-
Lexo Dokumentin
DIREKTIVA E KËSHILLIT 2001/112/KE, DATË 20 DHJETOR 2001, "PËR LËNGJET E FRUTAVE DHE PRODUKTE TË NGJASHME TË DESTINUARA PËR KONSUM NJERËZOR"
Gazeta Zyrtare L 010, 12.1.2002 f. 0058 - 0066
Direktivë e Këshillit 2001/112/KE
datë 20 dhjetor 2001,
"Për lëngjet e frutave dhe produkte të ngjashme të destinuara për konsum njerëzor"
KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Komunitetit Evropian dhe në veçanti nenin 37 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit1,
Duke pasur parasysh opinionin e Parlamentit Evropian2,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Ekonomik dhe Social3,
Meqë:
1. Disa direktiva vertikale në lidhje me produktet ushqimore duhet të thjeshtohen për të marrë parasysh vetëm kërkesat thelbësore që duhet të përmbushin produktet e mbuluara prej tyre, në mënyrë që këto produkte të mund të lëvizin lirisht në tregun e brendshëm, në përputhje me përfundimet e Këshillit Evropian të Edinburgut të mbledhur më 11 dhe 12 dhjetor 1992, siç konfirmohet edhe nga përfundimet e Këshillit Evropian të Brukselit të mbledhur më 10 dhe 11 dhjetor 1993.
2. Direktiva e Këshillit 93/77/KEE, datë 21 shtator 1993, "Për lëngjet e frutave dhe produkte të ngjashme"4 kishte për qëllim të kodifikonte Direktivën 75/726/KEE5 lidhur me të njëjtën temë.
3. Direktivat 75/726/KEE dhe 93/77/KEE janë justifikuar nga fakti se dallimet ndërmjet ligjeve kombëtare për lëngjet e frutave dhe nektareve të destinuara për konsum njerëzor mund të rezultojnë në kushte konkurrence të padrejtë që mund të çorientojnë konsumatorët dhe për rrjedhojë mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin dhe funksionimin e tregut të përbashkët.
4. Për rrjedhojë, direktivat e lartpërmendura kishin përcaktuar rregulla të përbashkëta që rregullonin përbërjen, përdorimin e përshkrimeve të rezervuara, specifikimet e prodhimit dhe etiketimin e produkteve përkatëse, me qëllim që të sigurojnë lëvizjen e lirë të tyre brenda Bashkimit Evropian.
5. Për hir të qartësisë, Direktiva 93/77/KEE duhet të riformulohet për t'i bërë më të qarta rregullat për kushtet e prodhimit dhe tregtimit të lëngjeve të frutave dhe produkteve të caktuara të ngjashme.
6. Po ashtu, duhet të sigurohet përputhshmëria e Direktivës 93/77/KEE me legjislacionin e përgjithshëm të BE-së për produktet ushqimore, veçanërisht me legjislacionin për etiketimin, lëndët ngjyruese, ëmbëlsuesit dhe aditivët e tjerë të autorizuar.
7. Direktiva 2000/13/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 20 mars 2000, "Për përafrimin e legjislacionit të shteteve anëtare lidhur me etiketimin, paraqitjen dhe reklamimin e produkteve ushqimore"6 dhe në veçanti neni 7, paragrafët 2 dhe 5 të saj, duhet të zbatohet duke iu nënshtruar kushteve të caktuara. Duhet të tregohet qartë kur një produkt është përzierje e lëngjeve të frutave me lëngje të frutave nga koncentrate dhe, për nektarin e frutave, kur është përftuar tërësisht ose pjesërisht nga një produkt i koncentruar. Lista e përbërësve në etiketë përmban emrat e lëngjeve të frutave dhe lëngjeve të frutave nga koncentrate që janë përdorur.
8. Sipas Direktivës së Këshillit 90/496/KEE, datë 24 shtator 1990, "Për etiketimin e produkteve ushqimore"7, në disa shtete anëtare lejohet shtimi i vitaminave në produktet e përcaktuara në këtë direktivë. Megjithatë, nuk është parashikuar shtrirja e kësaj mundësie në të gjithë BE-në. Për këtë arsye, shtetet anëtare janë të lira të autorizojnë ose të ndalojnë shtimin e vitaminave dhe të mineraleve si pjesë e procesit të prodhimit. Megjithatë, në të gjitha rrethanat, duhet të respektohet parimi i lëvizjes së lirë të produkteve brenda BE-së, në përputhje me rregullat dhe parimet e përcaktuara në Traktat.
