-
Lexo Dokumentin
19.1.1978
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 15/34
DIREKTIVË E KËSHILLIT, DATË 13 DHJETOR 1977, "PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË KOMUNITETIT PËR PLANET KOMBËTARE PËR PËRSHPEJTIMIN E ÇRRËNJOSJES SË BRUCELOZËS, TUBERKULOZIT DHE LEUKOZËS ENZOOTIKE TE GJEDHËT"
(78/52/KEE)
KËSHILLI I KOMUNITETEVE EVROPIANE,
Duke pasur parasysh traktatin themelues të Komunitetit Ekonomik Evropian,
Duke pasur parasysh Direktivën e Këshillit 77/391/KEE, datë 17 maj 1977, "Për përcaktimin e masave të Komunitetit për çrrënjosjen e brucelozës, tuberkulozit dhe leukozës te gjedhët"<href="#ntr1-L_1978015EN.01003401-E0001">1, dhe në veçanti nenin 13 të saj,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit,
Meqë gjatë përcaktimit, në Direktivën 77/391/KEE, të parimeve bazë të ndërhyrjes së Komunitetit për çrrënjosjen e brucelozës, tuberkulozit dhe leukozës, Këshilli vendosi të përcaktojë kriteret minimale që duhen përmbushur nga planet kombëtare për çrrënjosjen e sëmundjeve të lartpërmendura në mënyrë që të klasifikohen për kontribut financiar nga Komuniteti;
Meqë kriteri i parë lidhet me përshpejtimin e planeve kombëtare, në mënyrë që fushata e ndërmarrë për çrrënjosjen e sëmundjeve në fjalë në shtetet anëtare ku tufat janë ende të prekura të mund të kenë efekte pozitive sa më shpejtë të jetë e mundur; meqë për këtë qëllim duhen të merren ose të forcohen masat, për sa është e mundur në të njëjtën kohë, në veçanti për kontrollet në lidhje me bagëtitë, funksionimin e laboratorëve dhe kompensimin e paguar për gjedhët e therur në zbatim të planit të çrrënjosjes;
Meqë, në varësi të sëmundjeve në fjalë, është gjithashtu i nevojshëm përcaktimi i kushteve në të cilat duhet kryer therja, izolimi, pastrimi dhe dezinfektimi, si dhe i përdorimit të produkteve të caktuara shtazore;
Meqë, për të shmangur rrezikun e riinfektimit, është gjithashtu i rëndësishëm ushtrimi i kontrolleve të rrepta të lëvizjeve të gjedhëve, veçanërisht mes tufave me gjendje të ndryshme shëndetësore, si dhe bërja e kushtëzimi i këtyre lëvizjeve nga teste të caktuara;
Meqë duhet përcaktuar data e hyrjes në fuqi të Direktivës 77/391/KEE,
MIRATON KËTË DIREKTIVË:
Neni 1
Në mënyrë që të klasifikohet për kontributin financiar të Komunitetit të parashikuar në Direktivën 77/391/KEE, çdo plan çrrënjosjeje i përmendur në nenet 2, 3 dhe 4 të kësaj direktive, në lidhje me tufat për të cilat zbatohet, duhet të përmbushë të paktën kriteret e përcaktuara në këtë direktivë.
