-
Lexo Dokumentin
12.7.2007
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 182/19
DIREKTIVË E KËSHILLIT 2007/43/KE, DATË 28 QERSHOR 2007, "PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE MINIMALE PËR MBROJTJEN E PULAVE TË MBAJTURA PËR PRODHIM MISHI"
(Tekst kuptimi i të cilit lidhet me ZEE-në)
KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Komunitetit Evropian dhe në veçanti nenin 37 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit,
Duke pasur parasysh opinionin e Parlamentit Evropian<href="#ntr1-L_2007182EN.01001901-E0001">1,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social<href="#ntr2-L_2007182EN.01001901-E0002">2,
Pas konsultimit me Komitetin e Rajoneve,
Meqë:
1. Protokolli për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve të përmendura në shtojcën e Traktatit themelues të Komunitetit Evropian parashikon se gjatë formulimit dhe zbatimit të politikave bujqësore, Komuniteti dhe shtetet anëtare duhet t'i kushtojnë vëmendje të plotë kërkesave për mirëqenien e kafshëve, duke respektuar dispozitat ligjore ose administrative dhe traditat e shteteve anëtare që lidhen në veçanti me ritet fetare, traditat kulturore dhe trashëgiminë fetare.
2. Direktiva e Këshillit 98/58/KE, datë 20 korrik 1998, "Për mbrojtjen e kafshëve të mbajtura për qëllime blegtorale"3, e hartuar në bazë të Konventës Evropiane "Për mbrojtjen e kafshëve të mbajtura për qëllime blegtorale"4 (në vijim referuar si Konventa), përcakton standardet minimale për mbrojtjen e kafshëve që mbarështohen ose mbahen për qëllime blegtorale, duke përfshirë dispozitat për strehimin, ushqimin, ujin dhe kujdesin e përshtatshëm për nevojat fiziologjike dhe etiologjike të kafshëve.
3. Komuniteti është palë në Konventë dhe, në kuadër të kësaj konvente, është miratuar një Rekomandim specifik lidhur me shpendët shtëpiake (Gallus gallus) që përfshin dispozita shtesë për shpendët e buta të mbajtura për prodhimin e mishit.
4. Raporti i Komitetit Shkencor për Shëndetin dhe Mirëqenien e Kafshëve, i datës 21 mars 2000 "Për mirëqenien e pulave të mbajtura për prodhimin e mishit" doli në përfundimin se ritmi i shpejtë i rritjes së shtameve të pulave që përdoren aktualisht për këtë qëllim nuk shoqërohet me një nivel të kënaqshëm të mirëqenies dhe shëndetit të tyre, dhe se janë reduktuar efektet negative të normave të larta të kafshëve të stokuara në ndërtesa ku mund të ruhen kushte të mira klimatike në ambientet e brendshme.
5. Pasi Autoriteti Evropian i Sigurisë së Ushqimeve (EFSA) të japë opinionet e tij, do të hartohen dispozita specifike për zonat pa shtroja kashte, për të zvogëluar ndikimin e parametrave gjenetike ose për të përfshirë treguesit e mirëqenies përveç pododermatitit.
6. Është e nevojshme të përcaktohen rregulla në nivel Komuniteti për mbrojtjen e pulave të mbajtura për prodhimin e mishit, me qëllim që të shmangen shtrembërimet e konkurrencës që mund të ndërhyjnë në funksionimin e mirë të organizimit të përbashkët të tregut në këtë sektor, si dhe për të garantuar zhvillimin racional të sektorit.
7. Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, me qëllim që të arrihet objektivi bazë i përmirësimit të mirëqenies së kafshëve në kuadër të mbarështimit intensiv të pulave, është e nevojshme të përcaktohen rregullat minimale për mbrojtjen e pulave për prodhim mishi. Kjo direktivë nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për të arritur objektivat e ndjekura në përputhje me paragrafin e tretë të nenit 5 të traktatit.
8. Këto rregulla duhet të përqendrohen në problemet e mirëqenies në sistemin e mbarështimit intensiv. Për të shmangur masat joproporcionale të zbatueshme për mbajtjen e tufave të vogla të pulave, duhet të përcaktohet një kufi minimal për zbatimin e kësaj direktive.
9. Është e rëndësishme që personat që kujdesen për pulat të kuptojnë kërkesat përkatëse të mirëqenies së kafshëve dhe të marrin trajnimin e duhur për të përmbushur detyrat e tyre ose të kenë fituar përvojë të barasvlershme me këto trajnime.
10. Gjatë përcaktimit të rregullave për mbrojtjen e pulave që mbahen për prodhimin e mishit, duhet të ruhet një balancë mes aspekteve të ndryshme që duhet të merren në konsideratë, për sa i përket mirëqenies dhe shëndetit të kafshëve, aspekteve ekonomike dhe sociale dhe ndikimit në mjedis.