9. Në përputhje me parimet e subsidiaritetit dhe të proporcionalitetit të përcaktuara në nenin 5 të Traktatit, qëllimi i përcaktimit të përkufizimeve dhe rregullave të përbashkëta për produktet në fjalë dhe harmonizimi i dispozitave me legjislacionin e përgjithshëm të BE-së për produktet ushqimore nuk mund të arrihen në nivel të mjaftueshëm nga shtetet anëtare dhe për këtë arsye, për shkak të natyrës së kësaj direktive, mund të arrihen më mirë nga BE-ja. Kjo direktivë nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e objektivit të lartpërmendur.
10. Masat e nevojshme për zbatimin e kësaj direktive duhet të miratohen në përputhje me Vendimin e Këshillit 1999/468 /KE, datë 28 qershor 1999, "Për përcaktimin e procedurave për ushtrimin e kompetencave zbatuese që i janë dhënë Komisionit"8.
11. Për të shmangur krijimin e pengesave të reja për lëvizjen e lirë, shtetet anëtare nuk duhet të miratojnë, për produktet në fjalë dispozita kombëtare që nuk janë parashikuar në këtë direktivë,
MIRATON KËTË DIREKTIVË:
Neni 1
Kjo direktivë zbatohet për produktet e përcaktuara në shtojcën I.
Neni 2
Sipas direktivës 90/496/KEE, shtetet anëtare mund të autorizojnë shtimin e vitaminave dhe mineraleve në produktet e përcaktuara në pjesën I të shtojcës I të kësaj direktive.
Neni 3
Direktiva 2000/13/KE zbatohet për produktet e përcaktuara në shtojcën I, në përputhje me kushtet e mëposhtme:
1. a) Emrat e produkteve të renditura në shtojcën I do të përdoren vetëm për produktet e përmendura në të dhe, pa cenuar nënparagrafin "b", do të përdoren në tregti për emërtimin e tyre.
b) Si alternativë ndaj emrave të produkteve të përmendura në nënparagrafin "a", në shtojcën III jepet një listë e emërtimeve të veçanta. Këto emërtime mund të përdoren në gjuhën dhe sipas kushteve të përcaktuara në shtojcën III.
2. Nëse produkti përftohet vetëm nga një lloj fruti, fjala "frut" zëvendësohet nga emri i frutit.
3. Për produktet e prodhuara nga dy ose më shumë fruta, përveç rastit kur përdoret lëng limoni sipas kushteve të përcaktuara në pjesën II.1 të shtojcës I, emrat e produkteve d plotësohen nga lista e frutave të përdorura, në rend zbritës të sasisë së lëngjeve të frutave ose pureve të përdorura. Megjithatë, në rastin e produkteve të prodhuara nga tre ose më shumë fruta, cilësimi i frutave të përdorura mund të zëvendësohet me fjalët "fruta të ndryshme" ose një formulim të ngjashëm, ose nga numri i frutave të përdorura.
4. Për lëngjet e frutave që janë ëmbëlsuar duke u shtuar sheqerna, emri i shitjes duhet të përfshijë fjalën "ëmbëlsuar" ose shprehjen "me sheqer të shtuar", e ndjekur nga treguesi i sasisë maksimale të sheqerit të shtuar, e llogaritur si lëndë e thatë dhe e shprehur në gram për litër.
5. Rikthimi i produkteve të përcaktuara në pjesën I të shtojcës I në gjendjen e tyre fillestare, duke përdorur substancat që janë absolutisht të domosdoshme për këtë veprim, nuk përfshin detyrimin për të paraqitur në etiketa listën e përbërësve të përdorur për këtë qëllim.
Shtimi në lëngjet e frutave i tulit ose pulpës shtesë, siç përcaktohet në shtojcën II, duhet të deklarohet në etiketë.
6. Pa cenuar nenin 7, paragrafët 2 dhe 5 të Direktivës 2000/13/KE "Për përzierjet e lëngjeve të frutave me lëngjet e frutave nga koncentrate dhe për nektarin e frutave të përftuar tërësisht ose pjesërisht nga një ose më shumë produkte të koncentruara", etiketa duhet të përmbajë shprehjen "prodhuar nga koncentrat(e)" ose "prodhuar pjesërisht me koncentrat(e)", sipas rastit. Ky informacion duhet të vendoset pranë emrit të produktit, me shkrim të dukshëm e të qartë në çdo sfond.
