-
Lexo Dokumentin
RREGULLORJA E KOMISIONIT (KE) NR. 1825/2000, DATË 25 GUSHT 2000, "PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR ZBATIMIN E RREGULLORES (KE) NR. 1760/2000 TË PARLAMENTIT EVROPIAN DHE TË KËSHILLIT NË LIDHJE ME ETIKETIMIN E MISHIT TË LOPËS DHE PRODUKTEVE TË TIJ"
Gazeta Zyrtare L 216, 26.8.2000 f. 0008 - 0012
KOMISIONI I KOMUNITETEVE EVROPIANE,
Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Bashkimit Evropian,
Duke pasur parasysh Rregulloren (KE) nr. 1760/2000 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 17 korrik 2000, "Për vendosjen e një sistemi për identifikimin dhe regjistrimin e gjedhëve dhe për etiketimin e mishit të lopës dhe produkteve të tij" dhe që shfuqizon Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 820/97, paragrafi1, dhe në veçanti nenin 19 të saj,
Meqë:
1. Duhen përcaktuar rregulla të detajuara për zbatimin e Rregullores (KE) nr. 1760/2000, veçanërisht për sa i përket shitjeve midis shteteve anëtare, në mënyrë që sistemi i etiketimit të mos çojë në shtrembërime të tregtisë në tregun e mishit të lopës dhe të viçit.
2. Për të siguruar gjurmimin, në kontekstin e dy sistemeve të detyrueshme dhe vullnetare të etiketimit të mishit të lopës, është e nevojshme që operatorët dhe organizatat të mbajnë një sistem identifikimi dhe një sistem gjithëpërfshirës regjistrimi për mishin e lopës në secilën prej fazave të ndryshme të prodhimit dhe të shitjes.
3. Për të identifikuar thertoret për të cilat nuk ekziston asnjë numër miratimi, është e nevojshme të sigurohen metoda alternative për identifikimin e tyre për një periudhë kalimtare.
4. Gjithashtu, është e nevojshme të përcaktohet procedura që do të ndiqet për etiketimin e mishit të kafshëve, të dhënat e plota të lindjes dhe lëvizjes së të cilave nuk janë të disponueshme për shkak se regjistrimi i këtyre të dhënave është kërkuar vetëm pas datës 1 janar 1998, nga Rregullorja e Këshillit (KE) nr. 820/97, datë 21 prill 1997, "Për krijimin e një sistemi për identifikimin dhe regjistrimin e gjedhëve dhe etiketimin e mishit të lopës dhe produkteve të tij"2. E njëjta dispozitë kërkohet për etiketimin e mishit të lopës nga kafshë të importuara të gjalla në BE nga vende të treta.
5. Në kontekstin e deklarimit të plotë të origjinës, në mënyrë që të shmanget përsëritja e panevojshme e saj në etiketën e shteteve anëtare apo të vendeve të treta ku është bërë rritja e tyre, është e nevojshme të bëhet një prezantim i thjeshtuar bazuar në kohën gjatë së cilës kafsha nga e cila ka ardhur mishi i lopës është mbajtur në shtetin anëtar ose në vendin e tretë të lindjes apo të therjes.
6. Është e nevojshme të qartësohet situata për sa i përket informacionit shtesë që mund të jetë përfshirë në etiketa sipas procedurave të thjeshtuara të etiketimit për mishin e grirë të lopës. Sipas nenit 13 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, ky informacion shtesë mund të tregohet deri më 1 shtator 2000. Disa informacione mund të tregohen vetëm deri më 1 janar 2002, nëse shteti anëtar në fjalë ka marrë vendim për të zbatuar një sistem kombëtar detyrues etiketimi që përfshin një informacion të tillë, ose nëse operatori në fjalë e tregon informacionin mbi baza vullnetare.
7. Në kontekstin e sistemit vullnetar të etiketimit të mishit të lopës, është e nevojshme të parashikohet një procedurë e përshpejtuar ose e thjeshtuar miratimi për prerje të caktuara mishi të etiketuara në një shtet anëtar sipas një specifikimi të miratuar dhe të futura në territorin e një shteti tjetër anëtar.
8. Me synim garantimin e besueshmërisë së specifikimit, është e nevojshme që organi i pavarur dhe autoriteti kompetent të kenë akses në të gjitha të dhënat e mbajtura nga operatorët dhe organizatat dhe të kryejnë kontrolle të rregullta të vendit bazuar në analizën e rrezikut.
