Një shtet anëtar garanton se përdorimi i produkteve të ndërtimit që mbajnë shenjën CE nuk pengohet nga rregullat ose kushtet e vendosura nga organet publike ose private që veprojnë në cilësinë e një sipërmarrjeje publike ose në cilësinë e një organi publik mbi bazën e një pozicioni monopoli ose sipas një mandati publik, kur performancat e deklaruara përkojnë me kërkesat për këtë përdorim në atë shtet anëtar.
- Metodat që shtetet anëtare përdorin në kërkesat e tyre për veprat e ndërtimit si edhe rregullat e tjera kombëtare në lidhje me kërkesat thelbësore të produkteve të ndërtimit duhet të jenë në përputhje me standardet e harmonizuara.
Neni 9
Rregullat dhe kushtet për vendosjen e shenjës CE
- Shenja CE vendoset mbi produktin e ndërtimit ose në një etiketë të ngjitur mbi të në mënyrë të dukshme, të lexueshme dhe që nuk mund të fshihet. Kur kjo nuk është e mundur ose nuk garantohet për shkak të natyrës së produktit, ajo ngjitet në ambalazhin ose në dokumentet shoqëruese.
- Shenja CE ndiqet nga dy shifrat e fundit të vitit në të cilin ajo është vendosur, emri dhe adresa e regjistruar e prodhuesit ose shenja identifikuese që lejon identifikimin me lehtësi dhe pa ambiguitet të emrit dhe adresës së prodhuesit, kodi unik i identifikimit të produktit tip, numri i referencës së deklaratës së performancës, niveli ose kategoria e performancës së deklaruar, referenca për specifikimin teknik të harmonizuar që zbatohet, numri i identifikimit të organit të njoftuar, nëse është e zbatueshme, dhe përdorimi i synuar siç përcaktohet në specifikimin teknik të harmonizuar që zbatohet.
- Shenja CE vendoset përpara se produkti i ndërtimit të hidhet në treg. Ajo mund të ndiqet nga një piktogramë ose çdo shenjë tjetër që tregon në mënyrë të dukshme një rrezik ose një përdorim të veçantë.
Neni 10
Pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit
- Shtetet anëtare emërojnë pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit, sipas nenit 9 të Rregullores (KE) nr. 764/2008.
- Për pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit zbatohen nenet 10 dhe 11 të Rregullores (KE) nr. 764/2008.
- Për sa i përket detyrave të përcaktuara në nenin 10, paragrafi 1 të Rregullores (KE) nr. 764/2008, çdo shtet anëtar garanton se pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit të japin informacione, duke përdorur terma transparentë dhe lehtësisht të kuptueshëm, për dispozitat që ka vendosur në territorin e tij për të përmbushur kërkesat bazë për veprat e ndërtimit, të cilat zbatohen për përdorimin e synuar të çdo produkti ndërtimi, siç parashikohet në nenin 6, paragrafi 3, germa "e" të kësaj rregulloreje.
- Pikat e kontaktit për produktet e ndërtimit janë në gjendje të ushtrojnë funksionet e tyre në një mënyrë të tillë që shmang konfliktet e interesit, në veçanti në lidhje me procedurat për marrjen e shenjës CE.
KREU III
DETYRIMET E OPERATORËVE EKONOMIKË
Neni 11
Detyrimet e prodhuesve
- Prodhuesit hartojnë një deklaratë performance në përputhje me nenet 4 dhe 6 dhe vendosin shenjën CE në përputhje me nenet 8 dhe 9.
Prodhuesit, si bazë për deklaratën e performancës, hartojnë dokumentacionin teknik ku përshkruhen elementet përkatëse që lidhen me sistemin e kërkuar për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës.
- Prodhuesit ruajnë dokumentacionin teknik dhe deklaratën e performancës për një periudhë 10 vjeçare pasi produkti i ndërtimit është hedhur në treg.
Komisioni, sipas rastit, nëpërmjet akteve të deleguara në përputhje me nenin 60, mund ta ndryshojnë këtë periudhë për familjet e produkteve të ndërtimit mbi bazën e jetëgjatësisë së pritshme të tyre ose rolit që një produkt ndërtimi luan në veprat e ndërtimit.
- Prodhuesit garantojnë se kanë të gjitha procedurat për të garantuar që prodhimi në seri të ruajë performancën e deklaruar. Ndryshimet në produktin tip dhe në specifikimet teknike të harmonizuara që zbatohen merren në konsideratë.
Prodhuesit, kur e gjykojnë të përshtatshme për të garantuar saktësinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e performancës së deklaruar të një produkti ndërtimi, kryejnë testime të kampionit të produkteve të ndërtimit që janë hedhur ose shpërndarë në treg, hetojnë dhe, nëse është e nevojshme, mbajnë një regjistër ankesash për produktet e papajtueshme dhe për kthimet e produkteve dhe për çdo monitorim të tillë informojnë shpërndarësit.
- Prodhuesit garantojnë që të gjitha produktet e tyre të ndërtimit të jenë të pajisur me një numër që tregon llojin e tyre, grupin ose numrin serial ose çdo element tjetër që lejon identifikimin e tyre, ose, kur përmasa ose natyra e produktit nuk e lejon diçka të tillë, garantojnë që informacioni i kërkuar të vendoset në ambalazh ose në një dokument që shoqëron produktin e ndërtimit.
- Prodhuesit tregojnë në produktin e ndërtimit, ose kur diçka e tillë nuk është e mundur, në ambalazhin e tij ose në një dokument që e shoqëron atë, emrin e tyre, emrin tregtar të regjistruar ose markën tregtare të regjistruar dhe adresën e tyre të kontaktit. Adresa duhet të tregojë një pikë të vetme ku mund të kontaktohet prodhuesi.
- Kur shpërndan në treg një produkt ndërtimi, prodhuesit sigurohen që produkti të shoqërohet me udhëzime dhe informacione për sigurinë në një gjuhë që përcaktohet nga shteti anëtar në fjalë, e cila mund të kuptohet me lehtësi nga përdoruesit.
- Prodhuesit që gjykojnë se ose kanë arsye të besojnë se një produkt ndërtimi që ata kanë hedhur në treg nuk është konform deklaratës së performancës ose nuk është në pajtim me kërkesa të tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, ndërmarrin menjëherë masa korrigjuese për ta bërë këtë produkt konform, ose, sipas rastit, për ta tërhequr ose kthyer atë. Gjithashtu, kur produkti paraqet një rrezik, prodhuesit informojnë menjëherë autoritetet kombëtare kompetente të shteteve anëtare ku ata kanë shpërndarë produktin e ndërtimit për këtë fakt, duke dhënë detaje, në veçanti për papajtueshmërinë e produktit dhe për çdo masë korrigjuese që është marrë.
- Prodhuesit, në vijim të një kërkese të arsyetuar nga një autoritet kombëtar kompetent, i japin këtij autoriteti të gjitha informacionet dhe dokumentacionin e nevojshëm që tregon konformitetin e produktit të ndërtimit me deklaratën e performancës dhe pajtueshmërinë e tij me të gjitha kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, në një gjuhë që mund të kuptohet lehtësisht nga ky autoritet. Ata bashkëpunojnë me këtë autoritet, me kërkesë të tij, për çdo veprim të ndërmarrë për të eliminuar rreziqet që paraqesin produktet e ndërtimit që ata kanë hedhur në treg.
Neni 12
Përfaqësuesit e autorizuar
- Prodhuesi mund të caktojë, me një mandat me shkrim, një përfaqësues të autorizuar.
Hartimi i dokumentacionit teknik nuk është pjesë e mandatit të përfaqësuesit të autorizuar.
- Çdo përfaqësues i autorizuar kryen detyrat e specifikuara në mandat. Mandati i lejon përfaqësuesit të autorizuar që të kryejë të paktën detyrat e mëposhtme:
- a) të mbajë deklaratën e performancës dhe dokumentacionin teknik në dispozicion të autoriteteve kombëtare të mbikëqyrjes për periudhën e përmendur në nenin 11, paragrafi 2;
- b) në vijim të një kërkese të arsyetuar nga një autoritet kombëtar kompetent, i jep këtij autoriteti të gjitha informacionet dhe dokumentacionin e nevojshëm që tregon konformitetin e produktit të ndërtimit me deklaratën e performancës dhe pajtueshmërinë e tij me të gjitha kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje.
- c) të bashkëpunojë me autoritetet kombëtare kompetente, me kërkesë të tyre, për çdo veprim të ndërmarrë për të eliminuar rreziqet që paraqesin produktet e ndërtimit që mbulohen nga mandati i përfaqësuesit të autorizuar.
Neni 13
Detyrimet e importuesve
- Importuesit hedhin në tregun e Bashkimit Evropian vetëm produkte ndërtimi që janë në pajtim me kërkesat e zbatueshme të kësaj rregulloreje.
- Përpara se të hedhin një produkt ndërtimi në treg, importuesit sigurohen se prodhuesi ka kryer vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës. Ata sigurohen se prodhuesi ka hartuar dokumentacionin teknik të përmendur në nënparagrafin e dytë të nenit 11, paragrafi 1 dhe deklaratën e performancës në përputhje me nenet 4 dhe 6. Ata gjithashtu sigurohen që produkti, kur kërkohet, të mbajë shenjën CE, që produkti të shoqërohet nga dokumentet e kërkuara dhe që prodhuesi të ketë vepruar në pajtim me kërkesat e përcaktuara në nenin 11, paragrafët 4 dhe 5.
Kur një importues gjykon se ose ka arsye për të besuar se produkti i ndërtimit nuk është konform deklaratës së performancës ose nuk është në pajtim me kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj Rregulloreje, importuesi nuk e hedh produktin e ndërtimit në treg derisa ai të jetë konform deklaratës shoqëruese të performancës dhe të jetë në pajtim me kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, ose derisa deklarata e performancës të jetë korrigjuar. Gjithashtu, kur produkti i ndërtimit paraqet një rrezik, importuesi informon prodhuesin dhe autoritetet e mbikëqyrjes së tregut për këtë fakt.
- Importuesit tregojnë në produktin e ndërtimit, ose kur diçka e tillë nuk është e mundur, në ambalazhin e tij ose në një dokument që e shoqëron atë, emrin e tyre, emrin tregtar të regjistruar ose markën tregtare të regjistruar dhe adresën e tyre të kontaktit.
- Kur shpërndajnë në treg një produkt ndërtimi, importuesit sigurohen që produkti të shoqërohet me udhëzime dhe informacione për sigurinë në një gjuhë që përcaktohet nga shteti anëtar në fjalë, e cila mund të kuptohet me lehtësi nga përdoruesit.
- Gjatë kohës që një produkt ndërtimi është nën përgjegjësinë e tyre, importuesit sigurohen që kushtet e magazinimit ose transportit të mos rrezikojnë konformitetin e produktit me deklaratën e performancës dhe pajtueshmërinë e tij me kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje.
- Importuesit, kur e gjykojnë të përshtatshme për të garantuar saktësinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e performancës së deklaruar të një produkti ndërtimi, kryejnë testime të kampionit të produkteve të ndërtimit që janë hedhur ose shpërndarë në treg, hetojnë dhe, nëse është e nevojshme, mbajnë një regjistër ankesash për produktet e papajtueshme dhe për kthimet e produkteve dhe për çdo monitorim të tillë informojnë shpërndarësit.
- Importuesit që gjykojnë se ose kanë arsye të besojnë se një produkt ndërtimi që ata kanë hedhur në treg nuk është konform deklaratës së performancës ose nuk është në pajtim me kërkesa të tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, ndërmarrin menjëherë masa korrigjuese për ta bërë këtë produkt konform, ose, sipas rastit, për ta tërhequr ose kthyer atë. Gjithashtu, kur produkti paraqet një rrezik, importuesit informojnë menjëherë autoritetet kombëtare kompetente të shteteve anëtare ku ata kanë shpërndarë produktin e ndërtimit për këtë fakt, duke dhënë detaje, në veçanti për papajtueshmërinë e produktit dhe për çdo masë korrigjuese që është marrë.
- Përgjatë periudhës së përmendur në nenin 11, paragrafi 2, importuesit mbajnë në dispozicion të autoriteteve të mbikëqyrjes së tregut një kopje të deklaratës së performancës dhe sigurohen që dokumentacioni teknik t’i vihet në dispozicion këtyre autoriteteve, me kërkesë të këtyre të fundit.
- Në vijim të një kërkese të arsyetuar nga një autoritet kombëtar kompetent, importuesit i japin këtij autoriteti të gjitha informacionet dhe dokumentacionin e nevojshëm që tregon konformitetin e produktit të ndërtimit me deklaratën e performancës dhe pajtueshmërinë e tij me të gjitha kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, në një gjuhë që mund të kuptohet lehtësisht nga ky autoritet. Ata bashkëpunojnë me këtë autoritet, me kërkesë të tij, për çdo veprim të ndërmarrë për të eliminuar rreziqet që paraqesin produktet e ndërtimit që ata kanë hedhur në treg.
Neni 14
Detyrimet e shpërndarësve
- Kur shpërndajnë në treg një produkt ndërtimi, shpërndarësit tregojnë kujdesin e duhur në lidhje me kërkesat e kësaj rregulloreje.
- Përpara se të shpërndajnë në treg një produkt ndërtimi, shpërndarësit sigurohen që produkti, kur kërkohet, të mbajë shenjën CE dhe të shoqërohet me dokumentet që kërkohen në zbatim të kësaj rregulloreje dhe me udhëzime dhe informacione për sigurinë në një gjuhë që përcaktohet nga shteti anëtar në fjalë, e cila mund të kuptohet me lehtësi nga përdoruesit. Shpërndarësit gjithashtu sigurohen se prodhuesi dhe importuesi kanë vepruar në pajtim me kërkesat e përcaktuara përkatësisht në nenin 11, paragrafët 4 dhe 5 dhe me nenin 13, paragrafi 3.
Kur një shpërndarës gjykon se ose ka arsye për të besuar se produkti i ndërtimit nuk është konform deklaratës së performancës ose nuk është në pajtim me kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj Rregulloreje, shpërndarësi nuk e shpërndan produktin e ndërtimit në treg derisa ai të jetë konform deklaratës shoqëruese të performancës dhe të jetë në pajtim me kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, ose derisa deklarata e performancës të jetë korrigjuar. Gjithashtu, kur produkti i ndërtimit paraqet një rrezik, shpërndarësi informon prodhuesin ose importuesin dhe autoritetet e mbikëqyrjes së tregut për këtë fakt.
- Gjatë kohës që një produkt ndërtimi është nën përgjegjësinë e tij, shpërndarësi sigurohet që kushtet e magazinimit ose transportit të mos rrezikojnë konformitetin e produktit me deklaratën e performancës dhe pajtueshmërinë e tij me kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje.
- Shpërndarësit që gjykojnë se ose kanë arsye të besojnë se një produkt ndërtimi që ata kanë shpërndarë në treg nuk është konform deklaratës së performancës ose nuk është në pajtim me kërkesa të tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, sigurohen që të merren menjëherë masat korrigjuese të nevojshme për ta bërë këtë produkt konform, ose, sipas rastit, për ta tërhequr ose kthyer atë. Gjithashtu, kur produkti paraqet një rrezik, shpërndarësit informojnë menjëherë autoritetet kombëtare kompetente të shteteve anëtare ku ata kanë shpërndarë produktin për këtë fakt, duke dhënë detaje, në veçanti për papajtueshmërinë e produktit dhe për çdo masë korrigjuese që është marrë.
