-
Lexo Dokumentin
31992L0013
DIREKTIVA E KËSHILLIT 92/13/KEE, DATA 25 SHKURT 1992, "PËR KOORDINIMIN E LIGJEVE, RREGULLOREVE DHE DISPOZITAVE ADMINISTRATIVE NË LIDHJE ME ZBATIMIN E RREGULLAVE KOMUNITARE PËR PROCEDURAT E PROKURIMIT TË ENTEVE QË OPEROJNË NË SEKTORËT E SHËRBIMIT TË UJIT, ENERGJISË, TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT"
Gazeta Zyrtare L 076, 23/03/1992 P. 0014 – 0020
Botimi i veçantë në gjuhën finlandeze: Kapitulli 6, Vëllimi 3, F. 0127
Botim i veçantë suedez: Kreu 6, vëllimi 3, f. 0127
Direktiva e Këshillit 92/13/KEE, datë 25 shkurt 1992, "Për koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative në lidhje me zbatimin e rregullave komunitare për procedurat e prokurimit të enteve që operojnë në sektorët e shërbimit të ujit, energjisë, transportit dhe telekomunikacionit"
KËSHILLI I KOMUNITETEVE EVROPIANE,
Duke pasur parasysh Traktatin themelues të Komunitetit Ekonomik Evropian dhe në veçanti nenin 100a të tij,
Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit1,
Në bashkëpunim me Parlamentin Evropian2,
Duke pasur parasysh opinionin e Komitetit Ekonomik dhe Social3,
Meqë, Direktiva e Këshillit 90/531/KEE, datë 17 shtator 1990, "Për procedurat e prokurimit të enteve që operojnë në sektorët e shërbimit të ujit, energjisë, transportit dhe telekomunikacionit"4 përcakton rregullat për procedurat e prokurimit për të garantuar që furnizuesit dhe kontraktorët e mundshëm të kenë mundësi të barabarta për t'u shpallur fitues të kontratave, por nuk përmban ndonjë dispozitë specifike që garanton zbatimin efektiv të saj;
Meqë, masat ekzistuese në nivel kombëtar dhe në nivel BE-je për granatimin e zbatimit të saj nuk janë gjithmonë të përshtatshme;
Meqë, mungesa e zgjidhjeve ligjore efektive ose pamjaftueshmëria e zgjidhjeve ligjore ekzistuese mund të pengojë operatorët e Komunitetit të paraqesin oferta; meqë, për rrjedhojë, shtetet anëtare duhet ta zgjidhin këtë situatë;
Meqë, Direktiva e Këshillit 89/665/KEE, datë 21 dhjetor 1989, "Për koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative që lidhen me zbatimin e procedurave të shqyrtimit për shpalljen fituese të kontratave publike të furnizimit dhe të kontratave për punë publike5 kufizohet në ato procedura prokurimi që janë brenda fushës së zbatimit të Direktivës së Këshillit 71/305/KEE, datë 26 korrik 1971, "Për koordinimin e procedurave të shpalljes së fituesit të kontratave për punë publike"6, e ndryshuar së fundmi me Direktivën 90/531/KEE dhe Direktivën e Këshillit 77/62/KEE, datë 21 dhjetor 1976, "Për koordinimin e procedurave për shpalljen e fituesit të kontratave publike të furnizimit"7, e ndryshuar së fundmi nga Direktiva 90/531/KEE;
Meqë, hapja e prokurimit publik ndaj konkurrencës së Komunitetit, nënkupton miratimin e dispozitave për të bërë të mundur që furnizuesve ose kontraktorëve t'u vihen në dispozicion procedura efikase shqyrtimi në rast shkeljeje të legjislacionit ose të rregullave kombëtare në zbatim të tij;
Meqë, nevojitet të parashikohet rritje e konsiderueshme e garancive për transparencë dhe mosdiskriminim dhe meqë, për të pasur efekte të prekshme, duhet të vihen në dispozicion zgjidhje ligjore efikase dhe të shpejta;
Meqë, duhet të merret parasysh natyra specifike e disa urdhrave ligjore, duke autorizuar shtetet anëtare të kenë mundësi zgjedhjeje mes kompetencave të ndryshme, me efekt të barasvlershëm, për t'ua caktuar organeve të shqyrtimit;
