-
Lexo Dokumentin
5.6.2015
SQ
Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian
L 141/73
DIREKTIVA (BE) 2015/849 E PARLAMENTIT EVROPIAN DHE E KËSHILLIT, DATA 20 MAJ 2015, "PËR PARANDALIMIN E PËRDORIMIT TË SISTEMIT FINANCIAR PËR QËLLIME TË PASTRIMIT TË PARAVE OSE TË FINANCIMIT TË TERRORIZMIT, QË NDRYSHON RREGULLOREN (BE) NR. 648/2012 TË PARLAMENTIT EVROPIAN DHE TË KËSHILLIT, DHE QË SHFUQIZON DIREKTIVËN 2005/60/KE TË PARLAMENTIT EVROPIAN DHE TË KËSHILLIT DHE DIREKTIVËN E KOMISIONIT 2006/70/KE"
(Tekst kuptimi i të cilit lidhet me ZEE-në)
PARLAMENTI EVROPIAN DHE KËSHILLI I BASHKIMIT EVROPIAN,
Duke pasur parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe në veçanti nenin 114 të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit Evropian,
Pas komunikimit të projekt-aktit legjislativ në parlamentet kombëtare,
Duke pasur parasysh opinionin e Bankës Qendrore Evropiane<href="#ntr1-L_2015141EN.01007301-E0001">1,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social<href="#ntr2-L_2015141EN.01007301-E0002">2,
Duke vepruar në përputhje me procedurën e zakonshme legjislative<href="#ntr3-L_2015141EN.01007301-E0003">3,
Meqë:
1. Flukset e parave të paligjshme mund të dëmtojnë integritetin, stabilitetin dhe reputacionin e sektorit financiar, dhe janë kërcënim për tregun e brendshëm të BE-së dhe zhvillimin ndërkombëtar. Pastrimi i parave, financimi i terrorizmit dhe krimi i organizuar mbeten probleme të rëndësishme që duhen trajtuar në nivel BE-je. Përveç kësaj, për të zhvilluar më tej qasjen e së drejtës penale në nivel BE-je, parandalimi i përqendruar dhe proporcional i përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është i domosdoshëm dhe mund të japë rezultate plotësuese.
2. Qëndrueshmëria, integriteti dhe stabiliteti i institucioneve të kredidhënies dhe institucioneve financiare, si edhe besimi në sistemin financiar në tërësi mund të rrezikohen seriozisht nga përpjekjet e kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të maskuar origjinën e të ardhurave nga veprimtaria kriminale ose për të kanalizuar burime financiare të ligjshme apo të paligjshme për qëllime terroriste. Për të lehtësuar veprimtarinë e tyre kriminale, pastruesit e parave dhe financuesit e terrorizmit përpiqen të përfitojnë nga liria e lëvizjes së kapitalit dhe liria për të ofruar shërbime financiare, liri të cilat zona e integruar financiare e BE-së i garanton. Prandaj, marrja e disa masave koordinuese në nivel BE-je është e nevojshme. Njëkohësisht, objektivat për mbrojtjen e shoqërisë nga krimi dhe mbrojtjen e stabilitetit dhe integritetit të sistemit financiar të BE-së duhet të peshohen përkundrejt nevojës për të krijuar një mjedis rregullator që lejon shoqëritë tregtare të rrisin bizneset e tyre pa u ngarkuar me shpenzime të tepërta të pajtueshmërisë.
3. Kjo është direktiva e katërt që trajton kërcënimin nga pastrimi i parave. Direktiva e Këshillit 91/308/KEE<href="#ntr4-L_2015141EN.01007301-E0004">4 përkufizonte pastrimin e parave si vepër penale të fushës së drogave dhe përcaktonte detyrime vetëm për sektorin financiar. Direktiva 2001/97/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit<href="#ntr5-L_2015141EN.01007301-E0005">5 e zgjeroi fushëveprimin e Direktivës 91/308/KEE si në aspektin e veprave penale të përfshira, ashtu edhe në aspektin e gamës së profesioneve dhe aktiviteteve të përfshira. Në qershor të vitit 2003, Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) rishikoi Rekomandimet e saj për të përfshirë edhe financimin e terrorizmit, duke sanksionuar kushte më të detajuara sa i përket identifikimit dhe verifikimit të klientit, situatave ku një nivel më i lartë i rrezikut të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit justifikon masa më të zgjeruara dhe situatave ku një nivel më i ulët rreziku justifikon kontrolle më të thjeshtuara. Këto ndryshime u pasqyruan në Direktivën 2005/60/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr6-L_2015141EN.01007301-E0006">6 dhe në Direktivën 2006/70/KE të Komisionit<href="#ntr7-L_2015141EN.01007301-E0007">7.
4. Pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit shpesh zhvillohen në një kontekst ndërkombëtar. Masat e miratuara vetëm në nivel kombëtar apo edhe në nivel BE-je, pa marrë parasysh koordinimin dhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar, do të kishin ndikim shumë të kufizuar. Për këtë arsye, masat e miratuara nga BE-ja në këtë fushë duhet të jenë në përputhje me, dhe të paktën po aq të rrepta sa, veprimet e tjera të ndërmarra në nivel ndërkombëtar. Veprimet e BE-së duhet të vazhdojnë të kenë në konsideratë të veçantë Rekomandimet e FATF-së dhe instrumentet e organizmave të tjera ndërkombëtare aktive në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Me synimin për të përforcuar efikasitetin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, aktet ligjore përkatëse të BE-së, atje ku shihet e përshtatshme, duhet të harmonizohen me Standardet Ndërkombëtare të Luftës kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit dhe të Përhapjes, të miratuara nga FATF-ja në shkurt të vitit 2012 ("Rekomandimet e FATF-së, të rishikuara").
5. Për më tepër, keqpërdorimi i sistemit financiar për të kanalizuar burime financiare të paligjshme, ose edhe të ligjshme, për qëllime terrorizmi përbën një rrezik të hapur për integritetin, funksionimin e duhur, reputacionin dhe stabilitetin e sistemit financiar. Prandaj, masat parandaluese të parashikuara në këtë direktivë duhet të trajtojnë manipulimin e të ardhurave nga krimet e rënda dhe mbledhjen e parave ose të pasurisë për qëllime terrorizmi.
6. Kryerja e pagesave me para fizike në shuma të mëdha mbetet e rrezikuar nga veprimtaria e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Për të shtuar vigjilencën dhe ulur rreziqet që vijnë nga të tilla pagesa me para fizike, kësaj direktive i nënshtrohen personat që zhvillojnë veprimtari tregtare kur bëjnë ose marrin pagesa prej 10 000 euro ose më shumë, me para fizike. Shtetet Anëtare kanë të drejtë të miratojnë kufij edhe më të ulët, të vendosin kufizime të tjera të përgjithshme shtesë mbi përdorimin e parasë fizike, si edhe dispozita edhe më të rrepta.
7. Përdorimi i produkteve të parasë elektronike gjithnjë e më tepër është duke zëvendësuar llogaritë bankare dhe për këtë arsye, përveç masave të përcaktuara në Direktivën 2009/110/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr8-L_2015141EN.01007301-E0008">8, justifikohet vendosja ndaj atyre produkteve edhe e detyrimeve për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT). Megjithatë, në disa rrethana të provuara me nivel të ulët rreziku dhe nën kushte të rrepta që ulin nivelin e rrezikut, shtetet anëtare kanë të drejtë të përjashtojnë produktet e parasë elektronike nga disa prej masave të vigjilencës së duhur ndaj klientëve, të tilla si: identifikimi dhe verifikimi i klientit dhe i pronarit përfitues, por jo nga monitorimi i transaksioneve ose marrëdhënieve të biznesit. Kushtet që ulin nivelin e rrezikut përfshijnë kërkesën që produktet e përjashtuara të parasë elektronike të përdoren vetëm për blerjen e mallrave ose shërbimeve dhe shuma e ruajtur në formë elektronike të jetë aq e vogël sa të përjashtojë shmangien e rregullave të AML/CFT-së. Një përjashtim i tillë nuk cenon të drejtën e shteteve anëtare për të lejuar subjektet e detyruara që, bazuar në nenin 15, të zbatojnë masa më të thjeshtuara të vigjilencës së duhur ndaj produkteve të tjera të parasë elektronike, të cilat paraqesin nivele më të ulëta rreziku.
8. Sa i përket subjekteve të detyruara që i nënshtrohen kësaj direktive, agjenti i pasurive të paluajtshme, sipas rastit, ka edhe kuptimin e agjentit të qirasë.
9. Profesionistët ligjor, siç përkufizohen nga shtetet anëtare, i nënshtrohen kësaj direktive kur marrin pjesë në transaksione financiare ose biznesi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimeve të konsulencës tatimore, ku është edhe rreziku më i madh që shërbimet e profesionistëve ligjor të keqpërdoren për qëllime të pastrimit të të ardhurave nga veprimtaria kriminale ose për qëllime të financimit të terrorizmit. Megjithatë, informacionet e marra para, gjatë ose pas procedurave gjyqësore, ose gjatë procesit të përcaktimit të pozicionit ligjor të një klienti, bëjnë përjashtim nga detyrimi për të raportuar. Rrjedhimisht, këshillimi ligjor mbetet subjekt i detyrimeve të sekretit profesional, me përjashtim të rasteve kur profesionisti ligjor merr pjesë në pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit, kur këshilla ligjore është dhënë për qëllime të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit, ose kur profesionisti ligjor është në dijeni se klienti ka kërkuar këshilla ligjore për qëllime të pastrimit të parave ose të financimit të terrorizmit.
10. Shërbimet drejtpërsëdrejti të krahasueshme trajtohen në të njëjtën mënyrë, nëse ato sigurohen nga ndonjë prej profesionistëve që mbulohet nga kjo direktivë. Për të siguruar respektimin e të drejtave që njihen nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian ("Karta"), në rastin e audituesve, kontabilistëve të pavarur dhe këshilltarëve tatimorë, të cilët në disa shtete anëtare kanë të drejtë të mbrojnë ose përfaqësojnë një klient në kontekstin e procedurave gjyqësore apo gjatë përcaktimit të pozicionit ligjor të klientit, informacioni që ata marrin gjatë kryerjes së këtyre detyrave nuk duhet t'i nënshtrohet detyrimeve për raportim të përcaktuara në këtë direktivë.
11. Është e rëndësishme që të theksohet shprehimisht se "veprat penale në fushën e tatimeve" që lidhen me taksat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta përfshihen në përkufizimin e përgjithshëm të "veprimtarisë kriminale" të kësaj direktive, në përputhje me Rekomandimet e rishikuara të FATF-së. Duke pasur parasysh se shtetet anëtare mund të përkufizojnë si "veprimtari kriminale" vepra të ndryshme penale të fushës së tatimeve dhe t'i bëjnë ato subjekt të dënimeve të nenit 3, paragrafi 4, germa "f", të kësaj direktive, përkufizimet e veprave penale në fushën e tatimeve mund të jenë të ndryshme në legjislacionin e brendshëm. Ndërkohë që qëllimi nuk është harmonizimi i përkufizimeve të veprave penale në fushën e tatimeve, në legjislacionin e brendshëm të shteteve anëtare, këto të fundit duhet të lejojnë, në masën më të madhe të mundshme, të lejuar nga legjislacioni i tyre i brendshëm, shkëmbimin e informacionit ose ofrimin e ndihmës ndërmjet Njësive të Inteligjencës Financiare (NIF) të BE-së.
12. Nevojitet identifikimi i çdo personi fizik, i cili ka në pronësi ose ushtron kontroll mbi një subjekt juridik. Për të garantuar transparencë sa më efektive, shtetet anëtare duhet të sigurojnë përfshirjen e një game sa më të gjerë të mundshme të subjekteve juridike të inkorporuar ose të krijuar nga ndonjë mekanizëm tjetër në territorin e tyre. Ndonëse identifikimi i një interesi të caktuar pasuror ose i zotërimit të një pjese të aksioneve nuk do të thotë automatikisht edhe gjetja e pronarit përfitues, ai mbetet një ndër faktorët tregues që duhet marrë parasysh. Megjithatë, shtetet anëtare duhet të kenë të drejtën për të vendosur vet nëse një përqindje edhe më e ulët mund të jetë tregues i pronësisë ose kontrollit.
13. Identifikimi dhe verifikimi i pronarëve përfitues, atje ku është e nevojshme, duhet të shtrihet tek subjektet juridikë që zotërojnë subjekte të tjera juridike, dhe subjektet e detyruara duhet të kërkojnë personin/personat fizikë të cilët, përmes pronësisë ose mënyrave të tjera, ushtrojnë kontrollin e tyre mbi subjektin juridik që në këtë rast është klienti. Kontrolli me anë të mjeteve të tjera mund të përfshijë, ndër të tjera, kriteret e kontrollit që përdoren për përgatitjen e pasqyrave financiare të konsoliduara, të tilla si: marrëveshja e aksionarëve, ushtrimi i ndikimit dominues ose kompetencat për të emëruar drejtuesit e lartë. Megjithatë, mund të ketë edhe raste kur personi fizik që zotëron ose ushtron kontroll mbi një subjekt juridik nuk mund të identifikohet. Në raste të tilla të jashtëzakonshme, subjektet e detyruara, teksa kanë shteruar të gjitha mjetet e tjera të identifikimit dhe me kushtin që nuk ka arsye për të dyshuar, mund të konsiderojnë zyrtarin/zyrtarët e lartë drejtues si pronarin/pronarët përfitues.
14. Nevoja për të dhëna të sakta dhe të përditësuara për pronarin përfitues është faktori kyç në gjurmimin e kriminelëve, të cilët mund ta fshehin identitetin e tyre prapa strukturës së një korporate. Për këtë arsye, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që subjektet e inkorporuar brenda territorit të tyre në përputhje me legjislacionin e brendshëm, përveç të dhënave thelbësore, të tilla si: emri i shoqërisë, adresa, certifikata e regjistrimit dhe pronësia ligjore, të mbledhin dhe të mbajnë të dhënat e nevojshme, të sakta dhe të përditësuara mbi pronësinë e tyre. Me qëllim rritjen e transparencës për të luftuar keqpërdorimin e subjekteve juridikë, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që të dhënat mbi pronësinë përfituese të ruhen në një regjistër qendror jashtë shoqërisë, në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së. Për këtë qëllim, shtetet anëtare mund të përdorin një bazë qendrore të dhënash që mbledh informacionin për pronësinë përfituese, dhe që mund të jetë regjistri i shoqërive tregtare ose një regjistër tjetër qendror. Shtetet anëtare mund të vendosin që subjektet e detyruara të jenë përgjegjëse për plotësimin e të dhënave në regjistër. Shtetet anëtare duhet të sigurohen që të dhënat t'u vihen gjithmonë në dispozicion autoriteteve kompetente dhe NIF-ve, si edhe t'u ofrohen subjekteve të detyruara, kur këto të fundit marrin masat e vigjilencës së duhur ndaj klientëve. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që personave të tjerë, të cilët janë në gjendje të demonstrojnë një interes legjitim në lidhje me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe me vepra të tjera penale të lidhura me ato, të tilla si: korrupsioni, veprat penale në fushën e tatimeve dhe mashtrimi, t'u jepet akses në të dhënat mbi pronësinë përfituese, në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave. Personat, të cilët janë në gjendje të demonstrojnë një interes legjitim, duhet të kenë akses në të dhënat mbi natyrën dhe shtrirjen e interesit përfitues që zotërohet, që konsiston edhe në peshën e përafërt të tij.
15. Për këtë qëllim, shtetet anëtare duhet të kenë të drejtën që, në përputhje me legjislacionin e brendshëm, të lejojnë akses edhe më të gjerë se sa aksesi i parashikuar në këtë direktivë.
16. Aksesi në kohën e duhur në të dhënat mbi pronësinë përfituese duhet të sigurohet në mënyrë të tillë që të shmanget çdo lloj rreziku për paralajmërimin e shoqërisë në fjalë.
17. Për të garantuar mundësi të barabarta mes llojeve të ndryshme të formave ligjore, edhe trustet duhet të mbledhin, të mbajnë dhe t'u ofrojnë subjekteve të detyruara që marrin masat e vigjilencës së duhur ndaj klientëve, të dhënat e nevojshme mbi pronësinë e tyre përfituese, t'ia kalojnë ato të dhëna edhe regjistrit qendror ose bazës qendrore të të dhënave, si edhe duhet t'ua tregojnë statusin e tyre subjekteve të detyruara. Personat juridikë, të tillë si: fondacionet dhe organizimet ligjore të ngjashme me trustet, duhet t'u nënshtrohen të njëjtave kushte.
18. Kjo direktivë zbatohet edhe për aktivitetet e subjekteve të detyruara që kryhen në internet.
19. Teknologjitë e reja ofrojnë zgjidhje efektive për bizneset dhe klientët e tyre si në kohë, ashtu edhe sa i përket kostos, dhe për këtë arsye duhet të merren parasysh gjatë vlerësimit të rrezikut. Autoritetet kompetente dhe subjektet e detyruara duhet të tregohen proaktivë në luftën e tyre kundër formave të reja dhe inovative të pastrimit të parave.
20. Përfaqësuesit e BE-së në organet drejtuese të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim inkurajohen që të zbatojnë këtë direktivë dhe të publikojnë në faqen e saj zyrtare në internet politikat e AML/CFT-së, me procedura të detajuara në zbatim të kësaj direktive.
21. Përdorimi i shërbimeve të lojërave të fatit për pastrimin e të ardhurave nga veprimtaria kriminale përbën shqetësim. Për të zbutur rreziqet që lidhen me shërbimet e lojërave të fatit, kjo direktivë duhet të parashikojë edhe detyrimin e ofruesve të shërbimeve të lojërave të fatit që paraqesin rrezikshmëri të lartë, për të zbatuar masat e vigjilencës së duhur ndaj klientëve për transaksione të vetme në shuma të barabarta me ose më të mëdha se 2 000 Euro. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që subjektet e detyruara të aplikojnë të njëjtin prag për arkëtimin e fitimeve, vënien bast të një pjese, duke përfshirë edhe përmes blerjes dhe shkëmbimit të xhetonave, ose përmes të dyjave. Ofruesit e shërbimeve të lojërave të fatit në mjedise fizike, të tilla si: kazino dhe salla lojërash, duhet të sigurojnë që zbatimi i masave të vigjilencës së duhur ndaj klientëve, nëse ato masa aplikohen në hyrje të atyre mjediseve, të mund të lidhen me transaksionet e kryera nga klientët në ato mjediseve. Megjithatë, në rrethana të provuara me rrezik të ulët, shtetet anëtare kanë të drejtë të lejojnë përjashtimin e disa shërbimeve të lojërave të fatit nga disa ose të gjitha kushtet e përcaktuara në këtë direktivë. Përdorimi i një përjashtimi nga një shtet anëtar duhet të konsiderohet vetëm në rrethana rreptësisht të kufizuara dhe të justifikuara, dhe ku rreziqet e pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit janë të ulëta. Përjashtime të tilla duhet të jenë subjekt i një vlerësimi të veçantë të rrezikut, që duhet të marrë në konsideratë edhe shkallën e cenueshmërisë së transaksioneve në fjalë. Përjashtimet duhet t'i bëhen të ditura Komisionit. Gjatë vlerësimit të rrezikut, shtetet anëtare duhet të tregojnë se si ata kanë marrë në konsideratë çdo gjetje të rëndësishme në raportet e nxjerra nga Komisioni në kuadër të vlerësimit mbikombëtar të rrezikut.
22. Rreziku i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nuk është i njëjtë për çdo rast. Prandaj, duhet përdorur një qasje gjithëpërfshirëse dhe e bazuar tek rreziku. Qasja e bazuar tek rreziku nuk përbën një opsion tolerues dhe të padrejtë për shtetet anëtare dhe subjektet e detyruara. Ajo përfshin përdorimin e vendimmarrjes së bazuar në prova për goditjen sa më efikase të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me të cilin përballet BE-ja dhe ato që veprojnë brenda saj.
23. Në themel të qasjes së bazuar tek rreziku është nevoja që shtetet anëtare dhe BE-ja të identifikojnë, kuptojnë dhe të zbusin rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me të cilin ata përballen. Rëndësia e një qasje mbikombëtare për identifikimin e rrezikut është pranuar edhe në nivel ndërkombëtar, dhe Autoriteti Evropian i Mbikëqyrjes (Autoriteti Bankar Evropian) (EBA), i themeluar me Rregulloren (BE) Nr. 1093/2010 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr9-L_2015141EN.01007301-E0009">9, Autoriteti Mbikëqyrës Evropian (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale) (EIOPA), i themeluar me Rregulloren (BE) Nr. 1094/2010 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr10-L_2015141EN.01007301-E0010">10, dhe Autoriteti Mbikëqyrës Evropian (Autoriteti Evropian i Titujve dhe Tregjeve) (ESMA), i themeluar me Rregulloren (BE) Nr. 1095/2010 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr11-L_2015141EN.01007301-E0011">11, ngarkohen me detyrën e nxjerrjes, nëpërmjet Komitetit të Përbashkët, së një opinioni për rreziqet që ndikojnë në sektorin financiar të BE-së.
24. Komisioni mbetet i vendosur që të shqyrtojë kërcënimet e veçanta ndërkufitare, që mund të ndikojnë në tregun e brendshëm dhe që nuk mund të identifikohen dhe të luftohen në mënyrë efektive nga secili shtete anëtar. Prandaj, Komisioni ngarkohet me përgjegjësinë për koordinimin e vlerësimit të rreziqeve që lidhen me veprimtaritë ndërkufitare. Përfshirja e ekspertëve përkatës, të tillë si: Grupi i Ekspertëve për Pastrimin e Parave dhe Financimin e Terrorizmit, përfaqësues të NIF-ve dhe, kur është e nevojshme, edhe përfaqësues të organeve të tjera në nivel BE-je, është thelbësore për efektivitetin e këtij procesi. Përvojat dhe vlerësimet kombëtare të rrezikut janë gjithashtu një burim i rëndësishëm informacioni për procesin. Një vlerësim i tillë i rreziqeve ndërkufitare nga ana e Komisionit nuk duhet të përfshijë përpunimin e të dhënave personale. Në çdo rast, të dhënat duhet të jenë tërësisht anonime. Autoritetet mbikëqyrëse kombëtare dhe të BE-së për mbrojtjen e të dhënave duhet të përfshihen vetëm nëse vlerësimi i rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit prek mbrojtjen e privatësisë dhe të të dhënave të personave.
25. Rezultatet e vlerësimit të rrezikut, kur është e nevojshme, duhet të vihen në dispozicion të subjekteve të detyruara në kohën e duhur për t'iu mundësuar atyre identifikimin, kuptimin, menaxhimin dhe zbutjen e rreziqeve që u kanosen atyre.
26. Përveç kësaj, për të identifikuar, kuptuar, menaxhuar dhe zbutur rreziqet në nivel BE-je në një shkallë edhe më të madhe, shtetet anëtare duhet të vënë në dispozicion të njëri-tjetrit, Komisionit, EBA-së, EIOPA-së dhe të ESMA-së rezultatet e vlerësimeve të tyre të rrezikut.
27. Gjatë zbatimit të kësaj direktive, është e nevojshme të mbahen parasysh karakteristikat dhe nevojat e subjekteve të vogla të detyruara, që janë pjesë e fushëveprimit të saj, dhe që të sigurohet trajtimi më i përshtatshëm për nevojat e tyre të veçanta dhe natyrën e biznesit të tyre.
28. Me qëllim mbrojtjen e funksionimit të duhur të sistemit financiar dhe të tregut të brendshëm të BE-së nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit, e drejta për të miratuar akte në përputhje me nenin 290 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE) duhet t'i delegohet Komisionit për të identifikuar juridiksionet e vendeve të treta që kanë mangësi strategjike në regjimet e tyre kombëtare të AML/CFT-së ("vendet e treta me rrezikshmëri të lartë"). Natyra e ndryshueshme e kërcënimeve nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit, e ndihmuar edhe nga evolucioni i vazhdueshëm i teknologjisë dhe mjeteve në dispozicion të kriminelëve, kërkon përshtatjen e shpejtë dhe të vazhdueshme të kuadrit ligjor të vendeve të treta me rrezikshmëri të lartë, në mënyrë që të trajtohen me efikasitet rreziqet ekzistuese dhe të parandalohet lindja e rreziqeve të reja. Komisioni duhet të marrë në konsideratë informacionet nga organizatat ndërkombëtare dhe përcaktuesit e standardeve në fushën e AML/CFT-së, të tilla si: deklaratat publike të FATF-së, vlerësimet reciproke apo raportet e detajuara të vlerësimit ose publikimet e raporteve të thelluara, dhe të përshtatë vlerësimet e tij për ndryshimet e duhura, atje ku shihet e nevojshme.