11. Rregullorja (KE) nr. 854/2004 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 29 prill 2004, "Për përcaktimin e rregullave specifike për organizimin e kontrolleve zyrtare për produktet me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor"5 dhe Rregullorja (KE) nr. 882/2004 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 29 prill 2004, "Për kryerjen e kontrolleve zyrtare për të garantuar verifikimin e pajtueshmërisë me ligjin për ushqimin dhe ushqimin për kafshët dhe me rregullat për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve"6 kanë përcaktuar tashmë një kuadër për kontrollet zyrtare, duke përfshirë për përputhshmërinë me disa rregulla për mirëqenien e kafshëve. Gjithashtu, Rregullorja (KE) nr. 882/2004 parashikon detyrimin që shtetet anëtare të dorëzojnë raporte vjetore për zbatimin e planeve kombëtare shumëvjeçare të kontrollit që të përfshijnë rezultatet e kontrolleve dhe auditeve të kryera. Për këtë qëllim, mbështetja financiare parashikohet si në të dyja këto rregullore, edhe në Vendimin e Këshillit 90/424/KEE, datë 26 qershor 1990, "Për shpenzimet në fushën e veterinarisë"7.
12. Në shtete të ndryshme anëtare ekzistojnë tashmë skema të ndryshme vullnetare për etiketimin e mishit të pulës në bazë të përputhshmërisë me standardet e mirëqenies së kafshëve dhe parametra të tjerë.
13. Nisur nga përvoja e fituar në zbatimin e këtyre skemave vullnetare të etiketimit, Komisioni duhet të paraqesë një raport mbi prezantimin e mundshëm të një skeme specifike etiketimi të harmonizuar dhe të detyrueshme në nivelin e BE-së për mishin e pulës, produktet dhe preparatet e mishit, në bazë të përputhshmërisë me standardet për mirëqenien e kafshëve, i cili të përfshijë edhe implikimet e mundshme socio-ekonomike, efektet në partnerët ekonomikë të BE-së dhe pajtueshmërinë e kësaj skeme etiketimi me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
14. Është me vend që Komisioni të dorëzojë një raport bazuar në provat e reja shkencore dhe duke marrë në konsideratë edhe kërkime të tjera dhe përvojën praktike, me qëllimin për të përmirësuar më shumë mirëqenien e pulave të mbajtura për prodhimin e mishit, duke përfshirë tufën mëmë të këtyre zogjve të pulës, veçanërisht sa i përket aspekteve që nuk mbulohen nga kjo direktivë. Ky raport duhet të shqyrtojë në mënyrë specifike mundësinë për të prezantuar kufij për treguesit e kushteve të këqija të mirëqenies të identifikuara gjatë kontrolleve pas ngordhjes, si dhe ndikimin e parametrave gjenetikë te mangësitë e identifikuara që shkaktojnë mirëqenien e keqe të pulave të mbajtura për prodhimin e mishit.
15. Shtetet anëtare duhet të përcaktojnë rregullat për sanksionet e zbatueshme për shkeljen e dispozitave të kësaj direktive dhe të sigurohen që ato zbatohen. Këto sanksione duhet të jenë efikase, proporcionale dhe shtrënguese.
16. Këshilli, në përputhje me paragrafin 34 të marrëveshjes ndërinstitucionale për hartim më të mirë të legjislacionit8, duhet të nxisë shtetet anëtare që të hartojnë për veten e tyre dhe në interes të Komunitetit tabela që ilustrojnë, aq sa është e mundur, përputhshmërinë ndërmjet kësaj direktive dhe masave për transpozim dhe t'i bëjnë ato publike.
17. Masat e nevojshme për zbatimin e kësaj direktive duhet të miratohen në përputhje me Vendimin e Këshillit 1999/468/KE, datë 28 qershor 1999, "Për përcaktimin e procedurave për ushtrimin e kompetencave zbatuese që i delegohen Komisionit"9,
MIRATON KËTË DIREKTIVË:
Neni 1
Objekti dhe fusha e zbatimit
1. Kjo direktivë zbatohet për pulat e destinuara për prodhim mishi.
Megjithatë, kjo rregullore nuk zbatohet për:
a) fermat me më pak se 500 pula;
b) fermat vetëm me stoqe pulash për mbarështim;
c) inkubatorët;
d) zogjtë e pulave në ambiente të brendshme të gjera dhe në hapësira të lira, siç përmendet në paragrafët "b", "c", "d" dhe "e" të shtojcës IV të Rregullores së Komisionit (KEE) nr. 1538/91, datë 5 qershor 1991, "Për rregullat e detajuara për zbatimin e rregullores (KEE) nr. 1906/90 "Për disa standarde për tregtimin e shpendëve të buta10; dhe
e) pulat e mbarështuara në mënyrë organike, në përputhje me Rregulloren e Këshillit (KEE) nr. 2092/91, datë 24 qershor 1991, "Për prodhimin organik të produkteve bujqësore dhe treguesit e tyre në produktet organike dhe produktet ushqimore"11.