- Në vijim të një kërkese të arsyetuar nga një autoritet kombëtar kompetent, shpërndarësit i japin këtij autoriteti të gjitha informacionet dhe dokumentacionin e nevojshëm që tregon konformitetin e produktit të ndërtimit me deklaratën e performancës dhe pajtueshmërinë e tij me të gjitha kërkesat e tjera të zbatueshme të kësaj rregulloreje, në një gjuhë që mund të kuptohet lehtësisht nga ky autoritet. Ata bashkëpunojnë me këtë autoritet, me kërkesë të tij, për çdo veprim të ndërmarrë për të eliminuar rreziqet që paraqesin produktet e ndërtimit që ata kanë shpërndarë në treg.
Neni 15
Rastet kur detyrimet e prodhuesve zbatohen për importuesit dhe shpërndarësit
Një importues ose shpërndarës konsiderohet si prodhues për qëllime të kësaj rregulloreje dhe i nënshtrohet detyrimeve të prodhuesit sipas nenit 11, kur ai hedh një produkt në treg në emrin e tij ose me markën e tij tregtare ose modifikon një produkt ndërtimi tashmë të hedhur në treg në një mënyrë të tillë që mund të ndikojë konformitetin me deklaratën e performancës.
Neni 16
Identifikimi i operatorëve ekonomikë
Gjatë periudhës së përmendur në nenin 11, paragrafi 2, operatorët ekonomikë, kur u kërkohet, identifikojnë për autoritetet e mbikëqyrjes së tregut sa më poshtë:
- a) çdo operator ekonomik që i ka furnizuar ata me një produkt;
- b) çdo operator ekonomik që ata kanë furnizuar me një produkt.
KREU IV
SPECIFIKIMET TEKNIKE TË HARMONIZUARA
Neni 17
Standardet e harmonizuara
- Standardet e harmonizuara përcaktohen nga organet evropiane të standardizimit që paraqiten në shtojcën I të Direktivës 98/34/KE bazuar në kërkesat (në vijim "mandatet) e lëshuara nga Komisioni në përputhje me nenin 6 të asaj direktive, pasi të jetë konsultuar me Komitetin e Përhershëm të Ndërtimit, që përmendet në nenin 64 të kësaj Rregulloreje (në vijim "Komiteti i Përhershëm për Ndërtim").
- Kur grupet e interesit përfshihen në procesin e përgatitjes së standardeve të harmonizuara, sipas këtij neni, organet evropiane të standardizimit sigurohen që gjatë gjithë kohës të përfaqësohen kategori të ndryshme të grupeve të interesit në një mënyrë të ndershme dhe të barabartë.
- Standardet e harmonizuara parashikojnë metodat dhe kriteret për vlerësimin e performancës së produkteve të ndërtimit në lidhje me karakteristikat e tyre thelbësore.
Kur diçka e tillë parashikohet në mandatin përkatës, standardi i harmonizuar i referohet një përdorimi të synuar të produkteve që ai do të mbulojë.
Sipas rastit dhe pa rrezikuar saktësinë, besueshmërinë ose qëndrueshmërinë e rezultateve, standardet e harmonizuara parashikojnë metoda më pak kërkuese se testimi për të vlerësuar performancën e produktit të ndërtimit në lidhje me karakteristikat e tyre thelbësore.
- Organet evropiane të standardizimit përcaktojnë në standardet e harmonizuara kontrollin e zbatueshëm të prodhimit në fabrikë, ku merren në konsideratë kushtet specifike të procesit të prodhimit të produktit përkatës të ndërtimit.
Standardi i harmonizuar përfshin detajet teknike të nevojshme për zbatimin e sistemit të vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës.
- Komisioni vlerëson konformitetin e standardeve të harmonizuara të përcaktuara nga organet evropiane të standardizimit me mandate përkatëse.
Komisioni publikon në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian listën e referencave të standardeve të harmonizuara që janë në konformitet me mandatet përkatëse.
Për çdo standard të harmonizuar në listë tregohet sa më poshtë:
- a) referencat e specifikimeve teknike të harmonizuara që janë zëvendësuar, nëse ka;
- b) data e fillimit të periudhës së bashkë ekzistencës;
- c) data e përfundimit të periudhës së bashkë ekzistencës.
Komisioni publikon të gjitha përditësimet e kësaj liste.
Që nga data e fillimit të periudhës së bashkë ekzistencës mundësohet përdorimi i një standardi të harmonizuar për të bërë një deklaratë performance për një produkt ndërtimi që mbulon ky standard. Organet kombëtare të standardizimit janë të detyruar që të transpozojnë standardet e harmonizuara në përputhje me Direktivën 98/34/KE.
Pa cenuar nenet 36 deri në 38, që nga data e përfundimit të periudhës së bashkë ekzistencës, standardi i harmonizuar është mjeti i vetëm që përdoret për të hartuar një deklaratë performance për një produkt ndërtimi që mbulohet nga ky standard.
Në përfundim të periudhës së bashkë ekzistencës, standardet kombëtare kontradiktore tërhiqen dhe shtetet anëtare ndërpresin vlefshmërinë e të gjitha dispozitave kombëtare kontradiktore.
Neni 18
Kundërshtimi zyrtar kundër standardeve të harmonizuara
- Kur një shtet anëtar ose Komisioni gjykon se një standard i harmonizuar nuk përmbush plotësisht kërkesat e përcaktuara në mandatin përkatës, ky shtet anëtar ose Komisioni, pasi konsultohen me Komitetin e Përhershëm për Ndërtim, ia paraqesin këtë çështje Komitetit të ngritur sipas nenit 5 të Direktivës 98/34/KE, duke i dhënë argumentet e tij. Komiteti, pasi të jetë konsultuar me organet evropiane të standardizimit, jep menjëherë mendimin e tij.
- Në funksion të mendimit të Komitetit të ngritur sipas nenit 5 të Direktivës 98/34/KE, Komisioni vendos të publikojë, të mos publikojë, të publikojë me kufizime, të mbajë, të mbajë me kufizime ose të tërheqë referencat për standardin e harmonizuar në fjalë në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
- Komisioni informon organin përkatës evropian të standardizimit për vendimin e tij dhe, nëse është e nevojshme, kërkon rishikimin e këtij standardi të harmonizuar.
Neni 19
Dokumenti i vlerësimit evropian
- Pas një kërkese për një vlerësim teknik evropian nga prodhuesi, hartohet një dokument i vlerësimit evropian, i cili miratohet nga organizata e OVT-ve, për çdo produkt ndërtimi që nuk mbulohet nga një standard i harmonizuar, për të cilin performanca në lidhje me karakteristikat e tij thelbësore nuk mund të vlerësohet plotësisht sipas një standardi të harmonizuar ekzistuese, ndër të tjera, për shkak se:
- a) produkti nuk përfshihet në fushën e zbatimit të asnjë standardi të harmonizuar ekzistues;
- b) për të paktën një karakteristikë thelbësore të atij produkti, metoda e vlerësimit e parashikuar në standardin e harmonizuar nuk është e përshtatshme; ose
- c) dokumenti i standardizuar nuk parashikon asnjë metodë vlerësimi në lidhje me të paktën një karakteristikë thelbësore të atij produkti.
- Procedura për miratimin e dokumentit të vlerësimit evropian respekton parimet e përcaktuara në nenin 20 dhe është në pajtim me nenin 21 dhe shtojcën II.
- Komisioni mund të miratojë akte të deleguara në përputhje me nenin 60 për të ndryshuar shtojcën II dhe mund të përcaktojë rregulla procedurale plotësuese për përgatitjen dhe miratimin e një dokumenti të vlerësimit evropian.
- Komisioni, sipas rastit, pasi të jetë konsultuar me Komitetin e Përhershëm për Ndërtim, i merr dokumentet ekzistuese të vlerësimit evropian si bazë për mandatet që duhet të lëshohen sipas nenit 17, paragrafi 1, në funksion të përgatitjes së standardeve të harmonizuara në lidhje me produktet e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni.
Neni 20
Parimet për përgatitjen dhe miratimin e dokumenteve të vlerësimit evropian
- Procedura për përgatitjen dhe miratimin e dokumenteve të vlerësimit evropian duhet:
- a) të jetë transparente për prodhuesin e përfshirë;
- b) të përcaktojë afatet kohore të detyrueshme të përshtatshme me qëllim për të shmangur vonesat e pajustifikuara;
- c) të marrë siç duhet në konsideratë mbrojtjen e sekretit tregtar dhe konfidencialitetit;
- d) të lejojë pjesëmarrjen e përshtatshme të Komisionit;
- e) të jetë me kosto efektive për prodhuesin; dhe
- f) të garantojë kolegjialitet dhe koordinim të mjaftueshëm midis OVT-ve të emëruara për produktin në fjalë.
- OVT, së bashku me organizatën e OVT-ve, mbulojnë kostot e plota të përgatitjes dhe miratimit të dokumenteve të vlerësimit evropian.
Neni 21
Detyrimet e OVT-së që merr një kërkesë për një vlerësim teknik evropian
- OVT-ja që merr një kërkesë për një vlerësim teknik evropian informon prodhuesin nëse produkti i ndërtimit mbulohet, plotësisht ose pjesërisht, nga një specifikim teknik i harmonizuar si në vijim:
- a) kur produkti mbulohet plotësisht nga një standard i harmonizuar, OVT-ja informon prodhuesin se, në përputhje me nenin 19, paragrafi 1, nuk mund të lëshohet një vlerësim teknik evropian;
- b) kur produkti mbulohet plotësisht nga një dokument vlerësimi evropian, OVT-ja informon prodhuesin se ky dokument do të përdoret si bazë për vlerësimin teknik evropian që do të lëshohet;
- c) kur produkti nuk mbulohet, ose nuk mbulohet plotësisht, nga asnjë specifikim teknik i harmonizuar, OVT-ja zbaton procedurat e përcaktuara në shtojcën II ose ato që janë përcaktuar në përputhje me nenin 19, paragrafi 3.
- Në rastet e përmendura në germat "b" dhe "c" të paragrafit 1, OVT informon organizatën e OVT-ve dhe Komisionin për përmbajtjen e kërkesës dhe për referencën ndaj një vendimi të Komisionit për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës, që OVT synon të zbatojë për këtë produkt, ose për mungesën e një vendimi të tillë të Komisionit.
- Nëse Komisioni gjykon se për produktin e ndërtimit nuk ekziston një vendim i përshtatshëm për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës, zbatohet neni 28.
Neni 22
Publikimi
Dokumentet e vlerësimit evropian të miratuara nga OVT-të i dërgohen Komisionit, i cili publikon një listë të referencave të dokumenteve përfundimtare të vlerësimit evropian në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Komisioni publikon të gjitha përditësimet e kësaj liste.
Neni 23
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet OVT-ve
Nëse OVT-të nuk bien dakord për dokumentin e vlerësimit evropian brenda afateve kohore të parashikuara, organizata e OVT-ve ia paraqet këtë çështje Komisionit për një zgjidhje të përshtatshme.
Neni 24
Përmbajtja e dokumentit të vlerësimit evropian
- Një dokument vlerësimi evropian përmban, të paktën, një përshkrim të përgjithshëm për produktin e ndërtimit, listën e karakteristikave thelbësore, të cilat lidhen me përdorimin e synuar të produktit siç parashikohet nga prodhuesi dhe siç është rënë dakord ndërmjet prodhuesit dhe organizatës së OVT-ve, si edhe metodat dhe kriteret për vlerësimin e performancës së produktit në lidhje me këto karakteristika thelbësore.
- Parimet për kontrollin e zbatueshëm të prodhimit në fabrikë që duhet të zbatohen përcaktohen në dokumentin e vlerësimit evropian, duke marrë në konsideratë kushtet e procesit të prodhimit të produktit të ndërtimit në fjalë.
- Kur performanca e disa karakteristikave thelbësore të produktit mund të vlerësohet siç duhet me metodat dhe kriteret tashmë të përcaktuara në specifikime teknike të harmonizuara të tjera ose në udhëzimet e përmendura në nenin 66, paragrafi 3, ose të përdorura në përputhje me nenin 9 të Direktivës 89/106/KEE përpara datës 1 korrik 2013 në kontekstin e lëshimit të miratimeve teknike evropiane, këto metoda dhe kritere ekzistuese përfshihen si pjesë e dokumentit të vlerësimit evropian.
Neni 25
Kundërshtimet formale për dokumentet e vlerësimit evropian
- Kur një shtet anëtar ose Komisioni gjykon se një dokument i vlerësimit evropian nuk përmbush plotësisht kërkesat që duhet të plotësohen në lidhje me kërkesat bazë për veprat e ndërtimit që përcaktohen në shtojcën I, ky shtet anëtar ose Komisioni ia paraqet çështjen Komitetit të Përhershëm për Ndërtim, duke dhënë argumentet e tij. Komiteti i Përhershëm për Ndërtim, pasi konsultohet me organizatën e OVT-ve, jep menjëherë mendimin e tij.
- Në varësi të mendimit të Komitetit, Komisioni vendos të publikojë, të mos publikojë, të publikojë me kufizime, të mbajë, të mbajë me kufizime ose të tërheqë referencat për dokumentet e vlerësimit evropian në fjalë në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
- Komisioni informon organizatën e OVT-ve për sa më lart dhe, nëse është e nevojshme, kërkon rishikimin e dokumentit të vlerësimit evropian.
Neni 26
Vlerësimi teknik evropian
- Vlerësimi teknik evropian bëhet nga një OVT, me kërkesën e një prodhuesi mbi bazën e një dokumenti të vlerësimit evropian të krijuar në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 21 dhe në shtojcën II.
Nëse dokumenti i vlerësimit evropian ekziston, vlerësimi teknik evropian mund të lëshohet edhe në rastin kur është lëshuar një mandat për një standard të harmonizuar. Ky lëshim është i mundur deri në fillim të periudhës së bashkë ekzistencës, siç përcaktohet nga Komisioni në përputhje me nenin 17, paragrafi 5.
- Vlerësimi teknik evropian përfshin performancën që duhet të deklarohet, sipas niveleve ose kategorive, ose në një përshkrim, për ato karakteristika thelbësore të pranuara nga prodhuesi dhe OVT-ja që merr kërkesën për vlerësimin teknik evropian për përdorimin e synuar që është deklaruar, dhe detajet teknike të nevojshme për zbatimin e sistemit të vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës.
- Për të garantuar zbatimin e njëtrajtshëm të këtij neni, Komisioni miraton aktet zbatuese që përcaktojnë formatin e vlerësimit teknik evropian në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 64, paragrafi 2.
Neni 27
Nivelet ose kategoritë e performancës
- Komisioni mund të miratojë akte të deleguara në përputhje me nenin 60 për të përcaktuar kategoritë e performancës në lidhje me karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit.
- Kur Komisioni ka përcaktuar kategoritë e performancës në lidhje me karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit, organet evropiane të standardizimit i përdorim këto kategori në standardet e harmonizuara. Organizata e OVT-ve i përdor këto kategori, sipas rastit, në dokumentet e vlerësimit evropian.