7. Për nektarin e frutave, në etiketë duhet të deklarohet përmbajtja minimale e lëngut të frutave, puresë së frutave ose ndonjë përzierje të këtyre përbërësve, duke përdorur shprehjen "përmbajtja e frutave: minimumi ... %". Ky informacion duhet të vendoset në të njëjtën fushëpamje me emrin e produktit.
Neni 4
Etiketa e lëngjeve të koncentruara të frutave të përmendura në pjesën I, pika 2 të shtojcës I, që nuk janë të destinuara për t'u dërguar te konsumatorët fundorë, duhet të përmbajë një referencë që tregon praninë dhe sasinë e sheqernave të shtuara, të lëngut të shtuar të limonit ose të agjentëve acidifikues të lejuar sipas Direktivës 95/2/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 20 shkurt 1995, "Për aditivët ushqimorë të ndryshëm nga ngjyruesit dhe ëmbëlsuesit"9. Kjo referencë duhet të vendoset në paketim, në një etiketë të ngjitur në paketim ose në dokumentacionin shoqërues.
Neni 5
Për produktet e përcaktuara në shtojcën I, shtetet anëtare nuk duhet të miratojnë dispozita kombëtare që nuk janë parashikuar nga kjo direktivë.
Neni 6
Pa cenuar Direktivën e Këshillit 89/107/KEE, datë 21 dhjetor 1988, "Për përafrimin e legjislacioneve të shteteve anëtare për aditivët ushqimorë të autorizuar për përdorim në produktet ushqimore të synuara për konsum njerëzor"10, vetëm trajtimet dhe substancat e renditura në pjesën II të shtojcës I dhe lëndët e para sipas shtojcës II mund të përdoren për prodhimin e produkteve të përcaktuara në pjesën I të shtojcës I. Përveç sa më sipër, nektaret e frutave duhet të jenë në përputhje me dispozitat e shtojcës IV.
Neni 7
Masat e nevojshme për zbatimin e kësaj direktive në lidhje me çështjet që përmenden në vijim, miratohen në përputhje me procedurën rregullatore të parashikuar në nenin 8, paragrafi 2:
- harmonizimi i kësaj direktive me legjislacionin e përgjithshëm të BE-së për produktet ushqimore,
- përshtatjet me progresin teknik.
Neni 8
1. Komisioni asistohet nga Komiteti i Përhershëm për Produktet Ushqimore (në vijim i referuar si "Komiteti"), i ngritur sipas nenit 1 të Vendimit 69/414/KEE11.
2. Aty ku përmendet ky paragraf, gjejnë zbatim nenet 5 dhe 7 të Vendimit 1999/468/KE.
Periudha e përcaktuar në nenin 5, paragrafi 6, të Vendimit 1999/468/KE është tre muaj.
3. Komiteti miraton rregulloren e tij të brendshme.
Neni 9
Direktiva 93/77/KEE shfuqizohet duke filluar nga data 12 korrik 2003.
Referencat për direktivën e shfuqizuar interpretohen si referenca për këtë direktivë.
Neni 10
Shtetet anëtare miratojnë ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me këtë direktivë, përpara datës 12 korrik 2003. Ato njoftojnë menjëherë Komisionin për këtë.
Masat do të zbatohen për qëllimet e mëposhtme:
- autorizimin e tregtimit të produkteve të përcaktuara në shtojcën I, nëse ato janë në përputhje me përkufizimet dhe rregullat e përcaktuara në këtë direktivë, duke filluar nga data 12 korrik 2003,
- ndalimi i tregtimit të produkteve që nuk janë në përputhje me këtë direktivë, duke filluar nga data 12 korrik 2004.
Megjithatë, tregtimi i produkteve që nuk janë në përputhje me këtë direktivë, por që janë etiketuar përpara datës 12 korrik 2004 në përputhje me direktivën 93/77/KEE, mund të vazhdojë deri në përfundimin e stoqeve.
Shtetet anëtare, në miratimin e këtyre masave, i referohen kësaj direktive ose i shoqërojnë ato me një referencë në rastin e botimit zyrtar të tyre. Mënyrat për bërjen e një reference të tillë përcaktohen nga vetë shtetet anëtare.