Meqë, në këto mundësi përfshihet kompetenca për të ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procedurat e prokurimit të enteve kontraktore, për shembull, duke i pezulluar ato ose duke rishikuar vendimet ose klauzolat diskriminuese në dokumente apo publikime;
Meqë, opsioni tjetër parashikon kompetencën për të ushtruar presion të tërthortë efikas tek entet kontraktore në mënyrë që ata të korrigjojnë çdo shkelje ose të parandalojnë kryerjen e shkeljeve dhe dëmtimeve;
Meqë, duhet të jepet gjithmonë mundësia për të kërkuar zhdëmtim;
Meqë, kur bëhet një kërkesë për zhdëmtim, që përfaqëson kostot e përgatitjes së ofertës ose të pjesëmarrjes në procedurën e prokurimit, personi që bën kërkesën për rimbursimin e kostove të tij nuk është e nevojshme të provojë se, nëse nuk do të ishte kryer shkelja, ai do të ishte shpallur fitues i kontratës;
Meqë, entet kontraktore që janë në respektim të rregullave të prokurimit mund të bëjnë të njohur këtë fakt nëpërmjet mënyrave të përshtatshme; meqë, për këtë nevojitet një shqyrtim, nga persona të pavarur, i procedurave dhe praktikave të zbatuara nga këto ente;
Meqë, për këtë qëllim, është me vend që në njoftimet e botuara në Gazetën Zyrtare të Komunitetit Evropian të vendoset një sistem vërtetimi, që mundëson nxjerrjen e vërtetimeve për zbatimin e saktë të rregullave të prokurimit;
Meqë, entet kontraktore duhet të kenë mundësinë e rekursit në sistemin e vërtetimit, nëse ato dëshirojnë; meqë, shtetet anëtare duhet t’ua japin atyre këtë mundësi; meqë, ato mund të veprojnë në këtë mënyrë qoftë duke e krijuar vetë sistemin ose duke i lejuar entet kontraktore të bëjnë rekurs në sistemin e vërtetimit të krijuar nga një shtet tjetër anëtar; meqë, ato mund t’ja caktojnë detyrën e kryerjes së shqyrtimit, sipas sistemit të vërtetimit, personave, profesionistëve ose personelit të institucioneve;
Meqë, fleksibiliteti i nevojshëm për futjen në përdorim të këtij sistemi garantohet duke përcaktuar në këtë direktivë kërkesat thelbësore që kanë lidhje me të; meqë, detajet funksionale duhet të jepen në standardet evropiane të cilave u referohet kjo direktivë;
Meqë, shtetet anëtare mund të kenë nevojë të përcaktojnë detajet funksionale përpara ose në shtesë të rregullave të përcaktuara në standardet evropiane;
Meqë, në ato raste kur operatorët nuk kërkojnë shqyrtim, disa shkelje mund edhe të mos korrigjohen në rast se nuk ekziston një mekanizëm specifik;
Meqë, për sa më sipër, kur Komisioni gjykon se është kryer një shkelje e qartë dhe e dukshme gjatë procedurës së prokurimit, ai duhet t’ua përcjellë atë autoriteteve kompetente të shtetit anëtar dhe entit kontraktor përkatës, në mënyrë që të merren masat e duhura për korrigjimin e shpejtë të asaj shkeljeje;
Meqë, është e nevojshme të parashikohet mundësia e procedurave të pajtimit në nivel BE-je, për të mundësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim;
Meqë, zbatimi në praktikë i kësaj direktive duhet të shqyrtohet në të njëjtën kohë me Direktivën 90/531/KEE, në bazë të informacionit që do të jepet nga shtetet anëtare për funksionimin e procedurave kombëtare të shqyrtimit,
Meqë, kjo direktivë duhet të hyjë në fuqi njëkohësisht me Direktivën 90/531/KEE;