9. Neni 17 i rregullores (KE) nr. 1760/2000 parashikon disa dispozita për rastet kur prodhimi i mishit të lopës ndodh plotësisht ose pjesërisht në një vend të tretë. Është me vend të sigurohen rregulla të detajuara zbatuese për procedurën e miratimit për importet e mishit të lopës nga vendet e treta.
10. Për të siguruar që marrëveshjet e etiketimit për mishin e importuar të lopës të jenë të një besueshmërie të njëjtë me ato që zbatohen për mishin e lopës në BE, Komisioni do të shqyrtojë njoftimet e marra nga vendet e treta. Njoftimet e plota do t'u transmetohen shteteve anëtare kur Komisioni të arrijë në përfundimin se procedurat dhe/ose kriteret e zbatuara në vendin e tretë në fjalë janë të njëjta me standardet e përcaktuara në Rregulloren (KE) nr. 1760/2000.
11. Për të garantuar besueshmërinë e sistemit të etiketimit në vendet e treta, Komisioni mund të kërkojë informacion shtesë dhe duhet të marrë masat e nevojshme në bazë të informacioneve të marra si rezultat i këtyre kërkesave.
12. Komisioni mund të kryejë kontrolle në vendet e treta. Për të kryer kontrolle në vende të treta, Komisionit do t'i duhet miratimi paraprak i vendit të tretë në fjalë. Nëse një miratim i tillë nuk është i afërt, Komisioni duhet të marrë masat e nevojshme.
13. Është e nevojshme që shtetet anëtare të kryejnë kontrolle për të garantuar saktësi të mjaftueshme të etiketave vullnetare të përdorura.
14. Duhet të vendoset një kuadër për sanksionet që do të caktohen për operatorët. Një kuadër i tillë duhet të marrë në konsideratë situatat kur një operator nuk e ka etiketuar mishin e lopës në përputhje me rregullat e sistemit të detyrueshëm të etiketimit ose kur një operator e ka etiketuar mishin e lopës, në kontekstin e sistemit fakultativ të etiketimit, jo në përputhje me specifikimin apo kur nuk ka specifikim të miratuar. Për një periudhë të kufizuar, deri më 1 janar 2001, me qëllim marrjen në konsideratë të vështirësive të operatorëve në zbatimin e kësaj rregulloreje, sanksionet më të ashpra duhet të vendosen vetëm kur etiketa përmban informacione që çorientojnë konsumatorin ose që nuk përputhen me specifikimin e miratuar.
15. Rregullorja (KE) nr. 820/97 parashikon detyrimin që çdo operator ose organizatë që dëshiron të bëjë një deklarim vullnetar në një etiketë t'i paraqesë një specifikim për miratim autoritetit kompetent të secilit vend anëtar në të cilin kryhet prodhimi ose shitja e mishit të lopës në fjalë. Rregullorja e Këshillit (KE) nr. 2772/1999, datë 21 dhjetor 1999, "Për rregullat e përgjithshme për një sistem të detyrueshëm etiketimi për mishin e lopës"3 i lejoi operatorët që të vazhdojnë të japin të dhëna fakultative në etiketat e mishit të lopës, si plotësuese të të dhënave të detyrueshme, deri më 31 gusht 2000.
16. Me kusht që të mos jetë bërë asnjë ndryshim në specifikimet e miratuara vullnetare dhe me kusht që ato të jenë në përputhje me rregullat e reja, është me vend që këto specifikime, ashtu si ato të miratuara për vendet e treta, të vazhdojnë të jenë të vlefshme.
17. Rregullorja (KE) nr. 820/97 parashikon mundësinë që shtetet anëtare, sistemi i cilave për identifikimin dhe regjistrimin e gjedhëve përmban detaje të mjaftueshme, të vendosin që për mishin e lopës nga kafshë të lindura, të rritura dhe të therura në të njëjtin shtet anëtar në etiketa të jepet edhe informacion plotësues. Rregullorja (KE) nr. 2772/1999 i lejoi shtetet anëtare që të vazhdojnë të përdorin mundësinë e vendosjes së një sistemi të detyrueshëm etiketimi për mishin e lopës nga kafshët e lindura, të majmura dhe të therura në territorin e tyre, në përputhje me nenin 19, paragrafi 4, të Rregullores (KE) nr. 820/97, mbi baza të përkohshme, deri më 31 gusht 2000.