Kur kategoritë e performancës në lidhje me karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit nuk janë përcaktuar nga Komisioni, ato mund të përcaktohen nga organet evropiane të standardizimit në standardet e harmonizuara, duke u bazuar në një mandat të rishikuar.
- Kur parashikohet në mandatet përkatëse, organet evropiane të standardizimit përcaktojnë në standardet e harmonizuara nivelet minimale në lidhje me karakteristikat thelbësore dhe, sipas rastit, për përdorimet e synuara që duhet të përmbushen nga produktet e ndërtimit në shtetet anëtare.
- Kur organet evropiane të standardizimit kanë përcaktuar kategoritë e performancës në një standard të harmonizuar, organizata e OVT-ve i përdor këto kategori në dokumentet e vlerësimit evropian kur ato kanë lidhje me produktet e ndërtimit.
Kur konsiderohet e përshtatshme, organizata e OVT-ve, me miratimin e Komisionit dhe pasi konsultohet me Komitetin e Përhershëm për Ndërtim, përcakton në dokumentin e vlerësimit evropian kategoritë e performancës dhe nivelet minimale në lidhje me karakteristikat thelbësore të një produkti ndërtimi brenda përdorimit të tij të synuar, siç parashikohet nga prodhuesi.
- Komisioni mund të miratojë akte të deleguara në përputhje me nenin 60 për të përcaktuar kushtet që përcaktojnë se një produkt ndërtimi përmbush një nivel ose kategori të caktuar performance pa e testuar atë ose pa bërë testime të mëtejshme.
Kur këto kushte nuk janë përcaktuar nga Komisioni, ato mund të përcaktohen nga organet evropiane të standardizimit në standardet e harmonizuara, duke u bazuar në një mandat të rishikuar.
- Pasi Komisioni të ketë ngritur sistemet e klasifikimit në përputhje me paragrafin 1, shtetet anëtare mund të përcaktojnë nivelet ose kategoritë e performancës që duhet të respektohen nga produktet e ndërtimit në lidhje me karakteristikat e tyre thelbësore vetëm në përputhje me këto sisteme klasifikimi.
- Kur organet evropiane të standardizimit dhe organizata e OVT-ve përcaktojnë cakun ose kategoritë e performancës, ata respektojnë nevojat rregullatore të shteteve anëtare.
Neni 28
Vlerësimi dhe verifikimi i qëndrueshmërisë së performancës
- Vlerësimi dhe verifikimi i qëndrueshmërisë së performancës së produkteve të ndërtimit në lidhje me karakteristikat e tyre thelbësore kryhet në përputhje me një nga sistemet e përcaktuara në shtojcën V.
- Nëpërmjet akteve të deleguara në përputhje me nenin 60, Komisioni përcakton dhe mund të rishikojë cili sistem ose cilët sisteme janë të zbatueshme për një produkt ndërtimi të caktuar ose një familje të caktuar të produkteve të ndërtimit ose për një karakteristikë thelbësore të caktuar, duke marrë në konsideratë në veçanti efektin e tyre në shëndetin dhe sigurinë e personave dhe në mjedis. Gjatë këtij veprimi, Komisioni merr në konsideratë përvojën e dokumentuar të përcjellë nga autoritetet kombëtare në lidhje me mbikëqyrjen e tregut.
Komisioni zgjedh sistemin ose sistemet më pak kërkuese në funksion të përmbushjes së të gjitha kërkesave bazë për veprat e ndërtimit.
- Ky sistem ose këto sisteme të përcaktuara tregohen në mandatet për standardet e harmonizuara dhe në specifikimet teknike të harmonizuara.
KREU V
ORGANET E VLERËSIMIT TEKNIK
Neni 29
Emërimi, monitorimi dhe vlerësimi i OVT-ve
- Shtetet anëtare mund të emërojnë OVT-të brenda territoreve të tyre, kryesisht për një ose disa fusha produktesh të paraqitura në tabelën 1 të shtojcës IV.
Shtetet anëtare që kanë emëruar një OVT i komunikojnë shteteve të tjera anëtare dhe Komisionit emrin dhe adresën e saj dhe fushat e produktit për të cilat është emëruar kjo OVT.
- Komisioni vë në dispozicion të publikut nëpërmjet mjeteve elektronike listën e OVT-ve, duke treguar fushat e produktit për të cilat ato janë emëruar, duke u përpjekur të arrijë nivelin më të lartë të mundshëm të transparencës.
Komisioni vë në dispozicion të publikut çdo përditësim të kësaj liste.
- Shtetet anëtare monitorojnë veprimtaritë dhe kompetencën e OVT-ve që ata kanë emëruar dhe i vlerësojnë ato në lidhje me kërkesat përkatëse të përcaktuara në tabelën 2 të shtojcës IV.
Shtetet anëtare informojnë Komisionin për procedurat e tyre kombëtare për vlerësimin e OVT-ve, për monitorimin e veprimtarisë dhe kompetencës së tyre si edhe për çdo ndryshim të këtij informacioni.
- Pasi konsultohet me Komitetin e Përhershëm për Ndërtim, Komisioni miraton udhëzimet për kryerjen e vlerësimit të OVT-ve.
Neni 30
Kërkesat për OVT-të
- Një OVT kryen vlerësimin dhe lëshon vlerësimin teknik evropian në fushën e produktit për të cilën është emëruar.
OVT-ja duhet të plotësojë kërkesat e përcaktuara në tabelën 2 të shtojcës IV brenda fushës së zbatimit ku është emëruar.
- Një OVT vë në dispozicion të publikut organigramën e saj dhe emrat e anëtarëve të organeve të saj të brendshme vendimmarrëse.
- Në rastet kur një OVT nuk është më në pajtim me kërkesat e përmendura në paragrafin 1, shtetet anëtare tërheqin emërimin e kësaj OVT-je për fushën përkatëse të produktit dhe informojnë Komisionin dhe shtetet anëtare për këtë fakt.
Neni 31
Koordinimi i OVT-ve
- OVT-të krijojnë një organizatë për vlerësimin teknik.
- Organizata e OVT-ve konsiderohet si një organ që ka si qëllim të ruajë interesin e përgjithshëm evropian sipas kuptimit të nenit 162 të Rregullores së Komisionit (KE, Euratom) nr. 2342/2002, datë 23 dhjetor 2002, "Për përcaktimin e rregullave të detajuara për zbatimin e Rregullores së Këshillit (KE, Euratom) nr. 1605/2002 "Për Rregulloren Financiare që zbatohet për buxhetin e përgjithshëm të komuniteteve evropiane""15.
- Objektivat e përbashkëta të bashkëpunimit dhe kushtet administrative dhe financiare në lidhje me grantet që i jepen organizatës së OVT-ve mund të përcaktohen në një marrëveshje kuadër partneriteti të nënshkruar midis Komisionit dhe kësaj organizate, në përputhje me Rregulloren e Këshillit (KE, Euratom) nr. 1605/2002, datë 25 qershor 2002, "Për Rregulloren Financiare që zbatohet për buxhetin e përgjithshëm të komuniteteve evropiane"16 (Rregullorja Financiare) dhe Rregulloren (KE, Euratom) nr. 2342/2002. Parlamenti Evropian dhe Këshilli informohen për përfundimet e një marrëveshjeje të tillë.
- Organizata e OVT-ve kryen të paktën detyrat e mëposhtme:
- a) organizon koordinimin e OVT-ve dhe, nëse është e nevojshme, garanton bashkëpunimin dhe konsultimin me grupe të tjera interesi;
- b) sigurohet që shembujt e praktikave më të mira të shkëmbehen ndërmjet OVT-ve për rritur efiçencën dhe për të ofruar shërbime më të mira për industrinë;
- c) koordinon zbatimin e procedurave të përcaktuara në nenin 21 dhe në shtojcën II si edhe ofron mbështetjen e nevojshme për këtë qëllim;
- d) zhvillon dhe miraton dokumentet e vlerësimit evropian;
- e) informon Komisionin për çdo pyetje që lidhet me përgatitjen e dokumenteve të vlerësimit evropian dhe për çdo aspekt që lidhet me interpretimin e procedurave të përcaktuara në nenin 21 dhe në shtojcën II dhe i sugjeron Komisionit përmirësime bazuar në përvojën e fituar;
- f) i komunikon Komisionit dhe çdo shteti anëtar që ka emëruar një OVT çdo vëzhgim të bërë në lidhje me atë OVT që nuk ka përmbushur detyrat e saj në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 21 dhe në shtojcën II.
- g) sigurohet që dokumentet e vlerësimit evropian që janë miratuar dhe referencat e vlerësimeve teknike evropiane të jenë në dispozicion të publikut.
Organizata e OVT-ve duhet të ketë një sekretariat që të kryejë këto detyra.
- Shtetet anëtare sigurohen që OVT-të të kontribuojnë me burime financiare dhe njerëzore në organizatën e OVT-ve.
Neni 32
Financimi nga BE-ja
- Organizata e OVT-ve mund të marrë financim nga BE-ja për zbatimin e detyrave që përmenden në nenin 31, paragrafi 4.
- Shumat e caktuara për detyrat e përcaktuara në nenin 31, paragrafi 4 vendosen çdo vit nga autoriteti buxhetor brenda kufijve të kuadrit financiar në fuqi.
Neni 33
Marrëveshjet e financimit
- Organizata e OVT-ve merr financim nga BE-ja, pa ftesë për propozime, për të kryer detyrat e përmendura në nenin 31, paragrafi 4, për të cilat mund të jepen grante në përputhje me Rregulloren Financiare.
- Veprimtaritë e sekretariatit të organizatës së OVT-ve, që përmenden në nenin 31, paragrafi 4, mund të financohen mbi bazën e granteve operative. Në rast rinovimi, grantet operative nuk ulen në mënyrë automatike.
- Marrëveshjet për grante mund të autorizojnë një mbulim me normë të sheshtë të shpenzimeve të përgjithshme të përfituesit deri në 10% të kostove totale të drejtpërdrejta për veprimet, përveç se kur kostot indirekte të përfituesit mbulohen nga një grant operativ i financuar nga buxheti i përgjithshëm i Bashkimit Evropian.
Neni 34
Menaxhimi dhe monitorimi
- Shumat e caktuara nga autoriteti buxhetor për financimin e detyrave të përcaktuara në nenin 31, paragrafi 4 gjithashtu mund të mbulojnë shpenzimet administrative në lidhje me përgatitjen, monitorimin, inspektimin, auditimin dhe vlerësimin që nevojiten drejtpërsëdrejti për të arritur objektivat e kësaj rregulloreje, dhe në veçanti për studimet, takimet, veprimtaritë e informimit dhe publikimit, shpenzimet që lidhen me rrjetet informatike për shkëmbimin e informacionit dhe çdo shpenzim tjetër për asistencën administrative dhe teknike që Komisioni mund të përdorë për veprimtaritë që lidhen me përgatitjen dhe miratimin e dokumenteve të vlerësimit evropian dhe nxjerrjen e vlerësimeve teknike evropiane.
- Komisioni vlerëson rëndësinë e detyrave që përcaktohen në nenin 31, paragrafi 4, të cilat marrin financim nga BE-ja në funksion të kërkesave të politikave dhe legjislacionit të BE-së dhe informon Parlamentin Evropian dhe Këshillin për rezultatin e këtij vlerësimi përpara datës 1 janar 2017 dhe çdo 4 vjet në vijim.
Neni 35
Mbrojtja e interesave financiare të Bashkimit Evropian
- Komisioni sigurohet që kur zbatohen veprimtaritë e financuara në zbatim të kësaj Rregulloreje, interesat financiare të BE-së mbrohen nga zbatimi i masave parandaluese kundër mashtrimit, korrupsionit dhe veprimtarive të tjera të paligjshme nëpërmjet kontrolleve efektive dhe nëpërmjet rikuperimit të shumave të lëvruara me pa të drejtë dhe, nëse zbulohen parregullsi, nëpërmjet penaliteteve efektive, proporcionale dhe shtrënguese, në përputhje me Rregulloren e Këshillit (KE, Euratom) nr. 2988/95, datë 18 dhjetor 1995, "Për mbrojtjen e interesave financiare të komuniteteve evropiane"17, Rregulloren e Këshillit (Euratom, KE) nr. 2185/96, datë 11 nëntor 1996, "Për kontrollet dhe inspektimet e befta që kryhen nga Komisioni për të mbrojtur interesat financiare të komuniteteve evropiane nga mashtrimi dhe parregullsi të tjera"18 dhe Rregulloren (KE) nr. 1073/1999 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 25 maj 1999, "Për investigimet e kryera nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF)"19.
- Për veprimtaritë e financuara në zbatim të kësaj rregulloreje, termi "parregullsi" që përmendet në nenin 1, paragrafi 2 të Rregullores (KE, Euratom) nr. 2988/95 nënkupton çdo shkelje të një dispozite të legjislacionit të BE-së ose çdo shkelje të një detyrimi kontraktor që rrjedh nga një veprim ose mosveprim nga ana e një operatori ekonomik i cili rezulton, ose do të rezultonte, në paragjykimin e buxhetit të përgjithshëm të BE-së, ose të buxheteve të menaxhuara prej tij nga një zë i pajustifikuar i shpenzimeve.
- Çdo marrëveshje dhe kontratë që rrjedh nga kjo rregullore parashikon monitorimin dhe kontrollin financiar nga Komisioni ose çdo përfaqësues të autorizuar prej tij dhe për audite nga Gjykata e Audituesve, që nëse është e nevojshme, mund të bëhen në mënyrë të befasishme.
KREU VI
PROCEDURA TË THJESHTËSUARA
Neni 36
Përdorimi i dokumentacionit teknik të përshtatshëm
- Për të përcaktuar produktin tip, prodhuesi mund të zëvendësojë testimin për llojin ose llogaritjen për llojin me dokumentacionin teknik duke treguar se:
- a) për një ose disa karakteristika thelbësore të produktit të ndërtimit që prodhuesi hedh në treg, ai produkt konsiderohet se arrin një nivel ose kategori të caktuar performance pa e testuar ose llogaritur, ose pa testime ose llogaritje të mëtejshme, në përputhje me kushtet e përcaktuara në specifikimin teknik të harmonizuar përkatëse ose me një vendim të Komisionit;
- b) produkti i ndërtimit, i mbuluar nga standardi i harmonizuar, që prodhuesi hedh në treg përkon me produktin tip të një produkti tjetër ndërtimi, i prodhuar nga një prodhues tjetër dhe tashmë i testuar në përputhje me standardin e harmonizuar përkatës. Kur përmbushen këto kushte, prodhuesi ka të drejtë të deklarojë performancën që përkon me të gjitha ose me një pjesë të rezultateve të testimit të produktit tjetër. Prodhuesi mund të përdorë rezultatet e testimit të përftuara nga një prodhues tjetër vetëm pasi të ketë marrë një autorizim nga ky prodhues, i cili vazhdon të mbajë përgjegjësi për saktësinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre rezultateve të testimit; ose
- c) produkti i ndërtimit që mbulohet nga një specifikim teknik i harmonizuar, i cili hidhet në treg nga prodhuesi është një sistem i përbërë nga komponentë të montuar me saktësi nga prodhuesi sipas udhëzimeve precize të dhëna nga ofruesi i këtij sistemi ose i një komponenti të tij, i cili tashmë e ka testuar këtë sistem ose atë komponent për një ose disa prej karakteristikave të tij thelbësore në përputhje me specifikimet teknike të harmonizuara përkatëse. Kur përmbushen këto kushte, prodhuesi ka të drejtë të deklarojë performancën që përkon me të gjitha ose me një pjesë të rezultateve të testimit për sistemin ose komponentin që i është ofruar atij. Prodhuesi mund të përdorë rezultatet e testimit të përftuara nga një prodhues ose nga ofruesi i sistemit tjetër vetëm pasi të ketë marrë një autorizim nga ky prodhues ose ofrues i sistemit, i cili vazhdon të mbajë përgjegjësi për saktësinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre rezultateve të testimit.