2. Kjo direktivë zbatohet për stokun e mbarështimit në ferma që kanë njëkohësisht stok riprodhimi dhe stok mbarështimi.
Shtetet anëtare janë të lira të marrin masa më shtrënguese në fushat që mbulohen nga kjo direktivë.
Përgjegjësia kryesore për mirëqenien e kafshëve qëndron te pronari ose kujdestari i kafshëve.
Neni 2
Përkufizime
1. Për qëllime të kësaj direktive, përdoren përkufizimet e mëposhtme:
a) "pronar" është çdo person fizik ose juridik që ka në pronësi fermën ku mbahen pula;
b) "kujdestar" është çdo person fizik ose juridik përgjegjës ose që ka në ngarkim pulat sipas një kontrate ose me ligj, qoftë në baza të përhershme ose të përkohshme;
c) "autoritet kompetent" është autoriteti qendror i një shteti anëtar kompetent për kryerjen e kontrolleve të mirëqenies së kafshëve dhe kontrolleve veterinare e zooteknike ose çdo autoritet tjetër të cilit i është deleguar kjo kompetencë qoftë në nivel rajonal, lokal ose nivele të tjera;
d) "veteriner zyrtar" është veterineri i kualifikuar në përputhje me shtojcën I, seksioni III, kreu IV(A) të Rregullores (KE) nr. 854/2004 për të vepruar në këtë cilësi dhe i emëruar nga autoriteti kompetent;
e) "pulë" është një shpend i llojit Gallus gallus e destinuar për prodhimin e mishit;
f) "fermë" është vendi i prodhimit ku mbahen pulat;
g) "pulari" është një ndërtesë në një fermë ku mbahen tufat e pulave";
h) "zonë e përdorshme" është një zonë me shtroja kashte e aksesueshme në çdo kohë nga pulat;
i) "dendësi stokimi" është totali i peshës së gjallë të pulave që ndodhen në të njëjtën kohë në një pulari për çdo metër katror të zonës së përdorshme;
j) "tufë" është një grup pulash të vendosura në pularinë e një ferme dhe që ndodhen në të njëjtën kohë në këtë pulari;
k) "shkallë e vdekshmërisë ditore" është numri i pulave që kanë ngordhur në një pulari në të njëjtën ditë, duke përfshirë edhe ato që janë skartuar për shkak të ndonjë sëmundje ose për arsye të tjera, pjesëtuar me numrin e pulave që janë të pranishme në pulari po atë ditë, shumëzuar me 100;
l) "shkallë kumulative e vdekshmërisë ditore" është shuma e shkallëve të vdekshmërisë ditore.
2. Përkufizimi i "zonës së përdorshme" në paragrafin 1, germa "h" në lidhje me zonat pa shtroja kashte mund të plotësohet në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 11, pas rezultateve të opinionit shkencor të Autoritetit Evropian të Sigurisë së Ushqimeve lidhur me ndikimin e zonave pa mbeturina në mirëqenien e pulave.
Neni 3
Kërkesat për mbajtjen e pulave
1. Shtetet anëtare garantojnë që:
a) të gjitha pularitë të përmbushin kërkesat e përcaktuara në shtojcën I;
b) nga autoriteti kompetent ose veterineri zyrtar të kryejë inspektimet e nevojshme dhe monitorimin dhe ndjekjen, duke përfshirë edhe ato të parashikuara në shtojcën III.
2. Shtetet anëtare garantojnë që dendësia maksimale e stokimit në një fermë ose në pularinë e një ferme të mos tejkalojë në asnjë moment 33 kg/m2.
3. Duke deroguar nga paragrafi 2, shtetet anëtare mund të parashikojnë që pulat të mbahen në një dendësi më të lartë stokimi, me kusht që pronari ose kujdestari, përveç kërkesave të përcaktuara në shtojcën I, të respektojë kërkesat e përcaktuara në shtojcën II.
4. Shtetet anëtare sigurohen që, kur lejohet një derogim sipas paragrafit 3, dendësia maksimale e stokimit në një fermë ose në pularinë e një ferme të mos tejkalojë në asnjë moment 39 kg/m2.
5. Kur plotësohen kriteret e përcaktuara në shtojcën V, shtetet anëtare mund të lejojnë dendësia maksimale e stokimit e përmendur në paragrafin 4 të rritet maksimumi me 3 kg/m2.