Neni 2
Për qëllimet e kësaj direktive përdoren përkufizimet e mëposhtme:
1. në rastin e brucelozës te gjedhët:
a) tufa gjedhi të llojit B1: tufat për të cilat nuk dihen të dhënat e mëparshme klinike, si dhe gjendja e vaksinimit dhe ajo serologjike;
b) tufa gjedhi të llojit B2: tufat për të cilat nuk dihen të dhënat e mëparshme klinike, gjendja e vaksinimit dhe ajo serologjike dhe në të cilat janë kryer teste monitorimi rutinë në përputhje me rregullat kombëtare për t'i klasifikuar këto tufa në statusin e llojit B3 ose të llojit B4;
c) tufa gjedhi të llojit B3: tufat e paprekura nga bruceloza sipas kuptimit të Direktivës së Këshillit 64/432/KEE, datë 26 qershor 1964, "Për problemet e shëndetit të kafshëve që ndikojnë në tregtinë brenda komunitetit të kafshëve të llojit gjedh dhe derr"2, të ndryshuar së fundmi me Direktivën 77/98/KEE3;
d) tufa gjedhi të llojit B4: tufat që janë zyrtarisht të paprekura nga bruceloza sipas kuptimit të Direktivës 64/432/KEE;
2. në rastin e tuberkulozit të gjedhëve:
a) tufa gjedhi të llojit T1: tufat për të cilat nuk njihen të dhënat e mëparshme klinike dhe statusi i testit të tuberkulinës;
b) tufa gjedhi të llojit T2: tufat për të cilat nuk njihen të dhënat e mëparshme klinike dhe statusi i testit të tuberkulinës dhe në të cilat janë kryer teste monitorimi rutinë në përputhje me rregullat kombëtare për t'i klasifikuar këto tufa në statusin e llojit T3;
c) tufa gjedhi të llojit T3: tufat zyrtarisht të paprekura nga tuberkulozi sipas kuptimit të Direktivës 64/432/KEE;
3. kafshë e dyshuar: gjedhët që shfaqin simptoma që tregojnë praninë e mundshme të tuberkulozit, brucelozës ose leukozës enzootike të gjedhit dhe diagnoza e duhur e të cilave nuk ka konfirmuar dhe as nuk ka përjashtuar zyrtarisht praninë e një ose më shumë prej këtyre sëmundjeve;
4. veteriner zyrtar: veterineri i caktuar nga autoriteti kompetent qendror i shtetit anëtar;
5. mjete transporti: pjesët e automjeteve, mjeteve hekurudhore dhe ajrore të përcaktuara për ngarkimin, magazinat e anijeve dhe kontejnerët për transportin rrugor, detar dhe ajror.
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 3
Shtetet anëtare garantojnë se, në çdo rast, përshpejtimi i parashikuar në Direktivën 77/391/KEE të përfshijë shkurtim të konsiderueshëm të kohës së nevojshme për realizimin me sukses të planeve të çrrënjosjes krahasuar me kohën që nevojitet për programet që janë duke u zbatuar.
Masat që duhen marrë për arritjen e këtij qëllimi janë:
1. Pjesa e popullatës kombëtare të bagëtive, e cila i nënshtrohet masave të çrrënjosjes dhe masave parandaluese duhet të jetë aq e lartë sa shumica apo të gjitha këto bagëti të mund të vendosen ose të bëhen objekt i kontrolleve monitoruese sa më shpejt të jetë e mundur.
2. Kompensimi për kafshët e therura sipas udhëzimeve të veterinerit zyrtar duhet të rregullohet në mënyrë të tillë që mbarështuesit të kompensohen siç duhet.
3. Numri i stafit laboratorik duhet të rritet dhe kushtet për përcaktimin e diagnozave në laborator duhet të përmirësohen — në masën që këto masa duhet të merren — në mënyrë që të arrihet niveli i mjaftueshëm për realizimin e masave të përcaktuara në pikën 1.
4. Masat e vendosura për të luftuar sëmundjet enzootike duhet të zbatohen sistematikisht.
Për të garantuar efektshmëri së plotë të përshpejtimit, shtetet anëtare duhet të sigurohen që të zbatohen të gjitha masat e përcaktuara në pikat 1 deri në 4.
Neni 4
1. Me qëllim monitorimin zyrtar të lëvizjes së kafshëve, shtetet anëtare duhet të garantojnë që bagëtitë të regjistrohen dhe identifikohen në mënyrë të përhershme.
2. Shtetet anëtare hartojnë dhe mbajnë të përditësuar, për çdo sëmundje për të cilën ekziston një plan zhdukjeje, një regjistër zyrtar të tufave të gjedhëve që mbulohen nga një plan i tillë, të klasifikuara sipas gjendjes së tyre shëndetësore.
KREU II
DISPOZITA TË VEÇANTA PËR BRUCELOZËN TE GJEDHËT
Neni 5
Shtetet anëtare sigurohen që në zbatim të një plani për çrrënjosjen e brucelozës:
a) prania e vërtetuar dhe prania e dyshuar e brucelozës të jenë objekt i njoftimit të detyrueshëm dhe të menjëhershëm tek autoriteti kompetent;
b) të ndalohet çdo trajtim terapeutik i brucelozës;
c) vaksinimi kundër brucelozës, nëse praktikohet, të kryhet nën mbikëqyrje zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që tufat të mund të kalojnë në fazën e tufave zyrtarisht të paprekura nga bruceloza.