29. Shtetet anëtare duhet të paktën të sigurojnë që subjektet e detyruara të marrin masat e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientëve kur kanë të bëjnë me persona fizikë ose subjekte juridike të themeluara në vendet e treta me rrezikshmëri të lartë, të identifikuara nga Komisioni. Mbështetja tek palët e treta, të themeluara në vende të tilla të treta me rrezikshmëri të lartë, është gjithashtu e ndaluar. Vendet që nuk janë të përfshira në listë nuk duhet të konsiderohen automatikisht si vende që kanë sisteme efektive të AML/CFT-së dhe personat fizikë ose subjektet juridike të themeluara në vende të tilla duhet të vlerësohen në bazë të nivelit të rrezikut.
30. Rreziku në vetvete ka natyrë të ndryshueshme dhe ndryshueshmëria, vetë ose e kombinuar, mund të sjellë rritjen ose uljen e nivelit potencial të rrezikut që kanoset, duke pasur kështu një ndikim në nivelin e nevojshëm të masave parandaluese, të tilla si: masat e vigjilencës së duhur ndaj klientëve. Prandaj, ekzistojnë rrethana në të cilat kërkohet zbatimi i masave të vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit dhe rrethana të tjera në të cilat zbatimi i kushteve më të thjeshtuara të vigjilencës së duhur është më i përshtatshëm.
31. Duhet pranuar se disa situata të caktuara paraqesin rrezikshmëri më të lartë të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit. Ndonëse krijimi i një identiteti dhe profili biznesi të të gjithë klientëve është i domosdoshëm, ka raste në të cilat është e nevojshme zbatimi i procedurave shumë më rigoroze të identifikimit dhe verifikimit të klientëve.
32. Kjo është veçanërisht e vërtetë sa i përket marrëdhënieve me persona që mbajnë ose kanë mbajtur funksione të rëndësishme publike, brenda BE-së ose në nivel ndërkombëtar, dhe veçanërisht me persona nga vendet ku korrupsioni është shumë i përhapur. Marrëdhënie të tilla mund ta ekspozojnë sektorin financiar veçanërisht ndaj rrezikut të konsiderueshëm reputacional dhe ligjor. Përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin justifikojnë gjithashtu nevojën për të treguar vëmendje të veçantë ndaj personave të tillë dhe për të zbatuar masat e nevojshme të vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit për personat që janë ose kanë qenë në funksione të larta publike, brenda ose jashtë vendit, dhe për figura të larta në organizatat ndërkombëtare.
33. Kushtet në lidhje me personat e ekspozuar politikisht janë të natyrës parandaluese dhe jo penale, dhe nuk duhet të interpretohen me qëllim stigmatizimin e personave të ekspozuar politikisht si të përfshirë në veprimtari kriminale. Refuzimi i një marrëdhënie biznesi me një person duke u bazuar vetëm në faktin se ai ose ajo është përcaktuar si një person i ekspozuar politikisht është në kundërshtim me frymën dhe germën e kësaj direktive dhe të Rekomandimeve të rishikuara të FATF-së.
34. Marrja e miratimit të drejtuesve të lartë për të vendosur marrëdhënie biznesi nuk nënkupton marrjen e miratimit të bordit drejtues në të gjitha rastet. Një miratim i tillë mund të jepet nga një zyrtar me njohuri të mjaftueshme të rreziqeve të ekspozimit të institucionit ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe në nivelin e duhur që ai të marrë vendime të tilla që ndikojnë tek ekspozimi ndaj rreziqeve.
35. Në mënyrë që të shmangen përsëritjet e procedurave për identifikimin e klientit, që sjellin edhe vonesa dhe pengesa në biznes, është e nevojshme që, në varësi të masave të përshtatshme mbrojtëse, të lejohet pranimi nga subjektet e detyruara i klientëve që janë identifikuar diku tjetër. Kur një subjekt i detyruar mbështetet tek një palë e tretë, përgjegjësia përfundimtare për vigjilencën e duhur ndaj klientit i mbetet subjektit të detyruar ku klienti është paraqitur. Pala e tretë, ose personi që ka prezantuar klientin, mban përgjegjësinë e vet për të respektuar këtë direktivë, duke përfshirë edhe kushtin për të raportuar transaksionet e dyshimta dhe për të ruajtur të dhënat, nëse marrëdhënia me klientin mbulohet nga kjo direktivë.
36. Në rastin e marrëdhënieve nënkontraktore ose me agjenci, të bazuara në kontrata të lidhura mes subjekteve të detyruara dhe personave të jashtëm që nuk mbulohen nga kjo direktivë, çdo detyrim për AML/CFT i atyre agjentëve ose ofruesve të kontraktuar të shërbimeve, lind vetëm nga kontrata ndërmjet palëve dhe jo nga kjo direktivë. Për këtë arsye, përgjegjësia për të respektuar këtë direktivë duhet të jetë kryesisht e subjekteve të detyruara.
37. Të gjitha shtetet anëtare kanë ngritur ose duhet të ngrenë NIF-et autonome dhe të pavarura për të mbledhur dhe analizuar të dhënat që ato marrin, me qëllim identifikimin e lidhjeve ndërmjet transaksioneve të dyshimta dhe veprimtarisë së ndërlidhur kriminale dhe për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Një NIF që gëzon pavarësi dhe autonomi funksionimi do të thotë se NIF-ja ka autoritetin dhe mundësitë për të kryer funksionet e veta lirisht, duke përfshirë vendimin autonom për të analizuar, kërkuar dhe shpërndarë informacione të veçanta. Transaksionet e dyshimta dhe informacionet e tjera të rëndësishme për pastrimin e parave, veprat penale treguese që lidhen me të dhe financimi i terrorizmit duhet të raportohen pranë NIF-së, e cila shërben si një njësi qendrore kombëtare për marrjen, analizimin dhe shpërndarjen tek autoritetet kompetente të rezultateve të analizave të saj. Të gjitha transaksionet e dyshimta, duke përfshirë edhe transaksionet në tentativë, duhet të raportohen, pavarësisht nga shuma e transaksionit. Informacioni i raportuar mund të përfshijë gjithashtu edhe informacionin e bazuar tek pragu.
38. Duke deroguar nga ndalimi i përgjithshëm i kryerjes së transaksioneve të dyshimta, subjektet e detyruara kanë të drejtë të kryejnë transaksione të dyshimta para se të informojnë autoritetet kompetente në rast se moskryerja është e pamundur ose pengon përpjekjet për gjurmimin e përfituesit të një operacioni të dyshuar për pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit. Megjithatë, kjo nuk duhet të cenojë detyrimet ndërkombëtare të pranuara nga Shtetet Anëtare për të ngrirë pa vonesë fondet ose pasuritë e tjera të terroristëve, organizatave terroriste ose të atyre që financojnë terrorizmin, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
39. Për disa nga subjektet e detyruara, shtetet anëtare kanë të drejtë të caktojnë, në vend të NIF-së, një tjetër organ përkatës vetë rregullator si autoriteti që informohet në shkallën e parë. Në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një sistem i shkallës së parë që i raporton një organi vetë rregullues përbën një garanci të rëndësishme në mbështetje të mbrojtjes së të drejtave themelore në lidhje me detyrimet për raportim të zbatueshme për avokatët. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë mjetet dhe mënyrën me të cilën do të garantohet mbrojtja e sekretit profesional, e konfidencialitetit dhe e privatësisë.
40. Në rast se një shtet anëtar vendos të caktojë një organ të tillë vetë rregullues, ai mund të lejojë ose të kërkojë që ai organ të mos i transmetojë NIF-së çdo informacion të marrë nga persona të përfaqësuar nga ai organ kur informacioni është marrë nga ose për një nga klientët e tyre gjatë procesit të përcaktimit të pozitës juridike të klientit të tyre, ose gjatë kryerjes së detyrave të tyre për mbrojtjen apo përfaqësimin e klientit ose në lidhje me procedurat gjyqësore, duke përfshirë edhe ofrimin e këshillave gjatë zyrtarizimit ose shmangies së procedurave të tilla, pavarësisht nëse një informacion i tillë është dhënë ose marrë para, gjatë apo pas procedurave të tilla.
41. Ka pasur disa raste kur të punësuarit, të cilët kanë raportuar dyshimet e tyre për pastrim parash, kanë qenë objekt i kërcënimeve apo veprimeve armiqësore. Edhe pse kjo direktivë nuk ndërhyn në procedurat gjyqësore të shteteve anëtare, është e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet për të siguruar efektivitetin e sistemit të AML/CFT-së. Shtetet anëtare duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë problem dhe duhet të bëjnë çdo gjë që ata kanë mundësi për të mbrojtur personat, duke përfshirë edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e subjektit të detyruar, nga kërcënime ose veprime të tilla armiqësore dhe për t'iu siguruar, në përputhje me legjislacionin e brendshëm, mbrojtjen e duhur personave të tillë, veçanërisht në lidhje me të drejtën e tyre për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe të drejtat e tyre për mbrojtje efektive gjyqësore dhe përfaqësim.
42. Direktiva 95/46/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit<href="#ntr12-L_2015141EN.01007301-E0012">12, e përafruar me legjislacionin e brendshëm, zbatohet në lidhje me përpunimin e të dhënave personale për qëllime të kësaj direktive. Rregullorja (KE) Nr. 45/2001 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit<href="#ntr13-L_2015141EN.01007301-E0013">13 zbatohet në lidhje me përpunimin e të dhënave personale nga institucionet dhe organet e BE-së për qëllime të kësaj direktive. Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është pranuar si interes i rëndësishëm publik nga të gjitha shtetet anëtare. Kjo direktivë nuk cenon mbrojtjen e të dhënave personale të përpunuara në kuadër të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor në çështjet penale, duke përfshirë edhe Vendimin Kuadër të Këshillit 2008/977/ÇBD<href="#ntr14-L_2015141EN.01007301-E0014">14, siç parashikohet në legjislacionin e brendshëm.
43. Është thelbësore që përafrimi i kësaj direktive me Rekomandimet e rishikuara të FATF-së të kryhet në përputhje të plotë me legjislacionin komunitar, në veçanti me legjislacionin komunitar për mbrojtjen e të dhënave dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, siç janë parashikuar në Kartë. Disa aspekte të zbatimit të kësaj direktive përfshijnë mbledhjen, analizimin, ruajtjen dhe shkëmbimin e të dhënave. Duke respektuar plotësisht të drejtat themelore, një përpunim i tillë i të dhënave personale është i lejuar vetëm për qëllime të përcaktuara në këtë direktivë dhe për veprimet që kërkohen sipas kësaj direktive, të tilla si: zbatimi i vigjilencës së duhur ndaj klientit, monitorimi i vazhdueshëm, hetimi dhe raportimi i transaksioneve të pazakonta dhe të dyshimta, identifikimi i pronarit përfitues të personit juridik apo organizimit ligjor, identifikimi i një personi të ekspozuar politikisht, shkëmbimi i informacionit nga ana e autoriteteve kompetente, shkëmbimi i informacionit nga ana e institucioneve kredituese dhe institucioneve financiare dhe subjekteve të tjera të detyruara. Mbledhja dhe përpunimi i mëvonshëm i të dhënave personale nga subjektet e detyruara duhet të kufizohet vetëm tek qëllimi për të vepruar në përputhje me kërkesat e kësaj direktive dhe të dhënat personale nuk duhen përpunuar më tej në një mënyrë që bie në kundërshtim me këtë qëllim. Në veçanti, përpunimi i mëtejshëm i të dhënave personale për qëllime tregtare është rreptësisht i ndaluar.
44. Rekomandimet e rishikuara të FATF-së dëshmojnë se, për të qenë në gjendje për të bashkëpunuar plotësisht dhe për të plotësuar me shpejtësi kërkesat për informacion të organeve kompetente, për qëllime të parandalimit, zbulimit ose hetimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, subjektet e detyruara duhet të ruajnë, për të paktën pesë vjet, informacionin e nevojshëm të marrë nëpërmjet masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit dhe të dhënat për transaksionet. Për të shmangur qasjet e ndryshme dhe për të zbatuar kërkesat që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe të sigurisë juridike, periudha e ruajtjes caktohet për pesë vjet, duke filluar nga përfundimi i marrëdhënies së biznesit ose transaksionit në fjalë. Megjithatë, nëse është e nevojshme për qëllime të parandalimit, zbulimit ose hetimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe pas kryerjes së një vlerësimi të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, shtetet anëtare kanë të drejtë të lejojnë ose të kërkojnë ruajtjen e mëtejshme të të dhënave për një periudhë shtesë jo më të gjatë se pesë vjet, pa cenuar të drejtën penale kombëtare të administrimit të provave që zbatohet për hetimet penale dhe proceset ligjore të nisura. Shtetet anëtare duhet të kërkojnë miratimin e masave të veçanta për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe të vendosin se cilët persona, kategori personash ose autoritete mund të kenë akses ekskluziv në të dhënat e ruajtura.
45. Me qëllim sigurimin e administrimit të duhur dhe efikas të drejtësisë përgjatë periudhës së përafrimit të kësaj direktive me kuadrot ligjorë kombëtarë të shteteve anëtare dhe me qëllim mundësimin e ndërveprimit të saj sa më të butë me kuadrot ligjorë kombëtarë të procedurave, informacionet dhe dokumentet përkatëse të proceseve ligjore të nisura për parandalimin, zbulimin ose hetimin e pastrimit të mundshëm të parave ose financimit të terrorizmit, që janë në proces në shtetet anëtare në datën e hyrjes në fuqi të kësaj direktive, duhet të ruhen për një periudhë prej pesë vjetësh, duke filluar nga ajo datë, me të drejtën e zgjatjes së kësaj periudhe edhe për pesë vjet të tjera.
46. Të drejtat e aksesit në të dhënat nga ana e subjektit të të dhënave, janë të zbatueshme për të dhënat personale të përpunuara për qëllime të kësaj direktive. Megjithatë, aksesi nga subjekti i të dhënave në të gjitha informacionet në lidhje me raportin e një transaksioni të dyshimtë do ta rrezikonte seriozisht efikasitetin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Për këtë arsye, përjashtimet nga dhe kufizimet e kësaj të drejte, në përputhje me nenin 13 të Direktivës 95/46/KE dhe, kur është e nevojshme, me nenin 20 të Rregullores (KE) Nr. 45/2001 janë të justifikueshme. Subjekti i të dhënave ka të drejtë të kërkojë që një autoritet mbikëqyrës, i përmendur në nenin 28 të Direktivës 95/46/KE ose, atje ku është e zbatueshme, Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave, të kontrollojë ligjshmërinë e përpunimit dhe ka të drejtë të kërkojë kompensim ligjor, sipas përcaktimit në nenin 22 të asaj direktive. Autoriteti mbikëqyrës, i përmendur në nenin 28 të Direktivës 95/46/KE, mund të veprojë edhe sipas parimit ex officio. Pa cenuar kufizimet e së drejtës për akses, autoriteti mbikëqyrës ka të drejtë të informojë subjektin e të dhënave se të gjitha verifikimet e nevojshme nga ana e autoritetit mbikëqyrës janë kryer dhe për rezultatin mbi ligjshmërinë e përpunimit në fjalë.
47. Personat që kryejnë vetëm konvertimin e dokumenteve në formë letre në të dhëna elektronike, duke vepruar bazuar në një kontratë me institucionin e kreditit ose me institucionin financiar, dhe personat që u ofrojnë institucioneve të kreditit ose institucioneve financiare vetëm mesazhe apo sisteme të tjera mbështetje për transferimin e fondeve ose sisteme mbështetje për pagesat dhe shlyerjet nuk përfshihen në fushëveprimin e kësaj direktive.
48. Pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit përbëjnë probleme ndërkombëtare dhe përpjekjet për t'i luftuar ato duhet të jetë globale. Në rast se institucionet e kreditit dhe institucionet financiare të BE-së kanë degë dhe filiale të vendosura në vende të treta, te cilat kanë kërkesa më pak të rrepta se ato të shtetit anëtar, me qëllim shmangien e zbatimit të standardeve shumë të ndryshme brenda institucionit ose grupit të e institucioneve, ato duhet të zbatojnë në ato degë dhe filiale standardet e BE-së ose të njoftojnë autoritetet kompetente të shtetit anëtar të origjinës në rast se zbatimi i të tilla standardeve është i pamundur.
49. Reagimi për dobinë dhe ndjekja e raportimeve të transaksioneve të dyshimta që ato paraqesin duhet, atje ku është e mundur, të vihen në dispozicion të subjekteve të detyruara. Për të bërë të mundur këtë dhe që të jenë në gjendje të shqyrtojnë efektivitetin e sistemeve të tyre të luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, shtetet anëtare duhet të mbajnë dhe të përmirësojnë cilësinë e statistikave përkatëse. Për të përmirësuar më tej cilësinë dhe qëndrueshmërinë e të dhënave statistikore të mbledhura në nivel BE-je, Komisioni duhet të vëzhgojë pa ndërprerje në të gjithë BE-në situatën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe duhet të publikojë rregullisht raporte të përgjithshme.
50. Në rast se shtetet anëtare kërkojnë që emetuesit e parasë elektronike dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave, të cilat janë të vendosura në territorin e tyre në forma të ndryshme nga ajo e një dege dhe zyrat qendrore të të cilëve ndodhen në një shtet anëtar tjetër, të caktojnë një pikë qendrore kontakti në territorin e tyre, ata kanë të drejtë të kërkojnë që një pikë e tillë qendrore kontakti, duke vepruar në emër të institucionit të emërimit, të garantojë respektimin nga ana e institucionit të rregullave të AML/CFT-së. Shtetet anëtare duhet gjithashtu të sigurojnë që kjo kërkesë të jetë proporcionale dhe të mos shkojë përtej asaj që është e nevojshme për të arritur qëllimin e përputhshmërisë me rregullat e AML/CFT-së, duke përfshirë këtu edhe lehtësimin e mbikëqyrjes përkatëse.
51. Autoritetet kompetente duhet të sigurojnë që, sa i përket zyrave të këmbimit valutor, zyrave të thyerjes së çeqeve, trusteve ose subjekteve që ofrojnë shërbime të lojërave të fatit, personat që në fakt drejtojnë biznesin e subjekteve të tilla dhe pronarët përfitues të subjekteve të tilla të jenë të aftë dhe me zotësi të plotë për të vepruar. Kriteret për të përcaktuar nëse një person është i aftë dhe me zotësi të plotë për të vepruar duhet, më së paku, të reflektojnë nevojën për të mbrojtur subjekte të tilla prej keqpërdorimit të drejtorëve të tyre ose pronarëve përfitues për qëllime kriminale.
52. Në rast se një subjekt i detyruar operon ndërmarrje në një shtet tjetër anëtar, duke përfshirë këtu edhe përmes një rrjeti agjentësh, autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të politikave dhe procedurave të AML/CFT-së së të gjithë grupit të subjektit të detyruar. Një gjë e tillë mund të përfshijë edhe vizita në terren në qendrat e vendosura në shtetin tjetër anëtar. Autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës duhet të bashkëpunojë ngushtë me autoritetin kompetent të shtetit anëtar pritës dhe duhet të informojë këtë të fundit për çdo çështje që mund të ndikojë vlerësimin e tij për përputhshmërinë e subjektit me rregullat e AML/CFT-së së pritësit.
53. Në rast se një subjekt i detyruar operon ndërmarrje në një shtet tjetër anëtar, duke përfshirë këtu edhe përmes një rrjeti agjentësh ose personash që shpërndajnë para elektronike në përputhje me nenin 3, paragrafi 4, të Direktivës 2009/110/KE, autoriteti kompetent i shtetit anëtar pritës ka përgjegjësinë për zbatimin e rregullave të AML/CFT-së nga ana e subjektit, duke përfshirë edhe, nëse është e nevojshme, kryerjen e kontrolleve në vend dhe monitorimit nga distanca, dhe duke marrë masat e duhura dhe proporcionale për trajtimin e shkeljeve serioze të atyre rregullave. Autoriteti kompetent i shtetit anëtar pritës duhet të bashkëpunojë ngushtë me autoritetin kompetent të shtetit anëtar të origjinës dhe duhet të informojë këtë të fundit për çdo çështje që mund të ndikojë vlerësimin e tij për përputhshmërinë e zbatimit nga ana e subjektit të detyruar të rregullave dhe procedurave të AML/CFT-së së grupit të subjektit të detyruar. Me qëllim eliminimin e shkeljeve të rënda të rregullave të AML/CFT-së që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, autoriteti kompetent i shtetit anëtar pritës ka të drejtën të zbatojë masat e duhura dhe proporcionale të përkohshme përmirësuese, të zbatueshme në kushte të ngjashme edhe ndaj subjekteve brenda kompetencës së vet, për të trajtuar të tilla dështime të rënda dhe, kur është e nevojshme, edhe me ndihmën e ose në bashkëpunim me autoritetin kompetent të shtetit anëtar të origjinës.
54. Duke marrë parasysh natyrën ndërkombëtare të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, koordinimi dhe bashkëpunimi mes NIF-ve mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme. Me qëllim përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit, dhe, në veçanti, për të siguruar që raportet e transaksioneve të dyshimta të shkojnë në NIF-në e shtetit anëtar ku raportet do të ishin më shumë të nevojshme, kjo direktivë përcakton rregulla të detajuara.
55. Platforma e Njësive të Inteligjencës Financiare të BE-së ("Platforma e NIF-ve të BE-së"), një grup joformal i përbërë nga përfaqësues të NIF-ve dhe që funksionon që prej vitit 2006, përdoret për të lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet NIF-ve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve për çështje të lidhura me bashkëpunimin, të tilla si: bashkëpunimi efektiv mes NIF-ve dhe mes NIF-ve dhe njësive të inteligjencës financiare të vendeve të treta, analiza të përbashkëta të rasteve ndërkufitare dhe prirjeve dhe faktorëve relevantë për vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në nivel kombëtar dhe mbikombëtar.
56. Përmirësimi i shkëmbimit të informacionit mes NIF-ve brenda BE-së është veçanërisht i rëndësishëm për trajtimin e karakterit transkombëtar të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përdorimi i pajisjeve të sigurta për shkëmbimin e informacionit, në veçanti i rrjetit kompjuterik të decentralizuar FIU.net ("FIU.net") ose pasardhësit të tij, dhe i teknikave të ofruara nga FIU.net, duhet të inkurajohet nga shtetet anëtare. Shkëmbimi fillestar i informacionit mes NIF-ve në lidhje me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit për qëllime analitike, informacion ky që nuk është përpunuar më tej ose shpërndarë, lejohet vetëm nëse një shkëmbim i tillë informacioni nuk bie në kundërshtim me parimet themelore të legjislacionit të brendshëm. Shkëmbimi i informacionit për rastet e identifikuara nga NIF-të dhe që mund të përfshijnë edhe vepra penale në fushën e tatimeve nuk cenon shkëmbimin e informacionit në fushën e tatimeve, në përputhje me Direktivën e Këshillit 2011/16/BE<href="#ntr15-L_2015141EN.01007301-E0015">15 ose në përputhje me standardet ndërkombëtare për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimit administrativ në çështjet tatimore.
57. Me qëllim që të jenë në gjendje për t'iu përgjigjur plotësisht dhe me shpejtësi kërkesave të NIF-ve, subjektet e detyruara duhet të kenë sisteme efektive që iu mundësojnë atyre akses të plotë dhe në kohë nëpërmjet kanaleve të sigurta dhe konfidenciale të informacionit në lidhje me marrëdhëniet e biznesit që ata ruajnë ose kanë ruajtur me persona të caktuar. Në përputhje me legjislacionin komunitar dhe me atë të brendshëm, shtetet anëtare kanë të drejtë, për shembull, të marrin në konsideratë edhe krijimin e sistemeve të regjistrave bankarë ose sistemeve elektronike të gjetjes së të dhënave, që do t'u jepnin NIF-ve akses në informacioni mbi llogaritë bankare, pa cenuar detyrimin për autorizim gjyqësor atje ku është i zbatueshëm. Shtetet anëtare mund të marrin në konsideratë edhe krijimin e mekanizmave për t'u siguruar që autoritetet kompetente të kenë në zbatim procedura për identifikimin e pasurive pa njoftimin paraprak të pronarit.