Neni 4
Trajnimi dhe udhëzimi i personave që kujdesen për pulat
1. Shtetet anëtare garantojnë që kujdestarët që janë persona fizikë të kenë marrë trajnimet e mjaftueshme në lidhje me detyrat e tyre dhe që të vendosen në dispozicion kurset e duhura të trajnimit.
2. Kurset e trajnimit të përmendura në paragrafin 1 përqendrohen në aspektet e mirëqenies dhe mbulojnë veçanërisht çështjet e renditura në shtojcën IV.
3. Shtetet anëtare sigurohen që të krijohet një sistem për kontrollin dhe miratimin e kurseve të trajnimit. Kujdestari i pulave mban një certifikatë e cila njihet nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar në fjalë, e cila vërteton se është kryer ky kurs trajnimi ose që është fituar përvojë e njëvlershme me këtë trajnim.
4. Shtetet anëtare mund të njohin përvojën e fituar përpara datës 30 qershor 2010 si të njëvlershme me pjesëmarrjen në këto kurse trajnimi dhe lëshojnë certifikata që vërtetojë këtë njëvlershmëri.
5. Shtetet anëtare mund të parashikojnë që kërkesat e përcaktuara në paragrafët 1 deri në 4 të zbatohen edhe për pronarët.
6. Pronari ose kujdestari duhet të sigurojë udhëzime për kërkesat përkatëse të mirëqenies së kafshëve, duke përfshirë ato që lidhen me metodat e skartimit të praktikuara në ferma, për personat e punësuar ose që të kontraktuar prej tij për t'u kujdesur për pulat ose për t'i zënë dhe ngarkuar ato.
Neni 5
Etiketimi i mishit të shpendëve
Jo më vonë se data 31 dhjetor 2009, Komisioni i dorëzon Parlamentit Evropian dhe Këshillit një raport për prezantimin e mundshëm të një skeme etiketimi të harmonizuar e të detyrueshme për mishin e pulës, produktet dhe përgatitjet me bazë mishi, bazuar në përputhshmërinë me standardet për mirëqenien e kafshëve.
Ky raport merr në konsideratë implikimet e mundshme social-ekonomike, efektet te parterët ekonomikë të Komunitetit dhe përputhshmërinë e kësaj skeme etiketimi me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Ky raport shoqërohet me propozimet e duhura legjislative, duke marrë në konsideratë këto kushte dhe përvojën e fituar nga shtetet anëtare në zbatimin e skemave vullnetare të etiketimit.
Neni 6
Raportimi i Komisionit për Parlamentin Evropian dhe Këshillin
1. Bazuar në opinionin shkencor të Autoritetit Evropian të Sigurisë së Ushqimeve, Komisioni, jo më vonë se data 31 dhjetor 2010, i dorëzon Parlamentit Evropian dhe Këshillit një raport në lidhje me ndikimin e parametrave gjenetike në mangësitë e identifikuara që çojnë në mirëqenie të dobët të pulave. Sipas rastit, ky raport mund të shoqërohet me propozimet e duhura legjislative.
2. Shtetet anëtare i dorëzojnë Komisionit rezultatet e të dhënave të mbledhura në bazë të monitorimit të kampionit përfaqësues të tufave të therura gjatë një periudhe minimale prej një viti. Për të garantuar një analizë të përshtatshme, kërkesat për marrjen e kampioneve dhe të dhëna që përmenden në shtojcën III duhet të jenë të bazuar në fakte shkencore, objektive dhe të krahasueshme, dhe të përcaktohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 11.
Shtetet anëtare mund të kenë nevojë për një kontribut financiar nga Komuniteti për grumbullimin e të dhënave për qëllimet e kësaj direktive.
3. Në bazë të të dhënave të disponueshme dhe duke marrë në konsideratë provat e reja shkencore, Komisioni, jo më vonë se data 30 qershor 2012, i dorëzon Parlamentit Evropian dhe Këshillit një raport në lidhje me zbatimin e kësaj direktive dhe ndikimin e saj në mirëqenien e kafshëve, si dhe për zhvillimin e treguesve të mirëqenies. Ky raport merr në konsideratë kushtet dhe metodat e ndryshme të prodhimit. Gjithashtu, ai merr në konsideratë implikimet social-ekonomike dhe administrative të kësaj direktive, duke përfshirë edhe aspektet rajonale.
Neni 7
Inspektimet
1. Autoriteti kompetent kryen inspektime jodiskriminuese për të verifikuar përputhshmërinë me kërkesat e kësaj direktive.
Këto inspektime duhet të kryhen te një numër i duhur kafshësh të mbajtura brenda çdo shteti anëtar, në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores (KE) nr. 882/2004, dhe mund të kryhen në të njëjtën kohë me kontrollet që kryhen për qëllime të tjera.