Neni 11
Kjo direktivë hyn në fuqi në datën e botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 12
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 20 dhjetor 2001.
Për Këshillin
Presidenti
C. Picqué
SHTOJCA I
EMRAT, PËRKUFIZIMET DHE KARAKTERISTIKAT E PRODUKTEVE
I. Përkufizimet
1. a) Lëng frutash
Produkti i fermentueshëm, por i pafermentuar i përftuar nga fruta të shëndosha dhe të pjekura, të freskëta ose të ruajtura në ngrirje, të një ose më shumë llojeve të përziera së bashku, i cili ka ngjyrën, aromën dhe shijen karakteristike të lëngut të frutave nga cili është përftuar. Aroma, pulpa dhe tuli i lëngut, të cilat janë ndarë gjatë përpunimit, mund të shtohen tek i njëjti lëng.
Në rastin agrumeve, lëngu i frutave duhet të prodhohet nga endokarpi. Megjithatë, lëngu i limonit të athët mund të përftohet nga i gjithë fruti, nëpërmjet proceseve të përshtatshme të prodhimit në mënyrë të tillë që përmbajtja e pjesës së jashtme të frutit të ulet në minimum.
b) Lëng frutash nga koncetrate
Produkti i përftuar duke shtuar në lëngun e koncentruar të frutave ujin e ekstraktuar nga ai lëng gjatë procesit të koncentrimit dhe duke i shtuar aromat dhe, nëse është e përshtatshme, tulin dhe pulpën e larguar nga lëngu, por të rikuperuar gjatë procesit të prodhimit të këtij lëngu frutash ose të një lëngu të prodhuar nga fruta të të njëjtit lloj. Uji i shtuar duhet të ketë karakteristika të përshtatshme, veçanërisht nga pikëpamjet kimike, mikrobiologjike dhe organoleptike, në mënyrë të tillë që të garantojë cilësitë thelbësore të lëngut.
Produkti i përftuar në këtë mënyrë duhet të shfaqë karakteristika organoleptike dhe analitike të njëjta të paktën me ato të llojit mesatar të lëngut të përftuar nga frutat e të njëjtit lloj brenda kuptimit të pikës "a".
2. Lëng frutash i koncentruar
Produkti i përftuar nga lëngjet e frutave të një ose më shumë llojeve, pas heqjes së një sasie të caktuar nga përmbajtja e ujit. Kur produkti është i synuar për konsum të drejtpërdrejtë, heqja do të jetë të paktën 50%.
3. Lëng i dehidratuar (pluhur) frutash
Produkti i përftuar nga lëngu i një ose më shume llojeve të frutave, nga largimi fizik i pothuajse të gjithë përmbajtjes së ujit.
4. Nektar frutash
a) Produkti i fermentueshëm, por i pafermentuar, i përftuar nga shtimi i ujit, sheqernave dhe/ose mjaltit në produktet e përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3, në purenë e frutave ose në përzierjen e këtyre produkteve, në mënyrë të tillë që ky produkt të plotësojë kërkesat e shtojcës IV.
Shtimi i sheqernave dhe/ose mjaltit lejohet deri në 20% të peshës totale të produktit përfundimtar.
Kur nektari i frutave prodhohet pa sheqer të shtuar ose me vlerë të ulët energjetike, sheqernat mund të zëvendësohen tërësisht ose pjesërisht nga ëmbëlsuesit, në përputhje me Direktivën 94/35/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 30 qershor 1994, "Për ëmbëlsuesit që përdoren në produktet ushqimore"12.
b) Duke deroguar nga germa "a", frutat e renditura në pjesët II dhe III të shtojcës IV dhe kajsitë mund të përdoren, individualisht ose të përziera së bashku, për prodhimin e nektareve pa shtim sheqeri, mjalti dhe/ose ëmbëlsuesi.
II. PËRBËRËSIT, TRAJTIMET DHE SUBSTANCAT E AUTORIZUARA
1. Përbërësit e autorizuar
- Në përputhje me nenin 2, shtimi i vitaminave dhe mineraleve mund të autorizohet në rastin e produkteve të përcaktuara në pjesën I, në përputhje me direktivën 90/496/KEE.
