-
Lexo Dokumentin
RREGULLORJA (KE) NR. 2160/2003 E PARLAMENTIT EVROPIAN DHE E KËSHILLIT, DATË 17 NËNTOR 2003, "PËR KONTROLLIN E SALMONELËS DHE AGJENTËVE TË TJERË ZOONOTIKË SPECIFIKË NGA USHQIMI"
Gazeta zyrtare L 325, 12/12/2003 P. 0001 - 0015
PARLAMENTI EVROPIAN DHE KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Komunitetit Evropian dhe në veçanti nenin 152, paragrafi 4, germa "b" të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit1,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social2,
Pas konsultimit me Komitetin e Rajoneve,
Duke vepruar në përputhje me procedurën e parashikuar në nenin 251 të traktatit3,
Meqë:
1. Kafshët e gjalla dhe ushqimet me origjinë shtazore renditen në listën e shtojcës I të traktatit. Mbarështimi i gjedhëve dhe vendosja në treg e ushqimeve me origjinë shtazore përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për fermerët. Zbatimi i masave veterinare për përmirësimin e shëndetit publik dhe të kafshëve në BE ndihmon në zhvillimin racional të sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë.
2. Mbrojtja e shëndetit të njeriut nga sëmundje dhe infeksione që transmetohen drejtpërdrejtë ose tërthorazi ndërmjet kafshëve dhe njerëzve (zoonozat) është e një rëndësie të veçantë.
3. Zoonozat e transmetueshme nëpërmjet ushqimit mund të shkaktojnë sëmundje tek njeriu si dhe humbje ekonomike në prodhimin dhe industrinë ushqimore.
4. Zoonozat e transmetuara nëpërmjet burimeve të ndryshme nga ushqimi, veçanërisht nga popullatat e kafshëve të egra dhe atyre shtëpiake, janë gjithashtu çështje shqetësuese.
5. Zoonozat e pranishme në nivelin e prodhimit fillestar duhet të kontrollohen në mënyrën e duhur për të garantuar arritjen e objektivave të kësaj rregulloreje. Megjithatë, në rastin e prodhimit fillestar që çon në furnizimin e drejtpërdrejtë të sasive të vogla të produkteve fillestare, nga operatori i biznesit ushqimor që i prodhon tek konsumatori fundor ose tek dyqanet e zonës, është e përshtatshme që shëndeti publik të mbrohet me anë të ligjeve kombëtare. Në këtë rast, midis prodhuesit dhe konsumatorit ekziston një marrëdhënie e ngushtë. Ky prodhim nuk duhet të ketë ndikim shumë të rëndësishëm në përhapjen mesatare të zoonozave në popullatat e kafshëve në BE në tërësi. Kushtet e përgjithshme të kampionimit dhe analizave mund të mos jenë praktike ose të përshtatshme për prodhuesit me një numër shumë të vogël kafshësh që mund të ndodhen në rajone të prekura nga kufizime gjeografike specifike.
6. Direktiva e Këshillit 92/117/KEE, datë 17 dhjetor 1992, "Për masat për mbrojtjen kundër zoonozave specifike dhe agjentëve zoonotikë specifikë te kafshët dhe produktet me origjinë shtazore, me qëllim parandalimin e shpërthimeve të infeksioneve dhe intoksikimeve nga ushqimi"4 ka parashikuar ngritjen e sistemeve monitoruese për disa zoonoza dhe kontrolle të salmonelës në tufa të caktuara shpendësh.
7. Kjo direktivë u kërkonte shteteve anëtare që t'i dorëzonin Komisionit masat kombëtare që janë marrë për arritjen e objektivave të direktivës dhe të hartonin plane për monitorimin e salmonelës tek shpendët. Megjithatë, Direktiva e Këshillit 97/22/KE5 që ndryshon Direktivën 92/117/KEE e ka pezulluar kushtin në pritje të rishikimit të parashikuar në nenin 15a, të Direktivës 92/117/KEE.
8. Disa prej shteteve anëtare i kanë dorëzuar tashmë planet e tyre për monitorimin e salmonelës, të cilat janë miratuar nga Komisioni. Gjithashtu, të gjitha shteteve anëtare u është kërkuar që, duke nisur nga 1 janari 1998, të përmbushin masat minimale të përcaktuara për salmonelën në shtojcën III, seksioni I, të Direktivës 92/117/KEE dhe të përcaktojnë rregullat që specifikojnë masat që do të merren për shmangien e shfaqjes së salmonelës në një fermë.
9. Këto masa minimale ishin fokusuar në monitorimin dhe kontrollin e salmonelës në tufat për mbarështim të species Gallus gallus. Direktiva 92/117/KEE përcaktoi masat specifike për kontrollin e infeksionit, kur në kampionët e marrë u zbuluan dhe u konfirmuan serotipet Salmonella enteritidis ose Salmonella typhimurium.
10. Dispozitat e tjera legjislative të BE-së parashikojnë monitorimin dhe kontrollin e zoonozave të caktuara në popullatat e kafshëve. Në veçanti, Direktiva e Këshillit 64/432/KEE, datë 26 qershor 1964, "Për problemet e shëndetit të kafshëve që ndikojnë në tregtinë brenda BE-së të kafshëve të llojit gjedh dhe derr"6)trajton tuberkulozin dhe brucelozën e gjedhëve. Direktiva e Këshillit 91/68/KEE, datë 28 janar 1991, "Për kushtet e shëndetit të kafshëve që rregullojnë tregtinë brenda BE-së të kafshëve të llojit dhen dhe dhi"7 trajton brucelozën e dhenve dhe dhive. Kjo rregullore duhet të shmangë dyfishimet e panevojshme të kushteve ekzistuese.
11. Gjithashtu, legjislacioni i ardhshëm i BE-së në lidhje me higjienën e ushqimit duhet të trajtojë elementet specifike të nevojshme për parandalimin, kontrollin dhe monitorimin e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë si dhe të përfshijë kërkesat specifike për cilësinë mikrobiologjike të ushqimit.
12. Direktiva 92/117/KEE ka parashikuar mbledhjen e të dhënave në lidhje me praninë e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë tek ushqimet për kafshë, kafshët, produktet ushqimore dhe njerëzit. Sistemi i mbledhjes së të dhënave, megjithëse nuk është harmonizuar më parë dhe rrjedhimisht nuk lejon krahasimin midis shteteve anëtare, ofron një bazë për vlerësimin e gjendjes aktuale në lidhje me zoonozat dhe agjentët zoonotikë në BE.
13. Rezultatet e sistemit të mbledhjes së të dhënave tregojnë se disa agjentë zoonotikë, përkatësisht Salmonella spp. dhe Campylobacter spp., janë shkaktarët e shumicës së rasteve të zoonozës te njerëzit. Duket se ka një tendencë në ulje të rasteve të salmonelozës tek njerëzit, në veçanti për shkak të Salmonella enteritidis dhe Salmonella typhimurium, duke shfaqur kështu suksesin e masave përkatëse të kontrollit të marra në BE. Megjithatë, supozohet se shumë raste mbeten të paraportuara dhe rrjedhimisht të dhënat e mbledhura nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pamjen e plotë të situatës.
14. Në opinionin e tij për zoonozat të miratuar më 12 prill 2000, Komiteti Shkencor për Masat Veterinare për Shëndetin Publik, gjykoi se masat në fuqi në atë periudhë për kontrollin e infeksioneve zoonotike nga ushqimet ishin të pamjaftueshme. Ai gjykoi gjithashtu se të dhënat epidemiologjike që po mblidhnin shtetet anëtare ishin të pamjaftueshme dhe jo plotësisht të krahasueshme. Si rrjedhojë, Komiteti rekomandoi përmirësime të metodave të monitorimit dhe identifikoi opsione të menaxhimit të rrezikut.