Meqë, është e përshtatshme që Mbretërisë së Spanjës, Republikës Helene dhe Republikës së Portugalisë t’u jepen periudha shtesë të përshtatshme për të transpozuar këtë direktivë, duke marrë parasysh datat e zbatimit të Direktivës 90/531/KEE në këto vende,
MIRATON KËTË DIREKTIVË:
KREU I
ZGJIDHJET LIGJORE NË NIVEL KOMBËTAR
Neni 1
1. Shtetet anëtare marrin masat e nevojshme për të garantuar që vendimet e marra nga entet kontraktore të rishikohen me efikasitet, dhe në veçanti, sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me kushtet e paraqitura në nenet e mëposhtme dhe, në veçanti në nenin 2, paragrafi 8, në rastet kur këto vendime janë në shkelje të legjislacionit të BE-së në fushën e prokurimit ose të rregullave kombëtare në zbatim të tij, për sa i përket:
a) procedurave të prokurimit brenda fushës së zbatimit të Direktivës së Këshillit 90/531/KEE; dhe
b) përputhshmërisë me nenin 3, paragrafi 2, germa "a" të kësaj direktive, në rastin e enteve kontraktore për të cilat zbatohet kjo dispozitë.
2. Shtetet anëtare sigurohen që të mos ketë diskriminim ndër ata operatorë që ka gjasa të bëjnë kërkesë për zhdëmtim në kontekstin e një procedure prokurimi, si rezultat i dallimit të bërë në këtë direktivë ndërmjet rregullave kombëtare në zbatim të ligjit komunitar dhe rregullave kombëtare të tjera.
3. Shtetet anëtare sigurohen që procedurat e shqyrtimit të jenë të disponueshme sipas rregullave të detajuara që shtetet anëtare mund të përcaktojnë, të paktën për çdo person që ka ose ka pasur interes për t'u shpallur fitues i një kontratë të caktuar, i cili është dëmtuar ose rrezikon të dëmtohet nga një shkelje e pretenduar. Shtetet anëtare mund të kërkojnë konkretisht që personi i cili kërkon shqyrtimin të ketë njoftuar më parë entin kontraktor për shkeljen e pretenduar dhe për qëllimin e tij për të kërkuar shqyrtim.
Neni 2
1. Shtetet anëtare bëjnë të mundur që masat e marra në lidhje me procedurat e shqyrtimit të specifikuara në nenin 1, të përmbajnë parashikimin për kompetencat:
për secilin nga rastet e mëposhtme
a) për të marrë masa të përkohshme, në rastin më të parë dhe nëpërmjet procedurës interlokutore, për të korrigjuar shkeljen e pretenduar ose për të parandaluar cenimin e mëtejshëm të interesave, duke përfshirë masat për të pezulluar ose për të bërë të mundur pezullimin e procedurave të prokurimit ose zbatimin e ndonjë vendimi të marrë nga enti kontraktor; dhe
b) për të rishikuar ose për të bërë të mundur rishikimin e vendimeve të marra në kundërshtim me ligjin, duke përfshirë heqjen e specifikave teknike, ekonomike ose financiare diskriminuese në njoftimin e kontratës, në njoftimin tregues periodik, në njoftimin për ekzistencën e sistemit të kualifikimit, në ftesën për ofertë, në dokumentet e kontratës ose në çdo dokument tjetër që ka lidhje me procedurën e prokurimit në fjalë; ose
ose
c) për të marrë, në rastin më të parë, nëse është e mundur nëpërmjet procedurave interlokutore dhe nëse është e nevojshme përmes një vendimi përfundimtar mbi themelin e çështjes, masa të ndryshme nga ato që parashikohen në germat "a" dhe "b", me qëllim për të korrigjuar çdo shkelje të identifikuar dhe për të parandaluar dëmtimin e interesave; në veçanti, bërja e një urdhri për të paguar një shumë të caktuar për rastet kur shkelja nuk është korrigjuar ose parandaluar.