18. Vendimi i Komisionit nr. 98/595/KE, datë 13 tetor 1998, "Për zbatimin e një sistemi të detyrueshëm etiketimi për mishin e lopës në Francë dhe Belgjikë"4 dhe Vendimi i Komisionit nr. 1999/1/KE, datë 14 dhjetor 1998, "Për zbatimin e një sistemi të detyrueshëm etiketimi për mishin e lopës në Finlandë"5, i lejojnë këto shtete anëtare që të vendosin një sistem të detyrueshëm etiketimi për mishin e lopës nga kafshët e lindura, të majmura dhe të therura në territorin e tyre. Këto vendime, si dhe çdo vendim i mëpasshëm i kësaj natyre, duhet të vazhdojnë të jenë të zbatueshme deri në hyrjen në fuqi të deklarimit të plotë të origjinës në sistemin e detyrueshëm të etiketimit të BE-së, më 1 janar 2002.
19. Për të monitoruar zbatimin e sistemit fakultativ të etiketimit, shtetet anëtare duhet të regjistrojnë specifikimet e miratuara dhe t'i përcjellin Komisionit informacion për rregullat e tyre kombëtare të zbatimit dhe të dhënat fakultative të miratuara brenda territorit të tyre. Ky informacion duhet të përditësohet rregullisht.
20. Është e nevojshme të shfuqizohet Rregullorja e Komisionit (KE) nr. 1141/97, datë 23 qershor 1997, që përcakton rregullat e detajuara për zbatimin e Rregullores së Këshillit (KE) nr. 820/97 "Për etiketimin e mishit të lopës dhe të produkteve të tij"6, e ndryshuar së fundmi nga Rregullorja (KE) nr. 824/987. Megjithatë, për të shmangur ngatërrimin gjatë periudhës kalimtare përpara miratimit të sistemit të detyrueshëm, siç përcaktohet nga Rregullorja (KE) nr. 1760/2000, Rregullorja (KE) nr. 1141/97 duhet të mbetet e zbatueshme për mishin e kafshëve të therura përpara 1 shtatorit 2000.
21. Masat e parashikuara në këtë rregullore janë në përputhje me opinionin e Komitetit të Menaxhimit për Mishin e Lopës dhe të Viçit,
MIRATON KËTË RREGULLORE:
Neni 1
Gjurmimi
Të gjithë operatorët dhe organizatat në kuptim të ndarjes së tretë të nenit 12 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, në secilën prej fazave të ndryshme të prodhimit dhe shitjes, kanë një sistem identifikimi dhe një sistem gjithëpërfshirës regjistrimi.
Një sistem i tillë zbatohet në mënyrë të tillë që të sigurojë lidhjen ndërmjet identifikimit të mishit dhe kafshës ose kafshëve në fjalë, siç parashikohet në nenin 13, paragrafi 1 dhe nenin 16, paragrafi 2 të asaj rregulloreje.
Sistemi i regjistrimit regjistron veçanërisht mbërritjen dhe largimin e bagëtive, karkasave dhe/ose prerjeve për të siguruar një lidhje midis hyrjeve dhe largimeve.
Neni 2
Etiketimi kur nuk disponohet informacion
1. Numri i miratimit, siç përmendet në nenin 13, paragrafi 2, germa "b" të rregullores (KE) nr. 1760/2000, është:
a) ose numri i miratimit i parashikuar në nenin 10, paragrafi 1 të Direktivës së Këshillit 64/433/KEE8,
b) ose, kur nuk ka numër miratimi, numri kombëtar i regjistrimit.
Kur asnjë nga të dy numrat nuk disponohet deri më 1 janar 2001, numri mund të zëvendësohet nga emri dhe adresa e thertores.
2. Në zbatim të nenit 13, paragrafi 5, të rregullores (KE) nr. 1760/2000:
a) për mishin e kafshëve të lindura në territorin e BE-së përpara datës 1 janar 1998, kur nuk disponohet informacion për vendin e lindjes dhe/ose vendin e mbarështimit, përveç vendit të fundit të mbarështimit, treguesi i vendit të lindjes dhe/ose vendit të mbarështimit do të zëvendësohet me treguesin "* (Lindur përpara 1 janarit 1998)".
b) për mishin e kafshëve të importuara të gjalla në territorin e BE-së, kur nuk disponohet informacion për vendin e lindjes dhe/ose vendin e mbarështimit, përveç vendit të fundit të mbarështimit, treguesi i vendit të lindjes dhe/ose vendit të mbarështimit do të zëvendësohet me treguesin "* (Import i kafshëve të gjalla në KE)" ose "* (Import i kafshëve të gjalla nga [emri i vendit të tretë])".