58. Shtetet anëtare duhet të nxisin autoritetet kompetente për të ofruar shpejt, në mënyrë konstruktive dhe efektive bashkëpunim sa më të gjerë ndërkufitar për qëllime të kësaj direktive, pa cenuar rregullat ose procedurat e zbatueshme për bashkëpunim gjyqësor në çështjet penale. Në veçanti, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që NIF-të e tyre të shkëmbejnë informacion lirisht, spontanisht ose sipas kërkesës, me njësitë e inteligjencës financiare të vendeve të treta, duke pasur parasysh legjislacionin komunitar dhe parimet për shkëmbimin e informacionit, të hartuara nga Grupi Egmont i Njësive të Inteligjencës Financiare.
59. Nisur nga rëndësia e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, shtet anëtare duhet të parashikojnë në legjislacionin e tyre të brendshëm masa dhe sanksione administrative efektive, proporcionale dhe parandaluese ndaj mosrespektimit të dispozitave kombëtare që përafrohen me këtë direktivë. Aktualisht, shtetet anëtare kanë një gamë të larmishme sanksionesh dhe masash administrative ndaj shkeljeve të dispozitave kryesore parandaluese në fuqi. Në fakt, ajo larmi mund të jetë e dëmshme për përpjekjet e ndërmarra në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe kundërpërgjigja e BE-së rrezikon të shfaqet e fragmentuar. Për këtë arsye, kjo direktivë parashikon një sërë sanksionesh dhe masash administrative nga shtetet anëtare, të paktën për shkeljet e rënda, të përsëritura ose sistematike të kushteve që lidhen me masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit, ruajtjen e të dhënave, raportimin e transaksioneve të dyshimta dhe kontrollet e brendshme të subjekteve të detyruara. Gama e sanksioneve dhe masave duhet të jetë mjaftueshëm e gjerë për t'i lejuar shtetet anëtare dhe autoritetet kompetente që të marrin parasysh dallimet mes subjekteve të detyruara, në mënyrë të veçantë mes institucioneve të kreditit dhe institucioneve financiare dhe subjekteve të tjera të detyruara, sa i përket madhësisë, karakteristikave dhe natyrës së tyre të biznesit. Gjatë përafrimit të kësaj direktive, shtetet anëtare duhet të sigurohen që vendosja e sanksioneve dhe masave administrative sipas kësaj direktive dhe e sanksioneve penale sipas legjislacionit të brendshëm të mos bien ndesh me parimin ne bis in idem.
60. Për qëllime të vlerësimit të përshtatshmërisë së personave që mbajnë funksione drejtuese ose edhe kontrolluese në subjektet e detyruara, çdo shkëmbim informacioni në lidhje me dënimet penale kryhet në përputhje me Vendimin Kuadër të Këshillit 2009/315/ÇBD<href="#ntr16-L_2015141EN.01007301-E0016">16 dhe Vendimin e Këshillit 2009/316/ÇBD<href="#ntr17-L_2015141EN.01007301-E0017">17, të transpozuar në legjislacionin e brendshëm, dhe me dispozitat e tjera përkatëse të legjislacionit të brendshëm.
61. Standardet teknike rregulluese të shërbimeve financiare duhet të garantojnë harmonizimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjaftueshme të depozituesve, investitorëve dhe klientëve në të gjithë BE-në. Si organe me ekspertizë shumë të specializuar, do të ishte efikase dhe e përshtatshme që ESA-ve t'u besohej zhvillimi, me qëllim dorëzimin në Komision, i projekt-standardeve teknike rregulluese, që nuk përfshijnë zgjedhje politikash.
62. Komisioni duhet të miratojë projekt-standardet teknike rregullatore të zhvilluara nga ESA-të sipas kësaj direktive, me anë të akteve të deleguara në pajtim me nenin 290 të TFBE-së dhe në përputhje me nenet 10 deri 14 të Rregulloreve (BE) Nr. 1093/2010, (BE) Nr. 1094/2010 dhe (BE) Nr. 1095/2010.
63. Duke pasur parasysh ndryshimet shumë të konsiderueshme që do të duhet t'i bëhen Direktivave 2005/60/KE dhe 2006/70/KE në dritën e kësaj direktive, ato do të duhet të bashkohen dhe të zëvendësohen për nevoja të qartësisë dhe konsistencës.
64. Meqë objektivi i kësaj direktive, përkatësisht mbrojtja e sistemit financiar përmes parandalimit, zbulimit dhe hetimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nuk mund të arrihet mjaftueshëm nga shtetet anëtare pasi masat e veçanta të miratuara nga shtetet anëtare për mbrojtjen e sistemeve të tyre financiare mund të jenë në kundërshtim me funksionimin e tregut të brendshëm dhe me parashikimet e shtetit të së drejtës dhe politikave publike të BE-së, për arsye të shkallës dhe efekteve të veprimit, objektivi mund të arrihet më mirë në nivel BE-je, atëherë BE-ja mund të miratojë masa, në përputhje me parimin e subsidiaritetit, siç përcaktohet në nenin 5 të Traktatit për Bashkimin Evropian. Në përputhje me parimin e proporcionalitetit, të përcaktuar në po atë nen, kjo direktivë nuk shkon përtej asaj që është e nevojshme për arritjen e këtij objektivi.
65. Kjo direktivë respekton të drejtat themelore dhe parimet e njohura nga Karta, në veçanti të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, lirinë për të bërë biznes, ndalimin e diskriminimit, të drejtën për kompensim efektiv dhe gjykim të drejtë, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e mbrojtjes.
66. Në përputhje me nenin 21 të Kartës, që ndalon diskriminimin mbi çfarëdolloj baze, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që kjo direktivë të zbatohet, sa i përket vlerësimit pa diskriminim të rrezikut në kontekstin e masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit.
67. Në përputhje me Deklaratën e Përbashkët Politike të Shteteve Anëtare dhe të Komisionit, datë 28 shtator 2011, për dokumentet shpjeguese<href="#ntr18-L_2015141EN.01007301-E0018">18, shtetet anëtare angazhohen të shoqërojnë, në raste të argumentuara, njoftimin për masat e tyre transpozuese me një ose më shumë dokumente që shpjegojnë marrëdhënien mes pjesëve të një direktive dhe pjesëve përkatëse të instrumenteve kombëtare të transpozimit. Për sa i përket kësaj direktive, ligjvënësi e konsideron transmetimin e këtyre dokumenteve si të justifikuar.
68. Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave u këshillua, në përputhje me nenin 28, paragrafi 2, të Rregullores (KE) Nr. 45/2001 dhe shprehu mendimin e tij më 4 korrik 2013<href="#ntr19-L_2015141EN.01007301-E0019">19,
MIRATOJNË KËTË DIREKTIVË:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
SEKSIONI 1
OBJEKTI, FUSHËVEPRIMI DHE PËRKUFIZIMET
Neni 1
1. Kjo direktivë ka për qëllim parandalimin e përdorimit të sistemit financiar të BE-së për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
2. Shtetet anëtare duhet të garantojnë ndalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
3. Për qëllime të kësaj direktive, veprimi i mëposhtëm, kur kryhet me qëllim, përbën pastrim parash:
a) konvertimi ose transferimi i pasurisë, duke ditur se një pasuri e tillë rrjedh nga veprimtari kriminale ose nga pjesëmarrja në një veprimtari të tillë, me qëllim fshehjen ose maskimin e origjinës së paligjshme të pasurisë ose dhënien e ndihmës çdo personi i cili është i përfshirë në kryerjen e një veprimtarie të tillë për të shmangur pasojat ligjore ndaj veprimit të atij personi;
b) fshehja ose maskimi i natyrës të vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, lëvizjes, të drejtave në lidhje me pasurinë ose zotërimin e saj, duke ditur se ajo pasuri rrjedh nga veprimtari kriminale ose nga pjesëmarrja në një veprimtari të tillë;
c) blerja, zotërimi ose përdorimi i pasurisë, duke e ditur, në kohën e marrjes, se ajo pasuri rrjedh nga veprimtari kriminale ose nga pjesëmarrja në një veprimtari të tillë;
d) pjesëmarrja në, bashkëpunimi për të kryer, tentativat për të kryer dhe ndihma, përkrahja, lehtësimi dhe këshillimi për kryerjen e ndonjë prej veprimeve të përmendura në germat "a", "b" dhe "c".
4. Pastrimi i parave konsiderohet si i tillë edhe kur aktivitetet nga të cilat ka buruar prona që do të pastrohet, janë kryer në territorin e një shteti anëtar tjetër ose në territorin e një vendi të tretë.
5. Për qëllime të kësaj direktive, "financim i terrorizmit" është ofrimi ose mbledhja e fondeve, me çdo mjet, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, me qëllimin që ato të përdoren ose duke ditur se ato do të përdoren, tërësisht ose pjesërisht, për të kryer një nga veprat penale në kuptim të neneve 1 deri në 4 të Vendimit Kuadër të Këshillit 2002/475/ÇBD<href="#ntr20-L_2015141EN.01007301-E0020">20.
6. Dijenia, synimi ose qëllimi, që kërkohen si element i veprimtarive të përmendura në paragrafët 3 dhe 5, mund të nxirren nga rrethana faktike objektive.
Neni 2
1. Kjo direktivë zbatohet për subjektet e mëposhtme të detyruara:
1. institucionet e kreditimit;
2. institucionet financiare;
3. personat fizikë ose juridikë, që veprojnë në ushtrim të aktiviteteve të tyre profesionale:
a) audituesit, kontabilistët e miratuar të pavarur dhe këshilltarët tatimorë;
b) noterët dhe profesionistët e tjerë të pavarur ligjorë, kur ata marrin pjesë qoftë duke vepruar në emër të klientëve të tyre në transaksione financiare ose transaksione për veprime me pasuri të paluajtshme, ose duke ndihmuar në përgatitjen ose kryerjen e transaksioneve për klientin e tyre për veprimet e mëposhtme:
I. blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme ose subjekteve të biznesit;
II. administrimin e parave të klientit, të letrave me vlerë ose të aseteve të tjera;
III. hapjen ose administrimin e llogarive bankare, të kursimit ose të letrave me vlerë;
IV. organizimit e kontributeve të nevojshme për themelimin, funksionimin ose administrimin e shoqërive tregtare;
V. krijimit, funksionimit ose administrimit të trusteve, shoqërive tregtare, fondacioneve ose strukturave të ngjashme;
c) ofruesit e shërbimeve për shoqëritë tregtare dhe trustet, që nuk mbulohen nga germat "a" ose "b";
d) agjentët e pasurive të paluajtshme;
e) personat e tjerë që tregtojnë mallra deri në masën kur pagesat e bëra ose të marra në para fizike janë në vlerën prej 10 000 Euro ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni është kryer në një operacion të vetëm ose në disa operacione që duket se janë të lidhura;
f) ofruesit e shërbimeve të lojërave të fatit.
2. Me përjashtim të kazinove, dhe pas një vlerësimi të përshtatshëm të rrezikut, shtetet anëtare mund të vendosin për të përjashtuar, tërësisht ose pjesërisht, ofruesit e shërbimeve të caktuara të lojërave të fatit nga dispozitat kombëtare që transpozojnë këtë direktivë, mbi bazën e rrezikut të ulët të provuar që vjen nga natyra dhe, kur është e përshtatshme, nga shkalla e operacioneve të shërbimeve të tilla.
Ndër faktorët që merren në konsideratë gjatë vlerësimeve të rrezikut, shtetet anëtare vlerësojnë shkallën e cenueshmërisë së transaksioneve të zbatueshme, duke përfshirë edhe metodat e përdorura të pagesës.
Në vlerësimet e rrezikut, shtetet anëtare cilësojnë se si ata kanë marrë parasysh të gjitha gjetjet përkatëse në raportet e nxjerra nga Komisioni në përputhje me nenin 6.
Çdo vendim i marrë nga një shtet anëtar në përputhje me nënparagrafin e parë i njoftohet Komisionit, së bashku me një arsyetim të bazuar në vlerësimin e veçantë të rrezikut. Komisioni ia përcjell atë vendim shteteve të tjera anëtare.
3. Shtetet anëtare mund të vendosin që personat, të cilët angazhohen rastësisht ose në mënyrë shumë të kufizuar në një aktivitet financiar ku rreziku i pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit është i ulët, të mos përfshihen në fushëveprimin e kësaj direktive, me kusht që të përmbushen gjitha kriteret e mëposhtme:
a) aktiviteti financiar është absolutisht i kufizuar;
b) aktiviteti financiar është i kufizuar në bazë të transaksioneve;
c) aktiviteti financiar nuk është aktiviteti kryesor i këtyre personave;
d) aktiviteti financiar është ndihmës dhe i lidhur drejtpërsëdrejti me aktivitetin kryesor të këtyre personave;
e) aktiviteti kryesor i këtyre personave nuk është një aktivitet i përmendur në germat "a" deri në "d" ose në germën "f" të paragrafit 1, pika 3;
f) aktiviteti financiar ofrohet vetëm për klientët e aktivitetit kryesor të këtyre personave dhe përgjithësisht nuk i ofrohet publikut.
Nënparagrafi i parë nuk zbatohet për personat e angazhuar në veprimtarinë e dërgesave të parave, siç përcaktohet në nenin 4, pika 13, të Direktivës 2007/64/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr21-L_2015141EN.01007301-E0021">21.
4. Për qëllime të germës "a" të paragrafit 3, shtetet anëtare kërkojnë që xhiroja totale e veprimtarisë financiare të mos kalojë një prag, që duhet të jetë mjaftueshëm i ulët. Një prag i tillë vendoset në nivel kombëtar, në varësi të llojit të aktivitetit financiar.
5. Për qëllime të germës "b" të paragrafit 3, shtetet anëtare zbatojnë një prag maksimal për klientin dhe për transaksionin e vetëm, pavarësisht nëse transaksioni është kryer në një operacion të vetëm ose në disa operacione që duket se janë të lidhura. Një prag i tillë maksimal vendoset në nivel kombëtar, në varësi të llojit të aktivitetit financiar. Ai duhet të jetë mjaftueshëm i ulët, në mënyrë që të garantojë se llojet e transaksioneve në fjalë janë një metodë jopraktike dhe joefikase për pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit, dhe nuk duhet të kalojnë shumën prej 1 000 euro.
6. Për qëllime të germës "c" të paragrafit 3, shtetet anëtare kërkojnë që xhiroja e veprimtarisë financiare të mos i kalojë 5% të xhiros totale të personit fizik ose juridik në fjalë.
7. Në vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit për qëllime të këtij neni, shtetet anëtare i kushtojnë vëmendje të veçantë çdo aktiviteti financiar, që konsiderohet se është veçanërisht i mundshëm, për shkak të natyrës së tij, për t'u përdorur ose keqpërdorur për qëllime të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit.
8. Vendimet e marra nga shtetet anëtare në përputhje me paragrafin 3 përfshijnë edhe arsyet ku ato janë bazuar. Në rast se rrethanat ndryshojnë, shtetet anëtare mund të vendosin t'i tërheqin këto vendime. Këto vendime ata ia njoftojnë Komisionit. Komisioni ia përcjell ato vendime shteteve të tjera anëtare.
9. Shtetet anëtare krijojnë aktivitete monitoruese të bazuara tek rreziku ose marrin masa të tjera të përshtatshme për t'u siguruar që mos të abuzohet me përjashtimin e dhënë sipas vendimeve të nxjerra sipas këtij neni.
Neni 3
Për qëllime të kësaj direktive përdoren përkufizimet e mëposhtme:
1. "institucion kreditimi" është një institucion kreditimi, sipas përkufizimit në pikën 1 të nenit 4, paragrafi 1, të Rregullores (BE) Nr. 575/2013 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr22-L_2015141EN.01007301-E0022">22, duke përfshirë edhe degët e tij, sipas përkufizimit në pikën 17 të nenit 4, paragrafi 1, të asaj Rregulloreje, i vendosur në BE, pavarësisht nëse zyra e tij qendrore është e vendosur brenda BE-së ose në një vend të tretë;
2. "institucion financiar" është:
a) një subjekt i ndryshëm nga institucioni i kreditimit, i cili kryen një ose më shumë nga aktivitetet e përmendura në pikat 2 deri në 12, 14 dhe 15 të Shtojcës I të Direktivës 2013/36/BE të Parlamenti Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr23-L_2015141EN.01007301-E0023">23, duke përfshirë edhe veprimtaritë e zyrave të këmbimit valutor (bureaux de change);
b) një shoqëri sigurimi, sipas përkufizimit në pikën 1 të nenit 13 të Direktivës 2009/138/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr24-L_2015141EN.01007301-E0024">24, që ushtron aktivitetet e sigurimin e jetës të mbuluara nga ajo direktivë;
c) një firmë investimi, sipas përkufizimit në pikën 1 të nenit 4, paragrafi 1, të Direktivës 2004/39/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr25-L_2015141EN.01007301-E0025">25;
d) një sipërmarrje investimesh kolektive, që tregton njësitë ose kuotat e saj;
e) një ndërmjetës sigurimi, sipas përkufizimit në pikën 5 të nenit 2 të Direktivës 2002/92/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr26-L_2015141EN.01007301-E0026">26, në rast se ai vepron në lidhje me sigurimin e jetës dhe shërbime të tjera të lidhura me investimet, me përjashtim të një ndërmjetësi sigurimi të lidhur, sipas përkufizimit në pikën 7 të atij neni;
f) degët e institucioneve financiare, kur ato ndodhen në BE, siç përmenden në germat "a" deri në "e", pavarësisht nëse zyra e tyre qendrore ndodhet në një shtet anëtar ose në një vend të tretë;
3. "pronë" është pasuri e çdo lloji, e trupëzuar ose e patrupëzuar, e luajtshme ose e paluajtshme, e prekshme ose e paprekshme, si dhe dokumentet ligjore ose instrumente të çfarëdo forme, edhe elektronike ose digjitale, që provojnë të drejtat ose interesat pasurorë mbi këto asete;
4) "veprimtari kriminale" është çdo lloj përfshirje kriminale në kryerjen e krimeve të rënda në vijim:
a) veprat e përcaktuara në nenet 1 deri në 4 të Vendimit Kuadër 2002/475/ÇBD;
b) secila prej veprave penale të përmendura në germën "a" të nenit 3, paragrafi 1, të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Trafikut të Paligjshëm të Drogave Narkotike dhe Lëndëve Psikotrope 1988;
c) veprimtaritë e organizatave kriminale, sipas përkufizimit në nenin 1 të Veprimit të Përbashkët të Këshillit 98/733/ÇBD<href="#ntr27-L_2015141EN.01007301-E0027">27;
d) mashtrimi, që prek rëndë interesat financiare të BE-së, sipas përkufizimit në nenin 1, paragrafi 1, dhe në nenin 2, paragrafi 1, të Konventës për Mbrojtjen e Interesave Financiare të Komuniteteve Evropiane<href="#ntr28-L_2015141EN.01007301-E0028">28;
e) korrupsioni;
f) të gjitha veprat penale, duke përfshirë edhe veprat penale në fushën e tatimeve, që lidhen me taksat e drejtpërdrejta ose të tërthorta, sipas përkufizimit në legjislacionin e brendshëm të shteteve anëtare, që janë të dënueshme me heqje lirie ose urdhër ndalimi për një periudhë maksimale prej më shumë se një vit ose, për shtetet anëtare që kanë në sistemet e tyre ligjore një prag minimal për veprat penale, të gjitha veprat penale të dënueshme me heqje lire ose urdhër ndalimi për një periudhë minimale prej më shumë se gjashtë muaj;
5. "organ vetërregullues" është një organ që përfaqëson anëtarët e një profesioni dhe që ka një rol në rregullimin e tij, duke kryer funksione mbikëqyrëse ose monitoruese dhe duke siguruar zbatimin e rregullave lidhur me ta;
6. "pronar përfitues" është çdo person fizik, që zotëron ose kontrollon i fundit një klient dhe/ose personi, për llogari të të cilit kryhet transaksioni ose veprimtaria, dhe që të paktën përfshin:
a) në rastin e personave juridikë:
I. personi fizik që zotëron ose kontrollon i fundit një person juridik përmes zotërimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të një përqindje të mjaftueshme të aksioneve ose të votave ose të interesit pronësor në atë person juridik, duke përfshirë edhe mbajtësit e pronësisë mbi aksionet bartëse, ose përmes kontrollit me mjete të tjera, përveç shoqërive tregtare të listuara në një treg të rregulluar që u nënshtrohet rregullave të publikimit sipas legjislacionit komunitar ose standardeve ndërkombëtare të barasvlershme me to, të cilat garantojnë transparencën e duhur të informacionit për pronësinë.
Zotërimi i një përqindjeje aksionesh prej 25% e më tepër ose i një përqindjeje prej 25% e më tepër të interesit pronësor në klientin, i cili zotërohet nga personi fizik do të jetë tregues i pronësisë së drejtpërdrejt. Zotërimi i një përqindjeje aksionesh prej 25% e më tepër ose i një përqindjeje prej 25% e më tepër të interesit pronësor në klientin, i cili zotërohet nga një person juridik i cili është nën kontrollin e personit/ve fizik, apo nga disa persona juridik të cilët janë nën kontrollin e një personave fizik do të jetë një tregues i pronësisë së tërthortë. Kjo dispozitë nuk cenon të drejtën e shteteve anëtare për të vendosur një përqindje edhe më të vogël si tregues i pronësisë ose kontrollit. Kontrolli me anë të mjeteve të tjera mund të përcaktohet, ndër të tjera, në përputhje me kriteret e nenit 22, paragrafët 1 deri në 5, të Direktivës 2013/34/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr29-L_2015141EN.01007301-E0029">29;
II. në rast se, pasi janë shteruar të gjitha mjetet e mundshme dhe me kushtin që nuk ka arsye për dyshime, nuk është identifikuar asnjë person sipas pikës I, ose në rast se ka dyshime që personi ose personat e identifikuar janë pronarët përfitues, personi ose personat fizikë që mbajnë postin e drejtuesve të lartë në subjektet e detyruara duhet të regjistrojnë veprimet e ndërmarra me qëllim identifikimin e pronësisë përfituese sipas pikës I dhe sipas kësaj pike;
b) në rastin e trusteve:
I. garantuesi;
II. administruesi ose administruesit e besuar;
III. mbrojtësi, nëse ka;
IV. përfituesit ose, nëse individët që përfitojnë nga organizimi ligjor ose nga personi juridik nuk janë përcaktuar ende, grupi i personave në interes të të cilëve është ngritur ose funksionon organizimi ligjor ose personi juridik;
V. çdo person tjetër fizik që ushtron kontrollin përfundimtar mbi trustin me anë të pronësisë së drejtpërdrejtë apo të tërthortë ose me anë të mjeteve të tjera;
c) në rastin e personave juridikë, si: fondacionet dhe organizimet ligjore të ngjashme me trustet, personi ose personat fizikë që mbajnë poste të njëjta ose të ngjashme me ato të përmendura në germën "b";
7. "trust ose ofrues i shërbimeve për shoqëritë tregtare" është çdo person që, me anë të biznesit të tij, ofron secilën nga shërbimet e mëposhtme për palët e treta:
a) krijimin e shoqërive tregtare ose të personave të tjerë juridikë;
b) vepron si, ose kujdeset që një person tjetër të veprojë si, drejtor ose sekretar i një shoqërie, si partner i një partneriteti ose në një pozicion të ngjashëm në lidhje me persona të tjerë juridikë;
c) sigurimin e një zyre të regjistruar, adrese biznesi, adrese administrative ose të korrespondencës dhe shërbime të tjera të ngjashme për një shoqëri tregtare, partneritet ose ndonjë person tjetër juridik ose organizim ligjor;
d) vepron si, ose kujdeset që një person tjetër të veprojë si, një administrues i besuar i një trusti ose i një organizimi të ngjashëm ligjor;
e) vepron si, ose kujdeset që një person tjetër të veprojë si, një aksionar përfaqësues për një person tjetër të ndryshëm nga një shoqëri tregtare e listuar në një treg të rregulluar që u nënshtrohet rregullave të publikimit sipas legjislacionit komunitar ose standardeve ndërkombëtare të barasvlershme me to;
8. "marrëdhënie korrespondente" është:
a) ofrimi i shërbimeve bankare nga një bankë korrespondente te një banke tjetër pritëse, duke përfshirë hapjen e një llogarie rrjedhëse ose një llogarie debiti dhe shërbimet e lidhura me to, si: administrimi i parave, transferimet ndërkombëtare të fondeve, pagesat e çeqeve, llogaritë transitore dhe shërbimet e këmbimit valutor;
b) marrëdhëniet mes dhe ndërmjet institucioneve të kreditit dhe institucioneve financiare, përfshirë edhe rastet kur shërbime të ngjashme ofrohen nga një institucion korrespondent për një institucion pritës, dhe duke përfshirë edhe marrëdhëniet e vendosura për transaksionet e letrave me vlerë ose transferimet e fondeve;
9. "person i ekspozuar politikisht" është një person fizik, i cili ka mbajtur ose mban një funksion të lartë publik dhe ku përfshihen:
a) kryetarët e shteteve, kryetarët e qeverive, ministrat dhe zëvendësministrat ose këshilltarët;
b) deputetët e parlamentit ose anëtarët e organeve të ngjashme legjislative;
c) anëtarët e organeve drejtuese të partive politike;
d) anëtarët e gjykatës së lartë, të gjykatave kushtetuese ose të organeve të tjera të nivelit të lartë gjyqësor, vendimet e të cilave, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme, nuk mund të apelohen;
e) anëtarët e gjykatave të auditimit ose të bordeve të bankave qendrore;
f) ambasadorët, të ngarkuarit me punë dhe oficerët e lartë të forcave të armatosura;
g) anëtarët e organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse të ndërmarrjeve shtetërore;
h) drejtorët, zëvendësdrejtorët dhe anëtarët e bordeve ose të organeve të ngjashme të organizatave ndërkombëtare.