Shtetet anëtare duhet të përcaktojnë procedurat e duhura për përcaktimin e dendësisë së stokimit.
2. Deri më datë 30 qershor të çdo viti, shtetet anëtare i dorëzojnë Komisionit një raport vjetor për vitin pararendës në lidhje me inspektimet e parashikuara në paragrafin 1. Ky raport shoqërohet me një listë të masave më të rëndësishme të marra nga autoriteti kompetent për të trajtuar problemet kryesore të identifikuara të mirëqenies.
Neni 8
Udhëzuesi i praktikave të mira të menaxhimit
Shtetet anëtare nxisin zhvillimin e udhëzueseve të praktikave të mira të menaxhimit, të cilat përfshijnë udhëzimet për përputhshmërinë me këtë direktivë. Duhet të nxitet shpërndarja dhe përdorimi i këtyre udhëzuesve.
Neni 9
Sanksionet
Shtetet anëtare përcaktojnë rregullat për sanksionet e zbatueshme për shkeljet e dispozitave kombëtare të miratuara sipas kësaj direktive dhe marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e tyre. Sanksionet e parashikuara duhet të jenë efikase, proporcionale dhe shtrënguese. Shtetet anëtare njoftojnë Komisionin për këto dispozita jo më vonë se 30 qershori 2010 dhe e njoftojnë atë pa vonesë për çdo ndryshim të mëvonshëm që ka ndikim mbi to.
Neni 10
Kompetencat zbatuese
Masat e nevojshme për të garantuar zbatimin uniform të kësaj direktive mund të miratohen sipas procedurës të përmendur në nenin 11.
Neni 11
Procedura e Komitetit
1. Komisioni mbështetet nga Komiteti i Përhershëm për Zinxhirin Ushqimor dhe Shëndetin e Kafshëve, i ngritur me Rregulloren (KE) nr. 178/2002 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 28 janar 2002, "Për përcaktimin e parimeve dhe kërkesave të përgjithshme të ligjit për ushqimin, krijimin e Autoritetit Evropian të Sigurisë së Ushqimeve dhe përcaktimin e procedurave për çështjet e sigurisë së ushqimeve"12 (Komiteti).
2. Aty ku përmendet ky paragraf, gjejnë zbatim nenet 5 dhe 7 të Vendimit 1999/468/KE.
Periudha e përmendur në nenin 5, paragrafi 6, të Vendimit 1999/468/KE është tre muaj.
Neni 12
Transpozimi
Shtetet anëtare miratojnë ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me këtë direktivë maksimumi deri më datë 30 qershor 2010.
Kur shtetet anëtare i miratojnë këto dispozita, dispozitat do të përmbajnë një referencë për këtë direktivë ose do të shoqërohen nga një referencë e tillë në rastin e botimit zyrtar të tyre. Mënyra sesi do të bëhet kjo referencë përcaktohet nga shtetet anëtare.
Neni 13
Hyrja në fuqi
Kjo direktivë hyn në fuqi 20 ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 14
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Luksemburg, më 28 qershor 2007.
Për Këshillin
Presidenti
S. GABRIEL
SHTOJCA I
KËRKESAT E ZBATUESHME PËR FERMAT
Përveç dispozitave përkatëse të ligjeve të tjera përkatëse të Komunitetit, zbatohen kërkesat e mëposhtme:
Vaskat e ujit
1. Vaskat e ujit duhet të vendosen dhe mirëmbahen në mënyrë të tillë që të minimizohen derdhjet.
Ushqimi
2. Ushqimi duhet të jetë i disponueshëm gjatë gjithë kohës ose duhet të jepet sipas vakteve dhe nuk duhet të merret nga pulat më herët se 12 orë përpara momentit të pritshëm të therjes.
Shtrojat e kashtës
3. Të gjitha pulat duhet të kenë akses të përhershëm në shtrojat e kashtës, të cilat duhet të jenë të thata dhe të shkrifëta në sipërfaqe.
Aspirimi dhe ngrohja
4. Duhet të ketë aspirim të mjaftueshëm për të shmangur tejnxehjen dhe, kur është e nevojshme, duke u kombinuar me sistemet e ngrohjes për të larguar lagështirën e tepërt.
Zhurma
5. Niveli i zhurmës duhet të minimizohet. Ventilatorët e aspirimit, makineritë e të ushqyerit dhe pajisjet e tjera duhet të ndërtohen, të vendosen, të përdoren dhe të mirëmbahen në mënyrë të tillë që të shkaktojnë sa më pak zhurmë të jetë e mundshme.
Ndriçimi
6. Të gjitha ndërtesat duhet të kenë ndriçim me një intensitet minimal prej 20 lux gjatë periudhave të ndriçimit, të matur në nivelit të syrit të zogjve dhe të ndriçojë të paktën 80% të zonës së përdorshme. Sipas nevojës, mund të lejohet një reduktim i përkohshëm i nivelit të ndriçimit sipas këshillave të veterinerit.