15. Për rrjedhojë, është e nevojshme të përmirësohen sistemet ekzistuese të kontrollit për agjentët zoonotikë specifikë. Në të njëjtën kohë, rregullat e përcaktuara në Direktivën 2003/99/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 17 nëntor 2003, "Për monitorimin e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë që ndryshon Vendimin e Këshillit 90/424/KEE dhe që shfuqizon Direktivën e Këshillit 92/117/KEE"8 do të zëvendësojë sistemet e monitorimit dhe të mbledhjes së të dhënave të përcaktuara nga Direktiva 92/117/KEE.
16. Në parim, kontrollet duhet të trajtojnë të gjithë zinxhirin ushqimor, nga ferma në tavolinë.
17. Rregullat që drejtojnë këto kontrolle duhet të jenë përgjithësisht ato të përcaktuara sipas legjislacionit të BE-së në lidhje me ushqimet për kafshët, shëndetin e kafshëve dhe higjienën e ushqimit.
18. Megjithatë, për disa zoonoza dhe agjentë zoonotikë është e nevojshme të përcaktohen kushte të veçanta kontrolli.
19. Këto kushte specifike duhet të bazohen në objektivat për reduktimin e përhapjes së zoonozave dhe agjentëve zoonotikë.
20. Përcaktimi i objektivave për zoonozat dhe agjentët zoonotikë në popullatat e kafshëve duhet bërë duke marrë parasysh, në veçanti, shpeshtësinë dhe tendencën epidemiologjike tek popullatat e kafshëve dhe njerëzve, ushqimin për kafshët dhe njerëzit, rëndësinë për njerëzit, pasojat e mundshme ekonomike, mendimin shkencor dhe ekzistencën e masave të duhura për reduktimin e përhapjes. Objektivat mund të përcaktohen në lidhje me pjesët e tjera të zinxhirit ushqimor, kur është e nevojshme.
21. Për të garantuar arritjen e objektivave në kohë, shtetet anëtare duhet të përcaktojnë programe specifike kontrolli, të cilat duhet të miratohen nga BE-ja.
22. Përgjegjësinë kryesore për sigurinë e ushqimit e mbajnë operatorët e biznesit ushqimor për njerëzit dhe për kafshët. Për rrjedhojë, shtetet anëtare duhet të nxisin krijimin e programeve të kontrollit për të gjithë sektorin e industrisë ushqimore.
23. Në kuadër të programeve të tyre të kontrollit, shtetet anëtare dhe operatorët e biznesit ushqimor për njerëzit dhe për kafshët mund të duan të përdorin metoda specifike kontrolli. Megjithatë, disa metoda mund të jenë të papranueshme, në veçanti nëse pengojnë arritjen e objektivit në përgjithësi, ndërhyjnë veçanërisht me sistemet e nevojshme të testimit apo shkaktojnë rreziqe potenciale për shëndetin publik. Për rrjedhojë, duhet të përcaktohen procedurat e duhura që i mundësojnë BE-së të vendosi që disa metoda kontrolli nuk duhet të përdoren si pjesë e programeve të kontrollit.
24. Mund të ekzistojnë ose të zhvillohen edhe metoda kontrolli, të cilat në vetvete, nuk bëjnë pjesë në asnjë ligj specifik të BE-së për miratimin e produkteve por do të ndihmonin në arritjen e objektivave për reduktimin e përhapjes së zoonozave dhe agjentëve zoonotikë specifikë. Prandaj, duhet të mundësohet miratimi i përdorimit të këtyre metodave në nivel BE-je.
25. Garantimi i rifurnizimit me kafshë nga tufa apo kope që i janë nënshtruar kontrolleve në përputhje me kërkesat e kësaj rregulloreje, do të jetë i një rëndësie të veçantë. Nëse është në fuqi ndonjë program specifik kontrolli, rezultatet e testimit duhet t'i përcillen blerësve të kafshëve. Për këtë qëllim, legjislacionit përkatës të BE-së për tregtinë brenda Bashkimit Evropian dhe importet nga vendet e treta, në veçanti për sa i përket dërgesave të kafshëve të gjalla dhe vezëve për çelje, duhet t'i shtohen kërkesa specifike. Direktiva 64/432/KEE, Direktiva e Këshillit 72/462/KEE, datë 12 dhjetor 1972, "Për problemet shëndetësore dhe të inspektimit veterinar në importimin e gjedhëve, derrave, mishit të freskët dhe produkteve të mishit nga vendet e treta"9 dhe Direktiva e Këshillit 90/539/KEE, datë 15 tetor 1990, "Për kushtet e shëndetit të kafshëve që rregullojnë tregtinë brenda BE-së dhe importet nga vendet e treta të shpendëve të buta dhe vezëve për çelje"10 duhet të ndryshohen përkatësisht.
26. Miratimi i kësaj rregulloreje nuk duhet të ndikojë në garancitë shtesë të dakordësuara për Finlandën dhe Suedinë në lidhje me aderimin e tyre në BE dhe të konfirmuara nga vendimi i Komisionit 94/968/KE11, 95/50/KE12, 95/160/KE13, 95/161/KE14, 95/168/KE15 dhe nga vendimet e Këshillit 95/409/KE16, 95/410/KE17 dhe 95/411/KE18. Kjo rregullore duhet të sigurojë një procedurë për dhënien, për një periudhe transitore, të garancive çdo shteti anëtar që ka një program kombëtar kontrolli të miratuar që i tejkalon kërkesat minimale të BE-së në lidhje me salmonelën. Rezultatet e testeve te kafshët e gjalla dhe vezët për çelje të tregtuara me këtë shtet anëtar duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara në programin e tij kombëtar të kontrollit. Legjislacioni i ardhshëm i BE-së në lidhje me rregullat e higjienës për ushqimet me origjinë shtazore duhet të sigurojë një procedurë të ngjashme për sa i përket produkteve të mishit dhe vezëve për konsum njerëzor.
27. Vendet e treta që eksportojnë në BE duhet të zbatojnë masa ekuivalente për kontrollin e zoonozave në të njëjtën kohë me zbatimin e masave në BE.
28. Për sa i përket kontrollit të salmonelës, informacioni në dispozicion tregon se produktet e shpendëve të buta janë burimi kryesor i salmonelozës tek njerëzit. Për rrjedhojë, masat e kontrollit duhet të zbatohen për prodhimin e këtyre produkteve, duke zgjeruar kështu masat e nisura në përputhje me Direktivën 92/117/KEE. Për sa i përket prodhimit të vezëve për konsum njerëzor, është e rëndësishme të përcaktohen masa specifike në lidhje me vendosjen në treg të produkteve me origjinë nga tufat që nuk kanë rezultuar të paprekura nga salmonela. Për sa i përket mishit të shpendëve të buta, qëllimi është vendosja në treg e tij me siguri të arsyeshme që është i lirë nga salmonela. Periudha transitore është e nevojshme që operatorët e biznesit ushqimor të përshtaten me masat e parashikuara, që mund të përshtaten edhe më tej veçanërisht nën dritën e vlerësimit shkencor të rrezikut.
29. Është me vend të përcaktohen laboratorë referencë në nivel kombëtar dhe në nivel BE-je për të ofruar udhëzim dhe ndihmë për çështje brenda fushës së zbatimit të kësaj rregulloreje.