Neni 3
Thjeshtimi i deklaratës së origjinës
Në zbatim të nenit 13, paragrafi 5, germa "a" të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, "Për mishin e lopës nga kafshët e rritura për 30 ditë ose më pak":
- në shtetin anëtar ose në vendin e tretë të lindjes;
- në shtetin anëtar ose në vendin e tretë ku ka ndodhur therja;
nuk kërkohet cilësimi i shteteve anëtare ose vendeve të treta përkatëse si shteti anëtar ose vendi i tretë ku ka ndodhur rritja, me kusht që ato kafshë të jenë rritur në një tjetër shtet tjetër anëtar apo vend të tretë për një periudhë më të gjatë se 30 ditë.
Neni 4
Madhësia e një grupi
1. Gjatë prerjes së karkasave ose të çerek-karkasave, madhësia e grupit e përmendur në nënparagrafin e dytë të nenit 13, paragrafi 1, të rregullores (KE) nr. 1760/2000 përcaktohet nga numri i karkasave apo çerek-karkasave të prera së bashku dhe që përbëjnë një grumbull për stabilimentin përkatës të prerjes së mishit. Kjo madhësi nuk duhet të kalojë në asnjë rast prodhimin e një dite.
2. Gjatë prerjes ose grirjes së mëtejshme, një grup mund të riformohet nga të gjitha grupet e përmendura në paragrafin 1 të përfshira në prerje ose grirje në të njëjtën ditë.
Neni 5
Mish i grirë lope
1. Për qëllimet e kësaj rregulloreje, mishi i grirë përkufizohet si mishi që është grirë copëza ose i kaluar përmes një makinë grirëse spirale.
2. Informacioni plotësues që mund të përfshihet në etiketat e parashikuara në nënparagrafin e tretë të nenit 14 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000 është:
a) nga data 1 shtator 2000, treguesit e përmendur në nenin 13, paragrafi 2, germat "b" dhe "c" të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, si dhe data e grirjes;
b) nga data 1 shtator 2000 deri më 1 janar 2002, treguesit e përmendur në germën "a", pika I dhe II dhe germën "b" të nenit 13, paragrafi 5, të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, nëse shteti anëtar në fjalë ka marrë vendimin për të zbatuar një sistem të detyrueshëm kombëtar etiketimi që përfshin informacion të tillë ose nëse operatori në fjalë tregon vullnetarisht informacionin, në përputhje me seksionin II të titullit II të Rregullores (KE) nr. 1760/2000,
c) nga 1 janari 2002, treguesit e përmendur në nenin 13, paragrafi 5, germa "a", pikat I dhe II të Rregullores (KE) nr. 1760/2000.
Neni 6
Procedurat e miratimit
1. Periudha e parashikuar në nënparagrafin e dytë të nenit 16, paragrafi 3 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, gjatë së cilës nuk është refuzuar apo dhënë një miratim apo nuk është kërkuar informacion plotësues nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar në të cilin dërgohet mishi i lopës, do të jetë dy muaj nga dita që pason datën e paraqitjes së kërkesës.
2. Në përputhje me nenin 16, paragrafi 5 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000 për prerjet cilësore të mishit të lopës në pako individuale, të etiketuara në një shtet anëtar sipas një specifikimi të miratuar dhe të prezantuar në territorin e një shteti tjetër anëtar, kur në etiketën fillestare nuk është shtuar asnjë informacion, periudha e parashikuar në nënparagrafin e dytë të nenit 16, paragrafi 3 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000 është 14 ditë.
3. Për qëllimet e nenit 16, paragrafi 5 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, mishi i lopës në pako të vogla për shitje me pakicë, të etiketuara në një shtet anëtar sipas një specifikimi të miratuar, mund të futet dhe tregtohet në territorin e një shteti tjetër anëtar pa miratimin paraprak të specifikimit të etiketimit nga shteti anëtar në fjalë, me kusht që:
a) pakot në fjalë të mbeten të pandryshuara;
b) specifikimi i miratuar nga shteti anëtar i paketimit të mbulojë edhe tregtimin e mishit të lopës të paketuar në shtete të tjera anëtare;
c) shteti anëtar që miraton një specifikim të tillë t'u japë paraprakisht të gjitha shteteve të tjera anëtare ku, sipas specifikimit të miratuar, do të tregtohet mishi i paketuar i lopës, të gjitha informacionet e nevojshme.