7. Brenda shtatë ditëve nga momenti i vendosjes së pulave në ndërtesë dhe deri në tre ditë përpara momentit të parashikuar të therjes, ndriçimi duhet të ndjekë një ritëm 24-orësh dhe të përfshijë periudha errësire që zgjasin të paktën gjashtë orë në total, me të paktën një periudhë të pandërprerë errësire prej të paktën katër orësh, duke përjashtuar periudhat me ndriçim të zbehtë.
Inspektimi
8. Të gjitha pulat e mbajtura në ferma duhet të inspektohen të paktën dy herë në ditë. Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet shenjave që tregojnë një nivel të reduktuar të mirëqenies dhe/ose shëndetit të kafshëve.
9. Pulat që kanë pësuar lëndime të rënda ose që tregojnë shenja të dukshme të çrregullimeve shëndetësore, si për shembull ato që kanë vështirësi në ecje, ënjtje të rëndë ose keqformime të rënda, dhe që kanë gjasa të vuajnë, duhet të marrin trajtimin e duhur ose të skartohen menjëherë. Duhet të kryhen konsulta me veterinerin sa herë të jetë e nevojshme.
Pastrimi
10. Ato pjesë të ndërtesave, pajisjeve ose veglave që janë në kontakt me pulat duhet të pastrohen dhe të dezinfektohen tërësisht pas çdo shpopullimi përfundimtar dhe përpara futjes së tufave të reja në pulari. Pas shpopullimit përfundimtar të pularisë, duhet të largohen të gjitha shtrojat e kashtës dhe duhet të sigurohet shtrojë e re kashte.
Regjistri i të dhënave
11. Pronari ose kujdestari duhet të mbajë një regjistër për çdo pulari të fermës në lidhje me:
a) numrin e pulave të futur në to;
b) zonën e përdorshme;
c) hibridët ose racën e pulave, nëse dihet;
d) pas çdo kontrolli, numrin e zogjve të ngordhur duke treguar edhe shkaqet, nëse dihen, si dhe numrin e zogjve të skartuar me shkak;
e) numrin e pulave që mbeten në tufë pas largimit të pulave për shitje ose për therje.
Këto të dhëna duhet të mbahen të paktën për një periudhë prej tre vjetësh dhe duhet të vendosen në dispozicion të autoritetit kompetent gjatë kryerjes së një inspektimi ose kur të kërkohet ndryshe.
Ndërhyrjet kirurgjikale
12. Duhet të ndalohen të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale të kryera për arsye të tjera përveç qëllimeve terapeutike ose diagnostikuese që rezultojnë në dëmtimin ose në humbjen e një pjese sensitive të trupit ose në ndryshimin e strukturës së kockave.
Megjithatë, shtetet anëtare mund të autorizojnë prerjen e sqepave pasi të jenë shteruar të gjitha masat e tjera për parandalimin e rënies së puplave dhe kanibalizmit. Në këto raste, kjo duhet të kryhet vetëm pas konsultimit dhe udhëzimeve të një veterineri dhe duhet të kryhet nga staf i kualifikuar për zogjtë e pulës të moshës nën 10 ditë. Gjithashtu, shtetet anëtare mund të autorizojnë kastrimin e zogjve të pulës. Kastrimi mund të kryhet nga personeli që ka marrë një trajnim të posaçëm, vetëm nën mbikëqyrjen e veterinerit.
SHTOJCA II
KËRKESAT PËR PËRDORIMIN E DENDËSIVE MË TË LARTA TË STOKIMIT
Njoftimi dhe dokumentacioni
Zbatohen kërkesat e mëposhtme:
1. Pronari ose kujdestari i komunikon autoriteteve kompetente qëllimin e tij për të përdorur një dendësi stokimi prej më shumë se 33 kg/m2 të peshës së gjallë.
Ai tregon shifrën e saktë dhe informon autoritetin kompetent për çdo ndryshim të dendësisë së stokimit të paktën 15 ditë përpara vendosjes së tufave në pulari.
Nëse kërkohet nga autoriteti kompetent, ky njoftim shoqërohet me një dokument ku përmblidhet informacioni që përmban dokumentacioni i nevojshëm sipas pikës 2.