- Nëse produkti i ndërtimit që përmendet në paragrafin 1 i përket një familjeje produktesh ndërtimi për të cilët sistemi i zbatueshëm për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës është sistemi 1 + ose 1, siç përcaktohet në shtojcën V, dokumentacioni teknik i përshtatshëm që përmendet në paragrafin 1 verifikohet nga një organ i njoftuar për certifikimin e produktit, siç përmendet në shtojcën V.
Neni 37
Përdorimi i procedurave të thjeshtësuara nga ndërmarrjet mikro
Ndërmarrjet mikro që prodhojnë produkte ndërtimi, të cilat mbulohen nga një standard i harmonizuar, mund të zëvendësojnë përcaktimin e produktit tip mbi bazën e testimit të tipit për sistemet e zbatueshme 3 dhe 4, siç përcaktohen në shtojcën V, duke përdorur metoda që janë të ndryshme nga ato që paraqiten në standardin e harmonizuar të zbatueshëm. Gjithashtu, këto prodhuesi mund t’i trajtojnë produktet e ndërtimit për të cilat zbatohet sistemi 3 sipas dispozitave për sistemin 4. Kur një prodhues përdor këto procedura të thjeshtësuara, prodhuesi duhet të tregojë pajtueshmërinë e produktit të ndërtimit me kërkesat e zbatueshme nëpërmjet një dokumentacioni teknik specifik dhe duhet të tregojë ekuivalencën e procedurave që janë përdorur me procedurat e përcaktuara në standardet e harmonizuara.
Neni 38
Procedura të tjera të thjeshtësuara
- Në lidhje me produktet e ndërtimit që mbulohen nga një standard i harmonizuar dhe të cilat prodhohen individualisht ose bëhen sipas porosisë në një proces jo në seri sipas një porosie specifike dhe të cilat instalohen në një vepër ndërtimi të vetme të identifikuar, pjesa e vlerësimit të performancës në një sistem të zbatueshëm, siç përcaktohet në shtojcën V, mund të zëvendësohet nga prodhuesi me dokumentacioni teknik specifik që tregon pajtueshmërinë e këtij produkti me kërkesat e zbatueshme dhe ekuivalencën e procedurave të përdorura me procedurat e përcaktuara në standardet e harmonizuara.
- Nëse produkti i ndërtimit që përmendet në paragrafin 1 i përket një familjeje produktesh ndërtimi për të cilët sistemi i zbatueshëm për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës është sistemi 1 + ose 1, siç përcaktohet në shtojcën V, dokumentacioni teknik specifik verifikohet nga një organ i njoftuar për certifikimin e produktit, siç përmendet në shtojcën V.
KREU VII
AUTORITETET NJOFTUESE DHE ORGANET E NJOFTUARA
Neni 39
Njoftimi
Shtetet anëtare njoftojnë Komisioni dhe shtetet e tjera anëtare për organet e autorizuara për të kryer detyrat e palës së tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës në zbatim të kësaj rregulloreje (në vijim "organe të njoftuara").
Neni 40
Autoritetet njoftuese
- Shtetet anëtare emërojnë një autoritet njoftues, i cili është përgjegjës për të vendosur dhe kryer procedurat e nevojshme për vlerësimin dhe njoftimin e organeve që do të autorizohen për të kryer detyra të palës së tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës për qëllime të kësaj rregulloreje, dhe për monitorimin e organeve të njoftuara, duke përfshirë pajtueshmërinë e tyre me nenin 43.
- Shtetet anëtare mund të vendosin që vlerësimi dhe monitorimi që përmendet në paragrafin 1 të kryhet nga organet e tyre kombëtare të akreditimit, sipas kuptimit të dhe në përputhje me Rregulloren (KE) nr. 765/2008.
- Kur autoriteti njoftues i delegon ose i beson vlerësimin, njoftimin ose monitorimin e përmendur në paragrafin 1 një organi që nuk është subjekt qeveritar, ky organ është subjekt ligjor dhe duhet të veprojë rast pas rasti në pajtim me kërkesat e përcaktuara në nenin 41. Gjithashtu, ai duhet të marrë masa për të mbuluar përgjegjësitë që lindin nga veprimtaritë e tij.
- Autoriteti njoftues mban përgjegjësi të plotë për detyrat që kryhen nga organi i përmendur në paragrafin 3.
Neni 41
Kërkesat në lidhje me autoritetet njoftuese
- Autoriteti njoftues përcaktohet në mënyrë të tillë që të mos ketë konflikte interesi me organet e njoftuara.
- Autoriteti njoftues organizohet dhe funksionon në mënyrë të tillë që të ruajë objektivitetin dhe paanshmërinë e veprimtarive të tij.
- Autoriteti njoftues organizohet në mënyrë të tillë që çdo vendim në lidhje me njoftimin e një organi që do të autorizohet për të kryer detyra si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës, të merret nga persona kompetent të ndryshëm nga ata që kanë kryer vlerësimin.
- Autoriteti njoftues nuk ofron veprimtari që janë kryer nga organi i njoftuar apo shërbime konsulence me kushte tregtare ose konkurruese.
- Autoriteti njoftues mbron konfidencialitetin e informacionit që ai merr.
- Autoriteti njoftues duhet të ketë në dispozicion një numër të mjaftueshëm personeli kompetent për të kryer siç duhet detyrat e tij.
Neni 42
Detyrimi i shteteve anëtare për të informuar
Shtetet anëtare informojnë Komisionin për procedurat e tyre kombëtare për vlerësimin dhe shpalljen e organeve që do të autorizohen për të kryer detyra si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës dhe për monitorimin e organeve të njoftuara si edhe për çdo ndryshim të tyre.
Komisioni e vë këtë informacion në dispozicion të publikut.
Neni 43
Kërkesat për organet e njoftuara
- Për qëllime të njoftimit, një organ i njoftuar duhet të përmbushë kërkesat e përcaktuara në paragrafët 2 deri në 11.
- Një organ i njoftuar krijohet në zbatim të legjislacionit kombëtar dhe ka personalitet juridik.
- Një organ i njoftuar duhet të jetë një palë e tretë e pavarur nga organizata ose produkti i ndërtimit që ai vlerëson.
Një organ që i përket një shoqate biznesi ose një federate profesionale që përfaqëson sipërmarrjet e përfshira në hartimin, prodhimin, ofrimin, montimin, përdorimin ose përmbajtjen e produkteve të ndërtimit që ai vlerëson, mund të konsiderohet organ i njoftuar nëse mund të vërtetohet pavarësia e tij dhe mungesa e çdo konflikti interesi.
- Një organ i njoftuar, drejtuesit e nivelit të lartë të tij dhe personeli përgjegjës për të kryer detyrat si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës nuk duhet të jetë projektuesi, prodhuesi, furnitori, instaluesi, blerësi, zotëruesi, përdoruesi ose mirëmbajtësi i produkteve të ndërtimit që ai vlerëson, dhe as përfaqësuesi i autorizuar i ndonjërës prej këtyre palëve. Kjo nuk përjashton përdorimin e produkteve të vlerësuara, të cilat janë të nevojshme për operacionet e organit të njoftuar apo përdorimin e produkteve për qëllime personale.
Një organ i njoftuar, drejtuesit e nivelit të lartë të tij dhe personeli përgjegjës për të kryer detyrat si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës nuk duhet të përfshihen drejtpërsëdrejti në projektimin, prodhimin ose ndërtimin, tregtimin, instalimin, përdorimin ose mirëmbajtjen e këtyre produkteve të ndërtimit dhe as të përfaqësojnë palët e përfshira në këto veprimtari. Ata nuk duhet të angazhohen në asnjë veprimtari që mund të komprometojë pavarësimin e tyre të gjykimit dhe integritetin e tyre në lidhje me veprimtaritë për të cilat ata janë njoftuar. Kjo, në veçanti, zbatohet për shërbimet e konsulencës.
Një organ i njoftuar sigurohet që veprimtaritë e filialeve ose nënkontraktorëve të tij nuk ndikojnë në konfidencialitetin, objektivitetin dhe paanësinë e veprimtarive të tij të vlerësimit dhe/ose verifikimit.
- Një organ i njoftuar dhe personeli i tij kryejnë detyra si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës me shkallën më të lartë të integritetit profesional dhe kompetencës teknike të kërkuar në fushën specifike dhe duhet të jenë të çliruar nga të gjitha presionet dhe nxitjet, në veçanti financiare, të cilat mund të ndikojnë në gjykimin e tyre ose në rezultatet e veprimtarive të tyre të vlerësimit dhe/ose verifikimit, në veçanti nga persona ose grupe personash që kanë interes për këto veprimtari.
- Një organ i njoftuar duhet të jetë në gjendje të kryejë të gjitha detyrat si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës ë i janë caktuar në përputhje me shtojcën V në lidhje me të cilat është njoftuar qoftë kur këto detyra kryhen nga vetë organi i njoftuar ose në emrin dhe nën përgjegjësinë e tij.
Gjatë gjithë kohës dhe për çdo sistem për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës dhe për çdo lloj ose kategori të produkteve të ndërtimit, karakteristika thelbësore dhe detyra në lidhje me të cilat ai është njoftuar, organi i njoftuar duhet të ketë në dispozicion sa më poshtë:
- a) personelin e nevojshëm me njohuri teknike dhe përvojë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për të kryer detyrat si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës;
- b) përshkrimin e nevojshëm të procedurave sipas të cilave kryhet vlerësimi i performancës, duke garantuar transparencën dhe aftësinë për t’i riprodhuar këto procedura; ai duhet të ketë vendosur politikat dhe procedurat e përshtatshme që bëjnë dallimin ndërmjet detyrave që ai kryen si organ i njoftuar dhe veprimtarive të tjera;
- c) procedurat e nevojshme për të kryer veprimtaritë e tij, të cilat marrin në konsideratë përmasën e një sipërmarrjeje, sektorin në të cilën ajo operon, strukturën e saj, shkallën e kompleksitetit të teknologjisë së produktit në fjalë dhe masën ose natyrën në seri të procesit të prodhimit.
Një organ i njoftuar duhet të ketë mjetet e nevojshme për të kryer detyrat teknike dhe administrative që lidhen me veprimtaritë për të cilat ai është njoftuar në nj mënyrë të përshtatshme dhe duhet të ketë qasje në të gjitha pajisjet dhe mjediset e nevojshme.
- Personeli përgjegjës për të kryer veprimtaritë në lidhje me të cilat organi është njoftuar duhet të ketë sa më poshtë:
- a) trajnim të përshtatshëm teknik dhe profesional që mbulon të gjitha detyrat si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës brenda qëllimit përkatës për të cilin organi është njoftuar;
- b) njohuri të kënaqshme për kërkesat e vlerësimeve dhe verifikimeve që ata kryejnë dhe autoritet të përshtatshëm për t’i kryer këto operacione;
- c) njohuri të përshtatshme për standardet e harmonizuara të zbatueshme dhe për dispozitat përkatëse të rregullores;
- d) aftësitë që kërkohen për të përgatitur certifikata, të dhëna dhe raporte që tregojnë se vlerësimet dhe verifikimet janë kryer.
- Duhet të garantohet paanshmëria e organit të njoftuar, drejtuesve të tij të lartë dhe personelit të vlerësimit.
Shpërblimi i drejtuesve të lartë të organit të njoftuar dhe personelit të tij të vlerësimit nuk varet nga numri i vlerësimeve të kryera apo nga rezultatet e këtyre vlerësimeve.
- Organi i njoftuar duhet të marrë sigurim ndaj përgjegjësisë nëse përgjegjësia nuk merret përsipër nga shteti anëtar në përputhje me legjislacionin e brendshëm, ose nëse vetë shteti anëtar nuk është drejtpërsëdrejti përgjegjës për vlerësimin dhe/ose verifikimin e kryer.
- Personeli i organit të njoftuar është i detyruar të ruajë sekretin profesional në lidhje me të gjitha informacionet e marra gjatë kryerjes së detyrave të tij, në zbatim të shtojcës V, përveç se në lidhje me autoritetet administrative kompetente të shtetit anëtar ku kryhen veprimtaritë. Mbrohen të drejtat e pronësisë.
- Një organ i njoftuar merr pjesë në, ose sigurohet që personeli i tij i vlerësimit të njoftohet për, veprimtaritë përkatëse të standardizimit dhe veprimtaritë e grupit të koordinimit të organit të njoftuar të ngritur në zbatim të kësaj rregulloreje dhe zbaton si udhëzues të përgjithshëm vendimet administrative dhe dokumentet që përgatiten si rezultat i punës së këtij grupi.
Neni 44
Prezumimi i përputhshmërisë
Një organ i njoftuar që do të autorizohet të kryejë detyra si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës, i cili vërteton konformitetin e tij me kriteret e përcaktuara në standardet e harmonizuara përkatëse ose pjesë të tyre, referencat e të cilëve janë publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, prezumohen se janë në pajtim me kërkesat e përcaktuara në nenin 43, deri në masën që këto kërkesa mbulohen nga standardet e harmonizuara të zbatueshme.
Neni 45
Filialet dhe nënkontraktorët e organeve të njoftuara
- Kur një organ i njoftuar nënkontrakton disa detyra specifike që lidhen me detyrat si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës, ose përdor një filial të tij, ai sigurohet që nënkontraktori ose filiali të përmbushë të gjitha kërkesat e përcaktuara në nenin 43 dhe njofton autoritetin njoftues për sa më lart.
- Organi i njoftuar mban përgjegjësi të plotë për detyrat që kryhen nga nënkontraktorët ose filialet, kudo që ata të jenë themeluar.
- Veprimtaritë mund të nënkontraktohen ose të kryhen nga një filial vetëm me miratimin e klientit.
- Organi i njoftuar i vë në dispozicion autoritetit njoftues dokumentet përkatëse në lidhje me vlerësimin e kualifikimeve të çdo nënkontraktori ose filial dhe detyrat e kryera nga këto palë në zbatim të shtojcës V.
Neni 46
Përdorimi i mjediseve jashtë laboratorit të testimit të organit të njoftuar
- Me kërkesë të prodhuesit dhe kur diçka e tillë justifikohet për arsye teknike, ekonomike ose logjistike, organi i njoftuar mund të vendosë që t’i kryejë testimet e përmendura në shtojcën V, për sistemet e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës 1 +, 1 dhe 3, ose të kërkojë që këto testime të kryhen nën mbikëqyrjen e tyre, ose në impiantet e prodhimit duke përdorur pajisjet e testimit në laboratorin e brendshëm të prodhuesit, ose, me miratimin paraprak të prodhuesit, në një laborator të jashtëm, duke përdorur pajisjet e testimit të këtij laboratori.