Neni 7
Kontrollet
1. Operatorët dhe organizatat u sigurojnë në çdo kohë ekspertëve të Komisionit, autoritetit kompetent dhe organit të pavarur të kontrollit përkatës në kuptim të nënparagrafit të tretë të nenit 16, paragrafi 1 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, akses në mjediset e tyre dhe në të gjitha të dhënat që vërtetojnë se informacioni në etiketat në fjalë është i saktë.
2. Autoriteti kompetent dhe, në rastin e përmendur në nënparagrafin e tretë të nenit 16, paragrafi 1 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, organi i pavarur i kontrollit kryejnë kontrolle të rregullta në vend, në bazë të analizës së rrezikut, e cila merr në konsideratë veçanërisht kompleksitetin e specifikimit në fjalë. Për çdo kontroll, do të hartohet një raport inspektimi që përfshin çdo mangësi, si dhe masat e propozuara për korrigjimin e situatës, çdo afat dhe të gjitha sanksionet e vendosura.
3. Kur nuk përdoret alternativa e parashikuar në nënparagrafin e tretë të nenit 16, paragrafi 1 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, shtetet anëtare do të kryejnë kontrolle në mënyrë që të japin garanci të mjaftueshme për saktësinë e etiketave të përdorura. Shpeshtësia e tyre do të përcaktohet duke iu referuar në veçanti kompleksitetit të specifikimit përkatës.
4. Operatorët, organizatat dhe organet e pavarura të kontrollit duhet t'i përcjellin autoritetit kompetent të gjithë informacionin përkatës.
Neni 8
Miratimet nga vendet e treta
1. Komisioni verifikon nëse njoftimet janë të plota, siç parashikohet në nenin 17, paragrafi 2, të Rregullores (KE) nr. 1760/2000. Në rastin e një marrjes së një njoftimi jo të plotë, Komisioni do të informojë vendin e tretë përkatës duke cilësuar informacionin që kërkohet.
Njoftimet e plota do t'u transmetohen shteteve anëtare, përveç rastit kur Komisioni, në kuadër të kompetencave të akorduara nga nënparagrafi i tretë i nenit 17, paragrafi 2, i Rregullores (KE) nr. 1760/2000, arrin në përfundimin se procedurat dhe/ose kriteret e zbatuara në vendin e tretë në fjalë nuk janë të barasvlershme me standardet e përcaktuara në atë rregullore.
2. Në rast se Komisioni, në bazë të njoftimit të parashikuar në nenin 17, paragrafi 2, të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, gjykon se është me vend të verifikohet se procedurat dhe/ose kriteret e njoftuara nga një vend i tretë janë aktualisht ekuivalente me standardet e përcaktuara në rregulloren (KE) nr. 1760/2000, ai mund t'i kërkojë vendit të tretë që të japë çdo informacion të nevojshëm. Në veçanti, Komisioni mund t'i kërkojë vendit të tretë që të japë kopje të specifikimeve të miratuara nga autoriteti kompetent i caktuar. Gjithashtu, Komisioni mund t'i kërkojë vendit të tretë të autorizojë përfaqësuesit e Komisionit për të kryer kontrolle në vendin e tretë në fjalë.
3. Nëse ndonjë informacion ose autorizim i kërkuar sipas paragrafit të mësipërm nuk është pranuar brenda afatit të përcaktuar nga Komisioni, ky i fundit mund të arrijë në përfundimin që procedurat dhe/ose kriteret e zbatuara në një vend të tretë nuk janë ekuivalente me standardet e përcaktuara në Rregulloren (KE) nr. 1760/2000.
4. Komisioni mund të ndryshojë në çdo kohë vendimin e tij fillestar në lidhje me njëtrajtshmërinë e procedurave dhe/ose kritereve të zbatuara në vendin e tretë në fjalë, në përputhje me nënparagrafin e tretë të nenit 17, paragrafi 2, të Rregullores (KE) nr. 1760/2000.
Neni 9
Sanksionet
1. Shtetet anëtare përcaktojnë sistemin e sanksioneve që do të zbatohet në rast shkeljeje të Rregullores (KE) nr. 1760/2000 dhe marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e tij. Sanksionet e parashikuara duhet të jenë efikase, proporcionale dhe shtrënguese.