Shtetet anëtare mund ta ushtrojnë këtë opsion për të gjitha entet kontraktore ose për kategori entesh të përcaktuara në bazë të kritereve objektive, në çdo rast duke ruajtur efikasitetin e masave të përcaktuara për parandalimin e dëmtimit të interesave;
d) dhe, në të dyja rastet e sipërpërmendura, për kompensimin e dëmeve për çdo person të dëmtuar nga një shkelje.
Kur zhdëmtimi kërkohet me arsyen se është marrë një vendim në kundërshtim me ligjin, shtetet anëtare, kur ua kërkon sistemi ligjor i brendshëm dhe kur kanë organe me kompetencat e nevojshme për këtë qëllim, parashikojnë që vendimi i kontestuar së pari të rishikohet ose të deklarohet si në kundërshtim me ligjin.
2. Kompetencat e përmendura në paragrafin 1 mund të ndahen në organe të veçanta, që janë përgjegjëse për aspekte të ndryshme të procedurës së shqyrtimit.
3. Nuk është nevoja që procedurat e shqyrtimit të kenë një efekt automatik pezullimi për procedurat e prokurimit me të cilat ato lidhen.
4. Kur gjykojnë mbi marrjen ose jo të masave të përkohshme, shtetet anëtare mund të parashikojnë që organi përgjegjës të marrë parasysh pasojat e mundshme të masave në të gjithë interesat që mund të dëmtohen, si edhe interesin publik, dhe mund të vendosin të mos i zbatojë këto masa kur pasojat e tyre negative mund t’i tejkalojnë përfitimet prej tyre. Vendimi për të mos zbatuar masat e përkohshme nuk cenon asnjë pretendim tjetër të personit që i kërkon këto masa.
5. Shuma që paguhet si dëmshpërblim, në përputhje me paragrafin 1, germa "c", duhet të vendoset në një nivel mjaft të lartë për të penguar entin kontraktor nga kryerja ose vazhdimi i një shkeljeje. Pagesa e kësaj shume mund të bëhet në varësi të një vendimi të formës së prerë që konstaton se është kryer realisht një shkelje.
6. Efektet e ushtrimit të kompetencave të përmendura në paragrafin 1 për një kontratë të nënshkruar pas shpalljes së fituesit të saj, do të përcaktohen nga ligji i brendshëm. Përveç kësaj, me përjashtim të rasteve kur një vendim duhet të rishikohet përpara kompensimit të dëmeve, shteti anëtar mund të parashikojë që, pas nënshkrimit të një kontrate, kompetencat e organit përgjegjës për procedurat e shqyrtimit të kufizohen në kompensimin e dëmeve ndaj çdo personi të dëmtuar nga një shkelje.
7. Kur bëhet një kërkesë për zhdëmtim, për dëme që përfaqësojnë kostot e përgatitjes së ofertës ose të pjesëmarrjes në procedurën e prokurimit, personi që bën kërkesën duhet vetëm të provojë se është kryer një shkelje e legjislacionit të BE-së në fushën e prokurimit ose e rregullave kombëtare në zbatim të tij, dhe se ai do të kishte pasur një mundësi reale për t'u shpallur fitues i kontratës, por si rrjedhojë e kësaj shkeljeje kjo mundësi është djegur.
8. Shtetet anëtare bëjnë të mundur zbatimin efikas të vendimeve të marra nga organet përgjegjëse për procedurat e shqyrtimit.