30. Për të garantuar zbatimin uniform të kësaj rregulloreje, duhet të hartohen dispozita për organizimin e auditeve dhe inspektimeve të BE-së në përputhje me ligjet e tjera të saj në këtë sektor.
31. Duhet të përcaktohen procedurat e përshtatshme për ndryshimin e disa dispozitave të kësaj rregulloreje në mënyrë që të merret parasysh progresi teknik dhe shkencor dhe të miratohen masat zbatuese dhe të përkohshme.
32. Për të marrë parasysh progresin teknik dhe shkencor, duhet të sigurohet bashkëpunimi i ngushtë midis Komisionit dhe shteteve anëtare brenda Komitetit të Përhershëm të ngritur nga rregullorja (KE) nr. 178/2002 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 28 janar 2002, "Për përcaktimin e parimeve të përgjithshme dhe kërkesave të legjislacionit për ushqimin, krijimin e Autoritetit Evropian të Sigurisë së Ushqimeve dhe përcaktimin e procedurave për çështjet e sigurisë së ushqimeve"19.
33. Masat e nevojshme për zbatimin e kësaj rregulloreje duhet të miratohen në përputhje me vendimin 1999/468/KE të Këshillit, datë 28 qershor 1999, "Për përcaktimin e procedurave për ushtrimin e kompetencave zbatuese që i delegohen Komisionit"20,
MIRATOJNË KËTË RREGULLORE:
KREU I
DISPOZITAT HYRËSE
Neni 1
Objekti dhe fusha e zbatimit
1. Qëllimi i kësaj rregulloreje është të garantojë se do të merren masat e duhura dhe efikase për zbulimin dhe kontrollin e salmonelës dhe agjentëve të tjerë zoonotikë në të gjitha fazat përkatëse të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes, veçanërisht në nivelin e prodhimit fillestar, edhe në ushqimin e kafshëve, në mënyrë që të reduktohet përhapja e tyre dhe rreziku që përbëjnë për shëndetin publik.
2. Kjo rregullore trajton:
a) miratimin e objektivave për reduktimin e përhapjes së zoonozave specifike në popullatat e kafshëve:
I. në nivelin e prodhimit fillestar; dhe
II. sipas rastit, për zoonozën dhe agjentin zoonotik përkatës, në fazat e tjera të zinxhirit ushqimor, duke përfshirë në ushqimet për njerëzit dhe për kafshët;
b) miratimin e programeve specifike të kontrollit të përcaktuara nga shtetet anëtare dhe operatorët e biznesit ushqimor për njerëzit dhe kafshët;
c) miratimin e rregullave specifike në lidhje me disa metoda kontrolli të zbatuara për reduktimin e përhapjes së zoonozave dhe agjentëve zoonotikë;
d) miratimin e rregullave në lidhje me tregtinë brenda BE-së dhe importet nga vendet e treta të disa kafshëve dhe produkteve të tyre.
3. Kjo rregullore nuk zbatohet për prodhimin fillestar:
a) për përdorim personal shtëpiak; ose
b) që çon në furnizimin e drejtpërdrejtë të sasive të vogla të produkteve fillestare nga prodhuesi tek konsumatori fundor ose tek pikat e shitjes me pakicë që furnizojnë drejtpërdrejtë konsumatorin fundor me produkte fillestare.
4. Shtetet anëtare përcaktojnë, në përputhje me legjislacionin kombëtar, rregullat që drejtojnë aktivitetet e përmendura në paragrafin 3, germa "b". Këto rregulla kombëtare garantojnë arritjen e objektivave të kësaj rregulloreje.
5. Kjo rregullore zbatohet pa cenuar dispozitat më specifike të BE-së për shëndetin dhe ushqyerjen e kafshëve, higjienën e ushqimit, sëmundjet e transmetueshme njerëzore, shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës, teknologjinë gjenetike dhe encefalopatinë spongioforme të transmetueshme.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllimet e kësaj rregulloreje përdoren përkufizimet e mëposhtme:
1. përkufizimet e përcaktuara në rregulloren (KE) nr. 178/2002;
2. përkufizimet e përcaktuara në Direktivën 2003/99/KE; dhe
3. përkufizimet e mëposhtme:
a) "kope" është një kafshë ose grup kafshësh që mbahet në një fermë si njësi epidemiologjike; dhe
b) "tufë" janë të gjitha shpendët e buta me të njëjtin status shëndetësor, të mbajtur në të njëjtin ambient ose në të njëjtën hapësirë dhe që përbëjnë një njësi të vetme epidemiologjike; në rastin e shpendëve të buta të mbajtura në ambient të mbyllur, ky përkufizim përfshin të gjithë zogjtë në të njëjtën hapësirë ajrore.
Neni 3
Autoritetet kompetente
1. Çdo shtet anëtar përcakton autoritetin ose autoritetet kompetente për qëllimin e kësaj rregulloreje dhe njofton Komisionin për sa më sipër. Nëse një shtet anëtar përcakton më shumë se një autoritet kompetent, ai:
a) njofton Komisionin për autoritetin kompetent që do të veprojë si pikë kontakti për marrëdhëniet me këtë të fundit; dhe
b) sigurohet që autoritetet kompetente të bashkëpunojnë për të garantuar zbatimin e duhur të kërkesave të kësaj rregulloreje.
2. Autoriteti ose autoritetet kompetente mbajnë përgjegjësi veçanërisht për:
a) hartimin e programeve të parashikuara në nenin 5, paragrafi 1 dhe përgatitjen e çdo ndryshimi të nevojshëm të tyre, në veçanti duke marrë parasysh të dhënat dhe rezultatet e përftuara;
b) mbledhjen e të dhënave të nevojshme për vlerësimin e mjeteve të përdorura dhe të rezultateve të përftuara gjatë zbatimit të programeve kombëtare të kontrollit të parashikuara në nenin 5 dhe për dorëzimin çdo vit pranë Komisionit të këtyre të dhënave dhe rezultateve, duke përfshirë rezultatet e çdo analize të kryer, duke pasur parasysh rregullat e përcaktuara sipas nenit 9, paragrafi 1, të Direktivës 2003/99/KE;
c) kryerjen e kontrolleve të rregullta në ambientet e ndërmarrjeve të sektorit dhe, nëse është e nevojshme, në bizneset ushqimore për qëllimin e kontrollit të përputhshmërisë me këtë rregullore.
KREU II
OBJEKTIVAT E BASHKIMIT EVROPIAN
Neni 4
Objektivat e BE-së për reduktimin e përhapjes së zoonozave dhe agjentëve zoonotikë
1. Duhet të përcaktohen objektiva në nivel BE-je për reduktimin e përhapjes së zoonozave dhe agjentëve zoonotikë të renditur në shtojcën I, kolonën 1, në popullatat e kafshëve të renditura në shtojcën I, kolonën 2, duke marrë parasysh, në veçanti:
a) përvojën e fituar në bazë të masave kombëtare ekzistuese; dhe
b) informacionin që i është përcjellë Komisionit ose Autoritetit Evropian të Sigurisë së Ushqimeve sipas kërkesave ekzistuese të BE-së, në veçanti në kuadër të informacionit të parashikuar në Direktivën 2003/99/KE, në veçanti në nenin 5 të saj.