Asnjë funksion publik i përmendur në germat "a" deri në "h" nuk duhet të kuptohet se përfshin edhe nëpunësit e nivelit të mesëm ose të ulët hierarkik;
10. "anëtarët e familjes" përfshijnë sa më poshtë:
a) bashkëshorti/bashkëshortja e një personi të ekspozuar politikisht, ose një person tjetër që konsiderohet ekuivalent me bashkëshortin/bashkëshorten;
b) fëmijët, së bashku me bashkëshortët/bashkëshortet e tyre ose me persona të tjerë që konsiderohen ekuivalent me bashkëshortët/bashkëshortet, e një personi të ekspozuar politikisht;
c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht;
11. "personat që dihet se janë bashkëpunëtorë të ngushtë" janë sa më poshtë:
a) personat fizikë që dihet se kanë pronësinë të përbashkët përfituese në personat juridikë ose organizimet ligjore, ose kanë marrëdhënie të tjera të ngushta biznesi, me një person të ekspozuar politikisht;
b) personat fizikë që kanë pronësinë e vetme përfituese në një persona juridik ose organizim ligjor dhe që dihet se, në fakt, janë themeluar për përfitimin de facto të një personi të ekspozuar politikisht.
12. "drejtues i lartë" është nëpunësi ose punonjës që ka njohuri të mjaftueshme për rrezikun ndaj të cilit institucioni është i ekspozuar nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizimit dhe që ka mundësinë të marrë vendime që ndikojnë në masën e ekspozimit ndaj rrezikut, dhe, në të gjitha rastet, nuk është e nevojshme që ai të jetë anëtar i bordit të drejtorëve;
13. "marrëdhënie biznesi" është një marrëdhënie biznesi, profesionale ose tregtare, që është e lidhur me aktivitetet profesionale të një subjekti të detyruar dhe, në kohën kur vendoset kontakti, pritshmëria është që ajo të zgjasë në kohë;
14. "shërbime të lojërave të fatit" janë shërbime, që përfshijnë vënien bast të një pjesë me vlerë monetare në lojërat e fatit dhe që ofrohen me kërkesën personale të marrësit të shërbimeve, dhe ku përfshihen edhe ato me një nivel aftësie, të tilla si: lotaritë, lojërat në kazino, lojërat poker dhe transaksionet e basteve, që ofrohen në një mjedis fizik ose me anë të çdo mjeti në distancë, ose me anë të mjeteve elektronike ose ndonjë teknologjie tjetër që lehtëson komunikimin;
15. "grup" është një grup ndërmarrjesh, i cili përbëhet nga një ndërmarrje mëmë, filialet e saj dhe subjektet në të cilat ndërmarrja mëmë ose filialet e saj kanë pronësi, si edhe ndërmarrjet që lidhen me njëra-tjetrën nga një marrëdhënie, sipas kuptimit të dhënë në nenin 22 të Direktivës 2013/34/BE;
16. "paraja elektronike" është paraja elektronike, sipas përkufizimit në nenin 2, pika 2, të Direktivës 2009/110/KE;
17. "bankë guaskë" është një institucion krediti ose institucion financiar, ose një institucion që kryen aktivitete të ngjashme me ato që kryejnë institucionet e kreditit dhe institucionet financiare, e themeluar në një juridiksion në të cilin nuk ka prani fizike, duke përfshirë edhe mungesën e administrimit e drejtimit, si dhe nuk është e përfshirë në një grup të rregulluar financiar.
Neni 4
1. Shtetet anëtare, në përputhje me qasjen e bazuar tek rreziku, garantojnë që fushëveprimi i kësaj direktive të shtrihet tërësisht ose pjesërisht te profesionet dhe kategoritë e ndërmarrjeve, të ndryshme nga subjektet e detyruara të përmendura në nenin 2, paragrafi 1, që angazhohen në aktivitete të cilat janë veçanërisht të mundshme për t'u përdorur për qëllime të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit.
2. Në rast se një shtet anëtar e zgjeron fushëveprimin e kësaj direktive në profesione ose kategori ndërmarrjesh, të ndryshme nga ato të përmendura në nenin 2, paragrafi 1, ai njofton Komisionin për sa më sipër.
Neni 5
Shtetet anëtare mund të miratojnë ose të mbajnë në fuqi dispozita edhe më të rrepta në fushën e mbuluar nga kjo direktivë me qëllim që, brenda kufijve të legjislacionit komunitar, të parandalojnë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
SEKSIONI 2
VLERËSIMI I RREZIKUT
Neni 6
1. Komisioni kryen vlerësimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që ndikojnë në tregun e brendshëm dhe që lidhen me veprimtaritë ndërkufitare.
Për këtë qëllim, Komisioni, më 26 qershor 2017, do të hartojë një raport ku identifikon, analizon dhe vlerëson rreziqet në nivel BE-je. Në vijim, Komisioni do të rishikojë raportin e tij çdo dy vjet, ose edhe më shpesh nëse është e nevojshme.
2. Raporti i përmendur në paragrafin 1 do të mbulojë të paktën sa më poshtë vijon:
a) fushat e tregut të brendshëm, që janë në rrezik më të madh;
b) rreziqet që lidhen me secilin sektor përkatës;
c) mjetet më të përhapura të përdorura nga kriminelët, me të cilat pastrojnë të ardhurat nga veprimtaria kriminale.
3. Raportin e përmendur në paragrafin 1, Komisioni e vendos në dispozicion të shteteve anëtare dhe subjekteve të detyruara për t'i ndihmuar ata që të identifikojnë, kuptojnë, menaxhojnë dhe zbusin rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për t'u dhënë mundësinë palëve të tjera të interesuara, duke përfshirë këtu ligjvënësit kombëtarë, Parlamentin Evropian, ESA-të dhe përfaqësuesit e NIF-ve, që t'i njohin më mirë rreziqet.
4. Komisioni u rekomandon shteteve anëtare masat e përshtatshme për të trajtuar rreziqet e identifikuara. Në rast se shtetet anëtare vendosin të mos përfshijnë asnjë nga rekomandimet në regjimet e tyre kombëtare të AML/CFT-së, ata njoftojnë Komisionin për sa më sipër, duke dhënë edhe arsyet për këtë vendim.
5. Më 26 dhjetor 2016, ESA-të, nëpërmjet Komitetit të Përbashkët, nxjerrin një opinion mbi rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit që ndikojnë në sektorin financiar të BE-së ("opinioni i përbashkët"). Në vijim, ESA-të, nëpërmjet Komitetit të Përbashkët, do të nxjerrin një opinion çdo dy vjet.
6. Gjatë kryerjes së vlerësimit të përmendur në paragrafin 1, Komisioni organizon punën në nivel BE-je, merr parasysh opinionet e përbashkëta të përmendura në paragrafin 5 dhe, kur është e nevojshme, përfshin ekspertët e shteteve anëtare në fushën e AML/CFT-së, përfaqësues nga NIF-të dhe organe të tjera në nivel BE-je. Komisioni i vendos opinionet e përbashkëta në dispozicion të shteteve anëtare dhe të subjekteve të detyruara për t'i ndihmuar ata që të identifikojnë, menaxhojnë dhe zbusin rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
7. Çdo dy vjet, ose edhe më shpesh nëse është e nevojshme, Komisioni i paraqet Parlamentit Evropian dhe Këshillit një raport për rezultatet e vlerësimeve të rregullta të rrezikut dhe për veprimet e ndërmarra bazuar në ato rezultate.
Neni 7
1. Secili shtet anëtar merr masat e duhura për të identifikuar, vlerësuar, kuptuar dhe zbutur rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe çdo problem lidhur me mbrojtjen e të dhënave në këtë aspekt. Vlerësimi i rrezikut duhet të mbahet i përditësuar.
2. Secili shtet anëtar cakton një autoritet ose krijon një mekanizëm me anë të të cilit koordinon reagimin kombëtar ndaj rreziqeve të përmendura në paragrafin 1. Identiteti i atij autoriteti ose përshkrimi i mekanizmit i njoftohet Komisionit, ESA-ve dhe shteteve të tjera anëtare.
3. Për kryerjen e vlerësimit të rrezikut të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni, shtetet anëtare përdorin rezultatet e raportit të përmendur në nenin 6, paragrafi 1.
4. Për sa i përket vlerësimit të rrezikut të përmendur në paragrafin 1, secili shtet anëtar duhet:
a) ta përdorë atë për të përmirësuar regjimin e tij të AML/CFT-së, në mënyrë të veçantë duke identifikuar çdo fushë ku subjektet e detyruara duhet të zbatojnë masat të zgjeruara dhe, nëse është e nevojshme, duke përcaktuar edhe masat që duhet të merren;
b) të identifikojë, sipas rastit, sektorët ose fushat me rrezik më të ulët ose më të lartë për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
c) ta përdorë atë në ndihmë të ndarjes dhe prioritizimit të burimeve për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
d) ta përdorë atë për të siguruar hartimin e rregullave të duhura për çdo sektor ose fushë, në përputhje me rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
e) t'iu vërë menjëherë në dispozicion të dhënat e duhura subjekteve të detyruara për të lehtësuar kryerjen nga ana e tyre të vlerësimeve të veta të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
5. Shtetet anëtare vënë rezultatet e vlerësimeve të tyre të rrezikut në dispozicion të Komisionit, ESA-ve dhe shteteve të tjera anëtare.
Neni 8
1. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet e detyruara të marrin masat e duhura për të identifikuar dhe vlerësuar rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke marrë parasysh faktorët e rrezikut, përfshirë ato që lidhen me klientët e tyre, vendet ose zonat gjeografike, produktet, shërbimet, transaksionet ose rrugët e shpërndarjes. Këto hapa duhet të jenë në përpjesëtim me natyrën dhe madhësinë e subjekteve të detyruara.
2. Vlerësimet e rrezikut të përmendura në paragrafin 1 duhet të dokumentohen, përditësohen dhe të vihen në dispozicion të autoriteteve përkatëse kompetente dhe organeve vetërregulluese të interesuara. Autoritetet kompetente mund të vendosin që vlerësime të veçanta të dokumentuara të rrezikut nuk janë të nevojshme në rast se njihen dhe janë të qarta rreziqet e veçanta të natyrshme në atë sektor.
3. Shtetet anëtare sigurojnë që subjektet e detyruara kanë adoptuar politikat, kontrollet dhe procedurat për zbutjen dhe menaxhimin në mënyrë efektive të rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të identifikuara në nivel BE-je, shtetesh anëtare dhe subjektesh të detyruara. Këto politika, kontrolle dhe procedura duhet të jenë në përpjesëtim me natyrën dhe madhësinë e subjekteve të detyruara.
4. Politikat, kontrollet dhe procedurat e përmendura në paragrafin 3 përfshijnë sa më poshtë vijon:
a) zhvillimin e politikave, kontrolleve dhe procedurave të brendshme, duke përfshirë praktikat model të menaxhimit të riskut, masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit, raportimin, ruajtjen e të dhënave, kontrollin e brendshëm, menaxhimin e përputhshmërisë, duke përfshirë, kur është e nevojshme në lidhje me madhësinë dhe natyrën e biznesit, edhe emërimin e një oficeri të përputhshmërisë në nivel menaxhimi dhe verifikimin e punonjësve;
b) kur është e nevojshme në lidhje me madhësinë dhe natyrën e biznesit, caktimin e një auditi të pavarur për të testuar politikat, kontrollet dhe procedurat e brendshme të përmendura në germën "a".
5. Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që të marrin miratimin e drejtuesve të lartë për politikat, kontrollet dhe procedurat që ata miratojnë, dhe, kur është e nevojshme, të monitorojnë dhe të shtojnë masat e marra.
SEKSIONI 3
POLITIKAT PËR VENDET E TRETA
Neni 9
1. Juridiksionet e vendeve të treta, që kanë mangësi strategjike në regjimet e tyre kombëtare të AML/CFT-së dhe që paraqesin kërcënime të rëndësishme për sistemin financiar të BE-së ("vendet e treta me rrezikshmëri të lartë"), duhet të identifikohen në mënyrë që të mbrohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm.
2. Komisioni është i autorizuar të miratojë akte të deleguara, në përputhje me nenin 64, në mënyrë që të identifikohen vendet e treta me rrezikshmëri të lartë, duke marrë në konsideratë mangësitë strategjike dhe në veçanti në lidhje me:
a) kuadrin ligjor dhe institucional të AML/CFT-së së vendit të tretë, dhe në mënyrë të veçantë:
I. kriminalizimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
II. masat që lidhen me vigjilencën e duhur ndaj klientit;
III. kërkesat në lidhje me ruajtjen e të dhënave; dhe
IV. kërkesat për të raportuar transaksionet e dyshimta;
b) kompetencat dhe procedurat e autoriteteve kompetente të vendit të tretë për qëllime të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
c) efektiviteti i sistemit të AML/CFT-së së vendit të tretë për trajtimin e pastrimit të parave ose rreziqeve të financimit të terrorizmit.
3. Aktet e deleguara të përmendura në paragrafin 2 miratohen brenda një muaji pas identifikimit të mangësive strategjike të përmendura në atë paragraf.
4. Komisioni, gjatë përpilimit të akteve të deleguara të përmendura në paragrafin 2, në lidhje me rreziqet që vijnë nga vendet e treta merr parasysh, sipas rastit, vlerësimet përkatëse, vlerësimet ose raportet e hartuara nga organizatat ndërkombëtare dhe përcaktuesit e standardeve me kompetencë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit.
KREU II
VIGJILENCA E DUHUR NDAJ KLIENTËVE
SEKSIONI 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 10
1. Shtetet anëtare duhet t'u ndalojnë institucioneve të tyre të kreditit dhe institucionet financiare, mbajtjen e llogarive anonime ose librezave anonime. Shtetet anëtare, në çdo rast, kërkojnë që pronarët dhe përfituesit e llogarive ekzistuese anonime ose librezave anonime të jenë subjekt i masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe, në çdo rast, para se këto llogari ose libreza të përdoren në çfarëdo mënyre.
2. Shtetet anëtare marrin masa për të parandaluar keqpërdorimin e aksioneve sipas prurësit dhe të garancive për aksionet sipas prurësit.
Neni 11
Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që subjektet e detyruara të zbatojnë masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit në rrethanat e mëposhtme:
a) kur vendosin një marrëdhënie biznesi;
b) kur kryejnë një transaksion të rastit që:
I. është në vlerën 15 000 euro ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një operacion të vetëm ose në disa operacioneve që duket se janë të lidhura; ose
II. përbën transferim fondesh, sipas përkufizimit në nenin 3, pika 9, të Rregullores (BE) 2015/847 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr30-L_2015141EN.01007301-E0030">30, në shuma më të mëdha se 1 000 euro;
c) në rastin e personave që tregtojnë mallra, kur bëjnë transaksione në para fizike në vlerën prej 10 000 euro ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni është kryer në një operacion të vetëm ose në disa operacione që duket se janë të lidhura;
d) për ofruesit e shërbimeve të lojërave të fatit, pas arkëtimit të fitimeve, vënies bast të një pjese, ose të të dyjave, kur kryejnë transaksione në vlerën 2000 Euro ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni është kryer në një operacion të vetëm ose në disa operacione që duket se janë të lidhura;
e) kur ekziston dyshimi i pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit, pavarësisht ndonjë shmangie, përjashtimi ose kufizimi;
f) kur ka dyshime për vërtetësinë ose saktësinë e të dhënave identifikuese të klientit të marra më parë.
Neni 12
1. Duke deroguar nga germat "a", "b" dhe "c" të nënparagrafit të parë të nenit 13, paragrafi 1, dhe nga neni 14, dhe në bazë të një vlerësimi të përshtatshëm të rrezikut që tregon rrezik të ulët, një shtet anëtar mund të lejojë subjektet e detyruara që të mos zbatojnë disa masa të vigjilencës së duhur ndaj klientit në lidhje me paratë elektronike, në rast se të gjitha kushtet e mëposhtme që zbusin rreziqet janë përmbushur:
a) instrumenti i pagesës nuk rimbushet ose ka një vlerë maksimale mujore të transaksioneve deri në 250 Euro dhe që mund të përdoret vetëm në atë shtet anëtar;
b) shuma maksimale e ruajtur në formë elektronike nuk është më e madhe se 250 Euro;
c) instrumenti i pagesës përdoret ekskluzivisht për blerjen e mallrave ose shërbimeve;
d) instrumenti i pagesës nuk mund të financohet me para elektronike anonime;
e) emetuesi monitoron mjaftueshëm transaksionet ose marrëdhëniet e biznesit për të mundësuar zbulimin e transaksioneve të pazakonta ose të dyshimta.
Për qëllime të germës "b" të nënparagrafit të parë, një shtet anëtar mund të rrisë shumën maksimale deri në 500 euro për instrumentet e pagesave që mund të përdoren vetëm në atë shtet anëtar.
2. Shtetet anëtare sigurojnë që shmangia e parashikuar në paragrafin 1 nuk zbatohet në rastin e shlyerjes me para fizike ose tërheqjes në para të vlerës monetare të parasë elektronike kur shuma e tërhequr tejkalon 100 Euro.
Neni 13
1. Masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit përfshijnë:
a) identifikimin e klientit dhe verifikimin e identitetit të klientit në bazë të dokumenteve, të dhënave ose informacionit të marrë nga një burim i besueshëm dhe i pavarur;
b) identifikimin e pronarit përfitues dhe marrjen e masave të arsyeshme për të verifikuar identitetin e atij personi në mënyrë që subjekti i detyruar të jetë i bindur se kush është pronari përfitues, duke përfshirë, sa i përket personave juridikë, trusteve, shoqërive tregtare, fondacioneve dhe organizimeve të ngjashme ligjore, marrjen e masave të arsyeshme për të kuptuar strukturën e pronësisë dhe kontrollit të klientit;
c) vlerësimin dhe, në rast nevoje, marrjen e informacionit për qëllimin dhe natyrën e marrëdhënies së biznesit;
d) kryerjen e monitorimit të vazhdueshëm të marrëdhënies së biznesit, duke përfshirë analizimin e transaksioneve të kryera gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj marrëdhënieje, për t'u siguruar se ato janë në përputhje me njohuritë që subjekti i detyruar ka për klientin, natyrën e biznesit të tij dhe profilin e rrezikut, duke përfshirë, kur është e nevojshme, edhe burimin e fondeve, si edhe garantimin që dokumentet, të dhënat ose informacioni i mbledhur të mbahen të përditësuara.
Gjatë zbatimit të masave të përmendura në germat "a" dhe "b" të nënparagrafit të parë, subjektet e detyruara verifikojnë që çdo person, i cili pretendon se vepron në emër të klientit, është i autorizuar të kryejë atë veprim, duke përfshirë edhe verifikimin e identitetit të atij personi.
2. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet e detyruara t'i zbatojnë të gjitha masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit, të përcaktuara në paragrafin 1. Megjithatë, subjektet e detyruara mund të përcaktojnë shtrirjen e masave të tilla në bazë të rrezikut që paraqitet.
3. Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që kur të kryejnë vlerësimit të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të marrin në konsideratë të paktën variablat e përcaktuara në Shtojcën I.
4. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet e detyruara të jenë në gjendje t'u demonstrojnë autoriteteve kompetente ose organeve vetërregulluese se masat janë të përshtatshme, në funksion të rreziqeve të identifikuara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
5. Sa u përket bizneseve të sigurimit të jetës ose të investimeve, shtetet anëtare sigurohen që, përveç masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit, që janë të nevojshme për klientin dhe pronarin përfitues, institucionet e kreditit dhe institucionet financiare të ndërmarrin masat e mëposhtme të vigjilencës së duhur edhe ndaj përfituesve të policës së sigurimit të jetës dhe të policave të tjera të sigurimit të investimeve sapo përfituesit identifikohen ose përcaktohen:
a) në rastin e përfituesve të identifikuar qartësisht si persona ose si organizime ligjore, regjistrimin e emrit të personit;
b) në rastin e përfituesve që janë caktuar sipas karakteristikave, kategorisë ose me anë të mjeteve të tjera, marrjen e informacionit të mjaftueshëm rreth atyre përfituesve, në mënyrë që institucionet e kreditit ose institucioneve financiare të binden se kur të vijë momenti i kryerjes së pagesës do të jenë në gjendje të përcaktojnë identitetin e përfituesit.
Në lidhje me germat "a" dhe "b" të nënparagrafit të parë, verifikimi i identitetit të përfituesve bëhet në momentin e kryerjes së pagesës. Në rastin e transferimit, tërësisht ose pjesërisht, të sigurimit të jetës ose të sigurimit të investimeve te një palë e tretë, institucionet e kreditit dhe institucionet financiare që janë në dijeni të këtij transferimi, duhet të identifikojnë pronarin përfitues në momentin e transferimit te personat fizikë ose juridikë ose te organizimet ligjore që e marrin për përfitim të tyre vlerën e policës të transferuar.
6. Në rastin e përfituesve të trusteve ose të organizimeve të ngjashme ligjore që janë të përcaktuar sipas karakteristikave ose kategorive të veçanta, subjekti i detyruar merr informacionin e mjaftueshëm rreth përfituesit, për t'u bindur se do të jetë në gjendje të përcaktojnë identitetin e përfituesit në momentin e kryerjes së pagesës ose në momentin e ushtrimit nga ana e përfituesve të të drejtave të tyre.
Neni 14
1. Shtetet anëtare kërkojnë që verifikimi i identitetit të klientit dhe pronarit përfitues të bëhet para vendosjes së marrëdhënies së biznesit ose para kryerjes së transaksionit.
2. Duke deroguar nga paragrafi 1, shtetet anëtare, nëse është e nevojshme dhe nëse rreziku i pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit është i vogël, mund të lejojnë kryerjen e verifikimit të identitetit të klientit dhe pronarit përfitues gjatë kohëzgjatjes së marrëdhënies së biznesit, në mënyrë që të mos pengojnë ecurinë normale të biznesit. Në situata të tilla, këto procedura duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur pas kontaktit fillestar.
3. Duke deroguar nga paragrafi 1, shtetet anëtare mund të lejojnë hapjen e një llogarie me institucionin kreditues ose me institucionin financiar, duke përfshirë llogaritë që lejojnë transaksione në tituj të transferueshëm, me kusht që të ekzistojnë masat e duhura mbrojtëse për të garantuar që transaksionet të mos kryhen nga as nga vet klient e as nga dikush që vepron në emër të tij, deri sa të jetë konfirmuar pajtueshmëria pas ndërmarrjes së të gjitha masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit, të përcaktuara në germat "a" dhe "b" të nënparagrafit të parë të nenit 13, paragrafi 1.
4. Shtetet anëtare, kur një subjekt i detyruar nuk është në gjendje të përmbushë kushtet e masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit të përcaktuara në germat "a", "b" ose "c" të nënparagrafit të parë të nenit 13, paragrafi 1, kërkojnë që subjekti i detyruar të mos kryejë transaksione nëpërmjet një llogarie bankare, të mos vendosë marrëdhënie biznesi ose të mos kryejë transaksionin, dhe të përfundojë marrëdhënien e biznesit dhe të marrë në konsideratë raportimin e një transaksioni të dyshimtë pranë NIF-së, në lidhje me klientin, në përputhje me nenin 33.