9. Meqë, organet përgjegjëse për procedurat e shqyrtimit nuk kanë karakter gjyqësor, jepen gjithmonë arsye me shkrim për vendimet e tyre. Gjithashtu, në një rast të tillë, duhet të bëhen parashikime për të garantuar procedura nëpërmjet të cilave çdo masë e marrë nga organi i rishikimit, e pretenduar si e paligjshme, ose çdo mangësi e pretenduar në ushtrimin e kompetencave që i janë akorduar këtij të fundit, të mund të bëhet objekt shqyrtimi gjyqësor ose objekt shqyrtimi nga ndonjë organ tjetër, që mund të jetë gjykatë ose trup gjykues brenda kuptimit të nenit 177 të traktatit, dhe i pavarur nga enti kontraktor dhe nga organi i shqyrtimit.
Anëtarët e organit të pavarur, të përmendur në paragrafin më sipër, emërohen dhe shkarkohen mandatin sipas po të njëjtave kushte me anëtarët e sistemit gjyqësor, për sa i përket autoritetit përgjegjës për emërimin e tyre, mandatit dhe shkarkimit të tyre. Presidenti i këtij organi të pavarur do të ketë të paktën të njëjtin formim ligjor dhe profesional si anëtarët e sistemit gjyqësor. Organi i pavarur i merr vendimet sipas një procedure në të cilën dëgjohen të dyja palët dhe këto vendime kanë fuqi ligjore, nëpërmjet mjeteve të përcaktuara nga secili shtet anëtar.
KREU 2
VËRTETIMI
Neni 3
Shtetet anëtare u japin enteve kontraktore mundësinë për të bërë rekurs në një sistemi vërtetimi, në përputhje me nenet 4 deri në 7.
Neni 4
Entet kontraktore mund të shqyrtojnë në mënyrë periodike procedurat dhe praktikat e tyre të prokurimit, që përfshihen në objektin e Direktivës 90/531/KEE, me qëllim marrjen e një vërtetimi se, deri në atë datë, këto procedura dhe praktika janë në përputhje me legjislacionin e BE-së për shpalljen fituese të kontratave dhe me rregullat kombëtare në zbatim të tij.
Neni 5
1. Lëshuesit e vërtetimeve i raportojnë me shkrim entit kontraktor rezultatet e shqyrtimit të tyre. Para se t’ia dorëzojnë entit kontraktor vërtetimin e përmendur në nenin 4, ata sigurohen që çdo parregullsi e identifikuar në procedurat dhe praktikat e prokurimit të entit kontraktor të jenë korrigjuar si dhe të jenë marrë masa për të garantuar që këto parregullsi të mos përsëriten.
2. Entet kontraktore që marrin këtë vërtetim mund të përfshijnë deklaratën e mëposhtme në njoftimet e tyre të botuara në Gazetën Zyrtare të Komuniteteve Evropiane, në zbatim të neneve 16 deri në 18 të Direktivës 90/531/KEE:
"Enti kontraktor ka marrë një vërtetim në përputhje me Direktivën e Këshillit 92/13/KEE që, më ................., procedurat dhe praktikat e tij të prokurimit janë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe me rregullat kombëtare në zbatim të tij".
Neni 6
1. Lëshuesit e vërtetimeve janë të pavarur nga entet kontraktore dhe duhet të jenë plotësisht objektivë në kryerjen e detyrave të tyre. Ata duhet të japin dëshmi të mjaftueshme që vërtetojnë kualifikimet dhe përvojën e tyre profesionale.
2. Për kryerjen e këtij funksioni shtetet anëtare mund të caktojnë çdo person, me çfarëdolloj profesioni, ose institucione që konsiderohet se përmbush kërkesat e paragrafit 1. Për këto qëllime, shtetet anëtare mund të kërkojnë kualifikime profesionale, të paktën diplomën universitare, brenda kuptimit të Direktivës 89/48/KEE8, të cilat i konsiderojnë të përshtatshme, ose mund të parashikojnë që testime të caktuara të kompetencave profesionale, të organizuara dhe të njohura nga shteti, i ofrojnë këto garanci.
Neni 7
Dispozitat e neneve 4, 5 dhe 6 konsiderohen si kërkesa thelbësore për zhvillimin e standardeve evropiane për vërtetimin.