Objektivat dhe çdo ndryshim i mundshëm i tyre, përcaktohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
2. Objektivat e përmendura në paragrafin 1 përfshijnë të paktën:
a) një shprehje numerike të:
I. përqindjes maksimale të njësive epidemiologjike që mbeten pozitive; dhe/ose
II. përqindjes minimale të reduktimit në numër të njësive epidemiologjike që mbeten pozitive;
b) kufirin maksimal kohor brenda të cilit duhet të arrihet objektivi;
c) përkufizimin e njësive epidemiologjike të përmendura në germën "a";
d) përkufizimin e skemave të nevojshme të testimit për të verifikuar arritjen e objektivit; dhe
e) përkufizimin, sipas rastit, të serotipeve me rëndësi për shëndetin publik ose të nëntipeve të tjera të zoonozave ose agjentëve zoonotikë të renditura në shtojcën I, kolona 1, duke pasur parasysh kriteret e përgjithshme të renditura në paragrafin 6, germa "c" dhe çdo kriter specifik të përcaktuar në shtojcën III.
3. Objektivat e BE-së përcaktohen për herë të parë para datave përkatëse në shtojcën I, kolona 4.
4. a) Gjatë përcaktimit të secilit prej objektivave të BE-së, Komisioni ofron një analizë të kostove të parashikuara dhe përfitimeve. Analiza duhet të marrë parasysh, në veçanti, kriteret e përcaktuara në paragrafin 6, germa "c". Shtetet anëtare, me paraqitjen e një kërkese, i ofrojnë Komisionit asistencën e nevojshme për t'i mundësuar përgatitjen e kësaj analize.
b) Para se të propozohet secili nga objektivat e BE-së, Komisioni konsultohet me shtetet anëtare brenda komitetit të përmendur në nenin 14, paragrafi 1, për rezultatet e analizës së tij.
c) Duke marrë parasysh rezultatet e analizës dhe konsultimin me shtetet anëtare, Komisioni propozon objektiva në nivel BE-je, sipas rastit.
5. Megjithatë, duke deroguar nga paragrafi 2, germa "e" dhe paragrafi 4, për shpendët e buta duhet të zbatohen rregullat e mëposhtme për një periudhë transitore.
Objektivi i BE-së i përcaktuar për këtë periudhë transitore për tufat për mbarështim të species Gallus gallus, mbulon pesë serotipet më të shpeshta të salmonelozës tek njeriu, që identifikohen në bazë të të dhënave të mbledhura nëpërmjet sistemeve të monitorimit të KE-së. Objektivat e përcaktuara të Bashkimit Evropian për pulat që bëjnë vezë, zogjtë e pulave dhe gjelat për periudhën transitore, trajtojnë llojet Salmonella enteritidis dhe Salmonella typhimurium. Megjithatë, nëse është e nevojshme, këto objektiva mund të shtrihen edhe në serotipe të tjera në bazë të rezultateve të analizës së kryer në përputhje me paragrafin 4.
Periudha transitore zbatohet për çdo objektiv të BE-së me qëllim reduktimin e përhapjes së salmonelës tek shpendët e buta. Në çdo rast, ajo zgjat tre vjet, duke filluar nga data e përmendur në kolonën 5 të shtojcës I.
6. a) Shtojca I mund të ndryshohet, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin14, paragrafi 2, për qëllimet e renditura në nënparagrafin b, pasi janë marrë parasysh në veçanti kriteret e renditura në nënparagrafin c.
b) Ndryshimet e shtojcës I mund të sjellin ndryshime në fushën e zbatimit të kërkesave në lidhje me përcaktimin e objektivave të BE-së, duke plotësuar, kufizuar ose modifikuar:
I. zoonozat ose agjentët zoonotikë;
II. fazat e zinxhirit ushqimor; dhe/ose
III. popullatat përkatëse të kafshëve.
c) Kriteret që duhet të merren në konsideratë para ndryshimit të shtojcës I përfshijnë, për sa i përket zoonozës ose agjentit zoonotik përkatës:
I. shpeshtësinë e tyre në popullatat e kafshëve dhe të njerëzve si dhe në ushqimin për kafshët dhe për njerëzit;
II. rëndësinë e efektit të tyre tek njerëzit;
III. pasojat ekonomike për shërbimet e kujdesit shëndetësor të kafshëve dhe njerëzve dhe për bizneset e ushqimit për kafshët dhe njerëzit;
IV. tendencat epidemiologjike tek popullatat e kafshëve dhe të njerëzve si dhe në ushqimin për kafshët dhe për njerëzit;
V. mendimin shkencor;
VI. zhvillimet teknologjike, në veçanti ato të lidhura me prakticitetin e opsioneve të disponueshme të kontrollit; dhe
VII. kërkesat dhe tendencat në lidhje me sistemet e mbarështimit dhe metodat e prodhimit.
7. Shtojca III mund të ndryshohet ose plotësohet në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
8. Komisioni shqyrton zbatimin e objektivave të BE-së dhe e merr parasysh këtë shqyrtim gjatë propozimit të objektivave të tjera.
9. Masat e marra për reduktimin e përhapjes së zoonozave dhe agjentëve zoonotikë të renditur në shtojcën I, zbatohen në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë rregullore dhe të gjitha rregullat e miratuara sipas saj.
KREU III
PROGRAMET E KONTROLLIT
Neni 5
Programet kombëtare të kontrollit
1. Për të arritur objektivat e BE-së të parashikuara në nenin 4, shtetet anëtare përcaktojnë programe kombëtare kontrolli për çdo zoonozë dhe agjent zoonotik të renditur në shtojcën I. Programet kombëtare të kontrollit marrin parasysh shpërndarjen gjeografike të zoonozave brenda çdo shteti anëtar si dhe implikimet financiare të kontrolleve efikase për prodhuesit fillestarë dhe operatorët e biznesit ushqimor për kafshët dhe njerëzit.
2. Programet kombëtare të kontrollit janë të vazhdueshme dhe mbulojnë një periudhë prej të paktën tre vitesh të njëpasnjëshme.
3. Programet kombëtare të kontrollit:
a) sigurojnë zbulimin e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë në përputhje me kërkesat dhe rregullat minimale të kampionimit të përcaktuara në shtojcën II;
b) përcaktojnë përgjegjësitë përkatëse të autoriteteve kompetente dhe operatorëve të biznesit ushqimor për njerëzit dhe kafshët;
c) specifikojnë masat e kontrollit që do të merren pas zbulimit të zoonozave dhe agjentëve zoonotikë, në veçanti për të mbrojtur shëndetin publik, duke përfshirë zbatimin e masave specifike të përcaktuara në shtojcën II;
d) mundësojnë vlerësimin e progresit të arritur në bazë të dispozitave të tyre dhe rishikimin e programeve, në veçanti, për të marrë parasysh rezultatet e përftuara nga zbulimi i zoonozave dhe agjentëve zoonotikë.
4. Programet kombëtare të kontrollit mbulojnë të paktën fazat e mëposhtme të zinxhirit ushqimor:
a) prodhimin e ushqimit për kafshët;
b) prodhimin fillestare të kafshëve;
c) përpunimin dhe përgatitjen e ushqimit me origjinë shtazore.
5. Programet kombëtare të kontrollit përmbajnë, sipas rastit, dispozitat e përcaktuara në lidhje me metodat e testimit dhe kriteret sipas të cilave vlerësohen rezultatet e këtyre testeve, për kërkimet e kryera për kafshët dhe vezët për çelje, të dërguara brenda territorit kombëtar, si pjesë e kontrolleve zyrtare të parashikuara në shtojcën II, pjesa A.