Organet e njoftuara që kryejnë këto testime emërohen specifikisht si kompetentë për të punuar jashtë mjediseve të tyre të akredituara për testim.
- Përpara se të kryejnë këto testime, organi i njoftuar verifikon nëse janë përmbushur kërkesat për metodën e testimit dhe vlerëson nëse:
- a) pajisjet e testimit janë të pajisura me një sistem kalibrimi dhe nëse garantohet gjurmueshmëria e matjeve;
- b) garantohet cilësia e rezultateve të testimit.
Neni 47
Aplikimi për njoftim
- Organi që do të autorizohet për të kryer detyra si palë e tretë në procesin e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës dorëzon një aplikim për njoftim tek autoriteti njoftues i shtetit anëtar në të cilin ai është themeluar.
- Aplikimi shoqërohet me një përshkrim të veprimtarive që do të kryhen, procedurave të vlerësimit dhe/ose verifikimit për të cilat organi pretendon se është kompetent, një certifikatë akreditimi, kur ekziston një e tillë, e lëshuar nga organi kombëtar i akreditimit, sipas kuptimit të Rregullores (KE) nr. 765/2008, e cila vërteton se organi përmbush kërkesat e përcaktuara në nenin 43.
- Kur organi në fjalë nuk mund të japë një certifikatë akreditimi, ai i dorëzon autoritetit njoftues të gjitha provat e dokumentuara që nevojiten për të verifikuar, njohur dhe monitoruar rregullisht pajtueshmërinë e tij me kërkesat e përcaktuara në nenin 43.
Neni 48
Procedura e njoftimit
- Autoritetet njoftuese mund të njoftojnë vetëm organet që kanë plotësuar kërkesat e përcaktuara në nenin 43.
- Ata njoftojnë Komisionin dhe shtetet e tjera anëtare kryesisht duke përdorur veglën elektronike të njoftimit që është zhvilluar dhe menaxhohet nga Komisioni.
Në raste të veçanta të përcaktuara në pikën 3 të shtojcës V për të cilat nuk është vënë në dispozicion një vegël elektronike e përshtatshme, pranohet një kopje e njoftimit në letër.
- Njoftimi përfshin detajet e plota të funksioneve që do të kryhen, referencën për specifikimin teknik të harmonizuar përkatës dhe, për qëllimet e sistemit të përcaktuar në shtojcën V, karakteristikat thelbësore për të cilat organi është kompetent.
Megjithatë, për rastet e përcaktuara në pikën 3 të shtojcës V nuk kërkohet referenca për specifikimin teknik të harmonizuar përkatës.
- Kur njoftimi nuk bazohet në një certifikatë akreditimi, siç përmendet në nenin 47, paragrafi 2, autoriteti njoftues i dorëzon Komisionit dhe shteteve të tjera anëtare të gjitha provat e dokumentuara që vërtetojnë kompetencën e organit të njoftuar dhe masat që janë marrë për të garantuar se ky organ do të monitorohet vazhdimisht dhe do të vazhdojë të përmbushë kërkesat e përcaktuara në nenin 43.
- Organi në fjalë mund të kryejë veprimtaritë e një organi të njoftuar vetëm kur Komisioni dhe shtetet e tjera anëtare nuk paraqesin asnjë kundërshtim brenda 2 javësh nga njoftimi, në rastet kur përdoret një certifikatë akreditimi, ose brenda 2 muajsh nga njoftimi, kur nuk përdoret një certifikatë akreditimi.
Vetëm një organi i tillë konsiderohet si organ i njoftuar për qëllime të kësaj rregulloreje.
- Komisioni dhe shtetet e tjera anëtare njoftohen për çdo ndryshim pasues të rëndësishëm të njoftimit.
Neni 49
Numrat e identifikimit dhe listat e organeve të njoftuara.
- Komisioni cakton një numër identifikimi për çdo organ të njoftuar.
Ai cakton një numër të vetëm edhe kur organi njoftohet në zbatim të disa akteve të Bashkimit Evropian.
- Komisioni vë në dispozicion të publikut listën e organeve të njoftuara në zbatim të kësaj rregulloreje, duke përfshirë numrat e identifikimit që u janë caktuar atyre dhe veprimtaritë për të cilat ata janë njoftuar, kryesisht duke përdorur veglën elektronike të njoftimit që është zhvilluar dhe menaxhohet nga Komisioni.
Komisioni sigurohet që kjo listë të mbahet e përditësuar.
Neni 50
Ndryshimet e njoftimit
- Kur një autoritet njoftues ka vërtetuar se, ose është informuar se një organ i njoftuar nuk i përmbush më kërkesat e përcaktuara në nenin 43, ose ai nuk arrin të përmbushë detyrimet e tij, ky autoritet njoftues kufizon, pezullon ose tërheq njoftimin, sipas rastit, në varësi të shkallës së paaftësisë për të përmbushur këto kërkesa ose detyrime. Ai informon menjëherë Komisionin dhe shtetet e tjera anëtare për sa më lart, kryesisht duke përdorur veglën elektronike të njoftimit që është zhvilluar dhe menaxhohet nga Komisioni.
- Në rastin e tërheqjes, kufizimit ose pezullimit të njoftimit, ose kur organi i njoftuar ka ndërprerë veprimtarinë e tij, shteti anëtar njoftues merr të gjitha hapat e nevojshme për t’ garantuar që dosjet e këtij organi ose të përpunohen nga një organ tjetër i njoftuar ose t’i vihen në dispozicion autoriteteve njoftuese dhe të mbikëqyrjes së tregut përgjegjëse me kërkesë të këtyre të fundit.
Neni 51
Dyshimi për kompetencën e organeve të njoftuara
- Komisioni heton për të gjitha rastet kur ai dyshon, ose kur përpara tij ngrihet një dyshim në lidhje me kompetencën e një organi të njoftuar ose me përmbushjen e vazhdueshme nga ana e organit të njoftuar të kërkesave dhe përgjegjësive të cilave ai u nënshtrohet.
- Shteti anëtar njoftues i dorëzon Komisionit, me kërkesë të këtij të fundit, të gjitha informacionet në lidhje me arsyen për njoftim ose me vazhdimësinë e kompetencës së organit përkatës.
- Komisioni sigurohet që të gjitha informacionet delikate që janë marrë gjatë kryerjes së investigimeve të trajtohen në mënyrë konfidenciale.
- Kur Komisioni vërteton se një organ i njoftuar nuk ka përmbushur, ose nuk vazhdon të përmbushë kërkesat për njoftimin e tij, ai informon shtetin anëtar njoftues për sa më lart dhe i kërkon atij që të marrë masat korrigjuese të nevojshme, duke përfshirë, kur është nevoja, tërheqjen e njoftimit.
Neni 52
Detyrimet operative të organeve të njoftuara
- Organet e njoftuara kryejnë detyra si palë e tretë në përputhje me sistemet e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës, të parashikuara në shtojcën V.
- Vlerësimet dhe verifikimet e qëndrueshmërisë së performancës kryhen me transparencë kundrejt prodhuesit dhe në mënyrë proporcionale, duke shmangur çdo ngarkesë të panevojshme për operatorët ekonomikë. Organet e njoftuara i kryejnë veprimtaritë e tyre duke marrë në konsideratë përmasën e një sipërmarrjeje, sektorin në të cilën ajo operon, strukturën e saj, shkallën e kompleksitetit të teknologjisë së produktit në fjalë dhe masën ose natyrën në seri të procesit të prodhimit.
Megjithatë, gjatë këtij procesi organet e njoftuara respektojnë shkallën e rigorozitetit që kërkohet për produktin nga kjo rregullore dhe rolin që luan produkti në përmbushjen e të gjitha kërkesave bazë për veprat e ndërtimit.
- Në rastet kur, gjatë inspektimit fillestar të impiantit të prodhimit dhe gjatë kontrollit të prodhimit në fabrikë, organi i njoftuar zbulon se prodhuesi nuk ka garantuar qëndrueshmërinë e performancës së produktit të prodhuar, ai i kërkon prodhuesit që të marrë masat korrigjuese të përshtatshme dhe nuk lëshon certifikatë.
- Në rastet kur, gjatë veprimtarisë së monitorimit që synon të verifikojë qëndrueshmërinë e performancës së produktit të prodhuar, një organ i njoftuar zbulon se produkti i ndërtimit nuk ka më të njëjtën performancë si të produktit tip, ai i kërkon prodhuesit që të marrë masat korrigjuese të përshtatshme dhe pezullon ose tërheq certifikatën, nëse është e nevojshme.
- Në rastet kur masat korrigjuese nuk merren, ose ato nuk japin rezultatin e kërkuar, organi i njoftuar kufizon, pezullon ose tërheq çdo certifikatë, sipas rastit.
Neni 53
Detyrimet e organeve të njoftuara për të dhënë informacion
- Organet e njoftuara informojnë autoritetin njoftues për sa më poshtë:
- a) çdo refuzim, kufizim, pezullim ose tërheqje të certifikatave;
- b) çdo rrethanë që ndikon në qëllimin dhe kushtet e njoftimit;
- c) çdo kërkesë për informacion mbi veprimtaritë e kryera për vlerësimin dhe/ose verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës që ata kanë marrë nga autoritetet e mbikëqyrjes së tregut;
- d) me kërkesë të autoritetit njoftues, detyrat si palë e tretë në përputhje me sistemet e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës që janë kryer në kuadër të njoftimit të tyre dhe çdo veprimtari tjetër që ata kanë kryer, duke përfshirë veprimtaritë ndërkufitare dhe nënkontraktimin.
- Organet e njoftuara i japin organeve të tjera të njoftuara sipas kësaj rregulloreje, të cilët kryejnë detyra të ngjashme si palë e tretë në përputhje me sistemet e vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës dhe për produkte ndërtimi të mbuluara nga i njëjti specifikim teknik i harmonizuar, informacionet përkatëse për çështje që lidhen me rezultatet negative dhe, sipas kërkesës, me rezultatet pozitive të këtyre vlerësimeve dhe/ose verifikimeve.
Neni 54
Shkëmbimi i përvojës
Komisioni parashikon organizimin e shkëmbimit të përvojës ndërmjet autoriteteve kombëtare të shteteve anëtare që janë përgjegjës për politikën e njoftimit.
Neni 55
Koordinimi i organeve të njoftuara
Komisioni sigurohet që të vendoset koordinimi dhe bashkëpunimi i përshtatshëm ndërmjet organeve të njoftuara, sipas nenit 39, dhe këto të funksionojnë siç duhet në formën e një grupi të organeve të njoftuara.
Shtetet anëtare sigurohen që organet e njoftuara prej tyre të marrin pjesë në punimet e këtij grupi, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet përfaqësuesve të emëruar, ose sigurohen që përfaqësuesit e organeve të njoftuara të informohen për këto punime.
KREU VIII
MBIKËQYRJA E TREGUT DHE PROCEDURAT MBROJTËSE
Neni 56
Procedura për trajtimin në nivel kombëtar të produkteve të ndërtimit që paraqesin një rrezik
- Kur autoritetet e mbikëqyrjes së tregut të një shteti anëtar kanë ndërmarrë masa sipas nenit 20 të Rregullores (KE) nr. 765/2008, ose kur ata kanë arsye të mjaftueshme për të besuar se një produkt ndërtimi që mbulohet nga një standard i harmonizuar, ose për të cilin është lëshuar një vlerësim teknik evropian nuk arrin performancën e deklaruar dhe paraqet rrezik për përmbushjen e kërkesave bazë për punimet e ndërtimit që mbulohen nga kjo rregullore, ata bëjnë një vlerësim të këtij produkti, i cili mbulon kërkesat përkatëse të përcaktuara në këtë rregullore. Operatorët ekonomikë përkatës bashkëpunojnë sipas nevojës me autoritetet e mbikëqyrjes së tregut.
Kur gjatë këtij vlerësimi, autoritetet e mbikëqyrjes së tregut zbulojnë se produkti i ndërtimit nuk është në pajtim me kërkesat e përcaktuara në këtë Rregullore, ata i kërkojnë menjëherë operatorit ekonomik përkatës që të ndërmarrë të gjitha veprimet korrigjuese të përshtatshme për ta sjellë produktin në pajtim me këto kërkesa, kryesisht me performancën e deklaruar, ose për të tërhequr produktin nga tregu, ose ta kthejnë atë brenda një periudhe të arsyeshme, të përshtatur me natyrën e rrezikut, siç mund ta përshkruajnë ata.
Nëse përfshihet një organ i njoftuar, autoritetet e mbikëqyrjes së tregut informojnë organin e njoftuar, për sa më lart.
Për masat e përmendura në nënparagrafin e dytë të këtij paragrafi, neni 21 i Rregullores (KE) nr. 765/2008.
- Kur autoritetet e mbikëqyrjes së tregut gjykojnë se papajtueshmëria nuk është e kufizuar në territorin e tyre kombëtar, ata informojnë Komisionin dhe shtetet anëtare për rezultatet e vlerësimit dhe për veprimet që ata i kanë kërkuar operatorit ekonomik që të ndërmarrë.
- Operatori ekonomik sigurohet që të merren të gjitha veprimet korrigjuese të përshtatshme në lidhje me të gjitha produktet e ndërtimit në fjalë që ky operator ekonomik ka shpërndarë në treg në të gjithë Bashkimin Evropian.
- Kur operatori ekonomik përkatës, brenda periudhës së përmendur në nënparagrafin e dytë të paragrafit 1, nuk ndërmerr veprimet korrigjuese të përshtatshme, autoritetet e mbikëqyrjes së tregut marrin të gjitha masat e përkohshme të përshtatshme për të ndaluar ose kufizuar shpërndarjen e produktit të ndërtimit në tregun e brendshëm, ose për të tërhequr produktin e ndërtimit nga ai treg, ose për ta kthyer atë.
Autoritetet e mbikëqyrjes së tregut informojnë menjëherë Komisionin dhe shtetet e tjera anëtare për këto masa.
- Informacioni i përmendur në paragrafin 4 përfshin të gjitha detajet e disponueshme, në veçanti të dhënat e nevojshme për identifikimin e produktit të ndërtimit të papajtueshëm, origjinën e produktit të ndërtimit, natyrën e papajtueshmërisë së pretenduar dhe rrezikun e përfshirë, natyrën dhe kohëzgjatjen e masave kombëtare që janë marrë si edhe argumentet e paraqitura nga operatori ekonomik përkatës. Në veçanti, autoritetet e mbikëqyrjes së tregut tregojnë nëse papajtueshmëria vjen për shkak të:
- a) pamundësisë së produktit për të arritur performancën e deklaruar dhe/ose për të përmbushur kërkesat që lidhen me përmbushjen e kërkesave bazë për veprat e ndërtimit, të përcaktuara në këtë rregullore;
- b) mangësive në specifikimet teknike të harmonizuara ose në dokumentacionin teknik specifik.
- Shtetet anëtare të ndryshme nga shteti anëtar që nis procedurën, informojnë menjëherë Komisionin dhe shtetet e tjera për çdo masë të miratuar dhe për çdo informacion shtesë që kanë në dispozicion në lidhje me papajtueshmërinë e produktit të ndërtimit në fjalë, dhe, në rast se nuk janë dakord me masat kombëtare të njoftuara, për kundërshtimet e tyre.