- Aromat, tuli dhe pulpat e rifutura në lëngjet e frutave të përcaktuara në pjesën I.1, germa "a" duhet të jenë ndarë nga lëngu gjatë përpunimit, ndërsa aroma, tuli dhe pulpat e rishtuara në lëngun e frutave të përcaktuar në pjesën I.1, germa "b" mund të jenë gjithashtu nga lëngje frutash të të njëjtit lloj.
Për lëngun e rrushit, mund te shtohen vetëm kripërat e acideve tartarike
- Për produktet e përcaktuara në pjesën I., pikat 1, 2 dhe 3, përvec lëngut të dardhës dhe të
rrushit, lejohet shtimi i sheqernave- për rregullimin e shijes acidike, sasia e sheqerit të shtuara, e shprehur si lëndë e thatë, nuk duhet të kalojë 15 g për litër lëng,
- për qëllime të ëmbëlsimit, sasia e sheqernave të shtuara, e shprehur si lëndë e thatë, nuk duhet të kalojë 150 g për litër lëng,
me kusht që sasia totale e sheqerit të shtuar për rregullimin e shijes acidike dhe për ëmbëlsim, mos të kalojë 150 g për litër.
- Për produktet e përcaktuara në pjesën I., pikat 1, 2, 3 dhe 4, shtimi i lëngut të limonit dhe/ose lëngut të limonit të koncentruar deri në 3 g për 1 litër lëng, i shprehur si acid citrik anhidrid, lejohet për rregullimin e shijes acidike.
- Dioksidi i karbonit lejohet, si përbërës, është i autorizuar.
Sipas Direktivës 95/2/KE, ndalohet shtimi i sheqernave dhe i lëngut të limonit, të koncentruar ose jo, apo i agjentëve acidifikues tek i njëjti lëng frutash.
2. Trajtimet dhe substancat e autorizuara
- Proceset mekanike të ekstraktimit.
- Proceset e zakonshme fizike, duke përfshirë procesin e ekstraktimit të ujit (difuzionit) të pjesës së ngrënshme të frutave të ndryshme nga rrushi për prodhimin e lëngjeve të koncentruara të frutave, me kusht që lëngjet e koncentruara të përftuara të jenë në përputhje me pjesën I.1. Përdorimi i disa proceseve dhe trajtimeve mund të kufizohet apo të ndalohet në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 8, paragrafi 2.
- Për lëngun e rrushit, ku është përdorur sulfurimi me dioksid squfuri, lejohet desulfurimi me procese fizike, me kusht që sasia totale e SO2 në produktin përfundimtar të mos kalojë 10 mg/l.
- Enzima pektolitike.
- Enzima proteolike.
- Enzima amilolitike.
- Xhelatinë ushqimore.
- Tanina.
- Bentonit.
- Aeroxhel silici.
- Qymyr.
- Agjentët ndihmës për filtrimin e inerteve kimike dhe agjentët precipitues (p.sh. perlit, diatomit i larë, celulozë, poliamidë e patretshme, polivinilpolipirolidon, polistiren), të cilat janë në përputhje me Direktivat e BE-së për materialet dhe artikujt që parashikohen të kenë kontakt me produktet ushqimore.
- Agjentët ndihmës për thithjen e inerteve kimike, të cilët janë në përputhje me direktivat "Për materialet dhe lëndët që parashikohen të kenë kontakt me produktet ushqimore" dhe që përdoren për të reduktuar përmbajtjen e limonoidit dhe naringinës së lëngut të agrumeve pa ndikuar ndjeshëm në glukozidet limonoide, acidet, sheqernat (përfshirë oligosakaridet) ose mineralet.
SHTOJCA II
PËRKUFIZIMET E LËNDËVE TË PARA
Për qëllimet e kësaj direktive përdoren përkufizimet e mëposhtme:
1. Fruta
Të gjitha frutat. Për qëllimet e kësaj direktive, domatet nuk konsiderohen fruta.
2. Pure frutash
Produkti i fermentueshëm, por i pafermentuar i përftuar nga ndarja e pjesës së ngrënshme të frutit të plotë ose të cilit i është hequr lëkura, pa hequr lëngun.
3. Pure e koncentruar frutash
Produkti i përftuar nga largimi fizik i një sasie të caktuar të përmbajtjes së ujit nga pureja e frutave..