6. Kërkesat dhe rregullat minimale të kampionimit të përcaktuara në shtojcën II mund të ndryshohen, përshtaten ose plotësohen, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2, pasi të jenë marrë parasysh në veçanti kriteret e renditura në germën "c" të nenit 4, paragrafi 6.
7. Brenda gjashtë muajsh nga përcaktimi i objektivave të BE-së të parashikuara në nenin 4, shtetet anëtare i dorëzojnë Komisionit programet e tyre kombëtare të kontrollit dhe përcaktojnë masat që do të zbatohen.
Neni 6
Miratimi i programeve kombëtare të kontrollit
1. Pasi një shtet anëtar dorëzon një program kombëtar kontrolli në përputhje me nenin 5, Komisioni ka dy muaj kohë për të kërkuar informacione të tjera të rëndësishme dhe të nevojshme nga ky shtet anëtar. Shteti anëtar e siguron informacionin e mëtejshëm brenda dy muajsh pas marrjes së kësaj kërkese. Brenda dy muajsh pas marrjes së informacionit shtesë ose, nëse nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, brenda gjashtë muajsh pas dorëzimit të programit të kontrollit, Komisioni përcakton nëse ky i fundit përputhet me rregullat përkatëse, duke përfshirë në veçanti këtë rregullore.
2. Kur Komisioni të ketë përcaktuar përputhshmërinë e programit kombëtar të kontrollit, ose me kërkesë të shtetit anëtar që e ka dorëzuar atë, programi konsiderohet pa vonesa të panevojshme me synim miratimin në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
3. Ndryshimet e një programi të miratuar më parë sipas paragrafit 2 mund të miratohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2, për të marrë parasysh ecurinë e situatës së shtetit anëtar në fjalë, në veçanti rezultatet e përmendura në nenin 5, paragrafi 3, germa "d".
Neni 7
Programet e kontrollit të operatorëve të biznesit ushqimor për njerëzit dhe për kafshët
1. Operatorët e biznesit ushqimor për njerëzit dhe për kafshët, ose organizatat që i përfaqësojnë këta operatorë, mund të përcaktojnë programe kontrolli, që mbulojnë, sa më shumë të jetë e mundur, të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes.
2. Nëse dëshirojnë që programet e tyre të jenë pjesë e programeve kombëtare të kontrollit, operatorët e biznesit ushqimor për njerëzit dhe kafshët apo organizatat që i përfaqësojnë, i dorëzojnë autoritetit kompetent të shtetit anëtar ku ndodhen programet e tyre të kontrollit dhe të gjitha ndryshimet përkatëse, për miratim. Nëse operacionet në fjalë kryhen në një shtet tjetër anëtar, programet miratohen më vete për çdo shtet anëtar.
3. Autoriteti kompetent mund të miratojë programe kontrolli që janë dorëzuar në përputhje me paragrafin 2, vetëm nëse përmbushet kushti i pajtueshmërisë me kërkesat përkatëse të përcaktuara në shtojcën II dhe me objektivat e programit përkatës kombëtar të kontrollit.
4. Shtetet anëtare mbajnë lista të përditësuara të programeve të miratuara të kontrollit të operatorëve të biznesit ushqimor për njerëzit dhe kafshët ose të organizatave të tyre përfaqësuese. Listat vendosen në dispozicion të Komisionit me kërkesë të tij.
5. Operatorët e biznesit ushqimor për njerëzit dhe kafshët ose organizatat e tyre përfaqësuese i komunikojnë rregullisht autoriteteve kompetente rezultatet e programeve të tyre të kontrollit.
KREU IV
METODAT E KONTROLLIT
Neni 8
Metodat specifike të kontrollit
1. Me iniciativën e Komisionit ose me kërkesë të një shteti anëtar dhe në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2:
a) mund të vendoset që metodat specifike të kontrollit mund ose të zbatohen për reduktimin e përhapjes së zoonozave dhe agjentëve zoonotikë në fazën e prodhimit fillestar të kafshëve dhe në fazat e tjera të zinxhirit ushqimor;
b) mund të miratohen rregulla në lidhje me kushtet e përdorimit të metodave të përmendura në nënparagrafin a;
c) mund të miratohen rregulla të detajuara në lidhje me dokumentet dhe procedurat e nevojshme si dhe me kërkesat minimale për metodat e përmendura në nënparagrafin a; dhe
d) mund të vendoset që disa metoda specifike kontrolli të mos përdoren si pjesë e programeve të kontrollit.
2. Dispozitat e përmendura në paragrafin 1, germa "a", "b" dhe "c" nuk zbatohen për metodat që përdorin substanca ose teknika të mbuluara nga legjislacioni i BE-së, për ushqyerjen e kafshëve, aditivët ushqimorë ose produktet mjekësore veterinare.
KREU V
TREGTIA
Neni 9
Tregtim brenda BE-së
1. Duke filluar maksimumi nga datat e përmendura në shtojcën I, kolona 5, tufat dhe kopetë me origjinë nga speciet e renditura në kolonën 2 testohen për zoonozat dhe agjentët zoonotikë të renditur në kolonën 1 para nisjes së kafshëve të gjalla ose vezëve për çelje, nga biznesi ushqimor i origjinës. Data dhe rezultati i testimit përfshihen në certifikatat përkatëse shëndetësore të parashikuara në legjislacionin e BE-së.
2. Shteti anëtar i destinacionit, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2, mund të autorizohet për një periudhë transitore, të kërkojë që rezultatet e testit që do të përfshihen në certifikatat përkatëse shëndetësore për dërgesat e kafshëve dhe vezëve për çelje të cilat i janë nënshtruar testimit në shtetin anëtar të dërgesës, të përmbushin të njëjtat kritere për sa i përket salmonelës si ato të përcaktuara sipas programit të tij kombëtar të miratuar, në përputhje me nenin 5, paragrafi 5, për dërgesat e dorëzuara brenda territorit të tij.
Autorizimi mund të tërhiqet sipas së njëjtës procedurë.
3. Masat e veçanta në lidhje me salmonelën, që u zbatuan për kafshët e gjalla të dërguara në Finlandë dhe Suedi para hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, vazhdojnë të zbatohen sikur të ishin autorizuar në përputhje me paragrafin 2.
4. Pa cenuar nenin 5, paragrafi 6, rregullat specifike për sa i përket vendosjes nga shtetet anëtare të kritereve të përmendura në nenin 5, paragrafi 5 dhe në paragrafin 2 më sipër, mund të përcaktohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
Neni 10
Importet nga vendet e treta
1. Duke filluar nga datat e përmendura në shtojcën I, kolona 5, pranimi ose mbajtja në listat e parashikuara në legjislacionin e BE-së, për speciet ose kategoritë përkatëse, e vendeve të treta nga ku shtetet anëtare janë të autorizuara të importojnë kafshët ose vezët për çelje që mbulohen nga kjo rregullore, i nënshtrohet dorëzimit te Komisioni, nga vendi i tretë në fjalë, të programit ekuivalent me ato të parashikuara nga neni 5 dhe miratimit të tij në përputhje me këtë nen. Programi jep detaje të garancive të ofruara nga ky shtet për sa i përket inspektimeve dhe kontrolleve për zoonozat dhe agjentët zoonotikë. Këto garanci duhet të jenë të paktën të barasvlershme me garancitë e parashikuara nga kjo rregullore. Zyra e Komisionit për Ushqimin dhe Veterinarinë përfshihet nga afër në monitorimin për verifikimin nëse në vendet e treta ekzistojnë programe ekuivalente të kontrollit.