- Në rastet kur, brenda 15 ditëve pune pas marrjes së informacionit të përmendur në paragrafin 4, nuk është paraqitur asnjë kundërshtim nga një shtet anëtar apo nga Komisioni në lidhje me një masë të përkohshme të marrë nga një shtet anëtar në lidhje me produktin e ndërtimit në fjalë, kjo masë konsiderohet e justifikuar.
- Shtetet anëtare sigurohen që të merren menjëherë masa kufizuese të përshtatshme në lidhje me produktin e ndërtimit në fjalë, si tërheqja e produktit nga tregu i tyre.
Neni 57
Procedura mbrojtëse në Bashkimin Evropian
- Në rastet kur, pas përfundimit të procedurës së përcaktuar në nenin 56, paragrafi 3 dhe 4, ngrihen kundërshtime ndaj një mase të marrë nga një shtet anëtar, ose kur Komisioni gjykon se një masë kombëtare është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së, Komisioni nis menjëherë konsultimet me shtetet anëtare dhe operatorët ekonomikë përkatës dhe vlerëson masat kombëtare. Mbi bazën e rezultateve të këtij vlerësimi, Komisioni vendos nëse masa është ose jo e justifikuar.
Komisioni ia drejton vendimin e tij të gjitha shteteve anëtare dhe ia komunikon menjëherë atyre dhe operatorëve ekonomikë përkatës.
- Nëse masa kombëtare konsiderohet e justifikuar, të gjitha shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar tërheqjen e produktit të ndërtimit që është i papajtueshëm nga tregjet e tyre dhe informojnë Komisionin për këtë fakt. Nëse masa kombëtare konsiderohet e pajustifikuar, shteti anëtar në fjalë e tërheq masën.
- Kur masa kombëtare konsiderohet e justifikuar dhe papajtueshmëria e produktit të ndërtimit i atribuohet mangësive të standardeve të harmonizuara, siç përmenden në nenin 56, paragrafi 5, germa "b", Komisioni informon organin ose organet përkatëse evropiane të standardizimit dhe ia paraqet çështjen komitetit të ngritur sipas nenit 5 të Direktivës 98/34/KE. Komiteti konsultohet me organin ose organet përkatëse evropiane të standardizimit dhe jep menjëherë opinionin e tij.
Kur masa kombëtare konsiderohet e justifikuar dhe papajtueshmëria e produktit të ndërtimit i atribuohet mangësive të dokumentit të vlerësimit evropian ose të dokumentacionit teknik specifik, siç përmendet në nenin 56, paragrafi 5, germa "b", Komisioni ia paraqet çështjen Komitetit të Përhershëm për Ndërtim dhe më pas miraton masat e përshtatshme.
Neni 58
Produkte e pajtueshme të ndërtimit, të cilët, gjithsesi, paraqesin një rrezik për shëndetin dhe sigurinë
- Në rastet kur, pasi ka kryer një vlerësim sipas nenit 56, paragrafi 1, një shtet anëtar zbulon se, edhe pse një produkt ndërtimi është në pajtim me këtë rregullore, ai paraqet një rrezik për përmbushjen e kërkesave bazë për veprat e ndërtimit, në lidhje me shëndetin ose sigurinë e personave ose me aspekte të tjera të mbrojtjes së interesit publik, ky shtet anëtar i kërkon operatorit ekonomik përkatës që të marrë të gjitha masat e përshtatshme për të garantuar që produkti përkatës i ndërtimit, kur hidhet në treg, të mos paraqesë më një rrezik të tillë, të tërheqë produktin e ndërtimit nga tregu ose ta kthejë atë brenda një periudhe të arsyeshme, të përshtatur me natyrën e rrezikut, siç mund ta përshkruajnë ata.
- Operatori ekonomik sigurohet që të merren të gjitha veprimet korrigjuese në lidhje me të gjitha produktet e ndërtimit në fjalë që ky operator ekonomik ka shpërndarë në treg në të gjithë Bashkimin Evropian.
- Shteti anëtar informon menjëherë Komisionin dhe shtetet e tjera anëtare. Në këtë informacion përfshihen të gjitha detajet e disponueshme, në veçanti të dhënat e nevojshme për identifikimin e produktit të ndërtimit në fjalë, origjinën dhe zinxhirin e furnizimit të produktit, natyrën e rrezikut të përfshirë dhe natyrën dhe kohëzgjatjen e masave kombëtare që janë marrë.
- Komisioni nis menjëherë konsultimet me shtetet anëtare dhe operatorët ekonomikë përkatës dhe vlerëson masat kombëtare që janë marrë. Mbi bazën e rezultateve të këtij vlerësimi, Komisioni vendos nëse masa është ose jo e justifikuar dhe, kur është e nevojshme, propozon masat e përshtatshme.
- Komisioni ia drejton vendimin e tij të gjitha shteteve anëtare dhe ia komunikon menjëherë atyre dhe operatorëve ekonomikë përkatës.
Neni 59
Papajtueshmëria formale
- Pa cenuar nenin 56, kur një shtet anëtar zbulon një nga elementet e mëposhtme, ai i kërkon operatorit ekonomik përkatës që t’i japë fund papajtueshmërisë në fjalë:
- a) shenja CE është vendosur në shkelje të nenit 8 ose 9;
- b) shenja CE nuk është vendosur, kur kërkohet, në përputhje me nenin 8, paragrafi 2;
- c) pa cenuar nenin 5, deklarata e performancës nuk është hartuar, kur kërkohet në përputhje me nenin 4;
- d) deklarata e performancës nuk është hartuar në përputhje me nenet 4, 6 dhe 7;
- e) dokumentacioni teknik ose nuk është i disponueshëm ose nuk është i plotë.
- Kur papajtueshmëria e përmendur në paragrafin 1 vazhdon, shteti anëtar merr të gjitha masat e përshtatshme për të kufizuar ose ndaluar shpërndarjen në treg të produktit të ndërtimit ose sigurohet që ai të kthehet ose të tërhiqet nga tregu.
KREU IX
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 60
Aktet e Deleguara
Me qëllim për të arritur objektivat e kësaj rregulloreje, në veçanti për të hequr dhe shmangur kufizimet për shpërndarjen e produkteve të ndërtimit në treg, çështjet në vijim i delegohen Komisionit në përputhje me nenin 61 dhe duke iu nënshtruar kushteve të përcaktuara në nenet 62 dhe 63;
- a) përcaktimi, sipas rastit, i karakteristikave thelbësore ose niveleve minimale brenda familjeve specifike të produkteve të ndërtimit në lidhje me të cilat, në përputhje me nenet 3 dhe 6, prodhuesi deklaron, në lidhje me përdorimin e tyre të synuar, sipas niveleve ose kategorive, ose në një përshkrim, performancën e produktit të prodhuesit kur ai hidhet në treg;
- b) kushtet sipas të cilave një deklaratë performance mund të përpunohet në rrugë elektronike, me qëllim për ta shpërndarë atë në një faqe interneti në përputhje me nenin 7;
- c) ndryshimi i periudhës gjatë së cilës prodhuesi mban dokumentacionin teknik dhe deklaratën e performancës pasi produkti i ndërtimit është hedhur në treg, në përputhje me nenin 11, bazuar në jetëgjatësinë e pritshme ose rolin që luan produkti i ndërtimit në veprat e ndërtimit;
- d) ndryshimi i shtojcës II dhe, sipas nevojës, miratimi i rregullave procedurale plotësuese në përputhje me nenin 19, paragrafi 3, me qëllim për të garantuar pajtueshmërinë me parimet e paraqitura në nenin 20, ose zbatimin në praktikë të procedurave të përcaktuara në nenin 21;
- e) përshtatja e shtojcës III, tabelës 1 të shtojcës IV dhe shtojcës V sipas progresit teknik;
- f) përcaktimi dhe përshtatja e kategorive të performancës sipas progresit teknik, në përputhje me nenin 27, paragrafi 1;
- g) kushtet sipas të cilave produkti i ndërtimit konsiderohet se plotëson një nivel ose kategori të caktuar performance pa e testuar ose pa testime të mëtejshme, në përputhje me nenin 27, paragrafi 5, me kusht që me anë të këtij veprimi të mos cenohet përmbushja e kërkesave bazë për veprat e ndërtimit;
- h) përshtatja, ngritja dhe rishikimi i sistemeve të vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës, në përputhje me nenin 28, në lidhje me një produkt të caktuar, një familje të caktuar produktesh ose një karakteristikë thelbësore të caktuar dhe në përputhje me:
- Rëndësinë e rolit që luan produkti ose këto karakteristika thelbësore në lidhje me kërkesat bazë për veprat e ndërtimit;
- Natyrën e produktit;
III. Efektin e ndryshueshmërisë së karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit gjatë jetëgjatësisë së pritshme të produktit; dhe
- Mundësinë për të dalluar defektet në prodhimin e produktit.
Neni 61
Ushtrimi i delegimit
- Komisionit i delegohen kompetencat për të miratuar aktet e deleguara që përmenden në nenin 60 për një periudhë 5 vjeçare nga 24 prilli 2011. Komisioni harton një raport në lidhje me kompetencën e deleguar jo më vonë se 6 muaj përpara përfundimit të periudhës 5 vjeçare. Delegimi i kompetencave shtyhet automatikisht për periudha me kohëzgjatje identike, përveçse kur Komisioni Evropian ose Këshilli e revokon atë në përputhje me nenin 62.
- Kur miraton një akt të deleguar, Komisioni njofton për këtë njëkohësisht Parlamentin Evropian dhe Këshillin.
- Kompetencat për të miratuar aktet e deleguara i delegohen Komisionit sipas kushteve të përcaktuara në nenet 62 dhe 63.
Neni 62
Revokimi i delegimit
- Delegimi i kompetencës që përmendet në nenin 60 mund të revokohet në çdo kohë nga Parlamenti Evropian ose nga Këshilli.
- Institucioni që ka nisur një procedurë të brendshme për të vendosur nëse duhet të revokojë delegimin e kompetencave përpiqet të informojë institucionin tjetër dhe Komisionin brenda një kohe të arsyeshme përpara se të merret vendimi përfundimtar, duke cilësuar kompetencën e deleguar që mund të jetë objekt revokimi dhe arsyet e mundshme për një revokim.
- Vendimi i revokimit i jep fund delegimit të kompetencave të specifikuar në atë vendim. Ai hyn në fuqi menjëherë ose në një datë të mëvonshme që specifikohet në atë vendim. Ai nuk prek vlefshmërinë e akteve të deleguara të hyrë tashmë në fuqi. Vendimi botohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 63
Kundërshtimet për aktet e deleguara
- Parlamenti Evropian ose Këshilli mund të kundërshtojnë një akt të deleguar brenda një periudhe 3 mujore nga data e njoftimit.
Me nismën e Parlamentit Evropian ose të Këshillit, kjo periudhë zgjatet me 3 muaj të tjerë.
- Nëse në përfundim të periudhës së përmendur në paragrafin 1, as Parlamenti Evropian dhe as Këshilli nuk ka kundërshtuar aktin e deleguar, ai botohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe hyn në fuqi në datën që deklarohet aty.
Akti i deleguar mund të botohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe mund të hyjë në fuqi përpara përfundimit të kësaj periudhe, nëse Parlamenti Evropian dhe Këshilli kanë informuar që të dy Komisionin për qëllimin e tyre për të mos paraqitur kundërshtime.
- Nëse Parlamenti Evropian ose Këshilli kundërshtojnë një akt të deleguar brenda periudhës së përmendur në paragrafin 1, ai nuk hyn në fuqi. Institucioni i cili e kundërshton aktin e deleguar deklaron arsyet për këtë kundërshtim.
Neni 64
Komiteti
- Komisioni asistohet nga një Komitet i Përhershëm për Ndërtim.
- Në lidhje me këtë paragraf, zbatohen nenet 3 dhe 7 të Vendimit 1999/468/KE.
- Shtetet anëtare sigurohen që anëtarët e Komitetit të Përhershëm për Ndërtim janë në gjendje të ushtrojnë funksionet e tyre në një mënyrë të tillë që shmang konfliktet e interesit, në veçanti në lidhje me procedurat për marrjen e shenjës CE.
Neni 65
Shfuqizimi
- Direktiva 89/106/KEE shfuqizohet.
- Referimet në direktivën e shfuqizuar interpretohen si referime në këtë rregullore.
Neni 66
Dispozita kalimtare
- Produktet e ndërtimit që janë hedhur në treg në përputhje me Direktivën 89/106/KEE përpara 1 korrikut 2013 konsiderohen se janë në pajtim me këtë rregullore.
- Prodhuesit mund të hartojnë një deklaratë performance mbi bazën e një certifikate konformiteti ose një deklarate konformiteti, e cila është lëshuar përpara datës 1 korrik 2013 në përputhje me Direktivën 89/106/KEE.
- Udhëzimet për miratimin teknik evropian të botuar përpara datës 1 korrik 2013 në përputhje me nenin 11 të Direktivës 89/106/KEE mund të përdoren si dokumente të vlerësimit evropian.
- Prodhuesit dhe importuesit mund të përdorin miratimet teknike evropiane të lëshuara në përputhje me nenin 9 të Direktivës 89/106/KEE përpara datës 1 korrik 2013 si vlerësime teknike evropiane përgjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së këtyre miratimeve.
Neni 67
Raportimi nga Komisioni
- Përpara datës 25 prill 2014, Komisioni vlerëson nevojën specifike për informacion për përmbajtjen e substancave të rrezikshme në produktet e ndërtimit dhe konsideron mundësinë për të përfshirë edhe substanca të tjera në detyrimin për informacion, që parashikohet në nenin 6, paragrafi 5 dhe i raporton Parlamentit Evropian dhe Këshillit për këtë fakt. Në vlerësimin e tij Komisioni merr në konsideratë, ndër të tjera, nevojën për të garantuar në nivel të lartë mbrojtjeje të shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve që përdorin produktet e ndërtimit dhe të përdoruesve të veprave të ndërtimit, duke përfshirë në lidhje me kërkesat për riciklimin dhe/ose ripërdorimin e pjesëve ose materialeve.
Sipas rastit, brenda 2 viteve nga dorëzimi i raportit tek Parlamenti Evropian dhe Këshilli, raporti pasohet nga propozimet legjislative të përshtatshme.
- Përpara datës 25 prill 2016 Komisioni i dorëzon Parlamentit Evropian dhe Këshillit një raport për zbatimin e kësaj rregulloreje, duke përfshirë për nenet 19, 20, 21, 23, 24 dhe 37 bazuar në raportet e dorëzuara nga shtetet anëtare dhe nga grupet e tjera të interesit, të shoqëruar, sipas rastit, nga propozimet e përshtatshme.
Neni 68
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi 20 ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, nenet 3 deri në 28, nenet 36 deri në 38, nenet 56 deri në 63, nenet 65 dhe 66 si edhe shtojcat I, II, III dhe V zbatohen që nga data 1 korrik 2013.
Kjo rregullore është detyruese në tërësinë e saj dhe drejtpërdrejt e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare.
Nënshkruar në Strasburg, më 9 mars 2011.
Për Parlamentin Evropian
Presidenti
- BUZEK
Për Këshillin
Presidenti
GYŐRI E.