KREU 3
MEKANIZMI KORRIGJUES
Neni 8
1. Komisioni mund të përdorë procedurat e parashikuara në këtë nen, kur përpara lidhjes së një kontrate, ai gjykon se është kryer një shkelje e qartë dhe e dukshme e dispozitave komunitare në fushën e prokurimit publik, gjatë procedurës së prokurimit, e cila përfshihet në objektin e Direktivës 90/531/KEE ose në lidhje me nenin 3, paragrafi 2, germa "a" të kësaj direktive në rastin e enteve kontraktore për të cilat ajo dispozitë gjen zbatim.
2. Komisioni njofton shtetet anëtare dhe entin kontraktor përkatës për arsyet që e kanë bërë të dalë në përfundimin se është kryer një shkelje e qartë dhe e dukshme, dhe kërkon korrigjimin e saj nëpërmjet mjeteve të përshtatshme.
3. Brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit të përmendur në paragrafin 2, shtetet anëtare përkatëse i komunikojnë Komisionit:
a) konfirmimin e tij se shkelja është korrigjuar; ose
b) një raport me arsyet përse nuk është bërë asnjë korrigjim; ose
c) një njoftim ku sqarohet se procedura e prokurimit është pezulluar ose nga enti kontraktor me iniciativën e tij, ose mbi bazën e kompetencave të specifikuara në nenin 2, paragrafi 1, germa "a".
4. Raporti i arsyetuar i komunikuar sipas paragrafit 3, germa "b" mund të mbështetet, ndër të tjera, mbi faktin se shkelja e pretenduar tashmë u nënshtrohet procedurave të shqyrtimit gjyqësor ose të një shqyrtimi siç përmendet në nenin 2, paragrafi 9. Në këtë rast, shteti anëtar i njofton Komisionit rezultatin e këtyre procedurave ligjore sapo ky rezultat të bëhet i ditur.
5. Kur jepet njoftimi se procedura e prokurimit është pezulluar në përputhje me paragrafin 3, germa "c", shteti anëtar në fjalë njofton Komisionin se kur hiqet ky pezullim ose kur fillohet procedura për një kontratë tjetër, e cila lidhet plotësisht ose pjesërisht me çështjen në fjalë. Ky njoftim i ri duhet të konfirmojë se shkelja e pretenduar është korrigjuar ose duhet të përfshijë një raport të arsyetuar se përse nuk është bërë asnjë korrigjim.
KREU 4
PAJTIMI
Neni 9
1. Çdo person që ka ose ka pasur interes për t'u shpallur fitues i një kontrate të caktuar brenda fushës së zbatimit të Direktivës 90/531/KEE dhe që, në lidhje me procedurën e shpalljes fituese të kontratës, mendon se është dëmtuar ose rrezikon të dëmtohet nga një shkelje e pretenduar e legjislacionit të BE-së në fushën e prokurimit ose e rregullave kombëtare në zbatim të tij, mund të kërkojë zbatimin e procedurës së pajtimit të parashikuar në nenet 10 dhe 11.
2. Kërkesa e përmendur në paragrafin 1 do t’i përcillet me shkrim Komisionit ose autoriteteve kombëtare të renditura në shtojcë. Këto autoritete ia përcjellin kërkesat Komisionit sa më shpejt të jetë e mundur.
Neni 10
1. Në bazë të kërkesës të përmendur në nenin 9, kur Komisioni gjykon se mosmarrëveshja lidhet me zbatimin e saktë të legjislacionit të BE-së, ai duhet t’i kërkojë entit kontraktor të shprehet nëse është i gatshëm për të marrë pjesë në procedurën e pajtimit. Nëse enti kontraktor refuzon të marrë pjesë, Komisioni informon personin që ka bërë kërkesën se procedua nuk mund të fillohet. Nëse enti kontraktor bie dakord, zbatohen paragrafët 2 deri në 7.