Shtetet anëtare nuk e zbatojnë nënparagrafin e parë për noterët, profesionistët e tjerë ligjorë të pavarur, audituesit, kontabilistët e miratuar të pavarur dhe këshilltarët tatimorë vetëm për ato raste kur ata janë duke përcaktuar pozicionin ligjor të klientit të tyre, ose duke kryer detyrën e mbrojtjes apo përfaqësimit të klientit në, apo në lidhje me, procedura gjyqësore, duke përfshirë edhe ofrimin e këshillave për hapjen ose shmangien e procedurave të tilla.
5. Shtetet anëtare kërkojnë që subjektet e detyruara të zbatojnë masat e vigjilencës së duhur ndaj klientëve jo vetëm për të gjithë klientët e rinj, por, në momente të përshtatshme, edhe për klientët ekzistues në bazë të rrezikut që paraqitet, duke përfshirë edhe momentet kur rrethanat përkatëse të klientit ndryshojnë.
SEKSIONI 2
VIGJILENCA E THJESHTUAR NDAJ KLIENTIT
Neni 15
1. Në rast se një shtet anëtar ose një subjekt i detyruar identifikon fusha me rrezik më të ulët, ai shtet anëtar mund të lejojë subjektin e detyruar që të zbatojë masat e vigjilencës së thjeshtuar ndaj klientit.
2. Para zbatimit të masave të vigjilencës së thjeshtuar ndaj klientit, subjektet e detyruara duhet të sigurohen që marrëdhënia e biznesit ose transaksioni paraqet një shkallë më të ulët të rrezikut.
3. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet e detyruara të kryejnë monitorim të mjaftueshëm të transaksioneve dhe marrëdhënieve të biznesit për të mundësuar zbulimin e transaksioneve të pazakonta ose të dyshimta.
Neni 16
Gjatë vlerësimit të rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në lidhje me llojet e klientëve, zonat gjeografike dhe me produkte, shërbime, transaksione apo kanaleve të veçanta të shpërndarjes, shtetet anëtare dhe subjektet e detyruara duhet të marrin në konsideratë të paktën faktorët e situatave me potencial të ulët rreziku, të përcaktuara në Shtojcën II.
Neni 17
Më 26 qershor 2017, ESA-të, në përputhje me nenin 16 të Rregulloreve (BE) Nr. 1093/2010, (BE) Nr. 1094/2010 dhe (BE) Nr. 1095/2010, nxjerrin udhëzimet drejtuar autoriteteve kompetente dhe institucioneve të kreditit dhe institucioneve financiare në lidhje me faktorët e rrezikut që do të merren parasysh dhe masat që duhet të ndërmerren në situata ku masat e vigjilencës së thjeshtuar ndaj klientit janë të përshtatshme. Duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë natyrës dhe madhësisë së biznesit, dhe duhet të hartohen masa të veçanta aty ku është e nevojshme dhe në mënyrë proporcionale.
SEKSIONI 3
VIGJILENCA E ZGJERUAR NDAJ KLIENTIT
Neni 18
1. Në rastet e përmendura në nenet 19 deri në 24, dhe kur kanë të bëjnë me persona fizikë ose juridikë të themeluara në vendet e treta të identifikuara nga Komisioni si vende të treta me rrezikshmëri të lartë, si edhe në rastet e tjera me rrezikshmëri të lartë që janë identifikuar nga shtetet anëtare ose nga subjektet e detyruara, shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që të zbatojnë masat e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit për të menaxhuar dhe zbutur ato rreziqe.
Masat e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit nuk zbatohen në mënyrë automatike në lidhje me degët ose filialet me shumicën në pronësi të subjekteve të detyruara të themeluara në BE dhe që janë të vendosura në vendet e treta me rrezikshmëri të lartë, në rast se ato degë ose filiale janë në përputhje të plotë me politikat dhe procedurat e grupit, sipas nenit 45. Shtetet anëtare sigurohen që këto raste të trajtohen nga subjektet e detyruara duke përdorur një qasje të bazuar tek rreziku.
2. Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që të shqyrtojnë, sa më mirë që të jetë e mundur, historikun dhe qëllimin e të gjitha transaksioneve komplekse dhe veçanërisht të mëdha, dhe të gjitha modelet e pazakonta të transaksioneve, të cilat nuk kanë qëllim të dukshëm ekonomik ose ligjor. Në mënyrë të veçantë, subjektet e detyruara duhet të rrisin shkallën dhe natyrën e monitorimit të marrëdhënieve të biznesit, në mënyrë që të përcaktojnë nëse ato transaksione ose aktivitete duken të dyshimta.
3. Gjatë vlerësimit të rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, shtetet anëtare dhe subjektet e detyruara duhet të marrin në konsideratë të paktën faktorët e situatave me potencial të lartë rreziku, të përcaktuara në Shtojcën III.
4. Më 26 qershor 2017, ESA-të, në përputhje me nenin 16 të Rregulloreve (BE) Nr. 1093/2010, (BE) Nr. 1094/2010 dhe (BE) Nr. 1095/2010, nxjerrin udhëzimet drejtuar autoriteteve kompetente dhe institucioneve të kreditit dhe institucioneve financiare në lidhje me faktorët e rrezikut që do të merren parasysh dhe masat që duhet të ndërmerren në situata ku masat e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit janë të përshtatshme. Duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë natyrës dhe madhësisë së biznesit, dhe duhet të hartohen masa të veçanta aty ku është e nevojshme dhe në mënyrë proporcionale.
Neni 19
Për marrëdhëniet bankare korrespondente ndërkufitare me një institucion pritës të vendeve të treta, shtetet anëtare, përveç masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit të përcaktuara në nenin 13, u kërkojnë institucioneve të tyre të kreditit dhe institucioneve financiare të kryejnë sa më poshtë:
a) të mbledhin informacion të mjaftueshëm rreth institucionit pritës për të kuptuar plotësisht natyrën e biznesit dhe për të përcaktuar, nëpërmjet informacionit publik, reputacionin e institucionit pritës dhe cilësinë e mbikëqyrjes së tij;
b) të vlerësojnë nëse kontrollet e brendshme të institucionit pritës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit janë të mjaftueshme;
c) të marrin miratimin e instancave më të larta drejtuese përpara se të vendosin marrëdhënieve të reja korrespondente;
d) të dokumentojnë përgjegjësitë përkatëse të çdo institucioni;
e) për llogaritë transitore, të sigurohet që institucioni pritës ka verifikuar identitetin dhe ka zbatuar masat e vigjilencës së duhur për klientët që kanë akses të drejtpërdrejtë në llogaritë e institucionit korrespondent, dhe që institucioni pritës të jetë në gjendje, nëse i kërkohet, të paraqesë dokumentet identifikuese të klientit.
Neni 20
Në lidhje me transaksionet ose marrëdhëniet e biznesit me personat e ekspozuar politikisht, shtetet anëtare, përveç masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit të përcaktuara në nenin 13, u kërkojnë subjekteve të detyruara sa më poshtë vijon:
a) të zbatojnë sisteme të përshtatshme të menaxhimit të rrezikut, duke përfshirë procedurat e bazuara tek rreziku, për të përcaktuar nëse klienti ose pronari përfitues i klientit është person i ekspozuar politikisht;
b) të zbatojnë masat e mëposhtme në rastet e marrëdhënieve të biznesit me personat e ekspozuar politikisht:
I. të marrin miratimin e instancave më të larta drejtuese, për vendosjen ose vazhdimin e marrëdhënieve të biznesit me persona të tillë;
II. të marrin masat e duhura për të vërtetuar burimin e pasurisë dhe burimin e fondeve që janë të përfshirë në marrëdhëniet e biznesit ose transaksionet me persona të tillë;
III. të kryejnë monitorime të zgjeruara dhe të vazhdueshme të atyre marrëdhënieve të biznesit.
Neni 21
Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që të marrin masa të arsyeshme për të përcaktuar nëse përfituesit e një police sigurimi jete ose investimi dhe/ose pronari përfitues i përfituesit janë persona të ekspozuar politikisht. Këto masa merren jo më vonë se në kohën e shlyerjes së pagesës ose në kohën e kalimit, tërësor ose pjesor, të policës. Në rastin e rrezikshmërisë së lartë të identifikuar, përveç zbatimit të masave të vigjilencës së duhur ndaj klientëve të përcaktuara në nenin 13, shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara sa më poshtë vijon:
a) të informojnë drejtuesit e lartë para se të kryejnë shlyerjen e pagesave për policat;
b) të kryejnë kontrolle të zgjeruara të të gjitha marrëdhënieve të biznesit me mbajtësin e policës.
Neni 22
Në rast se një person i ekspozuar politikisht nuk mban më detyrën e një funksionari të lartë publik në një shtet anëtar apo në një vend të tretë ose detyrën e një funksionari të lartë publik në një organizatë ndërkombëtare, subjektet e detyruara, për të paktën 12 muaj, duhet të kenë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që ai person paraqet dhe duhet të zbatojnë masat e nevojshme të bazuara tek rreziku deri në kohën kur ai person nuk paraqet më asnjë rrezik të mëtejshëm të veçantë për personat e ekspozuar politikisht.
Neni 23
Masat e përmendura në nenet 20 dhe 21 zbatohen edhe për anëtarët e familjes ose personat që dihet se janë bashkëpunëtorë të ngushtë të personave të ekspozuar politikisht.
Neni 24
Shtetet anëtare nuk lejojnë që institucionet e kreditit dhe institucionet financiare të vendosin ose të vazhdojnë marrëdhënie korrespondente me një bankë guaskë. Ata kërkojnë që ato institucione të marrin masat e nevojshme për të siguruar që ato nuk angazhohen në ose nuk vazhdojnë marrëdhënie korrespondente me një institucion krediti ose institucion financiar që dihet se lejon përdorimin e llogarive të tij nga një bankë guaskë.
SEKSIONI 4
EKZEKUTIMI NGA PALËT E TRETA
Neni 25
Shtetet anëtare mund të lejojnë që subjektet e detyruara të mbështeten tek palët e treta për përmbushjen masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit, të përcaktuara në germat "a", "b" dhe "c" të nenit 13, paragrafi 1. Megjithatë, përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e atyre masave u mbetet subjekteve të detyruara që mbështeten tek palët e treta.
Neni 26
1. Për qëllime të këtij neni, "palë të treta" janë subjektet e detyruara të përcaktuara në nenin 2, organizatat apo federatat anëtare të atyre subjekteve të detyruara, ose institucione apo persona të tjerë të vendosur në një shtet anëtar apo vend të tretë që:
a) zbatojnë masa të vigjilencës së duhur ndaj klientit, dhe masa për ruajtjen e të dhënave, që janë në përputhje me ato të përcaktuara në këtë direktivë; dhe
b) i nënshtrohen mbikëqyrjes së respektimit prej tyre të kërkesave të kësaj direktive, në përputhje me seksionin 2 të kreut VI.
2. Shtetet anëtare ndalojnë subjektet e detyruara që të mbështeten te palët e treta të vendosura në vende të treta me rrezikshmëri të lartë. Shtetet anëtare mund të përjashtojnë nga ky ndalim, degë dhe filiale që janë me shumicën pronësie të zotëruar nga subjektet e detyruara të themeluara në BE, në rast se ato degë ose filiale janë në përputhje të plotë me politikat dhe procedurat e grupit sipas nenit 45.
Neni 27
1. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet e detyruara të marrin nga palët e treta në të cilat mbështeten, informacionin e nevojshëm në lidhje me zbatimin e masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit të përcaktuara në germat "a", "b" dhe "c" të nënparagrafit 1 të nenit 13.
2. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet e detyruara të cilave u është drejtuar klienti, të ndërmarrin hapat e duhur për të siguruar që palët e treta të ofrojnë, në mënyrë të menjëhershme, sipas kërkesës, kopjet përkatëse të të dhënave të identifikimit dhe verifikimit dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm mbi identitetin e klientit ose pronarit përfitues.
Neni 28
Shtetet anëtare sigurohen që autoriteti kompetent i shtetit anëtar të origjinës (për politikat dhe procedurat e grupit) dhe autoriteti kompetent i shtetit anëtar pritës (për degët dhe filialet) mund të vendosin që një subjekt i detyruar është në përputhje me dispozitat e miratuara në bazë të neneve 26 dhe 27, përmes programit të tij të grupit, në rast se përmbushen të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) subjekti i detyruar mbështetet në informacionin e dhënë nga një palë e tretë që është pjesë e të njëjtit grup;
b) grupi zbaton masat e vigjilencës së duhur ndaj klientëve, rregullat për ruajtjen e të dhënave dhe programet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në përputhje me këtë direktivë ose udhëzime të ngjashme;
c) zbatimi efektiv i kushteve të përmendura në germën "b" mbikëqyret në nivel grupi nga një autoritet kompetent i shtetit anëtar të origjinës ose të vendit të tretë.
Neni 29
Ky seksion nuk zbatohet për marrëdhëniet e nënkontraktimit ose me agjenci në rast se, bazuar në një marrëveshje kontraktuale, ofruesi i kontraktuar i shërbimit ose agjenti konsiderohen si pjesë e subjektit të detyruar.
KREU III
INFORMACION PËR PRONËSINË PËRFITUESE
Neni 30
1. Shtetet anëtare sigurohen që korporatat dhe subjektet juridike të themeluara brenda territorit të tyre të jenë të detyruara të marrin dhe të mbajnë informacionin e nevojshëm, të saktë dhe aktual mbi pronësinë e tyre përfituese, duke përfshirë detajet e interesave përfituese të zotëruara.
Shtetet anëtare sigurohen që ato subjekte të jenë të detyruara që, përveç informacionit në lidhje me pronarin e tyre ligjor, t'u japin subjekteve të detyruara informacion mbi pronarin përfitues, kur subjektet e detyruara janë duke zbatuar masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit, në përputhje me kreun II.
2. Shtetet anëtare kërkojnë që informacioni i përmendur në paragrafin 1 të jetë i aksesueshëm në kohën e duhur nga autoritetet kompetente dhe NIF-të.
3. Shtetet anëtare sigurohen që informacioni i përmendur në paragrafin 1 të mbahet në një regjistër qendror në çdo shtet anëtar, për shembull, në një regjistër tregtar, regjistër të shoqërive tregtare, siç përmendet në nenin 3 të Direktivës 2009/101/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit<href="#ntr31-L_2015141EN.01007301-E0031">31, ose në një regjistër publik. Shtetet anëtare njoftojnë Komisionin për karakteristikat e këtyre mekanizmave kombëtarë. Informacioni mbi pronësinë përfituese, i përfshirë në atë bazë të dhënash, mund të grumbullohet në përputhje me sistemet kombëtare.
4. Shtetet anëtare kërkojnë që informacioni i mbajtur në regjistrin qendror të përmendur në paragrafin 3 të jetë i përshtatshëm, i saktë dhe aktual.
5. Shtetet anëtare sigurohen që informacioni mbi pronësinë përfituese të jetë, në çdo rast, në dispozicion të:
a) autoriteteve kompetente dhe NIF-ve, pa asnjë kufizim;
b) subjekteve të detyruara, në kuadër të masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit, sipas kreut II;
c) çdo personi ose organizate që mund të provojë se ka një interes legjitim.
Personat ose organizatat e përmendura në germën "c" duhet të informohen të paktën për emrin, muajin dhe vitin e lindjes, shtetësinë dhe vendin e banimit të pronarit përfitues, si edhe për natyrën dhe shtrirjen e interesit përfitues të zotëruar.
Për qëllime të këtij paragrafi, aksesi në informacionin mbi pronësinë përfituese duhet të jetë në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave dhe mund të jetë objekt i regjistrimit online dhe i pagesës së një tarife. Tarifat e vendosura për marrjen e informacionit nuk duhet të tejkalojnë shpenzimet administrative për atë qëllim.
6. Regjistri qendror i përmendur në paragrafin 3 i siguron akses në kohë dhe të pakufizuar autoriteteve kompetente dhe NIF-ve, pa vënë në dijeni subjektin në fjalë. Ai gjithashtu u lejon aksesimin në kohë subjekteve të detyruara, kur ato janë duke marrë masat e vigjilencës së duhur ndaj klientit.
7. Shtetet anëtare sigurojnë që autoritetet kompetente dhe NIF-të të jenë në gjendje t'u japin në kohën e duhur informacionin e përmendur në paragrafët 1 dhe 3 autoriteteve kompetente dhe NIF-ve të shteteve anëtare të tjera.
8. Shtetet anëtare kërkojnë që subjektet të mos mbështeten vetëm në regjistrin qendror të përmendur në paragrafin 3 për të përmbushur masat e tyre të vigjilencës së duhur ndaj klientit, në përputhje me kreun II. Masat duhet të merren duke përdorur një qasje të bazuar tek rreziku.
9. Shtetet anëtare, në rrethana të jashtëzakonshme dhe rast pas rasti, mund të parashikojnë përjashtime nga aksesi i përmendur në germat "b" dhe "c" të paragrafit 5 mbi të gjithë ose një pjesë të informacionit mbi pronësinë përfituese, në rast se një akses i tillë do të vendoste pronarin përfitues para rrezikut të mashtrimit, rrëmbimit, shantazhit, dhunës apo kërcënimit, ose në rast se pronari përfitues është minoren ose nuk ka aftësi për të vepruar. Përjashtimet e dhëna sipas këtij paragrafi nuk zbatohen për institucionet e kreditit dhe institucionet financiare, dhe për subjektet e detyruara të përmendura në pikën 3, germa "b", të nenit 2, paragrafi 1, të cilët janë nëpunës publikë.
10. Më 26 qershor 2019, Komisioni i paraqet një raport Parlamentit Evropian dhe Këshillit, ku vlerëson kushtet dhe specifikimet teknike dhe procedurat për të siguruar ndërlidhjen e sigurt dhe efikase të regjistrave qendrorë të përmendur në paragrafin 3 nëpërmjet platformës qendrore evropiane të themeluar nga neni 4a, paragrafi 1, të Direktivës 2009/101/KE. Nëse është e nevojshme, ky raport shoqërohet me një propozim ligjor.
Neni 31
1. Shtetet anëtare kërkojnë që administruesit e besuar të çdo trusti të shprehur që rregullohet sipas ligjeve të tyre, të marrin dhe të mbajnë informacionin e nevojshëm, të saktë dhe të përditësuar mbi pronësinë përfituese të trustit. Ky informacion përfshin identitetin e:
a) garantuesit;
b) administruesit ose administruesve të besuar;
c) mbrojtësit (nëse ka);
d) përfituesit ose grupit të përfituesve; dhe
e) çdo personi tjetër fizik që ushtron kontroll efektiv mbi trustin.
2. Shtetet anëtare sigurojnë që administruesit e besuar të bëjnë publik statusin e tyre dhe t'u japin informacionin e përmendur në paragrafin 1 subjekteve të detyruara, në kohën e duhur, kur administruesi i besuar krijon, në cilësinë e administruesit të besuar, një marrëdhënie biznesi ose kryen një transaksion të rastit mbi pragjet e përcaktuara në germat "b", "c" dhe "d" të nenit 11.
3. Shtetet anëtare kërkojnë që informacioni i përmendur në paragrafin 1 të jetë i aksesueshëm në kohën e duhur nga autoritetet kompetente dhe NIF-të.
4. Shtetet anëtare kërkojnë që informacioni i përmendur në paragrafin 1 të mbahet në një regjistër qendror, në rast se trusti krijon detyrime tatimore. Regjistri qendror u siguron akses në kohë dhe të pakufizuar autoriteteve kompetente dhe NIF-ve, pa vënë në dijeni trustin në fjalë. Ai gjithashtu mund t'u lejojë akses në kohë subjekteve të detyruara, në kuadër të masave të vigjilencës së duhur ndaj klientit, në përputhje me kreun II. Shtetet anëtare njoftojnë Komisionin për karakteristikat e këtyre mekanizmave kombëtarë.
5. Shtetet anëtare kërkojnë që informacioni i mbajtur në regjistrin qendror të përmendur në paragrafin 4 të jetë i përshtatshëm, i saktë dhe i përditësuar.
6. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet të mos mbështeten vetëm në regjistrin qendror të përmendur në paragrafin 4 për të përmbushur masat e tyre të vigjilencës së duhur ndaj klientit në përputhje me kreun II. Masat duhet të merren duke përdorur një qasje të bazuar tek rreziku.
7. Shtetet anëtare sigurojnë që autoritetet kompetente dhe NIF-të të jenë në gjendje t'u japin në kohën e duhur informacionin e përmendur në paragrafët 1 dhe 4 autoriteteve kompetente dhe NIF-ve të shteteve anëtare të tjera.
8. Shtetet anëtare sigurohen që masat e parashikuara në këtë nen të zbatohen edhe për llojet e tjera të organizimeve ligjore që kanë strukturë ose funksione të ngjashme me trustet.
9. Më 26 qershor 2019, Komisioni i paraqet një raport Parlamentit Evropian dhe Këshillit, ku vlerëson kushtet dhe specifikimet teknike dhe procedurat për të siguruar ndërlidhjen e sigurt dhe efikase të regjistrave qendrorë. Nëse është e nevojshme, ky raport shoqërohet me një propozim ligjor.
KREU IV
DETYRIMET E RAPORTIMIT
SEKSIONI 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 32
1. Secili shtet anëtar themelon një NIF për të parandaluar, zbuluar dhe luftuar në mënyrë efektive pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
2. Shtetet anëtare njoftojnë Komisionin me shkrim për emrin dhe adresën e NIF-ve të tyre përkatëse.
3. Secila NIF duhet të ketë pavarësi dhe autonomi funksionimi, që do të thotë se NIF-ja ka autoritetin dhe mundësitë për të kryer funksionet e veta lirisht, duke përfshirë vendimin autonom për të analizuar, kërkuar dhe shpërndarë informacione të veçanta. NIF-ja, në cilësinë e njësisë qendrore kombëtare, është përgjegjëse për marrjen dhe analizimin e raportimeve të transaksioneve të dyshimta dhe informacioneve të tjera të rëndësishme për pastrimin e parave, veprat penale që lidhen me të ose financimin e terrorizmit. NIF-ja është përgjegjëse për përcjelljen te autoritetet kompetente, të rezultateve të analizave të saj dhe çdo informacioni shtesë të nevojshëm, në rast se ka arsye për të dyshuar për pastrim parash, vepra penale të lidhura me të ose për financim të terrorizmit. Ajo ka të drejtën të marrë informacione shtesë nga subjektet e detyruara.
Shtetet anëtare u sigurojnë NIF-ve të tyre burime të mjaftueshme financiare, njerëzore dhe teknike për përmbushjen e detyrave të tyre.
4. Shtetet anëtare u sigurojnë NIF-ve akses, direkt ose indirekt, në kohën e duhur, në informacionin financiar, administrativ dhe ligjzbatues, që ato kërkojnë për të përmbushur siç duhet detyrat e tyre. NIF-të duhet të jenë në gjendje t'u përgjigjen kërkesave për informacion nga ana e autoriteteve kompetente në shtetet anëtare përkatëse të tyre, kur ato kërkesa për informacion janë të motivuara nga shqetësime që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, me vepra penale të lidhura me të ose me financimin e terrorizmit. Vendimi për kryerjen e analizave ose dhënien e informacionit i përket NIF-së.
5. Në rast se ka arsye objektive për të supozuar se dhënia e një informacioni të tillë do të kishte ndikim negativ mbi hetimet në vazhdim ose mbi analizat, ose, në rrethana të jashtëzakonshme, në rast se zbulimi i informacionit do të ishte dukshëm në disproporcion me interesat legjitime të një personi fizik apo juridik ose i parëndësishëm në lidhje me qëllimet për të cilat është kërkuar, NIF-ja nuk është e detyruar të përmbushë kërkesën për informacion.
6. Shtetet anëtare u kërkojnë autoriteteve kompetente që t'u japin përgjigje NIF-ve për përdorimin e informacionit të dhënë nga NIF-të në përputhje me këtë nen dhe për rezultatin e hetimeve ose inspektimeve të kryera mbi bazën e atij informacioni.