Neni 6
1. Nëse një tufë përmban një kafshë e dyshuar si e prekur me brucelozë, autoritetet kompetente garantojnë kryerjen sa më shpejt të jetë e mundur të hetimeve zyrtare për të konfirmuar ose për të përjashtuar praninë e sëmundjes.
Në pritje të rezultatit të këtyre hetimeve, autoritetet kompetente urdhërojnë:
— mbajtjen e tufës nën mbikëqyrje zyrtare;
— ndalimin e të gjitha lëvizjeve brenda ose jashtë tufës, përveç nëse autorizohet nga autoritetet kompetente për qëllime të therjes së menjëhershme. Megjithatë, autoritetet kompetente mund të autorizojnë lëvizjen e gjedhëve të tredhur në fermë pas izolimit të kafshëve të dyshuara, me kusht që kafshët e tredhura të zhvendosen tek tufat për majmëri dhe prej andej në thertore;
— izolimin brenda tufës të kafshëve të dyshuara.
2. Urdhrat e përmendur në paragrafin 1 nuk do të tërhiqen derisa prania ose prania e dyshuar e brucelozës në tufën në fjalë të përjashtohet zyrtarisht.
3. Nëse konfirmohet zyrtarisht prania e brucelozës në një tufë, shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe sigurohen në veçanti që:
— të ndalohen të gjitha lëvizjet brenda ose jashtë tufës në fjalë, përveç nëse autorizohet nga autoritetet kompetente për qëllime të therjes së menjëhershme; megjithatë, autoritetet kompetente mund të autorizojnë lëvizjen e gjedhëve të tredhur në fermë pas izolimit dhe markimit, për therje, të kafshëve të infektuara dhe të gjedhëve të regjistruara nga këto autoritete si të infektuara, me kusht që kafshët e tredhura të zhvendosen në tufat për majmëri dhe prej andej në thertore;
— kafshët e konfirmuara zyrtarisht si të prekura me brucelozë dhe kafshët që mund të jenë infektuar prej tyre të izolohen brenda tufës;
— me kusht që të respektohen kushtet e Direktivës 64/432/KEE dhe të Direktivës së Këshillit 78/51/KEE, datë 13 dhjetor 1977, "Për zgjatjen e masave të caktuara të derogimit në lidhje me brucelozën dhe tuberkulozin të dhëna në Danimarkë, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar"4, gjedhët të ekzaminohen pa vonesë për praninë e brucelozës;
— kafshët e konfirmuara zyrtarisht si të prekura me brucelozë, kafshët të cilat kanë dalë me rezultate të pafavorshme pas ekzaminimit të parashikuar në ndarjen e tretë dhe kafshët që konsiderohen nga autoritetet kompetente si të infektuara me brucelozë, të izolohen dhe markohen derisa të theren në përputhje me nenin 7;
— qumështi nga lopët e infektuara të mund t'u jepet kafshëve në të njëjtën fermë vetëm pas trajtimit të përshtatshëm termik;
— pa cenuar dispozitat kombëtare për produktet ushqimore, qumështi i lopëve që vijnë nga një tufë e infektuar të mos dërgohet në baxho, me përjashtim të rastit kur i nënshtrohet trajtimit të përshtatshëm termik;
— karkasat, gjysmë-karkasat, çerek-karkasat, pjesët dhe të përbrendshmet e kafshëve të infektuara që synohen të përdoren si ushqim për kafshët të trajtohen në mënyrë të tillë që të shmanget kontaminimi;
— fetuset, viçat e lindur të ngordhur, viçat e ngordhur nga bruceloza pas lindjes ose placenta të asgjësohen me kujdes dhe të eliminohen menjëherë, me përjashtim të rastit kur do t'i nënshtrohen ekzaminimit;
— kashta, shtroja apo lëndët dhe substancat e tjera që kanë rënë në kontakt me lopën ose viçin e infektuar apo me placentën, të asgjësohen menjëherë, të digjen ose të groposen pasi të zhyten në dezinfektues;
— rregulloret zyrtare për kontrollin e objekteve, të tilla si impiantet e asgjësimit të karkasave, të garantojnë se nuk ka rrezik për përhapjen e brucelozës nga materialet e prodhuara;
— plehu i hangarit ose i stallave të tjera të përdorura nga kafshët të ruhet në një vend të paaksesueshëm nga kafshët e fermës, të trajtohet me dezinfektues të përshtatshëm dhe të ruhet për të paktën tre javë. Përdorimi i dezinfektuesit nuk është i domosdoshëm nëse plehu mbulohet me një shtresë plehu ose dheu të painfektuar. Mbetjet e lëngshme nga hangarët ose stallat e tjera të përdorura nga kafshët duhen dezinfektuar nëse nuk mblidhen në të njëjtën kohë me plehun.