2. Komisioni, sa më shpejt të jetë e mundur, propozon një ndërmjetës të marrë nga lista e personave të pavarur të akredituar për këtë qëllim. Kjo listë hartohet nga Komisioni, pas konsultimit me Komitetin Këshillimor për Kontratat Publike ose në rastin e enteve kontraktore veprimtaritë e të cilave janë përcaktuar në nenin 2, paragrafi 2, germa "d" të Direktivës 90/531/KEE, pas konsultimit me Komitetin Këshillimor për prokurimin në sektorin e telekomunikacioneve.
Çdo palë e thirrur në procedurën e pajtimit deklaron nëse e pranon ndërmjetësin dhe cakton një ndërmjetës shtesë. Ndërmjetësit mund të ftojnë më shumë se dy persona të tjerë si ekspertë për t’i këshilluar ata në punën e tyre. Palët e procedurës së pajtimit dhe Komisioni mund të refuzojnë çdo ekspert të ftuar nga ndërmjetësit.
3. Ndërmjetësit i japin personit që ka kërkuar hapjen e procedurave të pajtimit, entit kontraktor dhe çdo kandidati apo ofertuesi tjetër pjesëmarrës në procedurën përkatëse të prokurimit, mundësinë për të shprehur, qoftë me shkrim apo gojarisht, pikëpamjet e tyre për çështjen.
4. Ndërmjetësit përpiqen sa më shpejtë të arrijnë në një marrëveshje mes palëve, që është në përputhje me legjislacionin e BE-së.
5. Ndërmjetësit i raportojnë Komisionit gjetjet dhe çdo rezultat të arritur.
6. Personi që ka kërkuar hapjen e procedurës së pajtimit dhe enti kontraktor, kanë të drejtë ta ndërpresin procedurën në çdo kohë.
7. Nëse nuk vendoset ndryshe nga palët, personi që ka kërkuar hapjen e procedurës së pajtimit dhe enti kontraktor mbulojnë shpenzimet e tyre përkatëse. Përveç kësaj, secili prej tyre do të paguajë gjysmën e shpenzimeve të procedurës, duke përjashtuar shpenzimet e palëve ndërhyrëse.
Neni 11
1. Kur për një procedurë specifike prokurimi, një person i interesuar, brenda kuptimit të nenit 9, i ndryshëm nga personi që ka kërkuar hapjen e procedurës së pajtimit, ndjek procedurat e rishikimit gjyqësor ose procedura të tjera shqyrtimi, brenda kuptimit të kësaj direktive, enti kontraktor informon ndërmjetësit. Këta të fundit e informojnë personin në fjalë se është paraqitur një kërkesë për hapjen e procedurës së pajtimit dhe e ftojnë atë person të deklarojë, brenda një afati kohor të caktuar, nëse pranon apo jo të marrë pjesë në procedurën në fjalë. Nëse ky person refuzon të marrë pjesë, ndërmjetësit mund të vendosin, me shumicë votash nëse është e nevojshme, ta ndërpresin procedurën e pajtimit nëse ata konsiderojnë se pjesëmarrja e këtij personi është e nevojshme për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Ata ia njoftojnë vendimin Komitetit dhe i japin atij arsyet për marrjen e vendimit.
2. Masat e marra në përputhje me këtë krye nuk duhet të cenojnë:
a) çdo masë që Komisioni ose çdo shtet anëtar mund të marrë në përputhje me nenin 169 ose 170 të Traktatit ose në përputhje me kreun 3 të kësaj direktive;
b) të drejtat e personave që kërkojnë hapjen e procedurës së pajtimit, të drejtat e entit kontraktor ose të çdo personi tjetër.
KREU 5
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 12
1. Jo më vonë se katër vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj direktive, Komisioni në konsultim me Komitetin Këshillimor për Kontratat Publike, shqyrton sesi janë zbatuar dispozitat e kësaj direktive dhe sidomos a janë përdorur standardet evropiane, dhe nëse e sheh të nevojshme bën propozime për ndryshime.