7. Shtetet anëtare sigurohen që NIF-ja të ketë kompetenca për të ndërmarrë veprime urgjente, direkt ose indirekt, në rast se ka dyshime që një transaksion është i lidhur me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit, për të pezulluar ose për të mos miratuar transaksionin që është duke u kryer, në mënyrë që të analizojnë transaksionin, të konfirmojnë dyshimin dhe t'u shpërndajnë autoriteteve kompetente rezultatet e analizës. NIF-ja duhet të jetë në gjendje të ndërmarrë një veprim të tillë, direkt ose indirekt, me kërkesën e një NIF-je të një shteti anëtar tjetër për periudhat dhe sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin e brendshëm të NIF-së që pranon kërkesën.
8. Funksioni analizues i NIF-së konsiston në sa më poshtë vijon:
a) analizë operative, e cila fokusohet në raste individuale dhe objektiva të veçanta ose në informacionin e përzgjedhur siç duhet, në varësi të llojit dhe vëllimit të informacioneve të marra dhe përdorimin e pritshëm të informacionit pas shpërndarjes; dhe
b) analizë strategjike për të trajtuar prirjet dhe modelet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Neni 33
1. Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara dhe, atje ku është e nevojshme, edhe drejtuesve dhe punonjësve të tyre që të bashkëpunojnë në mënyrë të menjëhershme:
a) për të informuar NIF-në, duke përfshirë paraqitjen e raportit me iniciativën e tyre, ku subjekti i detyruar di, dyshon ose ka baza të arsyeshme për të dyshuar se fondet, pavarësisht nga shuma e përfshirë, janë të ardhura nga veprimtaria kriminale ose janë të lidhura me financimin e terrorizmit, dhe duke iu përgjigjur në mënyrë të menjëhershme kërkesave të NIF-së për informacione shtesë në raste të tilla; dhe
b) për t'i dhënë NIF-së, direkt ose indirekt, me kërkesën e saj, të gjithë informacionin e nevojshëm, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga ligjet në fuqi.
Të gjitha transaksionet e dyshimta, duke përfshirë edhe transaksionet e mbetura në tentativë, duhet të raportohen.
2. Personi i emëruar në përputhje me germën "a" të nenit 8, paragrafi 4, i përcjell informacionin e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni NIF-së së shtetit anëtar në territorin e të cilit është i vendosur subjekti i detyruar që bën të ditur informacionin.
Neni 34
1. Duke deroguar nga neni 33, paragrafi 1, në rastin e subjekteve të përmendura në pikën 3, germat "a", "b" dhe "d" të nenit 2, paragrafi 1, shtetet anëtare mund të caktojnë një organ vetërregullues të profesionit në fjalë, si autoritetin për të marrë informacionin e përmendur në nenin 33, paragrafi 1.
Pa cenuar paragrafin 2, organi vetërregullues i caktuar, në rastet e përmendura në nënparagrafin e parë të këtij paragrafi, i përcjell informacionin NIF-së në mënyrë të menjëhershme dhe pa e filtruar.
2. Shtetet anëtare nuk zbatojnë detyrimet e përcaktuara në nenin 33, paragrafi 1, për noterët, profesionistët e tjerë ligjorë të pavarur, audituesit, kontabilistët e jashtëm dhe këshilltarët tatimorë vetëm për aq kohë sa një përjashtim i tillë lidhet me informacionin që ata japin apo marrin nga klienti i tyre gjatë përcaktimit të pozicionin ligjor të klientit të tyre, ose gjatë kryerjes së detyrës së mbrojtjes apo përfaqësimit të klientit në, apo në lidhje me, procedura gjyqësore, duke përfshirë edhe ofrimin e këshillave gjatë zyrtarizimit ose shmangies së procedurave të tilla, pavarësisht nëse një informacion i tillë është siguruar ose marrë para, gjatë ose pas procedurave të tilla.
Neni 35
1. Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që të mos kryejnë transaksione, të cilat ata i dinë ose dyshojnë se janë të lidhura me veprimtari kriminale ose të financimit të terrorizmit, derisa ata të kenë përfunduar veprimet e nevojshme në përputhje me germën "a" të nënparagrafit të parë të nenit 33, paragrafi 1, dhe të kenë përmbushur të gjitha udhëzimet e mëtejshme të veçanta nga NIF-ja ose autoriteti kompetent, në përputhje me ligjet e shtetit anëtar përkatës.
2. Në rast se moskryerja e transaksioneve të përmendura në paragrafin 1 është e pamundur ose ka mundësi të pengojë ndjekjen e përfituesve të operacionit të dyshuar, subjektet e interesuara informojnë NIF-në në mënyrë të menjëhershme.
Neni 36
1. Shtetet anëtare sigurohen që, nëse gjatë kontrolleve të kryera në subjektet e detyruara nga autoritetet kompetente të përmendura në nenin 48, ose në çfarëdo forme tjetër, zbulohen fakte që mund të lidhen me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit, atëherë ato autoritete të informojë NIF-në në mënyrë të menjëhershme.
2. Shtetet anëtare sigurojnë që organet mbikëqyrëse të ngarkuara me ligj ose vendim për të mbikëqyrur tregjet e aksioneve, këmbimin valutor dhe tregjet e derivateve financiarë të informojnë NIF-në nëse ato zbulojnë fakte që mund të lidhen me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit.
Neni 37
Zbulimi i informacionit në mirëbesim nga një subjekt i detyruar ose nga një punonjës ose drejtor i një subjekti të tillë të detyruar në përputhje me nenet 33 dhe 34 nuk përbën shkelje të ndonjë kufizimi mbi dhënien e informacionit, i vendosur me kontratë ose nga ndonjë dispozitë ligjore, rregulluese ose administrative, dhe nuk ngarkon subjektin e detyruar ose drejtuesit apo punonjësit e tij me përgjegjësi të asnjë lloji, edhe në rrethanat kur ata nuk kanë qenë qartësisht në dijeni të veprimtarisë së ndërlidhur kriminale dhe pavarësisht nëse veprimtaria kriminale ka ndodhur në të vërtetë.
Neni 38
Shtetet anëtare sigurohen që individët, duke përfshirë edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e subjektit të detyruar, të cilët raportojnë dyshimet për pastrim parash ose financim të terrorizmit te vetë subjekti ose te NIF-ja, të jenë të mbrojtur nga ekspozimi ndaj kërcënimeve ose veprimeve armiqësore, dhe në veçanti nga veprimet dënuese ose diskriminuese në vendin e punës.
SEKSIONI 2
NDALIMI I ZBULIMIT
Neni 39
1. Subjektet e detyruara, si edhe drejtorët dhe punonjësit e tyre, nuk duhet t'i bëjnë të ditur klientit në fjalë ose personave të tjerë të tretë faktin se informacioni është duke u përcjellë, do të përcillet ose është përcjellë në përputhje me nenin 33 ose 34, ose se një analizë e pastrimit të parave ose e financimit të terrorizmit është duke u kryer ose mund të jetë kryer.
2. Ndalimi i përcaktuar në paragrafin 1 nuk përfshin zbulimin tek autoritetet kompetente, duke përfshirë organet vetërregulluese, ose zbulimin për qëllime të zbatimit të ligjit.
3. Ndalimi i parashikuar në paragrafin 1 nuk ndalon zbulimin ndërmjet institucioneve të kreditit dhe institucioneve financiare ose ndërmjet atyre institucioneve dhe degëve dhe filialeve të tyre me shumicën në pronësi të subjekteve të detyruara të themeluara në BE dhe që janë të vendosura në vendet e treta, me kusht që ato degë dhe filiale të përputhen plotësisht me politikat dhe procedurat e grupit, duke përfshirë procedurat për shkëmbimin e informacionit brenda grupit, në përputhje me nenin 45, dhe që politikat dhe procedurat e grupit të jenë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë direktivë.
4. Ndalimi i parashikuar në paragrafin 1 nuk pengon zbulimin ndërmjet subjekteve të përmendura në pikën 3, germat "a" dhe "b", të nenit 2, paragrafi 1, ose subjekteve nga vendet e treta të cilat zbatojnë masa të barasvlershme me ato të përcaktuara në këtë direktivë, që kryejnë veprimtarinë e tyre profesionale, qoftë si të punësuar ose jo, brenda të njëjtit subjekt juridik ose një strukture më të madhe së cilës personi i përket dhe që ndan të njëjtën pronësi, strukturë drejtuese ose kontroll pajtueshmërie.
5. Për subjektet e përmendura në pikat 1, 2 dhe 3, germat "a" dhe "b", të nenit 2, paragrafi 1, në rastet që kanë të bëjnë me të njëjtin klient dhe të njëjtin transaksion që përfshin dy ose më shumë subjekte të detyruara, ndalimi i parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni nuk pengon zbulimin mes subjekteve relevante të detyruara me kusht që ato të jenë nga një shtet anëtar, ose subjekteve në një vend të tretë që zbatojnë masa të barasvlershme me ato të përcaktuara në këtë direktivë, dhe që janë nga e njëjta kategori profesionale dhe janë subjekt i detyrimeve në lidhje me sekretin profesional dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Në rast se subjektet e detyruara të përmendura në pikën 3, germat "a" dhe "b", të nenit 2, paragrafi 1, kërkojnë të ndërgjegjësojnë një klient për të mos u angazhuar në veprimtari të paligjshme, atëherë kjo nuk përbën zbulim në kuptimin e paragrafit 1 të këtij neni.
KREU V
MBROJTJA E TË DHËNAVE, RUAJTJA E TË DHËNAVE DHE TË DHËNAT STATISTIKORE
Neni 40
1. Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që të ruajnë dokumentet dhe informacionin e poshtëshënuar në përputhje me legjislacionin e brendshëm, me qëllim parandalimin, zbulimin dhe hetimin nga NIF-ja ose nga autoritete të tjera kompetente të pastrimit të mundshëm të parave ose të financimit të terrorizmit:
a) në rastin e vigjilencës së duhur ndaj klientëve, një kopje të dokumenteve dhe informacioneve që janë të nevojshme për të përmbushur kushtet e masave të vigjilencës së duhur ndaj klientëve të përcaktuara në kreun II, për një periudhë prej pesë vjetësh pas përfundimit të marrëdhënies së biznesit me klientin e tyre ose pas datës së një transaksioni të rastit;
b) provat dhe të dhënat mbështetëse të transaksioneve, të përbëra nga dokumentet origjinale ose kopje të pranueshme në procedura gjyqësore sipas legjislacionit të brendshëm në fuqi, që janë të nevojshme për të identifikuar transaksionet, për një periudhë prej pesë vjetësh pas përfundimit të marrëdhënies së biznesit me klientin e tyre ose pas datës së një transaksioni të rastit.
Pas skadimit të periudhave të ruajtjes, të përmendura në nënparagrafin e parë, shtetet anëtare duhet të sigurohen që subjektet e detyruara të fshijnë të dhënat personale, përveç rasteve kur sanksionohet ndryshe nga legjislacioni i brendshëm, që përcakton se në cilat rrethana subjektet e detyruara mund ose duhet t'i ruajnë të dhënat edhe më gjatë. Shtetet anëtare mund të lejojnë ose të kërkojnë ruajtjen edhe më gjatë pasi ata të kenë kryer një vlerësim të plotë të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të një ruajtje të tillë të mëtejshme dhe e konsiderojnë atë si të justifikuar dhe të nevojshme për parandalimin, zbulimin ose hetimin e pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit. Kjo periudhë e mëtejshme e ruajtjes nuk duhet të jetë më e gjatë se pesë vjet të tjera.
2. Në rast se, më 25 qershor 2015, në një shtet anëtar janë duke u zhvilluar procedura ligjore për parandalimin, zbulimin, hetimin ose ndjekjen penale të pastrimit të dyshuar të parave ose financimit të terrorizmit, dhe një subjekt i detyruar ruan informacione ose dokumente që lidhen me ato procedura që janë duke u zhvilluar, subjekti i detyruar mund ta ruajë atë informacion ose ato dokumente në përputhje me të drejtën kombëtare për një periudhë prej pesë vjetësh nga data 25 qershor 2015. Shtetet anëtare, pa cenuar të drejtën penale kombëtare të zbatueshme për mbledhjen e provave për hetimet penale dhe procedurat ligjore që vazhdojnë, mund të lejojnë ose të kërkojë ruajtjen e informacionit ose dokumenteve për një periudhë të mëtejshme prej pesë vjetësh, në rast se nevoja dhe proporcionaliteti i një ruajtje të tillë të mëtejshme është përcaktuese për parandalimin, zbulimin, hetimin ose ndjekjen penale të pastrimit të dyshuar të parave ose financimit të terrorizmit.
Neni 41
1. Përpunimi i të dhënave personale sipas kësaj direktive është objekt i Direktivës 95/46/KE, e cila është transpozuar në legjislacionin e brendshëm. Të dhënat personale që përpunohen në përputhje me këtë direktivë nga Komisioni ose nga ESA-të i nënshtrohen Rregullores (KE) Nr. 45/2001.
2. Të dhënat personale duhet të përpunohen nga subjektet e detyruara në bazë të kësaj direktive, vetëm për qëllime të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, siç përmendet në nenin 1, dhe nuk përpunohen më tej në një mënyrë që bie në kundërshtim me ato qëllime. Përpunimi i të dhënave personale në bazë të kësaj direktive për çfarëdo qëllimesh të tjera, si për shembull për qëllime tregtare, është i ndaluar.
3. Subjektet e detyruara duhet t'u japin klientëve të rinj informacionin e kërkuar në përputhje me nenin 10 të Direktivës 95/46/KE para se të vendosin një marrëdhënie biznesi ose para kryerjes së një transaksioni të rastit. Në veçanti, ky informacion përfshin njoftimin e përgjithshëm në lidhje me detyrimet ligjore të subjekteve të detyruara sipas kësaj direktive për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, siç përmendet në nenin 1 të kësaj direktive.
4. Për zbatimin e ndalimit të nxjerrjes së informacionit, të parashikuar në nenin 39, paragrafi 1, shtetet anëtare miratojnë masa ligjore që kufizojnë, tërësisht ose pjesërisht, të drejtën e subjektit të të dhënave për akses në të dhënat personale në lidhje me atë, në masën që një kufizim i tillë pjesor ose tërësor përbën një masë të nevojshme dhe proporcionale për një shoqëri demokratike, duke pasur parasysh interesat legjitime të personit të interesuar:
a) për t'i dhënë mundësinë subjektit të detyruar ose autoritetit kompetent kombëtar që të përmbushë detyrat e tij siç duhet për qëllimet e kësaj direktive; ose
b) për të shmangur pengimin e hetimeve zyrtare apo ligjore, analizave, e hetimeve ose procedurave për qëllime të kësaj direktive dhe për të siguruar që parandalimi, hetimi dhe zbulimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nuk vihet në rrezik.
Neni 42
Shtetet anëtare kërkojnë që subjektet e tyre të detyruara të zbatojnë sisteme që u mundësojnë atyre t'u përgjigjen plotësisht dhe shpejt kërkesave nga NIF-ja e tyre ose nga autoritete të tjera, përmes kanaleve të sigurta dhe në një mënyrë që siguron fshehtësinë e plotë të hetimeve, në përputhje me legjislacionin e tyre të brendshëm, nëse ata kanë ose kanë pasur, gjatë një periudhe prej pesë vjetësh para asaj kërkese, një marrëdhënie biznesi me persona të caktuar dhe për natyrën e asaj marrëdhënie.
Neni 43
Përpunimi i të dhënave personale në bazë të kësaj direktive për qëllime të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, siç përmenden në nenin 1, konsiderohet të jetë një çështje me interes publik sipas Direktivës 95/46/KE.
Neni 44
1. Shtetet anëtare, për qëllime të kontributit në përgatitjen e vlerësimeve të rrezikut në pajtim me nenin 7, duhet të sigurojnë që ata janë në gjendje të shqyrtojnë efektivitetin e sistemeve të tyre të luftës kundër pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit përmes mbajtjes së statistikave të plota për çështje të lidhura me efektivitetin e sistemeve të tilla.
2. Statistikat e përmendura në paragrafin 1 duhet të përmbajnë:
a) të dhënat për matjen e madhësisë dhe rëndësisë së sektorëve të ndryshëm të cilët bien brenda fushëveprimit të kësaj direktive, duke përfshirë numrin e subjekteve dhe personave dhe rëndësinë ekonomike të secilit sektor;
b) të dhënat për matjen e raportimit, hetimit dhe fazat gjyqësore të regjimit kombëtar të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke përfshirë numrin e raporteve të transaksioneve të dyshimta të bëra në NIF, ndjekjen e atyre raporteve dhe, një herë në vit, numrin e rasteve të hetuara, numrin e personave të ndjekur penalisht, numrin e personave të dënuar për pastrimin e parave ose vepra penale të financimit të terrorizmit, llojet e veprave penale, në rast se ky informacion është në dispozicion, dhe vlera në euro e pronës që është bllokuar, sekuestruar ose konfiskuar;
c) nëse është e mundur, të dhënat identifikuese për numrin dhe përqindjen e raporteve që rezultojnë në hetime të mëtejshme, së bashku me raportin vjetor të subjekteve të detyruara që detajon dobinë dhe ndjekjen e raporteve që ata kanë paraqitur;
d) të dhënat në lidhje me numrin e kërkesave ndërkufitare për informacion që janë bërë, pranuar, refuzuar dhe që kanë përgjigje, pjesërisht ose plotësisht, nga NIF-ja.
3. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë publikimin e një përmbledhje të konsoliduar të statistikave të tyre.
4. Shtetet anëtare i përcjellin Komisionit statistikat e përmendura në paragrafin 2.
KREU VI
POLITIKAT, PROCEDURAT DHE MBIKËQYRJA
SEKSIONI 1
PROCEDURAT E BRENDSHME, TRAJNIMI DHE REAGIMI
Neni 45
1. Shtetet anëtare u kërkojnë subjekteve të detyruara që janë pjesë e një grupi që të zbatojnë politikat dhe procedurat e grupit, duke përfshirë politikat e mbrojtjes së të dhënave dhe politikat dhe procedurat për shkëmbimin e informacionit brenda grupit për qëllime të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Këto politika dhe procedura zbatohen në mënyrë efektive në nivel të degëve dhe filialeve me shumicën në pronësi në shtetet anëtare dhe vendet e treta.
2. Shtetet anëtare kërkojnë që subjektet e detyruara që operojnë përfaqësi në një shtet anëtar tjetër të sigurojnë që këto përfaqësi të respektojnë dispozitat kombëtare të atij shteti tjetër anëtar që transpozojnë këtë direktivë.
3. Shtetet anëtare sigurohen që, në rast se subjektet e detyruara kanë degë ose filiale me shumicë në pronësi të vendosura në vende të treta, ku kushtet minimale për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, janë më pak të rrepta se sa ato të shtetit anëtar, atëherë degët dhe filialet e tyre me shumicën e pronësisë të vendosura në vendin e tretë, duhet të zbatojnë kushtet e shtetit anëtar, duke përfshirë mbrojtjen e të dhënave, deri në masën që e lejon ligji i vendit të tretë.
4. Shtetet anëtare dhe ESA-të informojnë njëra-tjetrën për rastet në të cilat ligji i një vendi të tretë nuk lejon zbatimin e politikave dhe procedurave të kërkuara sipas paragrafit 1. Në raste të tilla, zgjidhja mund të gjendet me anë të veprimeve të koordinuara.
5. Shtetet anëtare kërkojnë që, në rast se ligji i një vendi të tretë nuk lejon zbatimin e politikave dhe procedurave të kërkuara sipas paragrafit 1, subjektet e detyruara të sigurojnë që degët dhe filialet me shumicë në pronësi në atë vend të tretë të zbatojnë masa shtesë për të trajtuar në mënyrë efektive rrezikun e pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit, si edhe të informojnë autoritetet kompetente të shtetit anëtar të origjinës së tyre. Në rast se masat shtesë nuk janë të mjaftueshme, autoritetet kompetente të shtetit anëtar të origjinës ndërmarrin veprime shtesë mbikëqyrëse, duke përfshirë edhe kërkesën që grupi të mos themelojë ose të përfundojë marrëdhëniet e biznesit, që të mos ndërmarrë transaksione dhe, kur është e nevojshme, kërkesën që grupi të mbyllë operacionet e tij në vendin e tretë.
6. ESA-të zhvillojnë projekt-standarde teknike rregulluese që specifikojnë llojin e masave shtesë të përmendura në paragrafin 5 dhe veprimin minimal që duhet ndërmarrë nga institucionet e kreditit dhe institucionet financiare, në rast se ligji i një vendi të tretë nuk lejon zbatimin e masave të kërkuara nga paragrafët 1 dhe 3.
ESA-të i paraqesin Komisionit, deri më 26 dhjetor 2016, projekt-standardet teknike rregulluese të përmendura në nënparagrafin e parë.
7. E drejta për të miratuar standardet teknike rregulluese të përmendura në paragrafin 6 të këtij neni i delegohet Komisionit, në përputhje me nenet 10 deri në 14 të Rregulloreve (BE) Nr. 1093/2010, (BE) Nr. 1094/2010 dhe (BE) Nr. 1095/2010.
8. Shtetet anëtare sigurohen që të lejohet shkëmbimi i informacionit brenda grupit. Informacioni që i raportohet NIF-së mbi dyshimet se fondet janë të ardhura nga veprimtari kriminale ose kanë të bëjnë me financimin e terrorizmit shkëmbehet brenda grupit, përveç rasteve kur NIF-ja udhëzon ndryshe.
9. Shtetet anëtare mund t'u kërkojnë emetuesve të parasë elektronike, siç përcaktohet në pikën 3 të nenit 2 të Direktivës 2009/110/KE, dhe ofruesve të shërbimit të pagesave, siç përcaktohet në pikën 9 të nenit 4 të Direktivës 2007/64/KE, të vendosura në territorin e tyre në forma të ndryshme nga ajo e një dege dhe zyra qendrore e së cilës është e vendosur në një shtet anëtar tjetër, që të caktojnë një pikë qendrore kontakti në territorin e tyre për të siguruar që, në emër të institucionit emërues, përputhshmërinë me rregullat për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe për të lehtësuar mbikëqyrjen nga autoritetet kompetente, duke përfshirë edhe ofrimin autoriteteve kompetente të dokumenteve dhe informacionit sipas kërkesës.
10. ESA-të zhvillojnë projekt-standarde teknike rregulluese për kriteret mbi përcaktimin e rrethanave në të cilat caktimi i një pike qendrore kontakti në përputhje me paragrafin 9 është i përshtatshëm, dhe cilat duhet të jenë funksionet e pikave qendrore të kontaktit.
ESA-të i paraqesin Komisionit, deri më 26 qershor 2017, projekt-standardet teknike rregulluese të përmendura në nënparagrafin e parë.
11. E drejta për të miratuar standardet teknike rregulluese të përmendura në paragrafin 10 të këtij neni i delegohet Komisionit, në përputhje me nenet 10 deri në 14 të Rregulloreve (BE) Nr. 1093/2010, (BE) Nr. 1094/2010 dhe (BE) Nr. 1095/2010.
Neni 46
1. Shtetet anëtare kërkojnë që subjektet e detyruara të marrin masa proporcionale me rreziqet, natyrën dhe madhësinë e tyre, në mënyrë që punonjësit e tyre të jenë në dijeni të dispozitave të miratuara në zbatim të kësaj direktive, duke përfshirë edhe kërkesat përkatëse për mbrojtjen e të dhënave.
Masa të tilla përfshijnë pjesëmarrjen e punonjësve të tyre në programe të veçanta trajnimi të vazhdueshëm për t'i ndihmuar ata të njohin veprimet, që mund të jenë të lidhura me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit dhe për t'i mësuar ata se si të procedohet në raste të tilla.
Në rast se një person fizik, që bie në një nga kategoritë e renditura në pikën 3 të nenit 2, paragrafi 1, kryen aktivitete profesionale në cilësinë e tij si punonjës i një subjekti juridik, detyrimet në këtë nen zbatohen për atë subjekt juridik dhe jo për personin fizik.
2. Shtetet anëtare sigurojnë që subjektet e detyruara të kenë akses tek informacioni i përditësuar mbi praktikat e pastruesve të parave dhe financuesve të terrorizmit dhe mbi indikacionet që çojnë në njohjen e transaksioneve të dyshimta.
3. Shtetet anëtare sigurohen që, aty ku është e mundur, reagimi në kohë për efektivitetin dhe ndjekjen e raporteve për pastrimin e dyshuar të parave ose financimin e terrorizmit t'u përcillet subjekteve të detyruara.
4. Shtetet anëtare kërkojnë që, atje ku është e zbatueshme, subjektet e detyruara të identifikojnë anëtarët e bordit drejtues, i cili është përgjegjës për zbatimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative të nevojshme për zbatimin e kësaj direktive.