Neni 7
Shtetet anëtare sigurohen që, pas ekzaminimit bakteriologjik, patologjik ose serologjik, kafshët në të cilat është përcaktuar zyrtarisht prania e brucelozës dhe ato që konsiderohen nga autoritetet kompetente si të prekura me brucelozë të theren nën mbikëqyrjen zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se 30 ditë pasi zotëruesit ose personit përgjegjës të tyre t'i jenë njoftuar rezultatet e testeve dhe detyrimi i tij, në bazë të planit të zhdukjes për therjen e gjedhëve në fjalë brenda afatit kohor.
Neni 8
Shtetet anëtare garantojnë që:
1. pas therjes së gjedhëve të përmendur në nenin 7 dhe para ristokimit, hangarët dhe stallat e tjera të tufave, si dhe të gjithë kontejnerët, pajisjet dhe artikujt e tjerë të përdorur për kafshët, të pastrohen dhe dezinfektohen nën mbikëqyrjen zyrtare, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga veterineri zyrtar. Kullotat e përdorura nga këto kafshë nuk duhet të ripërdoren për 60 ditë pas largimit të tyre nga kullotat; megjithatë, autoritetet kompetente mund ta anashkalojnë këtë ndalim në rastin e kafshëve të tredhura, me kusht që këto kafshë të largohen nga kullotat vetëm për therje ose të zhvendosen në tufat për majmëri dhe prej andej në thertore;
2. të gjitha mjetet e transportit, kontejnerët dhe pajisjet të pastrohen dhe dezinfektohen pas transportit të kafshëve të një tufe të infektuar ose të materialeve të këtyre kafshëve apo materialeve ose substancave që kanë qenë në kontakt me këto kafshë. Zonat e ngarkimit të këtyre kafshëve duhen pastruar dhe dezinfektuar pas përdorimit;
3. dezinfektuesi që do të përdoret dhe përqendrimet e tij të autorizohen zyrtarisht nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar përkatës.
Neni 9
Shtetet anëtare garantojnë që pas therjes së gjedhëve të përmendur në nenin 7;
— pa cenuar dispozitat e nenit 11, asnjë gjedh nuk mund të largohet nga tufa përkatëse, përveç nëse është marrë autorizim nga autoriteti kompetent me qëllim therjen e menjëhershme. Megjithatë, lëvizja e gjedhëve të tredhur në fermë mund të autorizohet nga autoritetet kompetente, me kusht që kafshët e tredhura të zhvendosen në tufat për majmëri dhe prej andej në thertore,
— në tufën në fjalë të kryhen testet për brucelozë për të konfirmuar zhdukjen e sëmundjes;
— tufa nuk ristokohet bashku me kafshë për mbarështim derisa kafshët mbi 12 muaj që kanë mbetur në tufë për këtë qëllim,t'i jenë nënshtruar një ose më shumë ekzaminimeve zyrtare serologjike për brucelozën. Megjithatë, për gjedhët që janë vaksinuar në përputhje me dispozitat e Direktivës 64/432/KEE, ky test duhet kryer derisa të mbushin 18 muaj.
Neni 10
Shtetet anëtare garantojnë që testimi serologjik të kryhet në tufat e llojit B1 dhe llojit B2 derisa ato të klasifikohen në tufa të llojit B3 ose të llojit B4.
Neni 11
Shtetet anëtare garantojnë që:
I. të gjitha kafshët femra dhe qetë e tufave të llojit B1 të destinuara për tufa të llojit B2:
— nëse janë mbi 12 muaj, të kenë kaluar testin serologjik të miratuar zyrtarisht të kryer brenda 30 ditëve para zhvendosjes dhe të shoqërohen me certifikatën përkatëse të lëshuar nga veterineri zyrtar;
— të izolohen për të paktën 60 ditë menjëherë pas mbërritjes dhe, nëse janë mbi 12 muaj, të kenë kaluar një test tjetër serologjik të miratuar zyrtarisht përpara pranimit në tufën e llojit B2;
II. të gjitha kafshët femra dhe qetë e tufës të llojit B2 të destinuara për një tufë tjetër të llojit B2:
— nëse janë mbi 12 muaj, të kenë kaluar testin serologjik të miratuar zyrtarisht të kryer brenda 30 ditëve para zhvendosjes dhe të shoqërohen me certifikatën përkatëse të lëshuar nga veterineri zyrtar;
— gjatë transferimit, të mos bien në kontakt me kafshë të tufave me status më të ulët shëndetësor;
III. transferimet e kafshëve mes tufave të llojit B3 dhe B4 të kryhen me kushtin që të respektohen kërkesat e Direktivës 64/432/KEE.