2. Pronari ose kujdestari ruajnë dhe mbajnë të disponueshme në pulari dokumente të hartuara ku përshkruhen me hollësi sistemet e prodhimit. Në veçanti, ky dokumentacion përfshin informacione mbi të dhënat teknike të pularisë dhe pajisjet e saj, si për shembull:
a) një plan të pularisë, duke përfshirë edhe madhësitë e sipërfaqes së zënë nga pulat;
b) aspirimin dhe, nëse është e nevojshme, sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes, duke përfshirë edhe vendndodhjen e tyre, një plan të aspirimit, duke detajuar parametrat e synuar të cilësisë së ajrit, si për shembull qarkullimin e ajrit, shpejtësinë e ajrit dhe temperaturën;
c) sistemet e ushqimit dhe të ujit dhe vendndodhjet e tyre;
d) sistemet e alarmit dhe sistemet dytësore në rastin e ndonjë defekti të pajisjeve automatike ose mekanike që janë thelbësore për shëndetin e mirëqenien e kafshëve;
e) llojin e dyshemesë dhe shtrojat e kashtës të përdorura.
Ky dokumentacion vendoset në dispozicion të autoritetit kompetent me kërkesë të tij dhe duhet të mbahet i përditësuar. Në veçanti, duhet të regjistrohen inspektimet teknike të aspirimit dhe sistemit të alarmit.
Pronari ose kujdestari i komunikon pa vonesë autoritetit kompetent çdo ndryshim në pularinë, pajisjet dhe procedurat e përshkruara që mund të ndikojë në mirëqenien e zogjve.
Kërkesat për fermat - kontrolli i parametrave të mjedisit
3. Pronari ose kujdestari garanton që çdo pulari e një ferme të pajiset me aspirim dhe, nëse është e nevojshme, me një sistem ngrohjeje dhe ftohjeje të projektuar, ndërtuar dhe që funksionon në mënyrë të tillë që:
a) përqendrimi i amoniakut (NH3) të mos e tejkalojë 20 ppm dhe përqendrimi i dioksidit të karbonit (CO2) të mos tejkalojë 3000 ppm të matur në nivelin e kokave të pulave;
b) kur temperatura e jashtme e matur në hije është më e lartë se 30°C, temperatura e brendshme nuk e tejkalon këtë temperaturë të jashtme me më shumë se 3°C;
c) lagështia mesatare relative e matur brenda pularisë gjatë 48 orëve nuk e tejkalon 70% kur temperatura e jashtme është nën 10°C.
SHTOJCA III
MONITORIMI DHE NDJEKJA NË THERTORE
(siç përmendet në nenin 3, paragrafi 1)
1. Vdekshmëria
1.1. Në rastin e dendësive të stokimit më të larta se 33 kg/m2, dokumentacioni që shoqëron tufën përfshin shkallën e vdekshmërisë ditore dhe shkallën kumulative të vdekshmërisë ditore të llogaritur nga pronari ose kujdestari, si dhe hibridin dhe racën e pulave.
1.2. Nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar, duhet të regjistrohen këto të dhëna së bashku me numrin e zogjve të pulës që kanë ngordhur në mbërritje, duke cilësuar fermën dhe pularinë përkatëse. Besueshmëria e këtyre të dhënave dhe e shkallës kumulative të vdekshmërisë ditore kontrollohet duke marrë në konsideratë numrin e zogjve të pulës të therur dhe numrin e zogjve të pulës që kanë mbërritur të ngordhur në thertore.
2. Inspektimi pas therjes
Në kontekstin e kontrolleve të kryera sipas Rregullores (KE) nr. 854/2004, veterineri zyrtar vlerëson rezultatet e inspektimit pas ngordhjes për të identifikuar tregues të tjerë të mundshëm të kushteve të këqija të mirëqenies, si për shembull nivelet jo normale të dermatitit të kontaktit, parazitëve dhe sëmundjeve sistemike në fermë ose në njësinë e pularisë së fermës së origjinës.
3. Komunikimi i rezultateve
Nëse shkalla e vdekshmërisë e përmendur në paragrafin 1 ose rezultatet e inspektimit pas ngordhjes të përmendura në paragrafin 2 janë në përputhje me kushtet e këqija të mirëqenies së kafshëve, veterineri zyrtar ia komunikon këto të dhëna pronarit ose kujdestarit të kafshëve dhe autoriteteve kompetente. Pronari ose kujdestari i kafshëve dhe autoriteti kompetent duhet të marrin masat e duhura.
SHTOJCA IV
TRAJNIMI
Kurset e trajnimit të përmendura në nenin 4, paragrafi 2, mbulojnë të paktën legjislacionin e Komunitetit në lidhje me mbrojtjen e zogjve të pulës dhe në veçanti çështjet e mëposhtme:
a) Shtojcat I dhe II;
b) fiziologjinë, në veçanti nevojat për ujë dhe ushqim, sjelljen e kafshëve dhe konceptin e stresit;
c) aspektet praktike të trajtimit me kujdes të pulave, si dhe zëniet, ngarkimin dhe transportin;
d) kujdesin emergjent për pulat, skartimin dhe therjet e emergjencës;
e) masat parandaluese të biosigurisë.