SEKSIONI 2
MBIKËQYRJA
Neni 47
1. Shtetet anëtare sigurohen që zyrat e këmbimit valutor, të thyerjes së çeqeve, trustet ose subjektet që ofrojnë shërbime të jenë të licencuara ose të regjistruara dhe ofruesit e shërbimeve të lojërave të fatit të jenë të rregulluar.
2. Shtetet anëtare kërkojnë nga autoritetet kompetente që të garantojnë që personat me funksion drejtues në subjektet e përmendura në paragrafin 1, ose që janë pronarët përfitues të atyre subjekteve, të jenë persona të aftë dhe me zotësi të plotë.
3. Në lidhje me subjektet e përmendura në pikën 3, germat "a", "b" dhe "d", të nenit 2, paragrafi 1, shtetet anëtare sigurohen që autoritetet kompetente të marrin masat e nevojshme për të privuar kriminelët e dënuar në fushat përkatëse ose bashkëpunëtorët e tyre nga mbajtja e një funksioni drejtues ose nga qenia pronar përfitues i atyre subjekteve të detyruara.
Neni 48
1. Shtetet anëtare u kërkojnë autoriteteve kompetente të monitorojnë në mënyrë efektive dhe të marrin masat e nevojshme për të siguruar pajtueshmërinë me këtë direktivë.
2. Shtetet anëtare sigurohen që autoritetet kompetente të kenë kompetenca të mjaftueshme, duke përfshirë të drejtën për të detyruar paraqitjen e çdo informacioni që është relevant për monitorimin e pajtueshmërisë dhe për kryerjen e kontrolleve, si dhe të kenë burime të mjaftueshme financiare, njerëzore dhe teknike për kryerjen e funksioneve të tyre. Shtetet anëtare sigurohen që personeli i atyre autoriteteve të ketë standarde të larta profesionale, duke përfshirë edhe standardet e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave, dhe që ata të jenë me integritet të lartë dhe mjaftueshëm të aftë.
3. Në rastin e institucioneve të kreditit, institucioneve financiare, dhe ofruesve të shërbimeve të lojërave të fatit, autoritetet kompetente kanë kompetenca të shtuara mbikëqyrëse.
4. Shtetet anëtare sigurohen që autoritetet kompetente të shtetit anëtar, në të cilin subjekti i detyruar operon përfaqësi, të mbikëqyrin respektimin nga këto përfaqësi të dispozitave kombëtare të atij shteti anëtar, që transpozojnë këtë direktivë. Në rastin e institucioneve të përmendura në nenin 45, paragrafi 9, një mbikëqyrje e tillë mund të përfshijë marrjen e masave të përshtatshme dhe proporcionale për të trajtuar mungesat serioze që kërkojnë rregullime të menjëhershme. Këto masa janë të përkohshme dhe ndërpriten kur dështimet e identifikuara janë adresuar, duke përfshirë edhe me ndihmën ose bashkëpunimin me autoritetet kompetente të shtetit anëtar të origjinës së subjektit të detyruar, në përputhje me nenin 45, paragrafi 2.
5. Shtetet anëtare sigurojnë që autoritetet kompetente të shtetit anëtar në të cilin subjekti i detyruar ka përfaqësi, të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente të shtetit anëtar në të cilin subjekti i detyruar ka zyrën e tij qendrore, për të siguruar mbikëqyrjen efektive të kushteve të kësaj direktive.
6. Shtetet anëtare sigurojnë që, gjatë zbatimit të qasjes mbikëqyrëse të bazuar tek rreziku, autoritetet kompetente:
a) të kuptojnë qartë rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të pranishme në shtetin anëtar të tyre;
b) të kenë akses të drejtpërdrejtë dhe në distancë në të gjithë informacionin relevant mbi rreziqet specifike lokale dhe ndërkombëtare lidhur me klientët, produktet dhe shërbimet e subjekteve të detyruara; dhe
c) të bazojnë frekuencën dhe intensitetin e mbikëqyrjes në vend dhe në distancë tek profili i rrezikut të subjekteve të detyruara, dhe tek rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në atë shtet anëtar.
7. Vlerësimi i profilit të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të subjekteve të detyruara, duke përfshirë rrezikun e mosrespektimit, rishikohet në mënyrë periodike dhe kur ka ngjarje të mëdha ose zhvillime në menaxhimin dhe operacionet e tyre.
8. Shtetet anëtare sigurohen që autoritetet kompetente të marrin parasysh masën e diskrecionit të lejuar subjektive të detyruara, dhe në mënyrë të përshtatshme të rishikojnë vlerësimet e rrezikut në themel të atij diskrecioni, si edhe përshtatshmërinë dhe zbatimin e politikave, kontrolleve dhe procedurave të tyre të brendshme.
9. Në rastin e subjekteve të detyruara të përmendura në pikën 3, germat "a", "b" dhe "d", të nenit 2, paragrafi 1, shtetet anëtare mund të lejojnë kryerjen e funksioneve të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni nga organet vetërregulluese, me kusht që ato organe vetërregulluese të jenë në përputhje me paragrafin 2 të këtij neni.
10. Deri më 26 qershor 2017, ESA-të duhet të nxjerrin udhëzime drejtuar autoriteteve kompetente, në përputhje me nenin 16 të Rregulloreve (BE) Nr. 1093/2010, (BE) Nr. 1094/2010 dhe (BE) Nr. 1095/2010, mbi karakteristikat e një qasje mbikëqyrëse të bazuar tek rreziku dhe hapat që duhen ndërmarrë gjatë kryerjes së mbikëqyrjes së bazuar tek rreziku. Duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë natyrës dhe madhësisë së biznesit, dhe duhet të hartohen masa të veçanta aty ku është e nevojshme dhe në mënyrë proporcionale.
SEKSIONI 3
BASHKËPUNIMI
NËNSEKSIONI I
BASHKËPUNIMI KOMBËTAR
Neni 49
Shtetet anëtare sigurohen që politikëbërësit, NIF-të, mbikëqyrësit dhe autoritetet e tjera kompetente të përfshira në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të kenë mekanizmat efektivë për t'iu mundësuar atyre bashkëpunimin dhe koordinimin në nivel kombëtar në lidhje me zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe aktiviteteve për luftim kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke përfshirë qëllimin për të përmbushur detyrimet e tyre sipas nenit 7.
NËNSEKSIONI II
BASHKËPUNIMI ME ESA-TË
Neni 50
Autoritetet kompetente u japin ESA-ve të gjithë informacionin e nevojshëm për t'iu mundësuar atyre kryerjen e detyrave të tyre sipas parashikimeve të kësaj direktive.
NËNSEKSIONI III
BASHKËPUNIMI NDËRMJET NIF-VE DHE KOMISIONIT
Neni 51
Komisioni mund të ofrojë ndihmën e duhur që mund të nevojitet për lehtësimin e koordinimit, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit ndërmjet NIF-ve brenda BE-së. Komisioni mund të thërrasë rregullisht mbledhje të Platformës së NIF-ve të BE-së, të përbërë nga përfaqësues të NIF-ve të shteteve anëtare, me qëllim lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet NIF-ve, shkëmbimin e pikëpamjeve dhe ofrimin e këshillave mbi çështje lidhur me zbatueshmërinë, që janë të rëndësishme për NIF-të dhe subjektet e detyruara, si edhe për çështje lidhur me bashkëpunimin, të tilla si: bashkëpunimi efektiv mes NIF-ve, identifikimi i transaksioneve të dyshimta me dimension ndërkufitar, standardizimi i formateve të raportimit me anë të FIU.net ose pasardhësit të tij, analiza e përbashkët e rasteve ndërkufitare, dhe identifikimi i prirjeve dhe faktorëve relevantë për vlerësimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në nivel kombëtar dhe mbikombëtar.
Neni 52
Shtetet anëtare sigurohen që NIF-të të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën sa më shumë që të jetë e mundur, pa marrë parasysh statusin e tyre organizativ.
Neni 53
1. Shtetet anëtare sigurohen që NIF-të të shkëmbejnë, me iniciativë ose sipas kërkesës, çdo informacion që mund të jetë relevant për përpunimin ose analizën e informacionit nga NIF-ja në lidhje me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit dhe personin fizik ose juridik të përfshirë, edhe në rast se lloji i veprave penale treguese që mund të jenë të përfshira nuk është identifikuar në kohën e shkëmbimit.
Kërkesa duhet të përmbajë faktet përkatëse, informacionin mbi të kaluarën, arsyet për kërkesën dhe mënyrën se si informacioni i kërkuar do të përdoret. Nëse NIF-të bien dakord, mekanizma të ndryshëm shkëmbimi mund të aplikohen, veçanërisht sa i përket shkëmbimeve nëpërmjet FIU.net ose pasardhësit të tij.
Në rast se një NIF merr një raport në pajtim me germën "a" të nënparagrafit të parë të nenit 33, paragrafi 1, që ka të bëjë me një shtet tjetër anëtar, raporti duhet t'i përcillet menjëherë NIF-së së atij shteti anëtar.
2. Shtetet anëtare sigurohen që NIF-ja, të cilës i është bërë kërkesa, të jetë e detyruar të përdorë të gjithë gamën e kompetencave në dispozicion të saj që përdor normalisht në vendin e vet, për marrjen dhe analizimin e informacionit, kur ajo i përgjigjet një kërkese për informacion të përmendur në paragrafin 1 nga një NIF tjetër. NIF-ja, të cilës i është bërë kërkesa, duhet të përgjigjet në kohën e duhur.
Në rast se një NIF kërkon të marrë informacion shtesë nga një subjekt i detyruar, i themeluar në një shtet tjetër anëtar dhe që vepron në territorin e saj, kërkesa i drejtohet NIF-së së shtetit anëtar në territorin e të cilit subjekti i detyruar është themeluar. Ajo NIF përcjell kërkesat dhe përgjigjet në mënyrë të menjëhershme.
3. Një NIF mund të refuzojë shkëmbimin e informacionit vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur shkëmbimi bie në kundërshtim me parimet themelore të legjislacionit të saj të brendshëm. Përjashtime të tilla specifikohen në një mënyrë të tillë që mos t'i lihet shteg keqpërdorimit dhe kufizimeve të panevojshme sa i përket shkëmbimit të lirë të informacionit për qëllime analitike.
Neni 54
Informacioni dhe dokumentet e marra në pajtim me nenet 52 dhe 53 përdoren për kryerjen e detyrave të NIF-ve, siç përcaktohen në këtë direktivë. Gjatë shkëmbimit të informacionit dhe dokumenteve në pajtim me nenet 52 dhe 53, NIF-të kanë të drejtë të vendosin kufizime dhe kushte për përdorimin e atij informacioni. NIF-ja marrëse ka detyrimin t'i respektojë ato kufizime dhe kushte.
Neni 55
1. Shtetet anëtare sigurohen që informacioni i shkëmbyer në pajtim me nenet 52 dhe 53 të përdoret vetëm për qëllimin për të cilin është kërkuar apo ofruar, dhe transmetimit i tij nga NIF-ja marrëse te ndonjë autoritet, agjenci ose departamenti tjetër, ose përdorim i atij informacioni për qëllime të ndryshme nga ato të miratuara fillimisht, i nënshtrohet pëlqimit paraprak nga NIF-ja që ka dhënë informacionin.
2. Shtetet anëtare sigurohen që NIF-së t'i jepet miratimi i menjëhershëm dhe sa më i gjerë për transmetimin e informacionit te autoritetet kompetente. NIF-ja, së cilës i është kërkuar informacioni, nuk mund të refuzojë miratimin e saj për një shpërndarje të tillë, përveç rasteve kur shpërndarja tejkalon fushëveprimin e dispozitave për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, sjell cenimin e një procedimi penal, do të ishte qartësisht në disproporcion me interesat legjitime të një personi fizik ose juridik ose të shtetit anëtar të NIF-së së cilës i është kërkuar informacioni, ose kur shpërndarja nuk është në përputhje me parimet themelore të legjislacionit të brendshëm të atij shteti anëtar. Çdo refuzim për dhënie pëlqimi shpjegohet në mënyrën e duhur.
Neni 56
1. Shtetet anëtare u kërkojnë NIF-ve të tyre që të përdorin kanale të mbrojtura komunikimi dhe të inkurajojnë përdorimin e FIU.net ose pasardhësit të tij.
2. Shtetet anëtare sigurohen që, për të përmbushur detyrat e tyre të përcaktuara në këtë direktivë, NIF-të e tyre të bashkëpunojnë për aplikimin e teknologjive bashkëkohore, në përputhje me legjislacionin e tyre të brendshëm. Teknologji të tilla lejojnë NIF-të të krahasojnë të dhënat e tyre me ato të NIF-ve të tjera në mënyrë anonime, duke siguruar mbrojtjen e plotë të të dhënave personale dhe me qëllim zbulimin e subjekteve që paraqesin interes për NIF-të në shtete të tjera anëtare dhe identifikimin e të ardhurave dhe fondeve të tyre.
Neni 57
Dallimet mes përkufizimeve që legjislacioni i brendshëm u jep veprave penale në fushën e tatimeve, nuk i pengon NIF-të të shkëmbejnë informacion ose të ndihmojnë njëra-tjetrën në masën më të madhe të lejuar nga legjislacioni i tyre i brendshëm.
SEKSIONI 4
SANKSIONET
Neni 58
1. Shtetet anëtare sigurohen që subjektet e detyruara të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e dispozitave kombëtare që transpozojnë këtë direktivë, në përputhje me këtë nen dhe nenet 59 deri në 61. Sanksionet e parashikuara në këtë mënyrë duhet të jenë efektive, proporcionale dhe shtrënguese.
2. Pa cenuar të drejtën e shteteve anëtare për të parashikuar dhe vendosur sanksione penale, shtetet anëtare vendosin rregulla për sanksione dhe masa administrative dhe sigurohen që autoritetet e tyre kompetente të zbatojnë këto sanksione dhe masa në rastet kur ka shkelje të dispozitave kombëtare që transpozojnë këtë direktivë, dhe sigurohen që ato të zbatohen.
Shtetet anëtare mund të vendosin të mos parashikojnë rregulla për sanksione ose masave administrative për shkeljet që u nënshtrohen sanksioneve penale të parashikuara në legjislacionin e tyre të brendshëm. Në këtë rast, shteti anëtar i komunikon Komisionit dispozitat përkatëse të legjislacionit penal.
3. Shtetet anëtare sigurohen që, në rast se detyrimet për shkelje të dispozitave kombëtare që transpozojnë këtë direktivë rëndojnë mbi subjektet juridike, sanksionet dhe masat të zbatohen ndaj anëtarëve të organit drejtues dhe personave të tjerë fizikë, të cilët sipas legjislacionit të brendshëm janë përgjegjës për shkeljet.
4. Shtetet anëtare sigurohen që autoritetet kompetente të kenë të gjitha kompetencat mbikëqyrëse dhe hetimore të nevojshme për ushtrimin e funksioneve të tyre.
5. Autoritetet kompetente ushtrojnë kompetencat e tyre për të vendosur sanksione dhe masa administrative, në përputhje me këtë direktivë dhe me legjislacionin e brendshëm, sipas një prej mënyrave të mëposhtme:
a) drejtpërsëdrejti;
b) në bashkëpunim me autoritete të tjera;
c) nën përgjegjësinë e tyre, duke ua deleguar ato këtyre autoriteteve të tjera;
d) duke aplikuar tek autoritetet kompetente gjyqësore.
Gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre për vendosjen e sanksioneve dhe masave administrative, autoritetet kompetente bashkëpunojnë ngushtë në mënyrë që të sigurojnë që ato sanksione ose masa administrative të japin rezultatet e dëshiruara dhe koordinojnë veprimet e tyre kur kanë të bëjnë me raste ndërkufitare.
Neni 59
1. Shtetet anëtare sigurohen që ky nen të zbatohet të paktën ndaj shkeljeve serioze, të përsëritura, sistematike, ose një kombinim i tyre, të kryera nga ana e subjekteve të detyruara ndaj dispozitave të mëposhtme:
a) nenet 10 deri në 24 (vigjilenca e duhur ndaj klientëve);
b) nenet 33, 34 dhe 35 (raportimi i transaksioneve të dyshimta);
c) neni 40 (ruajtja e të dhënave); dhe
d) nenet 45 dhe 46 (kontrollet e brendshme).
2. Shtetet anëtare sigurohen që, në rastet e përmendura në paragrafin 1, sanksionet dhe masat administrative të zbatueshme të përfshijnë të paktën sa më poshtë vijon:
a) një deklaratë publike, e cila tregon personin fizik ose juridik dhe natyrën e shkeljes;
b) një urdhër, përmes të cilit t'i kërkohet personit fizik ose juridik të mos e vazhdojë më shkeljen dhe të mos e përsërisë më;
c) tërheqjen ose pezullimin e autorizimit, në rast se subjekti i detyruar është i pajisur me autorizim;
d) një përjashtim i përkohshëm nga ushtrimi i funksioneve drejtuese në një subjekt të detyruar i çdo personi që ka përgjegjësi drejtuese në një subjekt të detyruar, ose i çdo personi tjetër fizik, përgjegjës për shkeljet;
e) masë administrative në formë gjobe, me vlerë monetare të paktën sa dyfishi i përfitimeve të marra nga shkelja, në rastet kur ky përfitim mund të përcaktohet, ose të paktën 1 000 000 Euro.
3. Shtetet anëtare sigurohen që, duke deroguar nga paragrafi 2, germa "e", ku subjekti i detyruar në fjalë është një institucion krediti ose institucion financiar, të mund të zbatohen edhe sanksionet e mëposhtme:
a) në rastin e personit juridik, masë administrative në formë gjobe maksimale prej të paktën 5 000 000 Euro ose 10 % të totalit të xhiros vjetore sipas llogarive financiare të disponueshme më së fundmi, të miratuara nga organi drejtues; në rastin kur personi juridik është ndërmarrje mëmë ose filial i ndërmarrjes mëmë, i cili duhet të përgatisë pasqyrat financiare të konsoliduara në përputhje me nenin 22 të Direktivës 2013/34/BE, totali përkatës i xhiros vjetore është xhiroja vjetore ose lloji i të ardhurave korresponduese, në përputhje me direktivat përkatëse për kontabilitetin, sipas pasqyrave të konsoliduara të disponueshme më së fundmi, që miratohen nga organi drejtues i shoqërisë mëmë që është në krye;
b) në rastin e personi fizik, masë administrative në formë gjobe maksimale prej të paktën 5 000 000 euro ose, në shtetet anëtare me monedha të ndryshme nga Euro, në vlerën korresponduese në monedhën kombëtare më 25 qershor 2015.
4. Shtetet anëtare mund të fuqizojnë autoritetet kompetente për të vendosur lloje tjera sanksionesh administrative, përveç atyre të përmendura në germat "a" deri në "d" të paragrafit 2, ose për të vendosur sanksione administrative në formë gjobe që tejkalojnë shumat e përmendura në germën "e" të paragrafit 2 dhe në paragrafin 3.
Neni 60
1. Shtetet anëtare sigurojnë që një vendim për vendosjen e një sanksioni ose mase administrative për shkelje të dispozitave kombëtare që përafrojnë këtë direktivë, kundër të cilit nuk lejohet ankimi, të publikohet nga autoritetet kompetente në faqen e tyre zyrtare në internet menjëherë pasi personi i sanksionuar është njoftuar për atë vendim. Publikimi përfshin të paktën informacionin në lidhje me llojin dhe natyrën e shkeljes, dhe identitetin e personave përgjegjës. Shtetet anëtare nuk janë të detyruara të zbatojnë këtë nënparagraf për vendime që parashikojnë masa me natyrë hetuese.
Në rast se publikimi i identitetit të personave përgjegjës, siç përmendet në nënparagrafin e parë, ose i të dhënat personale të personave të tillë konsiderohet nga autoriteti kompetent së është i tepruar pas një vlerësimi, bazuar në parimin rast pas rasti, të kryer për proporcionalitetin e një publikimi të tillë të të dhënave, ose kur publikimi rrezikon stabilitetin e tregjeve financiare ose një hetim në vazhdim, autoritetet kompetente:
a) vonojnë publikimin e vendimit për vendosjen e një sanksioni ose mase administrative deri në momentin kur arsyet për mos publikimin e tij të pushojnë së ekzistuari;
b) publikojnë vendimin për vendosjen e një sanksioni ose mase administrative në mënyrë anonime dhe në përputhje me legjislacionin e brendshëm, nëse një publikim i tillë anonim siguron mbrojtje efektive të të dhënave personale në fjalë; në rastin e një vendimi për publikimin e një sanksioni ose mase administrative në mënyrë anonime, publikimi i të dhënave përkatëse mund të shtyhet për një periudhë të arsyeshme kohore, nëse parashikohet që brenda kësaj periudhe arsyet për publikim anonim do të pushojnë së ekzistuari;
c) vendosin mospublikimin në tërësi të vendimit për vendosjen e një sanksioni ose mase në rast se opsionet e përcaktuara në germat "a" dhe "b" konsiderohen të pamjaftueshme për të garantuar:
I. mosvënien në rrezik të stabilitetit të tregjeve financiare; ose
II. proporcionalitetin e publikimit të atij vendimi, në lidhje me masat që konsiderohen të papërfillshme.
2. Në rast se shtetet anëtare lejojnë publikimin e vendimeve kundër të cilëve lejohet ankimi, autoritetet kompetente publikojnë menjëherë, në faqen e tyre zyrtare në internet, një informacion të tillë dhe çdo informacion tjetër të mëvonshëm mbi rezultatin e ankimit. Përveç kësaj, çdo vendim tjetër që anulon vendimin e mëparshëm për vendosjen e një sanksioni ose mase administrative duhet të publikohet.
3. Autoritetet kompetente garantojnë që publikimet e bëra sipas këtij neni, të mbeten në faqen e tyre zyrtare në internet për një periudhë pesë vjeçare pas momentit të publikimit. Megjithatë, të dhënat personale të përfshira në publikim ruhen në faqen zyrtare në internet të autoritetit kompetent vetëm për periudhën e nevojshme kohore sipas rregullave të zbatueshme për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Shtetet anëtare sigurojnë që, gjatë përcaktimit të llojit dhe nivelit të sanksioneve ose masave administrative, autoritetet kompetente të marrin parasysh të gjitha rrethanat dhe, në rast se janë të zbatueshme, duke përfshirë edhe:
a) shkallën dhe kohëzgjatjen e shkeljes;
b) shkallën e përgjegjësisë së personit fizik ose juridik përgjegjës për shkeljen;
c) stabilitetin financiar të personit fizik ose juridik përgjegjës për shkeljen, siç tregohet, për shembull, nga xhiroja vjetore totale e personit juridik përgjegjës ose të ardhurat vjetore të personit fizik përgjegjës;
d) përfitimet e personit fizik ose juridik përgjegjës të gjeneruar nga shkelja, nëse mund të përcaktohen;
e) humbjet shkaktuar palëve të treta nga shkelja, nëse mund të përcaktohen;
f) nivelin e bashkëpunimit të personit fizik ose juridik përgjegjës për shkeljen me autoritetin kompetent;
g) shkelje të mëparshme nga personi fizik ose juridik përgjegjës.
5. Shtetet anëtare marrin masa për të garantuar që personat juridikë të mbajnë përgjegjësi për secilën prej shkeljeve të përmendura në nenin 59, paragrafi 1, të kryera për përfitime personale nga çdo person, duke vepruar individualisht ose si pjesë e një organi të personit juridik, duke pasur pozicion drejtues brenda personit juridik, bazuar mbi:
a) kompetencën për të përfaqësuar personin juridik;
b) autoritetin për të marrë vendime në emër të personit juridik; ose
c) autoritetin për të ushtruar kontroll brenda personit juridik.
6. Shtetet anëtare sigurohen që personat juridikë të mbajnë përgjegjësi në rast se mungesa e mbikëqyrjes ose kontrollit nga një person i përmendur në paragrafin 5 të këtij neni ka mundësuar kryerjen e një prej shkeljeve të përmendura në nenin 59, paragrafi 1, për përfitime të atij personi juridik nga një person nën autoritetin e tij.
Neni 61
1. Shtetet anëtare sigurojnë që autoritetet kompetente të krijojnë mekanizma efektivë dhe të besueshëm për të inkurajuar raportimin tek autoritetet kompetente të shkeljeve të mundshme ose faktike të dispozitave kombëtare që përafrojnë këtë direktivë.