Neni 12
Shtetet anëtare garantojnë që:
— janë marrë masa zyrtare kontrolli për parandalimin e riinfektimit nga burime të tjera infektimi të tufave të pastra nga bruceloza;
— të gjitha zhvendosjet e gjedhëve brenda tufave që mbulohen nga plani i zhdukjes i nënshtrohen monitorimit zyrtar;
— masat e kontrollit të zhvendosjes që përmenden në ndarjen e dytë mund të zbatohen pa cenuar masat ekzistuese të Komunitetit për zhvendosjen brenda dhe jashtë tufave të paprekura dhe zyrtarisht të paprekura nga bruceloza.
KREU III
DISPOZITA TË VEÇANTA PËR TUBERKULOZIN E GJEDHËVE
Neni 13
Shtetet anëtare garantojnë se në zbatim të një plani për përshpejtimin e zhdukjes së tuberkulozit:
a) prania e vërtetuar dhe prania e dyshuar e tuberkulozit të jenë objekt i njoftimit të detyrueshëm dhe të menjëhershëm tek autoriteti kompetent;
b) të ndalohet sa më poshtë:
I. çdo trajtim terapeutik ose desensibilizuese të tuberkulozit;
II. vaksinimi kundër tuberkulozit.
Neni 14
1. Nëse një tufë përmban një kafshë të dyshuar si të prekur me tuberkuloz, autoritetet kompetente garantojnë kryerjen e hetimeve zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur për të konfirmuar ose për të përjashtuar praninë e sëmundjes.
Në pritje të rezultatit të këtyre hetimeve, autoritetet kompetente urdhërojnë:
— mbajtjen e tufës nën mbikëqyrje zyrtare;
— ndalimin e të çdo lëvizjeje brenda ose jashtë tufës, përveç nëse autorizohet nga autoritetet kompetente për qëllime të therjes së menjëhershme;
— izolimin brenda tufës të kafshëve të dyshuara.
2. Urdhrat e përmendur në paragrafin 1 nuk do të tërhiqen derisa prania ose prania e dyshuar e tuberkulozit në tufën në fjalë të përjashtohet zyrtarisht.
3. Nëse prania e tuberkulozit në një tufë konfirmohet zyrtarisht, shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe garantojnë në veçanti sa më poshtë:
— të ndalohen të gjitha lëvizjet brenda ose jashtë tufës në fjalë, përveç nëse autorizohen nga autoritetet kompetente me qëllim therjen pe menjëhershme;
— gjedhët e konfirmuar zyrtarisht si të prekur me tuberkuloz dhe gjedhët që mund të jenë infektuar prej tyre, të izolohen brenda tufës,
— gjedhët t'i nënshtrohen pa vonesë ekzaminimit për tuberkuloz;
— gjedhët e konfirmuar zyrtarisht si të prekur me tuberkuloz, gjedhët që kanë rezultate të pafavorshme pas ekzaminimit të parashikuar në ndarjen e tretë dhe gjedhët që konsiderohen nga autoritetet kompetente si të infektuara, të izolohen dhe markohen deri në therjen e tyre në përputhje me nenin 15;
— qumështi nga lopët e infektuara të mund t'u jepet kafshëve në të njëjtën fermë vetëm pas trajtimit të përshtatshëm termik;
— pa cenuar dispozitat kombëtare për produktet ushqimore, qumështi i lopëve që vijnë nga një tufë e infektuar të mos dërgohet në baxho, me përjashtim të rastit kur i nënshtrohet trajtimit të përshtatshëm termik;
— karkasat, gjysmë-karkasat, çerek-karkasat, pjesët dhe të përbrendshmet e gjedhëve të infektuar që synohen të përdoren si ushqim për kafshët të trajtohen në mënyrë të tillë që të shmanget kontaminimi;
— rregulloret zyrtare për kontrollin e objekteve, të tilla si impiantet e asgjësimit të karkasave, të garantojnë se nuk ka rrezik për përhapjen e tuberkulozit nga lëndët e prodhuara;
— plehu i hangarit ose i stallave të tjera të përdorura nga kafshët ruhet në një vend të paaksesueshëm nga kafshët e fermës, të trajtohet me dezinfektues të përshtatshëm dhe të ruhet për të paktën tre javë. Përdorimi i dezinfektuesit nuk është i domosdoshëm nëse plehu mbulohet me një shtresë plehu ose dheu të painfektuar. Mbetjet e lëngshme nga hangarët ose stallat e tjera të përdorura nga kafshët duhen dezinfektuar nëse nuk mblidhen në të njëjtën kohë me plehun.