2. Këto programe miratohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2, me kusht që barasvlera e masave të përshkruara sipas këtij programi me kërkesat përkatëse të zbatueshme sipas rregullave të BE-së, të vërtetohet në mënyrë objektive. Kjo procedurë mund të lejojë garanci alternative me ato të parashikuara nga rregullorja, me kusht që të jenë më të favorshme se sa ato të zbatueshme në tregtinë brenda BE-së.
3. Për vendet e treta me të cilat është vendosur një fluks tregtar, zbatohen dispozitat e nenit 5, paragrafi 7 dhe të nenit 6, paragrafi 1, në lidhje me periudhat kohore për dorëzimin dhe miratimin e programeve. Për vendet e treta që kanë vendosur ose rifilluar një fluks tregtar, zbatohen periudhat kohore të parashikuara në nenin 6.
4. Tufat dhe kopetë me origjinë nga speciet e renditura në shtojcën I, kolona 2, testohen para nisjes së kafshëve të gjalla ose vezëve për çelje nga bizneset ushqimore të origjinës. Tufat dhe kopetë testohen për zoonozat dhe agjentët zoonotikë të renditur në shtojcën I, kolona 1, ose nëse është e nevojshme për të arritur objektivin e garancive të barasvlershme të përcaktuara në paragrafin 1, për zoonozat dhe agjentët zoonotikë siç mund të specifikohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2. Data dhe rezultati i testimit përfshihen në certifikatat përkatëse të importit, modelet e të cilave të përcaktuara nga legjislacioni i BE-së ndryshohen përkatësisht.
5. Në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2, shteti anëtar i destinacionit final mund të autorizohet të kërkojë për një periudhë transitore që rezultatet e testit të përmendur në paragrafin 4, të përmbushin të njëjtat kritere si ato të përcaktuara sipas programit të tij kombëtar, në përputhje me nenin 5, paragrafi 5. Autorizimi mund të tërhiqet dhe, pa cenuar nenin 5, paragrafi 6, mund të përcaktohen rregulla specifike për këto kritere, në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
6. Pranimi ose mbajtja në listat e parashikuara në legjislacionin e BE-së, për kategoritë përkatëse të produkteve, e vendeve të treta nga ku shtetet anëtare janë të autorizuara të importojnë produktet që mbulohen nga kjo rregullore, i nënshtrohet dorëzimit te Komisioni, nga vendi i tretë në fjalë, të garancive të barasvlershme me ato të parashikuara nga kjo rregullore.
KREU VI
LABORATORËT
Neni 11
Laboratorët referencë
1. Laboratorët referencë të BE-së për analizimin dhe testimin e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë të renditur në shtojcën I, kolona 1, përcaktohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
2. Përgjegjësitë dhe detyrat e laboratorëve referencë të BE-së, në veçanti për sa i përket koordinimit të veprimtarive të tyre me ato të laboratorëve referencë kombëtarë, përcaktohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
3. Shtetet anëtare caktojnë laboratorët kombëtarë referencë për analizimin dhe testimin e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë të renditur në shtojcën I, kolona 1. Emrat dhe adresat e laboratorëve i komunikohen Komisionit.
4. Disa nga përgjegjësitë dhe detyrat e laboratorëve kombëtarë referencë, në veçanti për sa i përket koordinimit të veprimtarive të tyre me ato të laboratorëve përkatës në shtetet anëtare të zgjedhura sipas nenit 12, paragrafi 1, germa "a", mund të përcaktohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
Neni 12
Miratimi i laboratorëve, kërkesat e cilësisë dhe metodat e miratuara të testimit
1. Për qëllimet e analizimit të kampionëve për të testuar praninë e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë të përmendur në shtojcën I, kolona 1, laboratorët që marrin pjesë në programet e kontrollit të përmendura në nenin 5 dhe 7:
a) caktohen nga autoriteti kompetent; dhe
b) zbatojnë sisteme për sigurimin e cilësisë që janë të pajtueshëm me kërkesat e standardit aktual EN/ISO standard, maksimumi brenda 24 muajsh nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ose brenda 24 muajsh nga shtimi i zoonozave ose agjentëve të rinj zoonotikë në shtojcën I, kolona 1.
2. Laboratorët marrin pjesë në testimet e përbashkëta të organizuara ose të koordinuara nga laboratori kombëtar referencë.
3. Testimi për praninë e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë të përmendur në shtojcën I, kolona 1, kryhet me anë të metodave dhe protokolleve të rekomanduara nga organet ndërkombëtare të standardizimit, si metoda referencë.
Mund të përdoren edhe metoda alternative nëse janë vlerësuar në përputhje me rregullat e njohura ndërkombëtarisht dhe nëse ofrojnë rezultate të barasvlershme me ato të përftuara nga metodat përkatëse referencë.
Sipas rastit, metodat e tjera të testimit mund të miratohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
KREU VII
ZBATIMI
Neni 13
Masat zbatuese dhe të përkohshme
Masat e përkohshme ose zbatuese, duke përfshirë ndryshimet e nevojshme të certifikatave përkatëse shëndetësore, mund të miratohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
Neni 14
Procedura e Komitetit
1. Komisioni mbështetet nga Komiteti i Përhershëm për Zinxhirin Ushqimor dhe Shëndetin e Kafshëve, i ngritur nga rregullorja (KE) nr. 178/2002 (në vijim referuar si "Komiteti").
2. Aty ku përmendet ky paragraf gjejnë zbatim nenet 5 dhe 7 të Vendimit 1999/468/KE, duke pasur parasysh dispozitat e nenit 8 të tij.
Periudha e përcaktuar në nenin 5, paragrafi 6 të Vendimit 1999/468/KE është tre muaj.
3. Komiteti miraton rregulloren e tij të brendshme.
Neni 15
Konsultimi me Autoritetin Evropian të Sigurisë Ushqimore
Komisioni konsultohet me Autoritetin Evropian të Sigurisë së Ushqimeve për çdo çështje brenda fushës së zbatimit të kësaj rregulloreje që mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin publik dhe, në veçanti, para se të propozojë objektiva të BE-së në përputhje me nenin 4 ose metoda specifike kontrolli në përputhje me nenin 8.
Neni 16
Raport për marrëveshjet financiare
1. Brenda tre viteve nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje, Komisioni i dorëzon një raport Parlamentit Evropian dhe Këshillit.
2. Raporti trajton:
a) marrëveshjet në fuqi, në nivel BE-je dhe në nivel kombëtar, për financimin e masave të marra për të kontrolluar zoonozat dhe agjentët zoonotikë; dhe
b) ndikimin që këto marrëveshje kanë në efikasitetin e masave në fjalë.
3. Sipas rastit, Komisioni e shoqëron raportin me propozimet përkatëse.
4. Shtetet anëtare, me paraqitjen e një kërkese, i ofrojnë Komisionit asistencën e nevojshme për t'i mundësuar përgatitjen e raportit.
KREU VIII
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 17
Kontrollet e BE-së
1. Ekspertët e Komisionit kryejnë kontrolle në terren, në bashkëpunim me autoritetet kompetente të shteteve anëtare, për të garantuar zbatimin në mënyrë të njëtrajtshme të dispozitave të kësaj rregulloreje, rregullave të miratuara në përputhje me të dhe të të gjitha masave të sigurisë. Shteti anëtar në territorin e të cilit kryhen këto kontrolle u ofron ekspertëve të gjithë asistencën e nevojshme për realizimin e detyrave të tyre. Komisioni informon autoritetin kompetent për rezultatet e kontrolleve të kryera.