2. Përpara datës 1 mars të çdo viti, shtetet anëtare i komunikojnë Komisionit informacion për kryerjen e procedurave kombëtare të shqyrtimit gjatë vitit kalendarik të mëparshëm. Lloji i informacionit përcaktohet nga Komisioni në konsultim me Komitetin Këshillimor për Kontratat Publike.
3. Në rastin e çështjeve që lidhen me entet kontraktore, aktivitetet e të cilave përcaktohen në nenin 2, paragrafi 2, germa "d" të Direktivës 90/531/KEE, Komisioni konsultohet gjithashtu me Komitetin Këshillimor për prokurimin në sektorin e telekomunikacioneve.
Neni 13
1. Shtetet anëtare, para datës 1 janar 1993, do të marrin masat e nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me këtë direktivë. Mbretëria e Spanjës do të marrë të gjitha masat e nevojshme jo më vonë se 30 qershori 1995. Republika Helene dhe Republika e Portugalisë do t’i marrin këto masa jo më vonë se 30 qershori 1997. Ato njoftojnë menjëherë Komisionin për këtë.
Shtetet anëtare, në miratimin e këtyre masave, i referohen direktivës ose i shoqërojnë ato me një referencë në rastin e botimit zyrtar të tyre. Mënyrat për bërjen e një reference të tillë përcaktohen nga vetë shtetet anëtare.
2. Shtetet anëtare do të miratojnë masat e përmendura në paragrafin 1 në po të njëjtat data (të përcaktuara në Direktivën 90/531/KEE).
3. Shtetet anëtare i komunikojnë Komisionit tekstet e dispozitave kryesore të legjislacionit të brendshëm që ato miratojnë në fushën që rregullohet nga kjo direktivë.
Neni 14
Kjo direktivë u drejtohet shteteve anëtare.
Nënshkruar në Bruksel, më 25 shkurt 1992.
Për Këshillin
Presidenti
Vitor MARTINS
SHTOJCA
AUTORITETET KOMBËTARE TË CILAVE MUND T’U DREJTOHEN KËRKESAT PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PAJTIMIT TË PËRMENDUR NË NENIN 9, SHËRBIMET E BELGJIKËS DU PREMIER MINISTRE
Diensten Van de Eerste Minister
Ministère des Affaires économiques
Ministerie van Economische Zaken
Në Danimarkë Industri- og Handelsstyrelsen (kontrata furnizimi)
Boligsministeriet (kontrata për punë publike)
Në Gjermani Bundesministerium fuer Wirtschaft
Në Greqi Ypoyrgeio Viomichanias, Energeias kai Technologias
Ypoyrgeio Emporioy Ypoyrgeio Perivallontos, Chorotaxias kai Dimosion Ergon
Në Spanjë Ministerio de Economía y Hacienda
Në Francë Commission centrale des marchés
Në Irlandë Department of Finance
Në Itali Presidenza del Consiglio dei Ministri Politiche Comunitarie
Në Luksemburg Ministère des travaux publics
Në Holandë Ministerie van Economische Zaken
Në Portugali Conselho de mercados de obras publicas e particulares
Në Mbretërinë e Bashkuar HM Treasury
1. Gazeta Zyrtare nr. C 216, 31. 8. 1990, f. 8 dhe Gazeta Zyrtare nr. C 179, 10. 7. 1991, f. 18.
2. Gazeta Zyrtare nr. C 106, 22. 4. 1991, f. 82 dhe Gazeta Zyrtare nr. C 39, 17. 2. 1992.
3. Gazeta Zyrtare nr. C 60, 8. 3. 1991, f. 16.
4. Gazeta Zyrtare nr. L 297, 29. 10. 1990, f. 1.
5. Gazeta Zyrtare nr. L 395, 30. 12. 1989, f. 33.
6. Gazeta Zyrtare nr. L 185, 16. 8. 1971, f. 5.
7. Gazeta Zyrtare nr. L 13, 15. 1. 1977, f. 1.
8. Gazeta Zyrtare nr. L 19, 24. 1. 1989, f. 16.