SHTOJCA V
KRITERET PËR PËRDORIMIN E DENDËSIVE MË TË MËDHA TË STOKIMIT
(siç përmendet në nenin 3, paragrafi 5)
1. Kriteret
a) monitorimi i fermës i kryer nga autoriteti kompetent brenda dy viteve të fundit nuk ka konstatuar asnjë mangësi në lidhje me kërkesat e kësaj direktive, dhe
b) monitorimi nga pronari ose kujdestari i fermës kryhet duke përdorur udhëzuesit e praktikave të mira të menaxhimit që përmenden në nenin 8, dhe
c) në të paktën shtatë tufa të një pularie të kontrolluara në mënyrë të njëpasnjëshme, shkalla kumulative e vdekshmërisë ditore ishte nën 1% + 0,06% shumëzuar me moshën e therjes së tufës të matur në ditë.
Nëse autoriteti kompetent nuk ka kryer asnjë monitorim të fermës brenda të paktën dy vjetësh, duhet të kryhet të paktën një monitorim për të kontrolluar nëse përmbushet kërkesa "a".
2. Rrethana të jashtëzakonshme
Duke deroguar nga pika 1, germa "c", autoriteti kompetent mund të vendosë të rrisë dendësinë e stokimit kur pronari ose kujdestari ka dhënë shpjegime të mjaftueshme për natyrën e veçantë të një shkalle më të lartë kumulative të vdekshmërisë ditore ose ka vërtetuar se shkaqet shkojnë përtej sferës së tij të kontrollit.
<href="#ntc1-L_2007182EN.01001901-E0001">1. Opinioni i dërguar më 14 shkurt 2006 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare).
<href="#ntc2-L_2007182EN.01001901-E0002">2. Opinioni i dërguar më 26 tetor 2005 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare).
<href="#ntc3-L_2007182EN.01001901-E0003">3. Gazeta Zyrtare L 221, 8.8.1998, f. 23. Direktiva e ndryshuar me Rregulloren (KE) nr. 806/2003 (Gazeta Zyrtare L 122, 16.5.2003, f. 1).
<href="#ntc4-L_2007182EN.01001901-E0004">4. Gazeta Zyrtare L 323, 17.11.1978, f. 14. Konventa e ndryshuar nga Protokolli i ndryshimit (Gazeta Zyrtare L 395, 31.12.1992, f. 22).
<href="#ntc5-L_2007182EN.01001901-E0005">5. Gazeta Zyrtare L 139, 30.4.2004, f. 206. Versioni i korrigjuar në Gazetën Zyrtare L 226, 25.6.2004, f. 83. Rregullore e ndryshuar së fundmi me Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 1791/2006 (Gazeta Zyrtare L 363, 20.12.2006, f. 1).
<href="#ntc6-L_2007182EN.01001901-E0006">6. Gazeta Zyrtare L 165, 30.4.2004, f. 1. Versioni i korrigjuar në Gazetën Zyrtare L 191, 28.5.2004, f. 1. Rregullore e ndryshuar së fundmi me Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 1791/2006.
<href="#ntc7-L_2007182EN.01001901-E0007">7. Gazeta Zyrtare L 224, 18.8.1990, f. 19. Vendim i ndryshuar së fundmi me Rregulloren (KE) nr. 1791/2006.
<href="#ntc8-L_2007182EN.01001901-E0008">8. Gazeta Zyrtare C 321, 31.12.2003, f. 1. Versioni i korrigjuar në Gazetën Zyrtare C 4, 8.1.2004, f. 7.
<href="#ntc9-L_2007182EN.01001901-E0009">9. Gazeta Zyrtare L 184, 17.7.1999, f. 23. Vendim i ndryshuar me Vendimin nr. 2006/512/KE (Gazeta Zyrtare L 200, 22.7.2006, f. 11).
<href="#ntc10-L_2007182EN.01001901-E0010">10. Gazeta Zyrtare L 143, 7.6.1991, f. 11. Rregullore e ndryshuar së fundmi me Rregulloren (KE) nr. 2029/2006 (Gazeta Zyrtare L 414, 30.12.2006, f. 29).
<href="#ntc11-L_2007182EN.01001901-E0011">11. Gazeta Zyrtare L 198, 22.7.1991, f. 1. Rregullore e ndryshuar së fundmi me Rregulloren e Komisionit (KE) nr. 394/2007 (Gazeta Zyrtare L 98, 13.4.2007, f. 3).
<href="#ntc12-L_2007182EN.01001901-E0012">12. Gazeta Zyrtare L 31, 1.2.2002, f. 1. Rregullore e ndryshuar së fundmi me Rregulloren e Komisionit (KE) nr. 575/2006 (Gazeta Zyrtare L 100, 8.4.2006, f. 3).