2. Rregullat për zbatimin e këtij neni, në veçanti ato që rregullojnë procedurën e bashkëpunimit me autoritetet kompetente kombëtare, përcaktohen në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2.
Neni 18
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi ditën e botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Ajo zbatohet gjashtë muaj pas hyrjes së saj në fuqi.
Kjo rregullore është detyruese në tërësinë e saj dhe drejtpërdrejt e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 17 nëntor 2003.
Për Parlamentin Evropian
Presidenti
P. Cox
Për Këshillin
Presidenti
G. Alemanno
SHTOJCA I
ZOONOZAT DHE AGJENTËT ZOONOTIKË SPECIFIKË PËR TË CILËT OBJEKTIVAT E BE-SË PËR REDUKTIMIN E PËRHAPJES JANË PËRCAKTUAR NË PËRPUTHJE ME NENIN 4
"TABELA"
SHTOJCA II
KONTROLLI I ZOONOZAVE DHE AGJENTËVE ZOONOTIKË TË RENDITUR NË SHTOJCËN I
A. Kërkesat e përgjithshme për programet kombëtare të kontrollit
Programi duhet të marri parasysh natyrën e zoonozës dhe agjentit zoonotik në fjalë si dhe gjendjen specifike në shtetin anëtar. Programi duhet:
a) të theksojë qëllimin e tij duke marrë në konsideratë rëndësinë e zoonozës ose agjentit zoonotik përkatës;
b) të përmbushë kërkesat minimale të kampionimit të përcaktuara në pjesën B;
c) sipas rastit, të përputhet me kërkesat specifike të përcaktuara në pjesën C deri në E; dhe
d) të specifikojë pikat e mëposhtme:
1. Të përgjithshme
1.1. Praninë e zoonozave dhe agjentëve zoonotikë në fjalë në shtetin anëtar, duke iu referuar në veçanti rezultateve të përftuara në kuadër të monitorimit në përputhje me nenin 4 të Direktivës 2003/99/KE.
1.2. Zonën gjeografike ose, sipas rastit, njësitë epidemiologjike, ku do të zbatohet programi.
1.3. Strukturën dhe organizimin e autoriteteve kompetente përkatëse.
1.4. Laboratorët e miratuar ku analizohen kampionët e mbledhur në kuadër të programit.
1.5. Metodat e përdorura në ekzaminimin e zoonozës ose agjentit zoonotik.
1.6. Kontrollet zyrtare (duke përfshirë skemat e kampionimit) në nivelin e ushqimit të kafshëve, tufës dhe/ose kopesë.
1.7. Kontrollet zyrtare (duke përfshirë skemat e kampionimit) në fazat e tjera të zinxhirit ushqimor.
1.8. Masat e marra nga autoritetet kompetente për sa i përket kafshëve ose produkteve në të cilat janë gjetur zoonoza apo agjentë zoonotikë, në veçanti për mbrojtjen e shëndetit publik; dhe çdo masë parandaluese të marrë, si p.sh vaksinimi.
1.9. Legjislacionin kombëtar përkatës, duke përfshirë të gjitha dispozitat kombëtare në lidhje me veprimtaritë e përmendura në nenin 1, paragrafi 3, germa "b".
1.10. Të gjitha llojet e ndihmës financiare të ofruar nga bizneset ushqimore për njerëzit dhe kafshët në kontekstin e programit kombëtar të kontrollit;
2. Për sa i përket bizneseve të ushqimit për njerëzit dhe kafshët të cilat trajtohen nga programi
2.1. Strukturën e prodhimit të specieve të caktuara dhe produkteve të tyre.
2.2. Strukturën e prodhimit të ushqimit të kafshëve.
2.3. Udhëzuesit përkatës për praktikat e mira të mbarështimit ose udhëzimet e tjera (të detyrueshme ose vullnetare) që përcaktojnë minimalisht:
- menaxhimin e higjienës në ferma,
- masat për parandalimin e infeksioneve të mbartura nga kafshët, ushqimi i kafshëve, uji i pijshëm, njerëzit që punojnë në fermë dhe
- higjienën gjatë transportit të kafshëve drejt dhe nga ferma.
2.4. Mbikëqyrjen veterinare rutinë të fermave.
2.5. Regjistrimin e fermave.
2.6. Ruajtjen e të dhënave në ferma.
2.7. Dokumentet shoqëruese të kafshëve në nisje.
2.8. Masat e tjera përkatëse për garantimin e gjurmimit të kafshëve.
B. Kërkesat minimale të kampionimit
1. Pasi të jenë miratuar programet e kontrollit të përmendura në nenin 5, operatorët e biznesit ushqimor duhet të kenë marrë kampione dhe t'i kenë testuar ato për zoonozat dhe agjentët zoonotikë të renditur në shtojcën I, kolona 1, duke respektuar kërkesat minimale të kampionimit të përcaktuara në tabelën e mëposhtme.
"TABELA"
2. Kërkesat e përcaktuara në pikën 1 nuk cenojnë ato të legjislacionit të BE-së në lidhje me inspektimin para therjes.
3. Rezultatet e analizave duhet të regjistrohen, së bashku me informacionin e mëposhtëm:
a) datën dhe vendin e kampionimit; dhe
b) identifikimin e tufës/kopesë.
4. Analizat imunologjike mund të mos jenë të nevojshme nëse kafshët janë vaksinuar ose nëse nuk është vërtetuar që vaksina e përdorur nuk ndikon në metodën e zbatuar për testimin.
C. Kërkesat specifike në lidhje me tufat për mbarështim të species Gallus gallus
1. Masat e përcaktuara në pikat 3 deri në 5 duhet të merren sa herë që analizat e kampionëve që janë kryer në përputhje me pjesën B tregojnë praninë e Salmonella enteritidis ose Salmonella typhimurium në tufat për mbarështim të species Gallus gallus në rrethanat e përcaktuara në pikën 2.
2. a) Nëse autoriteti kompetent e ka miratuar metodën e analizës së përdorur për kampionët e marrë në përputhje me pjesën B, kur analiza zbulon prezencën e Salmonella enteritidis ose Salmonella typhimurium mund të jetë e nevojshme të merren masat e përcaktuara në pikat 3 deri në 5.
b) Përndryshe, masat e përcaktuara në pikat 3 deri në 5 duhet të merren kurdo që autoriteti kompetent konfirmon një dyshim të prezencës së Salmonella enteritidis ose Salmonella typhimurium të ngritur nga analiza e kampionëve e kryer në përputhje me pjesën B.
3. Vezët e painkubuara të tufës duhet të shkatërrohen.
Megjithatë, këto vezë mund të përdoren për konsum njerëzor nëse trajtohen në mënyrë të tillë që garanton eliminimin e Salmonella enteritidis dhe Salmonella typhimurium në përputhje me legjislacionin e BE-së në lidhje me higjienën e ushqimit.
4. Të gjithë zogjtë e tufës, duke përfshirë zogjtë 24 orësh, duhet të theren ose të shkatërrohen për të reduktuar sa më shumë rrezikun e mundshëm të përhapjes së salmonelës. Therja duhet të kryhet në përputhje me legjislacionin e BE-së për higjienën e ushqimit. Produktet e përftuara nga këta zogj mund të vendosen në treg për konsum njerëzor në përputhje me legjislacionin e BE-së në lidhje me higjienën e ushqimit dhe, pasi bëhet e zbatueshme, edhe me pjesën E. Nëse nuk synohen për konsum njerëzor, këto produkte duhet të përdoren ose të hidhen në përputhje me rregulloren (KE) nr. 1774/2002 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 3 tetor 2002, "Për përcaktimin e rregullave sanitare për nënproduktet shtazore të cilat nuk janë për konsum njerëzor"21.