Neni 15
Shtetet anëtare garantojnë që, pas ekzaminimit bakteriologjik, patologjik ose tuberkulin, kafshët në të cilat prania e tuberkulozit është konfirmuar zyrtarisht dhe ato të cilat konsiderohen nga autoritetet kompetente si të prekura, theren nën mbikëqyrjen zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se 30 ditë pasi zotëruesi ose personi përgjegjës është njoftuar për rezultatet e testeve dhe për detyrimin e tij, në bazë të planit të çrrënjosjes për therjen e gjedhëve në fjalë brenda këtij afati kohor.
Megjithatë, për kafshët që kanë rezultuar pozitive pas ekzaminimit për tuberkuloz po nuk shfaqin simptoma klinike të sëmundjes, autoritetet kompetente mund ta zgjasin periudhën e parashikuar në paragrafin e mësipërm maksimumi deri në tre muaj:
— në rastin e një kafshe femër që pritet të pjellë brenda periudhës tremujore;
— kur urdhërohet therja e të gjithë gjedhëve të një tufe me mbi 20 krerë në një rajon ku, për arsye teknike që lidhen me kapacitetin e thertoreve të përcaktuara për këtë qëllim, por therja nuk mund të bëhet brenda 30 ditëve.
Neni 16
Shtetet anëtare garantojnë që:
1. pas therjes së gjedhëve të përmendur në nenin 15 dhe para ristokimit, hangarët dhe stallat e tjera të tufave, si dhe të gjithë kontejnerët, pajisjet dhe artikujt e tjerë të përdorur për kafshët, të pastrohen dhe dezinfektohen nën mbikëqyrjen zyrtare, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga veterineri zyrtar;
2. të gjitha mjetet e transportit, kontejnerët dhe pajisjet të pastrohen dhe dezinfektohen pas transportit të kafshëve të një tufe të infektuar ose të materialeve të këtyre kafshëve apo materialeve ose substancave që kanë qenë në kontakt me këto kafshë. Zonat e ngarkimit të këtyre kafshëve duhen pastruar dhe dezinfektuar pas përdorimit;
3. dezinfektuesi që do të përdoret dhe përqendrimet e tij të autorizohen zyrtarisht nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar përkatës.
Neni 17
Shtetet anëtare garantojnë që pas therjes së gjedhëve të përmendur në nenin 15;
— pa cenuar dispozitat e nenit 19, asnjë gjedh nuk mund të largohet nga tufa përkatëse, përveç nëse është marrë autorizim nga autoriteti kompetent me qëllim therjen e menjëhershme;
— në tufën në fjalë të kryhen testet për tuberkuloz për të konfirmuar zhdukjen e sëmundjes;
— tufa të mos ristokohet derisa gjedhët mbi gjashtë javësh të mbetur në tufë të kenë kaluar një ose më shumë teste zyrtare për tuberkulozin.
Neni 18
Shtetet anëtare garantojnë që, në bazë të një plani për çrrënjosjen e tuberkulozit, testimi i tuberkulinës intradermale nën mbikëqyrjen zyrtare të kryhet të paktën një herë në gjashtë muaj tek të gjithë gjedhët më të mëdhenj se gjashtë javësh të tufave të llojit T1 dhe llojit T2 derisa ata të bëhen tufa të llojit T3.