4. Sheqerna
Për prodhimin e:
a) nektareve të frutave:
- sheqernat e përcaktuara në Direktivën e Këshillit 2001/111/KE, datë 20 dhjetor 2001, "Për disa sheqerna të synuara për konsum njerëzor"13,
- shurup fruktoze;
- sheqerna të përftuara nga frutat;
b) lëngjeve të frutave nga koncentrate:
- sheqernat e përcaktuara nga Direktiva 2001/111/KE,
- shurupi i fruktozës;
c) lëngjeve të frutave: sheqernat e renditura në germën "b", të cilat përmbajnë më pak se 2% ujë.
5. Mjalt:
Produkti i përcaktuar nga Direktiva e Këshillit 2001/110/KE, datë 20 dhjetor 2001, "Për mjaltin"14.
6. Tul ose pulp
Produktet e përftuara nga pjesët e ngrënshme të frutave të të njëjtit lloj, pa hequr lëngun. Gjithashtu, për agrumet, tuli ose pulpa janë masat e lëngshme të përftuara nga endokarpi.
SHTOJCA III
EMËRTIME TË VEÇANTA PËR PRODUKTE TË CAKTUARA TË LISTUARA NË SHTOJCËN I
a) "vruchtendrank", për nektaret e frutave;
b) "Süßmost"
Emri "Süßmost" mund të përdoret vetëm së bashku me emrat e produkteve "Fruchtsaft" ose "Fruchtnektar";
- për nektarin e frutave të përftuar ekskluzivisht nga lëngjet e frutave, lëngjet e koncentruara të frutave ose një përzierje e këtyre produkteve, të cilat janë të pakonsumueshme në gjendje natyrale, për shkak të aciditetit të lartë,
- për lëngun e frutave të përftuar nga dardha, me shtimin e mollëve aty ku është e përshtatshme, por pa sheqer të shtuar;
c) "succo e polpa" ose "sumo e polpa" për nektaret e frutave të përftuara ekskluzivisht nga pure frutash dhe/ose pure e koncentruar frutash;
d) "æblemost", për lëngun e mollës pa sheqer të shtuar;
e) "sur... saft", së bashku me emrin (në danisht) të frutit të përdorur, për lëngjet pa sheqer të shtuar të përftuara nga boronicat, qershitë, boronicat e kuqe, ato të bardha, mjedrat, luleshtrydhet ose manaferrat,
- "sød... saft" ose "sødet... saft" së bashku me emrin (në danisht) e frutit të përdorur, për lëngjet e përftuara nga ky frut me përmbajtje mbi 200 g sheqer të shtuar për litër;
f) "äpplemust", për lëngun e mollës pa sheqer të shtuar;
g) "mosto", sinonim i lëngut të rrushit.
SHTOJCA IV
DISPOZITA TË VEÇANTA PËR NEKTARET E FRUTAVE
"TABELA"
1. Gazeta Zyrtare C 231, 9.8.1996, f. 14.
2. Gazeta Zyrtare C 279, 1.10.1999, f. 92.
3. Gazeta Zyrtare C 56, 24.2.1997, f. 20.
4. Gazeta Zyrtare L 244, 30.9.1993, f. 23. Direktiva e ndryshuar së fundmi me Aktin e Aderimit, 1994.
5. Gazeta Zyrtare L 311 1.12.1975, f. 40.
6. Gazeta Zyrtare L 109 6.5.2000, f. 29.
7. Gazeta Zyrtare L 276, 6.10.1990, f. 40.
8. Gazeta Zyrtare L 184 7.7.1999, f. 23.
9. Gazeta Zyrtare L 61 18.3.1995, f. 1. Direktivë e ndryshuar me Direktivën 98/72/KE (Gazeta Zyrtare L 295, 4.11.1998, f. 18);
10. Gazeta Zyrtare L 40 11.2.1989, f. 27. Direktivë e ndryshuar me Direktivën 94/34/KE (Gazeta Zyrtare L 237, 10.9.1994, f. 1).
11. Gazeta Zyrtare L 291 19.11.1969, f. 9.
12. Gazeta Zyrtare L 237 10.9.1994, f. 3. Direktiva e ndryshuar me Direktivën 96/83/KE (Gazeta Zyrtare L 48, 19.2.997, f. 16).
13. Shih faqen 53 të kësaj Gazete Zyrtare.
14. Shih faqen 47 të kësaj Gazete Zyrtare.