5. Në rastet kur në inkubator ka ende vezë për çelje të tufave në të cilat është gjetur Salmonella enteritidis ose Salmonella typhimurium, ato duhet të shkatërrohen në përputhje me rregulloren (KE) nr. 1774/2002.
D. Kërkesat specifike në lidhje me tufat e pulave që bëjnë vezë
1. Duke nisur që nga 72 muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, vezët nuk duhet të përdoren për konsum të drejtpërdrejtë njerëzor (si vezë tavoline) nëse nuk vijnë nga një tufë për qëllime tregtare e pulave që bëjnë vezë e cila i është nënshtruar një programi kombëtar të përcaktuar sipas nenit 5 dhe që nuk është objekt i kufizimeve zyrtare.
2. Vezët me origjinë nga tufat me status të panjohur shëndetësor, që dyshohet të jenë infektuar ose që vijnë nga tufa të infektuara mund të përdoren për konsum njerëzor vetëm nëse trajtohen në mënyrë të tillë që të garantohet eliminimi i të gjitha serotipeve të salmonelës me rëndësi për shëndetin publik, në përputhje me legjislacionin e BE-së në lidhje me higjienën e ushqimit.
3. Kur zogjtë nga tufat e infektuara theren ose shkatërrohen, duhet të merren hapa për reduktimin e rrezikut të përhapjes së zoonozave, sa më shumë të jetë e mundur. Therja duhet të kryhet në përputhje me legjislacionin e BE-së për higjienën e ushqimit. Produktet e përftuara nga këta zogj mund të vendosen në treg për konsum njerëzor në përputhje me legjislacionin e BE-së në lidhje me higjienën e ushqimit dhe, pasi bëhet e zbatueshme, edhe me pjesën E. Nëse nuk synohen për konsum njerëzor, këto produkte duhet të përdoren ose të hidhen në përputhje me rregulloren (KE) nr. 1774/2002.
E. Kërkesat specifike në lidhje me mishin e freskët
1. Duke filluar që nga 84 muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, mishi i freskët i shpendëve të buta nga kafshët e renditura në shtojcën I mund të vendoset në treg për konsum njerëzor vetëm nëse përmbush kriteret e mëposhtme:
"Salmonela: mungesë në 25 gramë"
2. Brenda 72 muajsh nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje, do të përcaktohen rregulla të detajuara për këtë kriter në përputhje me procedurën e përmendur në nenin 14, paragrafi 2. Ato do të specifikojnë, në veçanti, skemat e kampionimit dhe metodat analitike.
3. Kriteri i përcaktuar në paragrafin 1 nuk zbatohet për mishin e shpendëve të buta të synuar për përpunim industrial në të nxehtë ose ndonjë lloj tjetër përpunimi për eliminimin e salmonelës në përputhje me legjislacioni e BE-së për higjienën e ushqimit.
SHTOJCA III
KRITERET SPECIFIKE PËR PËRCAKTIMIN E SEROTIPIVE TË SALMONELËS ME RËNDËSI PËR SHËNDETIN PUBLIK
Gjatë përcaktimit të serotipeve të salmonelës me rëndësi për shëndetin publik dhe për të cilat zbatohen objektivat e BE-së, duhet të merren parasysh kriteret e mëposhtme:
1. serotipet më të shpeshta të salmonelozës tek njeriu në bazë të të dhënave të mbledhura nëpërmjet sistemeve monitoruese të KE-së;
2. rruga e infeksionit (pra, prania e serotipit në popullatat përkatëse të kafshëve dhe në ushqimin e kafshëve);
3. nëse ndonjë nga serotipet shfaq kapacitetin për t'u përhapur me shpejtësi dhe për të shkaktuar sëmundje tek njerëzit dhe kafshët;
4. nëse ndonjë nga serotipet shfaq rritje të virulencës, për shembull për sa i përket përhapjes ose rezistencës ndaj terapive përkatëse për infeksionet tek njerëzit.
1. Gazeta Zyrtare 304 E, 30.10.2001, f. 260.
2. Gazeta Zyrtare C 94, 18.4.2002, f. 18.
3. Opinioni i Parlamentit Evropian i 15 majit 2002 (Gazeta Zyrtare C 180 E, 31.7.2003, f. 160), Qëndrimi i Përbashkët i Këshillit i 20 shkurtit 2003 (Gazeta Zyrtare C 90 E, 15.4.2003, f. 25) dhe Qëndrimi i Parlamentit Evropian i 19 qershorit 2003 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare). Vendim i Këshillit, datë 29 shtator 2003.
4. Gazeta Zyrtare L 62, 15.3.1993, f. 38. Direktivë e ndryshuar së fundmi nga rregullorja e Këshillit (KE) nr. 806/2003 (Gazeta Zyrtare L 122, 16.5.2003, f. 1).
5. Gazeta Zyrtare L 113, 30.4.1997, f. 9.
6. Gazeta Zyrtare L 121, 29.7.1964, f. 1977/64. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Rregulloren e Komisionit (KE) nr. 1226/2002 (Gazeta Zyrtare L 179, 9.7.2002, f. 13).
7. Gazeta Zyrtare L 46, 19.2.1991, f. 19. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Rregulloren (KE) nr. 806/2003.
8. Shih faqen 31 të kësaj Gazete Zyrtare.
9. Gazeta Zyrtare L 302, 31.12.1972, f. 28. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Rregulloren e Komisionit (KE) nr. 807/2003 (Gazeta Zyrtare L 122, 16.5.2003, f. 36).
10. Gazeta Zyrtare L 303, 31.10.1990, f. 6. Direktivë e ndryshuar së fundmi me Rregulloren (KE) nr. 806/2003.
11. Gazeta Zyrtare L 371, 31.12.1994, f. 36.
12. Gazeta Zyrtare L 53, 9.3.1995, f. 31.
13. Gazeta Zyrtare L 105 9.5.1995, f. 40. Vendim i ndryshuar së fundmi me vendimin 97/278/KE (Gazeta Zyrtare L 110, 26.4.1997, f. 77).
14. Gazeta Zyrtare L 105, 9.5.1995, f. 44. Vendim i ndryshuar me Vendimin 97/278/KE.
15. Gazeta Zyrtare L 109, 16.5.1995, f. 44. Vendim i ndryshuar me Vendimin 97/278/KE.
16. Gazeta Zyrtare L 243, 11.10.1995, f. 21. Vendim i ndryshuar së fundmi me vendimin 98/227/KE (Gazeta Zyrtare L 87, 21.3.1998, f. 14).
17. Gazeta Zyrtare L 243, 11.10.1995, f. 25. Vendim i ndryshuar me Vendimin 98/227/KE.
18. Gazeta Zyrtare L 243, 11.10.1995, f. 29. Vendim i ndryshuar me Vendimin 98/227/KE.
19. Gazeta Zyrtare L 31, 1.2.2002, f. 1.
20. Gazeta Zyrtare L 184, 17.7.1999, f. 23.
21. Gazeta Zyrtare L 273, 10.10.2002, f. 1. Rregullore e ndryshuar së fundmi me Rregulloren e Komisionit (KE) Nr. 808/2003 (Gazeta Zyrtare L 117, 13.5.2003, f. 1).