SHTOJCA I
KËRKESAT BAZË PËR VEPRAT E NDËRTIMIT
Veprat e ndërtimit në tërësi dhe në pjesët e tyre të veçanta duhet të jenë të përshtatshme për përdorimin e tyre të synuar, duke marrë në konsideratë në veçanti shëndetin dhe sigurinë e personave të përfshirë gjatë gjithë jetëgjatësisë së veprave. Duke iu nënshtruar mirëmbajtjes normale, veprat e ndërtimit duhet të përmbushin këto kërkesa bazë për veprat e ndërtimit për një jetëgjatësi pune të arsyeshme nga ana ekonomike.
- Rezistenca dhe qëndrueshmëria mekanike
Veprat e ndërtimit duhet të projektohen dhe të ndërtohen në mënyrë të tillë që ngarkesat që do të kalojnë mbi to gjatë ndërtimit dhe përdorimit të tyre të mos çojnë në një nga situatat e mëposhtme:
- a) shembje të të gjithë veprës ose një pjese të saj;
- b) deformime të mëdha në një shkallë të papranueshme;
- c) dëmtim të pjesëve të tjera të veprës së ndërtimit ose montimeve ose pajisjeve të instaluara si pasojë e deformimit të madh të ndërtimit që mban peshën;
- d) dëmtim nga një ngjarje, i cili nuk është proporcional me shkakun fillestar.
- Siguria në rast zjarri
Veprat e ndërtimit duhet të projektohen dhe të ndërtohen në mënyrë të tillë që në rast se bie zjarr:
- a) kapaciteti i ndërtimit për të mbajtur peshë të ruhet për një periudhë kohore specifike;
- b) rënia dhe shpërndarja e zjarrit dhe tymit brenda veprave të ndërtimit të kufizohet;
- c) shpërndarja e zjarrit në veprat e ndërtimit në afërsi të kufizohet;
- d) personat që përdorin veprën e ndërtimit të mund të largohen ose të shpëtohen nëpërmjet mënyrave të tjera;
- e) siguria e skuadrave të shpëtimit të merret në konsideratë.
- Higjiena, shëndeti dhe mjedisi
Veprat e ndërtimit duhet të projektohen dhe të ndërtohen në mënyrë të tillë që gjatë gjithë jetëgjatësisë së tyre, të mos paraqesin rrezik për higjienën ose shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve, personave që e përdorin atë ose për fqinjët, dhe as të mos kenë një ndikim tepër të lartë, gjatë gjithë jetëgjatësisë së tyre, në cilësinë e mjedisit ose në klimë gjatë ndërtimit, përdorimit dhe shembjes së tyre, në veçanti si rezultat i:
- a) lëshimit të gazeve toksike;
- b) shkarkimit të substancave të rrezikshme, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOC), gazeve me efekt serë ose grimcave të rrezikshme në ajrin e brendshëm ose të jashtëm;
- c) shkarkimit të rrezatimit të rrezikshëm;
- d) çlirimit të substancave të rrezikshme në ujërat nëntokësore, ujërat detare, ujërat sipërfaqësore ose në tokë;
- e) çlirimit të substancave të rrezikshme në ujin e pijshëm ose të substancave që mund të kenë ndikim negativ në ujin e pijshëm;
- f) shkarkimin e gabuar të ujërave të zeza, shkarkimin e gazeve të oxhakut ose shkarkimin e gabuar të mbetjeve të ngurta ose të lëngshme;
- g) lagështirës në pjesë të veprave të ndërtimit ose në sipërfaqe brenda veprave të ndërtimit.
- Siguria dhe aksesueshmëria gjatë përdorimit
Veprat e ndërtimit duhet të projektohen dhe të ndërtohen në mënyrë të tillë që ata të mos paraqesin rreziqe të papranueshme për aksidente ose shërbime gjatë shërbimit ose përdorimit, si rrëshqitje, rrëzime, përplasje, djegie, goditje elektrike, lëndime nga shpërthimi dhe vjedhjet. Në veçanti, veprat e ndërtimit duhet të projektohen dhe të ndërtohen duke marrë në konsideratë aksesueshmërinë dhe përdorimin e tyre nga personat me aftësi të kufizuara.
- Mbrojtja nga zhurma
Veprat e ndërtimit duhet të projektohen dhe të ndërtohen në mënyrë të tillë që zhurma e perceptuar nga personat që e përdorin atë ose personat në afërsi të saj të mbahet në një nivel që nuk rrezikon dëgjimin e tyre dhe u lejon atyre që të flenë, të pushojnë dhe të punojnë në kushte të kënaqshme.
- Kursimi i energjisë dhe mbajtja e ngrohjes
Veprat e ndërtimit dhe instalimet e tyre të ngrohjes, ftohjes, ndriçimit dhe ajrosjes duhet të projektohen dhe të ndërtohen në mënyrë të tillë që sasia e energjisë që kërkohet për përdorim të jetë e ulët, kur merren në konsideratë personat që e përdorin atë dhe kushtet klimatike të zonës. Veprat e ndërtimit gjithashtu duhet të jenë efiçente për energjinë, duke përdorur sa më pak energji që të jetë e mundur gjatë ndërtimit dhe çmontimit të tyre.
- Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore
Veprat e ndërtimit duhet të hartohen, të ndërtohen dhe të shemben në mënyrë të tillë që përdorimi i burimeve natyrore të jetë i qëndrueshëm dhe në veçanti të garantojë si në vijim:
- a) mundësinë për të ripërdorur ose ricikluar veprat e ndërtimit, materialet dhe pjesët e tyre pas shembjes;
- b) qëndrueshmërinë e veprave të ndërtimit;
- c) përdorimin e lëndëve të para dhe dytësore të pajtueshme me mjedisin në veprat e ndërtimit.
SHTOJCA II
PROCEDURA PËR MIRATIMIN E NJË DOKUMENTI TË VLERËSIMIT EVROPIAN
- Kërkesa për një vlerësim teknik evropian
Kur një prodhues bën kërkesë për një vlerësim teknik evropian pranë çdo OVT-je për një produkt ndërtimi dhe pasi prodhuesi dhe OVT-ja (në vijim "OVT-ja përgjegjëse) të kenë nënshkruar një marrëveshje për ruajtjen e fshehtësisë tregtare dhe konfidencialitetit, nëse prodhuesi nuk vendos ndryshe, prodhuesi i dorëzon OVT-së përgjegjëse një skedar teknik ku përshkruhet produkti, përdorimi i tij siç parashikohet nga prodhuesi dhe detajet e kontrollit të prodhimit në fabrikë që prodhuesi synon të ushtrojë.
- Kontrata
Për produktet e ndërtimit që përmenden në nenin 21, paragrafi 1, germa "c", brenda 1 muaji pas marrjes së skedarit teknik, prodhuesi dhe OVT-ja përgjegjëse lidhin një kontratë për përgatitjen e një vlerësimi teknik evropian ku përcaktohet programi i punës për hartimin e dokumentit të vlerësimit evropian, duke përfshirë:
- organizimin e punës brenda organizatës së OVT-ve,
- përbërjen e grupit të punës që do të ngrihet brenda organizatës së OVT-ve, që është caktuar për fushën e produktit në fjalë,
- koordinimin e OVT-ve.
- Programi i punës
Pas lidhjes së kontratës me prodhuesin, organizata e OVT-ve informon Komisionin për programin e punës për hartimin e dokumentit të vlerësimit evropian, planin për ekzekutimin e tij duke treguar edhe programin e vlerësimit. Komunikimi bëhet brenda 3 muajve nga marrja e kërkesës për një vlerësim teknik evropian.
- Drafti i dokumentit të vlerësimit evropian
Organizata e OVT-ve përfundon një draft të dokumentit të vlerësimit evropian nëpërmjet grupit të punës që koordinohet nga OVT-ja përgjegjëse dhe ia komunikon këtë draft palëve të përfshira brenda 6 muajve nga data kur Komisioni është njoftuar për programin e punës.
- Pjesëmarrja e Komisionit
Një përfaqësues i Komisionit mund të marrë pjesë si vëzhgues në të gjitha pjesët e ekzekutimit të programit të punës.
- shtyrja dhe vonesa
Grupi i punës i raporton organizatës së OVT-ve dhe Komisionit çdo vonesë në lidhje me afatet kohore të vendosura në seksionet 1 deri në 4 në këtë shtojcë.
Në rast se shtyrja e afateve kohore për përgatitjen e dokumentit të vlerësimit evropian mund të justifikohet, kryesisht për shkak të mungesës së vendimit të Komisionit për sistemin e zbatueshëm të vlerësimit dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së performancës për produktin e ndërtimit ose për shkak të nevojës për të përgatitur një metodë të re testimi, Komisioni vendos një afat kohor të ri.
- Ndryshimet dhe miratimi i dokumentit të vlerësimit evropian
OVT-ja përgjegjëse ia komunikon draftin e dokumentit të vlerësimit evropian prodhuesit, i cili ka në dispozicion 15 ditë pune për të shprehur mendimin e tij. Në vijim, organizata e OVT-ve:
- a) nëse është e zbatueshme, informon prodhuesin se si janë marrë në konsideratë mendimet e tij;
- b) miraton dokumentin e vlerësimit evropian; dhe
- c) i dërgon një kopje Komisionit.
Nëse brenda 15 ditëve pune pas marrje, Komisioni i komunikon organizatës së OVT-ve vëzhgimet e tij për draftin e dokumentit të vlerësimit evropian, organizata e OVT-ve, pasi ka pasur mundësinë të japë komentet e saj, e ndryshon draftin sipas rastit dhe i dërgon prodhuesit dhe Komisionit nga një kopje të dokumentit të vlerësimit evropian.
- Dokumenti përfundimtar i vlerësimit evropian që do të botohet
Sapo OVT-ja përgjegjëse të lëshojë vlerësimin e parë teknik evropian mbi bazën e dokumentit të vlerësimit evropian që është miratuar, ky dokument i vlerësimit evropian rregullohet, nëse është nevoja, bazuar në përvojën e përftuar. Organizata e OVT-ve miraton dokumentin përfundimtar të vlerësimit evropian dhe i dërgon Komisionit një kopje të tij së bashku me një përkthim të titullit të tij në të gjitha gjuhët e Bashkimit Evropian, për botimin e referencës së tij. Organizata e OVT-ve vë në dispozicion dokumentin e vlerësimit evropian nëpërmjet mjeteve elektronike sapo produktit t’i jetë vendosur shenja CE.
SHTOJCA III
DEKLARATA E PERFORMANCËS
Nr. ...
- Kodin unik i identifikimit për produktin tip: …
- Lloji, grupi ose numri serial ose çdo element tjetër që lejon identifikimin e produktit të ndërtimit siç kërkohet sipas nenit 11, paragrafi 4:
…
- Përdorimi ose përdorimet e synuara të produktit të ndërtimit, në përputhje me specifikimet teknike të harmonizuara, siç parashikohen nga prodhuesi:
…
…
- Emri, emri tregtar i regjistruar ose marka tregtare e regjistruar dhe adresa e kontaktit të prodhuesit, siç kërkohet sipas nenit 11, paragrafi 5:
…
…
- Sipas rastit, emri dhe adresa e kontaktit të përfaqësuesit të autorizuar mandati i të cilit mbulon detyrat e specifikuara në nenin 12, paragrafi 2:
…
…
- Sistemin ose sistemet për vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës së produktit të ndërtimit, siç përcaktohet në shtojcën V:
…
…
- Në rastin e deklaratës së performancës në lidhje me një produkt ndërtimi që mbulohet nga një standard i harmonizuar:
…
(emri dhe numri i identifikimit të organit të njoftuar, sipas rastit)
ka kryer... sipas sistemit ...
(Përshkrimi i detyrave si palë e tretë, siç përcaktohen në shtojcën V)
dhe ka lëshuar...
(certifikatë për qëndrueshmërinë e performancës, certifikatë për konformitetin e kontrollit të prodhimit në fabrikë, raporte testimi/llogaritjeje - sipas rastit)
- Në rastin e një deklarate performance në lidhje me një produkt ndërtimi për të cilin është lëshuar një vlerësim teknik evropian:
…
(emri dhe numri i identifikimit të organit të vlerësimit teknik, sipas rastit)
ka lëshuar ...
(numri i referencës së vlerësimit teknik evropian)
mbi bazën e...,
(numri i referencës së dokumentit të vlerësimit)
ka kryer... sipas sistemit ...
(Përshkrimi i detyrave si palë e tretë, siç përcaktohen në shtojcën V)
dhe ka lëshuar...
(certifikatë për qëndrueshmërinë e performancës, certifikatë për konformitetin e kontrollit të prodhimit në fabrikë, raporte testimi/llogaritjeje - sipas rastit)
- Performanca e deklaruar
Shënime për tabelën.
- Në kolonën 1 paraqitet lista e karakteristikave thelbësore, siç përcaktohen në specifikimin teknik të harmonizuar për përdorimin ose përdorimet e deklaruara në pikën 3 më lart.
- Për çdo karakteristikë thelbësore të paraqitur në kolonën 1 dhe në pajtim me kërkesat e nenit 6, kolona 2 përmban performancën e deklaruar, e shprehur sipas nivelit ose kategorisë, ose në një përshkrim, në lidhje me karakteristikat thelbësore përkatëse. Germat "APP" (Asnjë performancë e përcaktuar) vendosen kur nuk është deklaruar asnjë performancë.
- Për çdo karakteristikë thelbësore të paraqitur në kolonën 1, kolona 3 përmban:
- a) referencë me datë për standardin e harmonizuar përkatës dhe, sipas rastit, numrin e referencës së dokumentacionit teknik specifik ose të përshtatshëm që është përdorur;
ose
- b) referencë me datë për dokumentin e vlerësimit evropian përkatës, sipas rastit, dhe numrin e referencës së vlerësimit teknik evropian që është përdorur.
Karakteristikat thelbësore
(shih shënimin 1) Performanca
(shih shënimin 2) Specifikimi teknik i harmonizuar
(shih shënimin 3)
Në rastet kur është përdorur dokumentacioni teknik specifik, sipas nenit 37 ose 38, kërkesat me të cilat pajtohet produkti:
…
…
- Performanca e produktit të identifikuar në pikat 1 dhe 2 është konform performancës së deklaruar në pikën 9.
Kjo deklaratë performance është lëshuar vetëm nën përgjegjësinë e prodhuesit të identifikuar në pikën 4.
Nënshkruar në emër të prodhuesit nga:
…
(emri dhe pozicioni)
……
(vendi dhe data e lëshimit) (nënshkrimi)
SHTOJCA IV
FUSHAT E PRODUKTIT DHE KËRKESAT PËR OVT-të
Tabela 1 — Fushat e produktit
KODI I ZONËS FUSHA E PRODUKTIT
- PRODUKTE BETONI NDËRTIMI NORMALE PARAFABRIKATE/ME PESHË TË LEHTË/TË AJROSUR NË AUTOKLAVË
- DYER, DRITARE, GRILA, PORTA DHE PJESË QË LIDHEN ME NDËRTESËN
- MEMBRANA, DUKE PËRFSHIRË LËNGUN E VENDOSUR DHE VEGLAT (PËR KONTROLLIN E UJIT DHE/OSE AVULLIT TË UJIT).
- PRODUKTE TERMOIZOLIMI.