2. Pa cenuar sanksionet e përmendura në nenin 18 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000, kur mishi i lopës është etiketuar:
- jo në përputhje me sistemin e detyrueshëm të etiketimit, ose
- në rastin e zbatimit të sistemit fakultativ, pa respektuar specifikimin, ose kur nuk ka ndonjë specifikim të miratuar,
shtetet anëtare do të kërkojnë heqjen e mishit të lopës nga tregu deri në rietiketimin e tij në përputhje me këtë rregullore.
Megjithatë, nëse mishi i lopës në fjalë është në përputhje me të gjitha rregullat ekzistuese veterinare dhe të higjienës, shtetet anëtare, përveç sanksioneve të përmendura në paragrafin 1, mund të autorizojnë që ky mish të dërgohet direkt për përpunim në produkte të ndryshme nga ato të paraqitura në ndarjen e parë të nenit 12 të Rregullores (KE) nr. 1760/2000.
3. Deri më 1 janar 2001 heqja e mishit të lopës nga tregu do të bëhet vetëm në rastet kur etiketa përmban të dhëna që mund të mashtrojnë ndjeshëm konsumatorin ose që nuk përputhen me specifikimet e miratuara.
Neni 10
Regjistrat
Autoriteti kompetent përpilon një regjistër të specifikimeve të miratuara dhe, në veçanti, të të gjithë operatorëve dhe organizatave përgjegjëse për etiketimin e mishit të lopës, duke cilësuar organin e pavarur përgjegjës për kontrollet.
Neni 11
Komunikimet
Shtetet anëtare i komunikojnë Komisionit:
a) emrat e autoriteteve kompetente për zbatimin e sistemit të etiketimit në përputhje me Rregulloren (KE) nr. 1760/2000, si dhe rregullat e tjera të hollësishme të zbatimit, në veçanti ato në lidhje me kontrollet përkatëse që duhet të kryhen dhe sanksionet që duhet të zbatohen;
b) deri më 30 shtator 2000, një listë të të gjitha deklaratave vullnetare të miratuara brenda territorit të tyre;
c) çdo tre muaj, një përditësim të listës së përmendur në pikën b.
Neni 12
Dispozitë kalimtare
Me kusht që të jenë në përputhje me Rregulloren (KE) nr. 1760/2000 dhe me këtë rregullore,
a) specifikimet fakultative të miratuara në zbatim të neneve 14 dhe 15 të Rregullores (KE) nr. 820/97 do të vazhdojnë të jenë të vlefshme;
b) sistemet e detyrueshme kombëtare të etiketimit të mishit të lopës, të miratuara sipas nenit 19, paragrafi 4 të Rregullores (KE) nr. 820/97, si dhe të gjitha vendimet tjera të tilla, do të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri më 1 janar 2002.
Neni 13
Shfuqizimi
Rregullorja (KE) nr. 1141/97 shfuqizohet.
Megjithatë, ajo mbetet e zbatueshme për mishin e kafshëve të therura përpara 1 shtatorit 2000.
Referencat për rregulloren e shfuqizuar interpretohen si referenca për këtë rregullore dhe lexohen në përputhje me tabelën e përputhshmërisë në shtojcë.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi tre ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Komuniteteve Evropiane.
Ajo do të zbatohet për mishin e lopës nga kafshë të therura nga 1 shtatori 2000.
Kjo rregullore është detyruese në tërësinë e saj dhe drejtpërdrejt e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 25 gusht 2000.
Për Komisionin
Philippe Busquin
Anëtar i Komisionit
SHTOJCË
TABELA E PËRPUTHSHMËRISË
"TABELA"
1. Gazeta Zyrtare L 204, 11.8.2000, f. 1.
2. Gazeta Zyrtare L 117, 7.5.1997, f. 1.
3. Gazeta Zyrtare L 334, 28.12.1999, f. 1.
4. Gazeta Zyrtare L 286, 23.10.1998, f. 55.
5. Gazeta Zyrtare L 1, 5.1.1999, f. 3.
6. Gazeta Zyrtare L 165, 24.6.1997, f. 7.
7. Gazeta Zyrtare L 117, 21.4.1998, f. 4.
8. Gazeta Zyrtare L 121, 29.7.1964, f. 2012/64.