2. Mekanizmat e përmendur në paragrafin 1 përfshijnë të paktën:
a) procedura specifike për marrjen e raporteve për shkeljet dhe ndjekjen e tyre;
b) mbrojtjen e duhur për punonjësit ose personat në pozicione të ngjashme të subjekteve të detyruara që raportojnë shkeljet e kryera brenda subjektit të detyruar;
c) mbrojtjen e duhur për personin e akuzuar;
d) mbrojtjen e të dhënave personale në lidhje me personin që raporton shkeljet dhe personin fizik që pretendohet se është përgjegjës për një shkelje, në përputhje parimet e përcaktuara në Direktivën 95/46/KE;
e) rregulla të qarta që sigurojnë garantimin e konfidencialitetit në të gjitha rastet në lidhje me personin që raporton shkeljet e kryera brenda subjektit të detyruar, përveçse kur nxjerrja e këtij informacioni kërkohet nga legjislacioni i brendshëm në kontekstin e hetimeve të mëtejshme ose procedurave gjyqësore vijuese.
3. Shtetet anëtare kërkojnë që subjektet e detyruara të zbatojnë procedurat e duhura për punonjësit e tyre, ose për personat në një pozicion të krahasueshëm, për të raportuar shkeljet brenda subjektit përmes një kanali të veçantë, të pavarur dhe anonim, proporcional me natyrën dhe madhësinë e subjektit të detyruar në fjalë.
Neni 62
1. Shtetet anëtare sigurohen që autoritetet e tyre kompetente të informojnë ESAS-et për të gjitha sanksionet dhe masat administrative të vendosura në përputhje me nenet 58 dhe 59 ndaj institucioneve të kreditit dhe institucioneve financiare, duke përfshirë çdo ankesë në lidhje me to dhe rezultatet e tyre.
2. Shtetet anëtare sigurohen që autoritetet e tyre kompetente, në përputhje me legjislacionin e tyre të brendshëm, të kontrollojnë gjendjen gjyqësore në dosjen penale të personit në fjalë. Për këto qëllime, informacioni shkëmbehet në përputhje me Vendimin 2009/316/ÇBD dhe Vendimin Kuadër 2009/315/ÇBD, siç parashikohet në legjislacionin e brendshëm.
3. ESAS-et mbajnë një faqe interneti të lidhur me publikimet e secilit autoritetit kompetent të sanksioneve dhe masave administrative të vendosura në përputhje me nenin 60 ndaj institucioneve të kreditit dhe institucioneve financiare, dhe tregojnë periudhën kohore gjatë së cilës secili shtet anëtar publikon sanksionet dhe masat administrative.
KREU VII
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 63
Germa "d" e paragrafit 2 të nenit 25 të Rregullores (BE) Nr. 648/2012 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit<href="#ntr32-L_2015141EN.01007301-E0032">32 zëvendësohet si vijon:
"d) kundërpala qendrore (CCP) themelohet ose autorizohet në një vend të tretë që nuk konsiderohet nga Komisioni, në përputhje me Direktivën (BE) 2015/849 të Parlamentit Evropian dhe e Këshillit<href="#ntr33-L_2015141EN.01007301-E0033">33, se ka mangësi strategjike në regjimin e tij kombëtar kundër pastrimit të parave dhe të luftës kundër financimit të terrorizmit që përbëjnë kërcënim të rëndësishëm për sistemin financiar të BE-së.
Neni 64
1. Kompetencat për të miratuar aktet e deleguara i delegohen Komisionit sipas kushteve të përcaktuara në këtë nen.
2. Kompetenca për të miratuar aktet e deleguara, që përmenden në nenin 9, i akordohet Komisionit për një periudhë kohore të papërcaktuar, duke nisur nga 25 qershori 2015.
3. Kompetenca për të miratuar aktet e deleguara, që përmenden në nenin 9, mund të revokohet në çdo kohë nga Parlamenti Evropian ose nga Këshilli. Vendimi i revokimit i jep fund delegimit të kompetencave të specifikuara në atë vendim. Ai hyn në fuqi një ditë pas botimit të vendimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian ose në një datë të mëvonshme që specifikohet në vendim. Ai nuk cenon vlefshmërinë e ndonjë akti të deleguar tashmë të hyrë në fuqi.
4. Pasi miraton një akt të deleguar, Komisioni njofton për këtë njëkohësisht Parlamentin Evropian dhe Këshillin.
5. Një akt i deleguar, i miratuar sipas nenit 9, hyn në fuqi vetëm nëse nuk është shprehur asnjë kundërshtim nga Parlamenti Evropian ose nga Këshilli brenda një periudhe njëmujore pasi Parlamenti Evropian ose Këshilli është njoftuar për atë akt, ose nëse, përpara përfundimit të kësaj periudhe, Parlamenti Evropian dhe Këshilli kanë njoftuar që të dy Komisionin se nuk do të kundërshtojnë. Kjo periudhë shtyhet me një muaj, me iniciativën e Parlamentit Evropian ose të Këshillit.
Neni 65
Komisioni, deri më 26 qershor 2019, i dorëzon Parlamentit Evropian dhe Këshillit një raport mbi zbatimin e kësaj direktive.
Neni 66
Direktivat 2005/60/KE dhe 2006/70/KE shfuqizohen duke filluar nga 26 qershor 2017.
Referencat për direktivat e shfuqizuara interpretohen si referenca për këtë direktivë dhe lexohen në përputhje me tabelën e përputhshmërisë, e paraqitur në Shtojcën IV.
Neni 67
1. Shtetet anëtare miratojnë ligjet, rregulloret dhe dispozitat e nevojshme administrative për të siguruar përputhshmërinë me këtë direktivë deri më 26 qershor 2017. Ato ia komunikojnë menjëherë tekstin e këtyre masave Komisionit.
Shtetet anëtare, në miratimin e këtyre masave, i referohen kësaj direktive ose i shoqërojnë ato me një referencë në rastin e botimit zyrtar të tyre. Mënyrat për bërjen e një reference të tillë përcaktohen nga vetë shtetet anëtare.
2. Shtetet anëtare i komunikojnë Komisionit tekstin e dispozitave kryesore të legjislacionit të brendshëm që ato miratojnë në fushën që mbulohet nga kjo direktivë.
Neni 68
Kjo rregullore hyn në fuqi njëzet ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Neni 69
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Strasburg, më 20 maj 2015.
Për Parlamentin Evropian
Presidenti
M. SCHULZ
Për Këshillin
Presidenti
Z. KALNIŅA-LUKAŠEVICA
SHTOJCA I
Më poshtë gjendet një listë jo shteruese e variablave të rrezikut që subjektet e detyruara duhet të kenë parasysh kur përcaktojnë shtrirjen e masave të vigjilencës së duhur ndaj klientëve në përputhje me nenin 13, paragrafi 3:
I. qëllimi i një llogarie ose marrëdhënie;
II. masa e aseteve që do të depozitohet nga klienti ose përmasat e transaksioneve të ndërmarra;
III. rregullsia ose kohëzgjatja e marrëdhënies së biznesit.
SHTOJCA II
Më poshtë gjendet një listë jo shteruese e faktorëve dhe llojeve të treguesve të rrezikut potencial të ulët, të përmendur në nenin 16:
1. Faktorët e rrezikut të klientit:
a) shoqëritë tregtare me ofertë publike të listuara në bursë dhe që u nënshtrohen rregullave të publikimit (qoftë rregullave të bursës ose atyre të vendosura me ligj apo mjete detyruese), që vendosin kushte për të siguruar transparencën e duhur të pronësisë përfituese;
b) administrata ose ndërmarrjet publike;
c) klientët, që janë rezidentë në zona gjeografike me rrezikshmëri të ulët, siç përcaktohet në paragrafin 3;
2. Faktorët e rrezikut të produkteve, shërbimeve, transaksioneve ose kanaleve të shpërndarjes:
a) policat e sigurimit të jetës, primi i të cilave është i ulët;
b) policat e sigurimit për skemat e pensioneve, nëse nuk ka një alternativë të hershme dorëzimi dhe polica nuk mund të përdoret si kolateral;
c) një skemë pensioni, fond kursimi ose skemë e ngjashme që ofron përfitime pas daljes në pension për të punësuarit, ku kontributet janë bërë me anë të zbritjes nga paga, dhe rregullat e skemës nuk lejojnë caktimin e interesit të personit të anëtarësuar në skemë;
d) produkte financiare ose shërbime, që ofrojnë shërbime të përcaktuara qartë dhe të kufizuara për disa kategori të caktuara klientësh, në mënyrë që të rrisin aksesin për qëllime të përfshirjes financiare;
e) produkte, ku rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit janë të menaxhuara nga faktorë të tjerë, siç janë limitet e fondeve që lejohen të transportohen ose transparenca e pronësisë (për shembull, lloje të veçanta të parasë elektronike);
3. Faktorët gjeografikë të rrezikut:
a) shtetet anëtare;
b) vendet e treta që kanë sisteme efektive të AML/CFT-së;
c) vendet e treta, të identifikuara nga burime të besueshme, që kanë nivel të ulët të korrupsionit ose të aktiviteteve të tjera kriminale;
d) vendet e treta, që, në bazë të burimeve të besueshme, të tilla si: vlerësimet e përbashkëta, raporte të hollësishme të vlerësimit ose të raporteve thelluara të publikuara, i kanë kushtet për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me Rekomandimet e rishikuara të FATF-së dhe për t'i zbatuar në mënyrë efektive ato kushte.
SHTOJCA III
Më poshtë gjendet një listë jo shteruese e faktorëve dhe llojeve të treguesve të rrezikut potencial të lartë, të përmendur në nenin 18, paragrafi 3:
1. Faktorët e rrezikut të klientit:
a) marrëdhënia e biznesit zhvillohet në rrethana të pazakonta;
b) klientët, që janë rezidentë në zona gjeografike me rrezikshmëri të lartë, siç përcaktohet në paragrafin 3;
c) subjektet juridike ose strukturat ligjore, që janë forma të zotërimit të aseteve personale;
d) shoqëritë tregtare që kanë aksionarë përfaqësues ose aksione sipas prurësit;
e) bizneset që qarkullojnë para fizike;
f) struktura e pronësisë së shoqërisë duket e pazakontë ose tepër komplekse, duke pasur parasysh natyrën e biznesit të shoqërisë;
2. Faktorët e rrezikut të produkteve, shërbimeve, transaksioneve ose kanaleve të shpërndarjes:
a) bankingu privat;
b) produkte ose transaksione që mund të favorizojnë anonimitetin;
c) marrëdhënie biznesi ose transaksione jo të drejtpërdrejta, pa garancitë e duhura, të tilla si: nënshkrimet elektronike;
d) pagesa të marra nga palë të treta, të panjohura ose të pambështetura;
e) produkte të reja dhe praktika të reja biznesi, duke përfshirë edhe mekanizëm të ri ofrimi, dhe përdorimi i teknologjive të reja ose i atyre në zhvillim për produktet e reja dhe ato ekzistuese;
3. Faktorët gjeografikë të rrezikut:
a) pa cenuar nenin 9, vendet e identifikuara nga burime të besueshme, të tilla si: vlerësimet e përbashkëta, raporte të hollësishme të vlerësimit ose të raporteve të thelluara të publikuara, që nuk kanë sisteme efektive të AML/CFT-së;
b) vendet e identifikuara nga burime të besueshme, që kanë nivel të lartë të korrupsionit ose të aktiviteteve të tjera kriminale;
c) vendet që i nënshtrohen sanksioneve, embargove ose masave të ngjashme të miratuara, për shembull, nga BE-ja ose Organizata e Kombeve të Bashkuara;
d) vendet që sigurojnë financime ose mbështetje për aktivitete terroriste, ose që kanë organizata të njohura si terroriste, që veprojnë brenda vendeve të tyre.
SHTOJCA IV
TABELA E PËRPUTHSHMËRISË
Kjo Direktivë
Direktiva 2005/60/KE
Direktiva 2006/70/KE
—
Neni 1
—
Neni 3
—
Neni 5
—
Neni 6
—
Neni 7
Neni 1
Neni 1
Neni 2
Neni 2
Neni 2, paragrafët 3 deri në 9
Neni 4
Neni 3
Neni 3
Neni 3, paragrafët 9, 10 dhe 11
Neni 2, paragrafët 1, 2 dhe 3
Neni 4
Neni 4
Neni 5
Neni 5
Nenet 6 deri në 8
—
Neni 10
Neni 6
Neni 11
Neni 7
Neni 13
Neni 8
Neni 14
Neni 9
Neni 11, germa "d"
Neni 10, paragrafi 1
—
Neni 10, paragrafi 2
Nenet 15, 16 dhe 17
Neni 11
—
Neni 12
Nenet 18 deri në 24
Neni 13
Neni 22
Neni 2, paragrafi 4
Neni 25
Neni 14
—
Neni 15
Neni 26
Neni 16
—
Neni 17
Neni 27
Neni 18
Neni 28
—
Neni 29
Neni 19
Neni 30
—
Neni 31
—
—
Neni 20
Neni 32
Neni 21
Neni 33
Neni 22
Neni 34
Neni 23
Neni 35
Neni 24
Neni 36
Neni 25
Neni 37
Neni 26
Neni 38
Neni 27
Neni 39
Neni 28
—
Neni 29
Neni 40
Neni 30
Neni 45
Neni 31
Neni 42
Neni 32
Neni 44
Neni 33
Neni 45
Neni 34
Neni 46
Neni 35
Neni 47
Neni 36
Neni 48
Neni 37
Neni 49
—
Neni 50
Neni 37a
Neni 51
Neni 38
Nenet 52 deri në 57
—
Nenet 58 deri në 61
Neni 39
—
Neni 40
—
Neni 41
—
Neni 41a
—
Neni 41b
Neni 65
Neni 42
—
Neni 43
Neni 66
Neni 44
Neni 67
Neni 45
Neni 68
Neni 46
Neni 69
Neni 47
<href="#ntc1-L_2015141EN.01007301-E0001">1. Gazeta Zyrtare C 166, 12.6.2013, f. 2.
<href="#ntc2-L_2015141EN.01007301-E0002">2. Gazeta Zyrtare C 271, 19.9.2013, f. 31.
<href="#ntc3-L_2015141EN.01007301-E0003">3. Qëndrimi i Parlamentit Evropian i 11 marsit 2014 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare) dhe qëndrimi i Këshillit në prezantimin e parë të datës 20 prill 2015 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare). Qëndrimi i Parlamentit Evropian i 20 majit 2015 (ende i pabotuar në Gazetën Zyrtare).
<href="#ntc4-L_2015141EN.01007301-E0004">4. Direktiva 91/308/KEE e Këshillit, datë 10 qershor 1991, "Për ndalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave" (Gazeta Zyrtare L 166, 28.6.1991, f. 77).
<href="#ntc5-L_2015141EN.01007301-E0005">5. Direktiva 2001/97/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 4 dhjetor 2001, "Për ndryshimin e Direktivës 91/308/KEE të Këshillit "Për ndalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave"" (Gazeta Zyrtare L 344, 28.12.2001, f. 76).
<href="#ntc6-L_2015141EN.01007301-E0006">6. Direktiva 2005/60/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 26 tetor 2005, "Për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit" (Gazeta Zyrtare L 309, 25.11.2005, f. 15).
<href="#ntc7-L_2015141EN.01007301-E0007">7. Direktiva 2006/70/KE e Komisionit, datë 1 gusht 2006, "Për përcaktimin e masave për zbatimin e Direktivës 2005/60/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit në lidhje me përkufizimin e personit të ekspozuar politikisht dhe kriteret teknike për procedurat e vigjilencës së thjeshtuar ndaj klientëve dhe për përjashtimin për shkak të një aktiviteti financiar të kryer në mënyrë të rastësishme ose shumë të kufizuar" (Gazeta Zyrtare L 214, 4.8.2006, f. 29).
<href="#ntc8-L_2015141EN.01007301-E0008">8. Direktiva 2009/110/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 16 shtator 2009, "Për marrjen, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të biznesit të institucioneve të parasë elektronike, që ndryshon Direktivat 2005/60/KE dhe 2006/48/KE dhe shfuqizimin e Direktivës 2000/46/KE" (Gazeta Zyrtare L 267, 10.10.2009, f. 7).
<href="#ntc9-L_2015141EN.01007301-E0009">9. Rregullorja (BE) Nr. 1093/2010 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 24 nëntor 2010, "Për krijimin e Autoritetit Evropian të Mbikëqyrjes (Autoriteti Evropian Bankar), që ndryshon Vendimin Nr. 716/2009/KE dhe shfuqizon Vendimin 2009/78/KE të Komisionit" (Gazeta Zyrtare L 331, 15.12.2010, f. 12).
<href="#ntc10-L_2015141EN.01007301-E0010">10. Rregullorja (BE) Nr. 1094/2010 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 24 nëntor 2010, "Për krijimin e Autoritetit Evropian të Mbikëqyrjes (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale), që ndryshon Vendimin Nr. 716/2009/KE dhe shfuqizon Vendimin 2009/79/KE të Komisionit" (Gazeta Zyrtare L 331, 15.12.2010, f. 48).
<href="#ntc11-L_2015141EN.01007301-E0011">11. Rregullorja (BE) Nr. 1095/2010 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 24 nëntor 2010, "Për krijimin e Autoritetit Evropian të Mbikëqyrjes (Autoriteti Evropian i Titujve dhe Tregjeve), që ndryshon Vendimin Nr. 716/2009/KE dhe shfuqizon Vendimin 2009/77/KE të Komisionit" (Gazeta Zyrtare L 331, 15.12.2010, f. 84).
<href="#ntc12-L_2015141EN.01007301-E0012">12. Direktiva 95/46/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 24 tetor 1995, "Për mbrojtjen e individëve lidhur me përpunimin e të dhënave personale dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave" (Gazeta Zyrtare L 281, 23.11.1995, f. 31).
<href="#ntc13-L_2015141EN.01007301-E0013">13. Rregullorja (KE) Nr. 45/2001 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 18 dhjetor 2000, "Për mbrojtjen e individëve lidhur me përpunimin e të dhënave personale nga institucionet dhe organet e Komunitetit dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave" (Gazeta Zyrtare L 8, 12.1.2001, f. 1).
<href="#ntc14-L_2015141EN.01007301-E0014">14. Vendimi Kuadër 2008/977/ÇBD, datë 27 nëntor 2008, "Për mbrojtjen e të dhënave personale të përpunuara në kuadër të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor në çështjet penale" (Gazeta Zyrtare L 350, 30.12.2008, f. 60).
<href="#ntc15-L_2015141EN.01007301-E0015">15. Direktiva 2011/16/BE e Këshillit, datë 15 shkurt 2011, "Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimit dhe shfuqizimin e Direktivës 77/799/KEE" (Gazeta Zyrtare L 64, 11.3.2011, f. 1).
<href="#ntc16-L_2015141EN.01007301-E0016">16. Vendimi Kuadër 2009/315/ÇBD i Këshillit, datë 26 shkurt 2009, "Për organizimin dhe përmbajtjen e shkëmbimit të informacionit të marrë nga regjistri penal ndërmjet Shteteve Anëtare" (Gazeta Zyrtare L 93, 7.4.2009, f. 23).
<href="#ntc17-L_2015141EN.01007301-E0017">17. Vendimi 2009/316/ÇBD i Këshillit, datë 6 prill 2009, "Për krijimin e Sistemit Evropian të Informimit për të Dhënat Penale (ECRIS) në zbatim të nenit 11 të Vendimit Kuadër 2009/315/ÇBD (Gazeta Zyrtare L 93, 7.4.2009, f. 33).
<href="#ntc18-L_2015141EN.01007301-E0018">18. Gazeta Zyrtare C 369, 17.12.2011, f. 14.
<href="#ntc19-L_2015141EN.01007301-E0019">19. Gazeta Zyrtare C 32, 4.2.2014, f. 9.
<href="#ntc20-L_2015141EN.01007301-E0020">20. Vendimi Kuadër 2002/475/ÇBD i Këshillit, datë 13 qershor 2002, "Për luftën kundër terrorizmit" (Gazeta Zyrtare L 164, 22.6.2002, f. 3).
<href="#ntc21-L_2015141EN.01007301-E0021">21. Direktiva 2007/64/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 13 nëntor 2007, "Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm, që ndryshon Direktivat 97/7/KE, 2002/65/KE, 2005/60/KE dhe 2006/48/KE dhe shfuqizon Direktivën 97/5/KE" (Gazeta Zyrtare L 319, 5.12.2007, f. 1).
<href="#ntc22-L_2015141EN.01007301-E0022">22. Rregullorja (BE) Nr. 575/2013 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 26 qershor 2013, "Për kushtet e kujdesit për institucionet kredituese dhe shoqëritë e investimit dhe që ndryshon Rregulloren (BE) Nr. 648/2012" (Gazeta Zyrtare L 176, 27.6.2013, f. 1).
<href="#ntc23-L_2015141EN.01007301-E0023">23. Direktiva 2013/36/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 26 qershor 2013, "Për aksesin në aktivitetin e institucioneve kredituese dhe për mbikëqyrjen e kujdesshme të institucioneve kredituese dhe të shoqërive të investimit, që ndryshon Direktivën 2002/87/KE dhe shfuqizon Direktivat 2006/48/KE dhe 2006/49/KE të Këshillit" (Gazeta Zyrtare L 176, 27.6.2013, f. 338).
<href="#ntc24-L_2015141EN.01007301-E0024">24. Direktiva 2009/138/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 25 nëntor 2009, "Për marrjen dhe ndjekjen e biznesit të Sigurimit dhe Risigurimit (Aftësia Paguese II)" (Gazeta Zyrtare L 335, 17.12.2009, f. 1).
<href="#ntc25-L_2015141EN.01007301-E0025">25. Direktiva 2004/39/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 21 prill 2004, "Për tregjet e instrumenteve financiare, që ndryshon Direktivat 85/611/KEE dhe 93/6/KEE të Këshillit dhe Direktivën 2000/12/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit dhe shfuqizon Direktivën 93/22/KEE të Këshillit" (Gazeta Zyrtare L 145, 30.4.2004, f. 1).
<href="#ntc26-L_2015141EN.01007301-E0026">26. Direktiva 2002/92/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 9 dhjetor 2002, "Për ndërmjetësimin në sigurim" (Gazeta Zyrtare L 9, 15.1.2003, f. 3).
27. Veprimi i Përbashkët 98/733/ÇBD, datë 21 dhjetor 1998, i miratuar nga Këshilli mbi bazën e nenit K.3 të Traktatit për Bashkimin Evropian, "Për shpalljen vepër penale të pjesëmarrjes në organizata kriminale në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (Gazeta Zyrtare L 351, 29.12.1998, f. 1).
<href="#ntc28-L_2015141EN.01007301-E0028">28. Gazeta Zyrtare C 316, 27.11.1995, f. 49.
<href="#ntc29-L_2015141EN.01007301-E0029">29. Direktiva 2013/34/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 26 qershor 2013, "Për pasqyrat financiare vjetore, pasqyrat financiare të konsoliduara dhe raportet përkatëse të llojeve të caktuara të sipërmarrjeve, që ndryshon Direktivën 2006/43/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit dhe shfuqizon Direktivat 78/660/KEE dhe 83/349/KEE të Këshillit" (Gazeta Zyrtare L 182, 29.6.2013, f. 19).
<href="#ntc30-L_2015141EN.01007301-E0030">30. Rregullorja (BE) 2015/847 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 20 maj 2015, "Për informacionin shoqërues të transfertave të fondeve, që shfuqizon Rregulloren (KE) Nr. 1781/2006" (shih faqen 1 të kësaj Gazete Zyrtare).
<href="#ntc31-L_2015141EN.01007301-E0031">31. Direktiva 2009/101/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 16 shtator 2009, "Për koordinimin e masave mbrojtëse që, për qëllime të mbrojtjes së interesave të anëtarëve dhe të palëve të treta, duhet të zbatohen nga shtetet anëtare të shoqërive në kuptimin e paragrafit të dytë të nenit 48 të traktatit, me qëllimin për t'i bërë ato masa të barasvlershme" (Gazeta Zyrtare L 258, 1.10.2009, f. 11).
<href="#ntc32-L_2015141EN.01007301-E0032">32. Rregullorja (BE) Nr. 648/2012 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 4 korrik 2012, "Për derivativët mbi banak (OTC), kundërpalët qendrore dhe regjistrat e tregtimit" (Gazeta Zyrtare L 201, 27.7.2012, f. 1).