Neni 19
Shtetet anëtare sigurohen që:
I. çdo kafshë e tufës së llojit T1, e destinuar për të kaluar në tufën e llojit T2:
— të ketë kaluar testin e tuberkulinës intradermale të kryer brenda 30 ditëve përpara zhvendosjes dhe të shoqërohet me certifikatën përkatëse të lëshuar nga veterineri zyrtar;
— të izolohet për të paktën 60 ditë menjëherë pas mbërritjes dhe të ketë kaluar testin vijues të tuberkulinës intradermale përpara pranimit në tufë;
II. çdo kafshë nga një tufë e llojit T2, e cila synohet të kalojë në një tufë tjetër të llojit T2:
— të ketë kaluar testin e tuberkulinës intradermale brenda 30 ditëve përpara zhvendosjes dhe të shoqërohet me certifikatën përkatëse të lëshua nga veterineri zyrtar;
— gjatë transferimit, të mos bjerë në kontakt me gjedhë të tufave me status më të ulët shëndetësor;
III. të gjitha transferimet e gjedhëve mes tufave të llojit T3 të kryhen duke respektuar kërkesat e Direktivës 64/432/KEE.
Neni 20
Shtetet anëtare garantojnë që:
— janë marrë masa zyrtare kontrolli për parandalimin e riinfektimit nga burime të tjera infektimi të tufave të pastra nga tuberkulozi;
— të gjitha zhvendosjet e gjedhëve brenda tufave që mbulohen nga plani i zhdukjes i nënshtrohen mbikëqyrjes zyrtare;
— masat e kontrollit të zhvendosjes që përmenden në ndarjen e dytë mund të zbatohen pa cenuar masat ekzistuese të Komunitetit për zhvendosjen brenda dhe jashtë tufave të paprekura dhe zyrtarisht të paprekura nga tuberkulozi.
KREU IV
Dispozita të veçanta për leukozën enzootike të gjedhit
Neni 21
Në pritje të hyrjes në fuqi të rregullave të Komunitetit dhe pa cenuar nenin 4, nënparagrafin e tretë të Direktivës 77/391/KEE, zbatohen dispozitat kombëtare për zbulimin e leukozës dhe për klasifikimin e tufave në lidhje me leukozën.
Neni 22
Shtetet anëtare garantojnë që, në zbatim të planit për çrrënjosjen e leukozës,
a) prania e vërtetuar dhe prania e dyshuar e leukozës, dhe në veçanti tumoret në sistemin limfatik dhe në organet e tjera të gjedhëve, të jenë objekt i njoftimit të detyrueshëm dhe të menjëhershëm tek autoriteti kompetent;
b) të ndalohet trajtimi terapeutik ose çdo lloj vaksinimi kundër leukozës.
Neni 23
Pavarësisht masave të miratuara në përputhje me dispozitat kombëtare për rastet e dyshuara të leukozës, nëse prania e leukozës në tufë është konfirmuar zyrtarisht, shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe garantojnë në veçanti që:
— të ndalohen të gjitha lëvizjet nga kjo tufë, përveç nëse autorizohet nga autoritetet kompetente me qëllim therjen e menjëhershme;
— tufa në fjalë të izolohet në mënyrë që gjedhët të mos bien në kontakt me gjedhë të tjerë që nuk i përkasin kësaj tufe;
— qumështi nga lopë të infektuara të mund t'u jepet kafshëve vetëm pas trajtimit të përshtatshëm termik ose të dërgohet në baxho për kryerjen e këtij trajtimi; ushqyerja e kafshëve me qumësht të patrajtuar termikisht, mund të autorizohet për tufa ku të gjitha kafshët do të theren në përputhje me nenin 24, pika 1;
— karkasat, gjysmë-karkasat, çerek-karkasat, pjesët dhe të përbrendshmet e kafshëve të infektuara që synohen të përdoren si ushqim për kafshët të përgatiten në mënyrë të tillë që të shmanget kontaminimi;
— rregulloret zyrtare për kontrollin e objekteve, të tilla si impiantet e asgjësimit të karkasave, të garantojnë se nuk ka rrezik për përhapjen e leukozës nga lëndët e prodhuara;
— fermeri njofton veterinerin zyrtar për ngordhjen ose therjen emergjente të çdo gjedhi të fermës së tij.
Neni 24
Shtetet anëtare garantojnë që, në kuadër të planit të çrrënjosjes:
1. kur planet parashikojnë therjen e të gjithë gjedhëve që i përkasin një tufe zyrtarisht të prekur me leukozë, këto kafshë të theren brenda një periudhe që do të përcaktohet nga autoritetet kompetente;
2. kur planet e tilla parashikojnë therjen e vetëm atyre gjedhëve të konfirmuara zyrtarisht si të prekura nga leukoza dhe të atyre që konsiderohen si të prekura nga autoritetet kompetente, therjet të kryhen brenda periudhës 30 ditore pasi zotëruesi ose personi përgjegjës është njoftuar zyrtarisht për rezultatin e ekzaminimeve dhe për detyrimin e tij për të therur gjedhët në fjalë brenda kësaj periudhe, sipas planit të çrrënjosjes.