VEGLA/SISTEME IZOLIMI TË PËRBËRA
- LIDHJE PËR STRUKTURAT
PIKETA PËR LIDHJE STRUKTURORE.
- OXHAQE, TUBA SHKARKIMI DHE PRODUKTE SPECIFIKE
- PRODUKTE GIPSI.
- GJEOTEKSTILE, GJEOMEMBRANA DHE PRODUKTE QË LIDHEN ME TO.
- LUSTRIM IZOLUES MBROJTËS ME MUR/VESHJE/STRUKTURË
10 PAJISJE FIKSE PËR SHUARJEN E ZJARRIT (ALARM ZJARRI/PËR ZBULIM ZJARRI, PAJISJE FIKSE PËR SHUARJEN E ZJARRIT, PRODUKT PËR KONTROLLIN E ZJARRIT DHE TYMIT DHE KUFIZIMIN E SHPËRTHIMIT).
- PAJISJET SANITARE.
- INSTALIME PËR QARKULLIM: PAJISJE PËR RRUGËN.
- PRODUKTE/ELEMENTE STRUKTURORE PREJ DRURI DHE ELEMENTET NDIHMËSE.
- PANELE DHE ELEMENTE PREJ DRURI.
- ÇIMENTO, GËLQERE PËR NDËRTIM DHE LIDHËS TË TJERË HIDRAULIKË.
- ÇELIK PËR TË PËRFORCUAR DHE KOMPRESUAR BETONIN (DHE ELEMENTET NDIHMËSE)
VEGLAT PAS TËRHEQJES.
- NDËRTIMI I MURIT DHE PRODUKTE TË LIDHURA ME TË.
NJËSITË PËR NDËRTIMIN E MUREVE, LLAÇ DHE ELEMENTE NDIHMËSE.
- PRODUKTE PËR NDËRTIMIN E SISTEMIT TË UJËRAVE TË ZEZA.
- DYSHEMETË
20 PRODUKTE STRUKTURORE METALIKE DHE ELEMENTET NDIHMËSE.
- PATINIMI I MUREVE TË JASHTME DHE TË BRENDSHME DHE TAVANEVE VEGLA PËR NDARJET E BRENDSHME
- MBULESË ÇATIE, DRITA ÇATIE, DRITARE NË ÇATI DHE PRODUKTE NDIHMËSE.
VEGLA PËR ÇATINË.
- PRODUKTE PËR NDËRTIMIN E RRUGËVE
- MATERIALE PËR BETON.
- ADEZIVË PËR NDËRTIM.
- PRODUKTE QË LIDHEN ME BETONIN, LLAÇIN DHE FINON.
- PAJISJE PËR NGROHJEN E HAPËSIRAVE
- TUBACIONET, DEPOZITAT DHE ELEMENTET NDIHMËSE QË NUK JANË NË KONTAKT ME UJIN DHE SYNOHEN PËR T’U PËRDORUR NGA NJERËZIT
- PRODUKTE NDËRTIMI NË KONTAKT ME UJIN DHE QË SYNOHEN PËR T’U PËRDORUR NGA NJERËZIT
- XHAM I SHESHTË, PROFILE XHAMI DHE TULLA XHAMI.
- KABLLO ENERGJIE, KONTROLLI DHE KOMUNIKIMI.
- IZOLUES PËR ARTIKULACIONET
- MONTIME.
- VEGLA, NJËSI NDËRTIMI DHE ELEMENTE TË PARAFABRIKUARA.
- PRODUKTE PËR NDALIMIN E ZJARRIT, IZOLIMIN E ZJARRIT DHE MBROJTJEN NGA ZJARRI.
PRODUKTE QË VONOJNË PËRHAPJEN E ZJARRIT.
Tabela 2 — Kërkesat për OVT-të
Kompetenca Përshkrimi i kompetencës Kërkesa
- Analizimi i rreziqeve
Identifikoni rreziqet dhe përfitimet e mundshme nga përdorimi i produkteve novatore të ndërtimit në mungesë të informacionit teknik të përcaktuar/konsoliduar në lidhje me performancën e tyre kur instalohen në veprat e ndërtimit. Një OVT ngrihet në zbatim të legjislacionit të brendshëm dhe ka personalitet juridik. Ajo është e pavarur nga grupet e interesit dhe nga çdo interes në veçanti.
Gjithashtu, stafi i një OVT-je duhet të ketë:
- a) objektivitet dhe gjykim teknik të shëndetshëm;
- b) njohuri të detajuara të dispozitave rregullatore dhe kërkesave të tjera në fuqi në shtetin anëtar ku është emëruar në lidhje me ato fusha produkti për të cilat do të emërohet;
- c) njohuri të përgjithshme për praktikën e ndërtimit dhe njohuri teknike të detajuara, në lidhje me fushat e produktit për të cilat do të emërohet;
- d) njohuri të detajuara të rreziqeve specifike të përfshira dhe aspektet teknike të procesit të ndërtimit;
- e) njohuri të detajuara të standardeve të harmonizuara ekzistuese dhe metodave të testimit brenda fushave të produktit për të cilat do të emërohet;
- f) aftësi gjuhësore të përshtatshme.
Shpërblimi i personelit të OVT-së nuk varet nga numri i vlerësimeve të kryera apo nga rezultatet e këtyre vlerësimeve.
- Përcaktimi i kritereve teknike
Transformimi i rezultateve të analizës së rrezikut në kritere teknike për vlerësimin e mbarëvajtjes dhe performancës së produkteve të ndërtimit për sa i përket përmbushjes së kërkesave kombëtare të zbatueshme;
Ofrimi i informacionit teknik të nevojshëm nga ata që marrin pjesë në procesin e ndërtimit si përdorues të mundshëm të produkteve të ndërtimit (prodhuesit, projektuesit, kontraktorët, instaluesit).
- Përcaktimi i metodave të vlerësimit
Projektimi dhe miratimi i metodave të përshtatshme (testimet dhe llogaritjet) për të vlerësuar performancën për karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit, duke marrë në konsideratë gjendjen aktuale të artikullit.
- Përcaktimi i kontrollit specifik të prodhimit në fabrikë
Të kuptuarit dhe vlerësimi i procesit të prodhimit të produktit specifik me qëllim identifikimin e masave të përshtatshme që garantojnë qëndrueshmërinë e produktit përgjatë gjithë procesit të caktuar të prodhimit. Një OVT duhet të ketë një staf me njohuritë e nevojshme për marrëdhënien ndërmjet proceseve të prodhimit dhe karakteristikave të produktit që lidhen me kontrollin e prodhimit në fabrikë.
- Vlerësimi i produktit
Vlerësimi i performancës për karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit mbi bazën e metodave të harmonizuara kundrejt kritereve të harmonizuara. Përveç kërkesave që paraqiten në pikat 1, 2 dhe 3, një OVT ka qasje në mjetet dhe pajisjet e nevojshme për vlerësimin e performancës për karakteristikat thelbësore të produkteve të ndërtimit brenda fushave të produktit për të cilat ajo është emëruar.
- Menaxhimi i përgjithshëm
Garanton konsistencën, besueshmërinë, objektivitetin dhe gjurmueshmërinë përgjatë gjithë zbatimit të metodave të përshtatshme të menaxhimit. Një OVT duhet të ketë:
- a) të dhëna që vërtetojnë respektimin e një sjelljeje të mirë administrative;
- b) një politikë dhe procedura mbështetëse që garantojnë konfidencialitetin e informacioneve delikate brenda OVT-së dhe të gjithë partnerëve të saj;
- c) një sistem për kontrollin e dokumentit që garanton regjistrimin, gjurmueshmërinë, mbajtjen dhe arkivimin e të gjitha dokumenteve të rëndësishme;
- d) një mekanizëm për auditin e brendshëm dhe rishikimin nga drejtuesit për të garantuar monitorimin e rregullt të pajtueshmërisë me metodat e përshtatshme të menaxhimit;
- e) një procedurë për të trajtuar me objektivitet apelimet dhe ankesat.
SHTOJCA V
VLERËSIMI DHE VERIFIKIMI I QËNDRUESHMËRISË SË PERFORMANCËS
- SISTEMET PËR VLERËSIMIN DHE VERIFIKIMIN E QËNDRUESHMËRISË SË PERFORMANCËS
1,1. Sistemi 1+ – Deklarata e performancës së karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit nga prodhuesi bazuar në zërat e mëposhtëm:
- a) prodhuesi kryen:
- Kontrollin e prodhimit në fabrikë;
- Testime të mëtejshme të kampionëve të marrë në fabrikë në përputhje me planin e përshkruar të testimit;
- b) organi i njoftuar për certifikimin e produktit lëshon certifikatën për qëndrueshmërinë e performancës së produktit bazuar në:
- Përcaktimin e produktit tip bazuar në testimin e tipit (duke përfshirë kampionimin), llogaritjen e tipit, vlerat e tabuluara ose dokumentacionin përshkrues të produktit;
- Inspektimin fillestar të fabrikës së prodhimit dhe të kontrollit të prodhimit në fabrikë;
III. Mbikëqyrjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të kontrollit të prodhimit në fabrikë;
- Testime kontrolluese të kampionëve që bëhen përpara hedhjes së produktit në treg.
1.2. Sistemi 1 – Deklarata e performancës së karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit nga prodhuesi bazuar në zërat e mëposhtëm:
- a) prodhuesi kryen:
- Kontrollin e prodhimit në fabrikë;
- Testime të mëtejshme të kampionëve të marrë në fabrikë nga prodhuesi, në përputhje me planin e përshkruar të testimit;
- b) organi i njoftuar për certifikimin e produktit lëshon certifikatën për qëndrueshmërinë e performancës së produktit bazuar në:
- Përcaktimin e produktit tip bazuar në testimin e tipit (duke përfshirë kampionimin), llogaritjen e tipit, vlerat e tabuluara ose dokumentacionin përshkrues të produktit;
- Inspektimin fillestar të fabrikës së prodhimit dhe të kontrollit të prodhimit në fabrikë;
III. Mbikëqyrjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të kontrollit të prodhimit në fabrikë.
1.3. Sistemi 2+ – Deklarata e performancës së karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit nga prodhuesi bazuar në zërat e mëposhtëm:
- a) prodhuesi kryen:
- Përcaktimin e produktit tip bazuar në testimin e tipit (duke përfshirë kampionimin), llogaritjen e tipit, vlerat e tabuluara ose dokumentacionin përshkrues të produktit;
- Kontrollin e prodhimit në fabrikë;
III. Testime të kampionëve të marrë në fabrikë në përputhje me planin e përshkruar të testimit;
- b) organi i njoftuar për certifikimin e kontrollit të produktit lëshon një certifikatë konformiteti për kontrollin e prodhimit në fabrikë bazuar në:
- Inspektimin fillestar të fabrikës së prodhimit dhe të kontrollit të prodhimit në fabrikë;
- Mbikëqyrjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të kontrollit të prodhimit në fabrikë.
1.4. Sistemi 3 – Deklarata e performancës së karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit nga prodhuesi bazuar në zërat e mëposhtëm:
- a) prodhuesi kryen kontrollin e prodhimit në fabrikë;
- b) laboratori i njoftuar i testimit përcakton produktin tip bazuar në testimin e tipit (bazuar në kampionimin e kryer nga prodhuesi), llogaritjen e tipit, vlerat e tabuluara ose dokumentacionin përshkrues të produktit.
1.5. Sistemi 4 – Deklarata e performancës së karakteristikave thelbësore të produktit të ndërtimit nga prodhuesi bazuar në zërat e mëposhtëm:
- a) prodhuesi kryen:
- Përcaktimin e produktit tip bazuar në testimin e tipit, llogaritjen e tipit, vlerat e tabuluara ose dokumentacionin përshkrues të produktit;
- Kontrollin e prodhimit në fabrikë;
- b) asnjë detyrë për organin e njoftuar.
- ORGANET E PËRFSHIRA NË VLERËSIMIN DHE VERIFIKIMIN E QËNDRUESHMËRISË SË PERFORMANCËS
Në lidhje me funksionin e organeve të njoftuara të përfshira në vlerësimin dhe verifikimin e qëndrueshmërisë së performancës për produktet e ndërtimit, duhet të bëhet dallimi ndërmjet:
- Organit për certifikimin e produktit: organ i njoftuar qeveritar ose joqeveritar, i cili ka kompetencën e nevojshme dhe përgjegjësinë për të kryer certifikimin e një produkti në përputhje me rregulloren dhe menaxhimin e përcaktuar;
- Organit për certifikimin e kontrollit të prodhimit në fabrikë: organ i njoftuar qeveritar ose joqeveritar, i cili ka kompetencën e nevojshme dhe përgjegjësinë për të kryer certifikimin e kontrollit të prodhimit në fabrikë në përputhje me rregulloren dhe menaxhimin e përcaktuar;
- Laboratorit të testimit: një laborator i njoftuar, i cili mat, shqyrton, teston, kalibron ose përcakton karakteristikat ose performancën e materialeve ose produkteve të ndërtimit.
- RASTET KUR PËR KARAKTERISTIKAT THELBËSORE NUK KËRKOHET NJË SPECIFIKIM TEKNIK I HARMONIZUAR
- Përgjigja ndaj zjarrit.
- Rezistenca ndaj zjarrit.
- Performanca në rast zjarri të jashtëm.
- Përthithja e zhurmës.
- Shkarkimet e substancave të rrezikshme.
- 1. Gazeta Zyrtare C 218, 11.9.2009, f. 15.
- 2. Qëndrimi i Parlamentit Evropian i 24 prillit 2009 (Gazeta Zyrtare C 184 E, 8.7.2010, f. 441), qëndrimi i Këshillit në leximin e parë të 13 shtatorit 2010 (Gazeta Zyrtare C 282 E, 19.10.2010, f. 1), qëndrimi i Parlamentit Evropian i 18 janarit 2011 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare) dhe vendimi i Këshillit i 28 shkurtit 2011.
- 3. Gazeta Zyrtare L 40, 11.2.1989, f. 12.
- 4. Gazeta Zyrtare L 218, 13.8.2008, f. 30.
- 5. Gazeta Zyrtare L 218, 13.8.2008, f. 82.
- 6. Gazeta Zyrtare L 204, 21.7.1998, f. 37.
- 7. Gazeta Zyrtare L 396, 30.12.2006, f. 1.
- 8. Gazeta Zyrtare L 123, 24.4.1998, f. 1.
- 9. Gazeta Zyrtare L 327, 22.12.2000, f. 1.
- 10. Gazeta Zyrtare L 312, 22.11.2008, f. 3.
- 11. Gazeta Zyrtare L 353, 31.12.2008, f. 1.
- 12. Gazeta Zyrtare L 218, 13.8.2008, f. 21.
- 13. Gazeta Zyrtare L 184, 17.7.1999, f. 23.
- 14. Gazeta Zyrtare L 124, 20.5.2003, f. 36.
- 15. Gazeta Zyrtare L 357, 31.12.2002, f. 1.
- 16. Gazeta Zyrtare L 248, 16.9.2002, f. 1.
- 17. Gazeta Zyrtare L 312, 23.12.1995, f. 1.
- 18. Gazeta Zyrtare L 292, 15.11.1996, f. 2.
- 19. Gazeta Zyrtare L 136, 31.5.1999, f. 1.