Neni 25
Për therjet sipas nenit 24, pika 2, shtetet anëtare garantojnë që:
— asnjë gjedh të mos lejohet të largohet nga tufa përkatëse, përveç nëse është marrë autorizim nga autoritetet kompetente me qëllim therjen e menjëhershme;
— të kryhen testet e leukozës në tufën përkatëse për të konfirmuar zhdukjen e sëmundjes;
— për ristokimin e tufës të mund të përdoren vetëm kafshët nga tufa që autoritetet kompetente i konsiderojnë si të painfektuara me leukozë.
Neni 26
Shtetet anëtare garantojnë që:
1. pas therjes së gjedhëve të përmendur në nenin 24 dhe para ristokimit, hangarët dhe stallat e tjera të tufave, si dhe të gjithë kontejnerët, pajisjet dhe artikujt e tjerë të përdorur për kafshët, të pastrohen dhe dezinfektohen nën mbikëqyrjen zyrtare, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga veterineri zyrtar;
2. të gjitha mjetet e transportit, kontejnerët dhe pajisjet të pastrohen dhe dezinfektohen pas transportit të kafshëve ose të materialeve të këtyre kafshëve apo materialeve ose substancave që kanë qenë në kontakt me këto kafshë. Zonat e ngarkimit për këto kafshë pastrohen dhe dezinfektohen pas përdorimit;
3. dezinfektuesi që do të përdoret dhe përqendrimet e tij të autorizohen zyrtarisht nga autoriteti kompetent i shtetit anëtar përkatës.
Neni 27
Shtetet anëtare garantojnë që gjedhët e tufave të klasifikuara si jo të dyshuara të mos bien në kontakt me gjedhë të tufave që të klasifikuara ndryshe.
KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 28
Përpara përfundimit të periudhës trevjeçare të parashikuar në Direktivën 77/391/KEE, Komisioni i dorëzon Këshillit një raport për zbatimin e planeve të parashikuara në atë direktivë, të shoqëruar, nëse është e nevojshme, me propozimet për arritjen e një harmonizimi më të mirë të masave parandaluese kombëtare.
Neni 29
1. Direktiva 77/391/KEE hyn në fuqi më 1 janar 1978.
2. Shtetet anëtare miratojnë ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për zbatimin e planeve kombëtare për përshpejtimin e çrrënjosjes, të miratuara në përputhje me nenin 9, paragrafi 2 të Direktivës 77/391/KEE, në datën e përcaktuar nga Komisioni në vendimin tij të miratimit të planeve dhe, për planet e miratuara gjatë vitit 1978, jo më vonë se data 31 dhjetor 1978.
3. Periudha trevjeçare e zbatimit e parashikuar në nenin 6, paragrafi 1, të Direktivës 77/391/KE, për çdo shtet anëtar, fillon nga data e përcaktuar nga Komisioni në përputhje me nenin 2. Megjithatë, financimi i Komunitetit kufizohet në çdo rast në therjet e kryera përpara 1 janarit 1982.
4. Këshilli, duke vepruar në mënyrë unanime me propozim nga Komisioni, mund të shtyjë datat e përcaktuara për këto shtete në paragrafët 2 dhe 3 me jo më shumë se një vit në rastet kur zbatimi i planit në datën e përcaktuar do të haste vështirësi të konsiderueshme në disa shtete anëtare.
Neni 30
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 13 dhjetor 1977.
Për Këshillin
Presidenti
A. HUMBLET
<href="#ntc1-L_1978015EN.01003401-E0001">1. Gazeta Zyrtare nr. L 145, 13. 6. 1977, f. 44.
<href="#ntc2-L_1978015EN.01003401-E0002">2. Gazeta Zyrtare nr. 121, 29. 7. 1964, f. 1977/64.
<href="#ntc3-L_1978015EN.01003401-E0003">3. Gazeta Zyrtare nr. L 26, 31. 1. 1977, f. 81.
<href="#ntc4-L_1978015EN.01003401-E0004">4. Shih faqen 32 të kësaj Gazete Zyrtare.